EULEX-i do të arrestojë barrikaduesit në veri

Misioni i Bashkimit Evropian për sundim të ligjit, EULEX, i cilëson të papranueshme kushtëzimet që strukturat paralele serbe ia kanë bërë këtij misioni në lidhje me ndalimin e lëvizjes së lirë në veri të Mitrovicës. EULEX ka paralajmëruar strukturat kriminale se do të arrestojë të gjithë ata që do të cenojnë lirinë e lëvizjes.
“Bllokimi i rrugëve, sulmi ndaj zyrtarëve të Bashkimit Evropian dhe ushtarëve të KFOR-it, si dhe nxitja e drejtpërdrejtë apo e tërthortë për dhunë, janë vepra të paligjshme dhe si të tilla, mund të shpijnë deri tek arrestimi apo ndjekja penale e personave të përfshirë”, ka thënë zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi.

“EULEX-i dëshiron ta bëjë të qartë se sundimi i ligjit duhet të mbizotërojë dhe se kërcënimet dhe dhuna janë vepra të kriminelëve. E kriminelët do të hetohen dhe aty ku ka prova të mjaftueshme, do të sillen para drejtësisë”, ka thënë Krasniqi, për Radio Evropa e Lirë.

Me këtë rast, misioni i EULEX-it i ka rikujtuar të gjithë se “duhet të ketë liri të lëvizjes të pakushtëzuar në gjithë territorin e Kosovës e veçanërisht në veri”.

Reagimi i EULEX-it ka pasuar një vendim të të ashtuquajturit Shtabi i Emergjencës në veri të Mitrovicës, i udhëhequr nga strukturat paralele serbe sipas të cilit, EULEX-it i ndalohet të lëvizë lirshëm në veri të Mitrovicës.

Ky organ kishte vendosur që ta kthejë si të detyrueshme kujdestarinë në barrikada për të gjithë qytetarët, për shkak të siç thuhet, kërcënimit të sigurisë dhe pronës.


Të premten, dy ushtarë të KFOR-it dhe të paktën tre serbë lokalë janë plagosur gjatë aksionit të Forcës Paqeruajtëse për heqjen e barrikadave në Rudarë afër Zveçanit.

Lidhur me situatën aktuale në veri, për REL është prononcuar edhe zëdhënësi i KFOR-it, Dan Harvi.

“Aktualisht, situata është e qetë. KFOR-i inkurajon të gjithë njerëzit e përgjegjshëm që të mos bëjnë deklarata nxitëse dhe që me mendjet e tyre të veprojnë në mënyrë paqësore”, ka thënë zëdhënësi Dan Harvi.