Beqiri: Edita ka fyer me anglishten e saj të fortë

Shefi të Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, ka thënë se kryenegociatorja Edita Tahiri ka fyer 27 deputetë të Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Është skandal i llojit të vet kjo që e bëri zonja me anglishten e fortë të saj. S’kishte asgjë personale. Unë kam kërkuar fjalën në emër të Grupit Parlamentar. Kjo ka fyer një grup të madh elektoral, 27 deputetë të Kuvendit. Pse dikush as votat e katundit të vet nuk i merr, është problem i saj. Kërkojmë të respektohen deputetët që janë këtu”, ka thënë Beqiri.
Për më tepër, ai ka shtuar Tahiri ka dëmtuar shtetin e Kosovës.
Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Beqiri kishte kërkuar shpjegime për bisedimet Kosovë-Serbi, të cilat ai i quajtur “shuttle diplomacy”. Ndaj kësaj ka reaguar Tahiri, duke e “uruar” në njohjen e gjuhës angleze.

Lunacek: Të dorëhiqet Syla, dëmtoi imazhin e Kosovës

Për të dytën ditë me radhë në Strasburg ka vazhduar takimi ndërparlamentar Kosovë - Parlamenti Evropian. Në seancën e paradites është diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi, si dhe për zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Në takimin e sotëm, eurodeputetja Ulrike Lunacek e ka ngritur çështjen e deputetit Azem Syla, i cili po hetohet nga drejtësia në Zvicër për abuzim me sistemin.
Lunaçek i bëri thirrje kryeparlamentarit të Kosovës, Jakup Krasniqi, t’i kërkojë dorëheqjen deputetit Azem Syla për shkak të imazhit të Kosovës, raporton QIK.
“Ne po punojmë shumë për të përmirësuar imazhin e Kosovës, por mendoj se rasti i deputetit Azem Syla që po hetohet në Zvicër nuk i kontribuon kësaj çështjeje. Ky është një rast i papranueshëm dhe ju zoti kryetar duhet të kërkoni që ai të dorëhiqet”, ka theksuar Lunacek. 

RjGGK kërkon dorëheqjen e Edita Tahirit

Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) ka reaguar të enjten për veprimet e zëvendëskryeministres, Edita Tahiri e cila ka keqpërdorur paratë e taksapaguesve në Ditën Ndërkombëtare të Grave, duke kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të saj.
RrGGK-ja vlerëson se parat e taksapaguesve do të duhej të ishin përdorur për të luftuar për të drejtat e grave e jo për përfitime personale.
Dorëheqja e Edita Tahirit, sipas RrGGK-së është kërkuar po ashtu për shkak të këtyre arsyeve “rrënimi i sovranitetit të Kosovës nëpërmjet kompromiseve shumë të dhimbshme, përkatësisht duke ringjallur rezolutën 1244, e cila praktikisht hap rrugën për ata të cilët kanë dhunuar gratë gjatë luftës të hyjnë sërish dhe të kryejnë krime të ngjashme në të ardhmen; dështimi gjatë negociatave për të përmendur krimet e kryera ndaj grave gjatë luftës, ose për të promovuar këtë çështje publikisht, përkundër shumë premtimeve tuaja për të bërë kështu dhe dështimi për të raportuar në Kuvendin e Kosovës, dhe duke dështuar kështu të jeni e përgjegjshme dhe transparente me përfaqësuesit e zgjedhur në Kosovë për negociatat, gra dhe burra”.
Po ashtu, RrGGK ka dërguar një letër ministrit të Financave, Bedri Hamza, nga i cili kanë kërkuar që të siguroj dhe përcaktoj nga tani e tutje që “Të gjitha shpenzimet që kanë të bëjnë me Ditën Ndërkombëtare të Grave, nëse ka, duhet të harxhohen vetëm për ngjarjet që kontribuojnë direkt në zhvillimin e të drejtave të grave, siç përcaktohet nga Plani Kombëtar i Veprimit të Republikës së Kosovës’.
Sipas RrGGK-së paratë e taksapaguesve nuk duhet të harxhohen në lule, përfitime personale, mëditje, dhurata, organizime ose çdo ngjarje e formave të ndryshme thjesht për argëtim.
“Të gjitha planifikimet strategjike dhe organizimet që financohen nga qytetarët e Kosovës, edhe ato që nuk kanë të bëjnë me Ditën Ndërkombëtare të Grave, duhet të mbahen në Kosovë në mënyrë që të ruajmë paratë e taksapaguesëve dhe të përkrahim ekonominë lokale”, thuhet më tej në letrën e RrGGK-së dërguar ministrit Hamza. 

Nëse preken kufijtë, shqiptarët jetojnë në një shtet

Me ndryshimin e kufijve në Ballkan, shqiptarët më së miri dhe më së lehti do të jetonin në një shtet të vetëm, ka thënë sot kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
Këto komente ai i ka bërë para Kuvendit të Kosovës ku në orët e pasdites pritej të miratohet një Rezolutë me anë të cilës do të kundërshtohet mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës.
Thaçi i ka cilësuar si provokuese dhe rrezik për konflikt të ri pretendimet serbe për mbajtjen e zgjedhjeve.
Ndërkaq, ka porositur se nuk ka autonomi për veriun e banuar me shumicë serbe dhe as ndryshim të kufijve të shtetit të Kosovës.
Kryeministri Hashim Thaçi tha se pretendimet territoriale të Serbisë ndaj Kosovës janë të papranueshme.
Përndryshe, nëse vjen deri te hapja e çështjes së kufijve në Ballkan, atëherë shqiptarët, sipas Thaçit, më së miri do të jetonin të bashkuar në një shtet të vetëm.
“Pretendimet që paraqiten aty-këtu për ndonjë autonomi apo status special, nuk janë të vërteta, janë të paqëndrueshme dhe nuk do të ndodhin. Edhe sa i përket pretendimit për ndryshimin e kufijve, unë ua kam bërë të qartë në emër të Qeverisë të gjithë miqve ndërkombëtarë mesazhin e të gjitha institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës se me pretendime të tilla për ndryshimin e kufijve shqiptarët më së miri dhe më së lehti mund të jetojnë në një shtet të vetëm”, tha Thaçi.

Kuvendi “nxehet” me akuza e kundërakuza

Deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan në favor të miratimit të një rezolutë, me të cilën kundërshtohet mbajtja e zgjedhjeve të paralajmëruara serbe për 6 maj edhe në territorin e Kosovës. Për të votuan të gjithë deputetët e pranishëm, 75 nga 120, sa ka Kuvendi. Tani po diskutohet përmbajtja e saj, ndërsa u paralajmërua se për tekstin e Rezolutës do të votohet në seancën e pasdites. Ndërkohë grupet parlamentare do të takohen edhe njëherë.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ka thënë se është e habitshme që në vend se të raportojë kryenegociatorja Tahiri, ajo shet demagogji duke e shkelur Rezolutën e Kuvendit të Kosovës, raporton KosovaPress.
“Ju me dy këmbët po e shkelni atë Rezolutë. Mos u merrni me LDK-në. Ne përfaqësojmë elektorat, ju kryejeni obligimin. Lëreni nostalgjinë, se ne ju kuptojmë. Bëni raport, informojeni këtë Kuvend çka po ndodh me këto negociata me këtë ‘shuttle diplomacy’ tuajën personale në emër të popullit”, ka thënë Beqiri.
Tahirit ka thënë se Qeveria ka informuar dhe raportuar, përfshirë edhe marrëveshjet e fundit. Ndërsa, nuk ka munguar as injorimi i saj ndaj deputetit Beqiri, duke e “uruar se ka përparuar në njohjen e gjuhës angleze”.
Beqiri ka kërkuar replikë, e cila nuk i është dhënë nga kryesuesi i seancës, Xhavit Haliti. Kjo ka shtyrë deputetët e LDK-së që në shenjë proteste ta lëshojnë sallën për disa minuta.
Për rezolutë para mbledhjes ishin marrë vesh të gjitha grupet parlamentare, përveç grupit të Vetëvendosjes, e cila kishte vërejtje e kërkesa plotësuese. Vetëvendosje shfaqi rezervat ndaj përmbajtjes jo të duhur të Rezolutës. Po ashtu Vetëvendosje tha se në konsultimin e mëpastajmë rreth rezolutës ky grup parlamentar nuk ishte ftuar fare, njofton Koha.
Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, i ka sugjeruar Edita Tahirit që nga udhëtimi i saj i ardhshëm jashtë shtetit të mos kthehet fare pasi që po i sjellë vetëm fatkeqësi dhe dëme shtetit të Kosovës.
E deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se vetëm një gjë është e sigurt nga qeverisja e Hashim Thaçit autonomia e veriut, duke thënë se Qeveria po përgatitet fshehtas që të hyjë në bisedime për veriun.
Një pyetje tjetër parlamentare ka qenë nga deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, e cila ka pyetur se sa ka kushtuar periudha e pasfusnotës për taksapaguesit e Kosovës?
Kryenegociatorja është përgjigjur se me këtë marrëveshje Kosova ka arritur shumë, duke u përfaqësuar vet dhe jo nga UNMIK-u.
Kadaj-Bujupi ka reaguar duke thënë se po i ikë përgjigjes. Në pyetjen se sa i ka kushtuar buxhetit të Kosovës udhëtimi i fundit të kryenegociatores Tahiri me një grup të grave për 8 Mars në Shqipëri, Tahiri thotë: “Kjo periudhë i kushtoi Serbisë me njohjen de facto të shtetit të pavarur të Kosovës. Sa i takon vizitës në Tiranë, unë kam shkuar në vizitë zyrtare”, ka thënë Tahiri.
Derisa, deputetët në fillim të seancës konsumuan kohën për deklarime jashtë rendit të ditës dhe për pyetje parlamentare,  në vazhdim ligjvënësit do të procedojnë me disa projektligje. 

Tadici bëhet gati për dorëheqje – shkaku i Kosovës!?

Presidenti serb Boris Tadic planifikon që në prill të jap dorëheqje, në shenjë proteste ndaj ndalimit të mbajtjes së zgjedhjeve lokale serbe në pjesën veriore të Kosovës, raportojnë mediat e Beogradit.
Deri atëherë, kreu i Partisë Demokratike do të ketë kohë që aktivisht, si president shteti, të marrë pjesë aktive në kampanjë zgjedhore, derisa “dorëheqja” për shkak të Kosovës do t’i sillte poenë shtesë.
Edhe pse kryetarja Parlamentit serb, Slavica Dukic Dejanovic, ka thënë se zgjedhjet “në Kosovë do të mbahen në përputhje me Rezolutën 1244”, pakkush në Serbi beson se UNMIK-u do ta ndihmojë Serbinë në këtë drejtim.
Liderët serbë në veri të Kosovës prej kohësh janë ferrë në sy të bashkësisë ndërkombëtare, gjë të cilën e dëshmon kërkesa zyrtare e kancelares gjermane Angela Merkel, e cila kërkoi nga Beogradi eliminimin e strukturave paralele dhe ilegale në veri.
“Autoritetet serbe nuk kanë bërë asnjë kontakt me misionin tonë në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve lokale të Serbisë në Kosovë. Ne nuk kemi qenë të informuar për këtë, kështu që nuk dua të komentoj më shumë”, ka thënë për “Vesti” zëdhënësi i UNMIK-ut, Olivier Salgado.
Në anën tjetër,edhe serbët në Kosovë nuk besojnë se do të kenë zgjedhje. Marko Jaksic, funksionar i Partisë Demokratike të Serbisë (DSS) thotë se shpallja e zgjedhjeve në Kosovë është "edhe një gënjeshtër".
“Thuhet se ato shpallen, dhe se gjoja duhet të jenë në përputhje me Rezolutën 1244, pra se pyetet UNMIK-u. E, UNMIK-u i lejon votimet kur ne serbët të hipim në Hënë. Më herët nuk na është dashur UNMIK-u, e tash pushteti aktual lëshon pe ndaj shantazheve”, thotë Jaksic.
Mundësia e dorëheqjes së Tadicit mund të jetë reale flet deklarata e liderit të Partisë Socialiste të Serbisë, Ivica Dacic, se “do të ishte e logjikshme të dihet se cilat zgjedhje do të mbahen më 6 maj, e jo që Tadici të vendosë më 5 prill të jap dorëheqje, në prag të kampanjës për zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale".
Se zgjedhjet presidenciale mund të bëhen “herët”, këtë e thotë edhe nënkryetari i partisë së Tadicit, Dusan Petrovic. Ai ka thënë se presidenti Tadic, në bazë të vlerësimit të rrezikut për shtetin, do të vendosë nëse do të ketë zgjedhje të përkohshme edhe për president.
Një pjesë e opozitës serbe akuzon Tadicin se po kalkulon me zgjedhjen për kreun e shtetit, në mënyrë që të siguroj një dominim media, ndërsa rivalëve t’u japë më pak kohë për kampanjë. Ai, sipas kritikëve, do që zgjedhjet presidenciale t’i shpallë në fillim të prillit, në mënyrë që disa javë deri atëherë - siç ka bërë shpesh kohëve të fundit, duke vizituar edhe firmat, edhe qytetarët e edhe buqit - funksioni si president t’i zë më shumë vend në media.

Serbia nuk zbaton marrëveshjen, Kosova* braktisi mbledhjen

Qeveria e Republikës së Kosovës ka shprehur zhgënjimin e saj të thellë për moszbatimin e marrëveshjes për bashkëpunim rajonal nga ana e Serbisë, të arritur në Bruksel më 24 shkurt 2012.
Kjo shkelje e marrëveshjes nga ana e Serbisë ka ndodhur të enjten në kuadër të konferencës regjionale “Partneriteti për ndryshim: shoqëria civile dhe qeveritë në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi” e cila po mbahet në Beograd.
Qeveria e Kosovës thekson se Serbia si organizatore e kësaj konference ka dështuar të zbatojë pikën 2 dhe pikën 4 të marrëveshjes për përfaqësimin e Kosovës në nismat rajonale.
Si pasojë, përfaqësimi i Republikës së Kosovës në këtë konferencë është pamundësuar dhe përfaqësuesi i qeverisë së Republikës së Kosovës ka braktisur konferencën në fjalë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës kërkon nga Bashkimi Evropian që në përputhje me rolin e tij si ndërmjetës dhe garantues i zbatimit të marrëveshjeve të arritura në dialogun teknik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të ndërmarrë të gjitha veprimet e domosdoshme për të garantuar zbatimin në praktikë të marrëveshjeve të arritura”, thuhet në reagim.
Ndryshe, delegacioni i Kosovës ka braktisur takimin rajonal në Beograd në të cilin për herë të parë në Serbi është paraqitur me emërtimin krahas fusnotës.
B92 njoftoi se delegacioni i Kosovës e ka braktisur mbledhjen pas për shkak të “moskuptimit të detajeve të marrëveshjes së Brukselit".
Mediet serbe njoftojnë se delegacioni serb po të enjten është larguar nga një takim i ngjashëm në Podgoricë. 

LDK: Qeveria nuk vizion për arsimin dhe shkencën

Qeveria aktuale në vijimësi e ka provuar se nuk ka vizion për arsimin dhe shkencën, nuk i mbështet ato politikisht dhe as financiarisht, vlerëson Lidhja Demokratike e Kosovës.
Në një konferencë për media, zyrtarë të kësaj partie theksuan se kjo qeveri nuk i respekton ligjet e detyrimet që ka, nuk i respekton dokumentet themelore të fushës së arsimit dhe të shkencës dhe vepron pa politika e pa standarde.
“Qeveria bën investime të pakta dhe të gabuara, e zvogëlon buxhetin vit pas viti dhe diskriminon komunat që nuk i administron PDK-ja. Po ashtu, kjo qeveri në vijimësi ka dëmtuar interesat e autorëve të teksteve shkollore dhe të botuesve, madje ka dëmtuar edhe arsimtarët, të cilëve vijon t’u ketë borxh rrogat me rritje nga janari dhe shkurti i viti të kaluar”, vlerësojnë zyrtarë të kësaj partie.
Sipas tyre, këto dhe shkaqe të tjera kanë bërë që arsimi në Republikën e Kosovës edhe më tej të mos ketë cilësi të duhur, të mos jetë konkurrent as me vendet e rajonit.
Ata theksuan se vizioni, synimi dhe politikat e LDK-së janë që Republika e Kosovës të zhvillohet drejt një shoqërie të dijes, e integruar në rrjedhat evropiane të arsimit dhe të shkencës.
“Një shoqëri e tillë ndërtohet përmes mundësive të barabarta për arsimim dhe zhvillim individual për të gjithë qytetarët. Duke pasur për bazë këtë vizion e program, LDK-ja arsimin dhe shkencën do t'i bëjë prioritet nacional dhe do të punojë për integrimin e arsimit të Republikës së Kosovës në Hapësirën Evropiane të Arsimit”, thonë ndër të tjera zyrtarët e LDK-së. 

Me paratë e tripit të Editës mund të shpëtoheshin shumë jetë

Jeta e së paku tre pacientëve në nevojë për transplantim organesh apo e disa dhjetëra të tjerëve që vuajnë nga sëmundje të ndryshme do të mund të shpëtohej me 50 mijë euro, apo me aq mjete sa Zyra e Kryeministrit i ka destinuar për një trip të 36 grave të kësaj zyre, në krye me zëvendëskryeministren Edita Tahiri dhe ekipin e saj mbështetës, në Shqipëri, për festën e 8 Marsit.
Të dhënat zyrtare që i ka gazeta “Koha Ditore”, tregojnë se një transplantim veshkash me financim nga Ministria e Shëndetësisë kryhet për afro 17 mijë euro.
E për kaq mjete, trembëdhjetëvjeçarit Hamit Haliti nga fshati Syriganë i Skënderajt po i rrezikohet jeta.
Ai ka nevojë për transplantimin e veshkës, të cilën e ëma është shprehur e gatshme t’ia dhurojë, por familja nuk ka asnjë mundësi t’i sigurojë 17 mijë euro për operacionin e transplantimit.
Lista e rasteve të tilla, që presim me vite për të kryer një transplantim organesh, është tepër e gjatë, ka konfirmuar për gazetën edhe Faik Hoti, zëdhënës në Ministrinë e Shëndetësisë. 

Seselj: Nikolici dhe Vucici do ta njohin Kosovën

Udhëheqësi Partisë Radikale të Serbisë (SRS), Vojislav Seselj, gjatë fjalës së tij përfundimtare në gjykimin kundër tij në Tribunalin e Hagës, ka akuzuar krerët e Partisë Përparimtare të Serbisë, Tomislav Nikolic dhe Aleksandar Vucic, duke thënë se ata do ta pranojnë edhe pavarësinë e Kosovës.
“Nikolici dhe Vucic do ta pranojë pavarësinë e Kosovës. Qeveria aktuale nuk është e gatshme të tradhtojë krejt, e ata janë”, ka thënë Seselj, transmeton “Blic”.
Ai i akuzoi ish anëtarët e partisë së tij se kanë bërë komplot për shkatërrimin e SRS-së me ndihëm e shërbimit inteligjent francez dhe të dërguarit të tyre Andro Dajan, i cili sipas Seseljit ka “marrë pjesë edhe në masakrën e Srebernicës”. 

Carlos: Dua Messin dhe Ronaldon te Anzhi

Menaxheri i Anzhit, Roberto Carlos, thotë se ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, dhe ai i Barcelonës, Lionel Messi, që të dy janë në listën e blerjeve të klubit.
Klubi rus është në kërkim të disa prej yjeve më të mëdha të futbollit botëror pa përjashtuar edhe dy lojtarët më të mirë në botë për momentin.
“Kur ata t’u japin fund kontratave të tyre ne do të përpiqemi t’i sjellin ata këtu. Leo aktualisht është lojtari më i mirë në botë, Cristiano është referencë për Madridin dhe nuk kam preferencë në mes të dyve”, ka thënë Carlos.

Ferguson konfirmon largimin e Berbatov

Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka thënë se sulmuesi Dimitar Berbatov do të largohet nga Old Trafford gjatë verës.
Në prag të ndeshjes së sotme të Europa League ndaj Athletic Bilbao, Ferguson ka konfirmuar se bullgari nuk do të jetë pjesë e skuadrës sezonin e ardhshëm.
“Shqetësimi i tij është që nuk fiton hapësirë me ekipin e parë. Në moshën 31-vjeçare, ai kërkon të luajë me ekipin e parë. Është vështirë për mua t’i garantoj atij, andaj këtë mund ta kërkojë diku tjetër”, ka thënë Ferguson.

Maradona: Napoli pagoi për gabimet

Legjenda e Napolit, Diego Maradona, mendon se ish-skuadra e tij ka paguar për gabimet e bëra në ndeshjen e mbrëmshme kundër Chelseat.
Napolitanët kishin avantazh 3-1 nga ndeshja e parë, por nuk arritën ta ruajnë atë duke pësuar 4-1 nga Chelsea, që kualifikohet për në çerekfinale të Ligës së Kampionëve me rezultat të përgjithshëm 5-4.
“Është një zemërim i madh. Liga e Kampionëve nuk lejon gabime. Hello për të gjithë Napolitanët”, ka shkruar Maradona në profilin e tij në Twitter.

Ronaldo: Ende po mësoj

Ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, thotë se ai ende po mëson sa i takon futbollit.
“Klubi gjithmonë po zhvillohet sezon pas sezoni. Te Real Madridi kam vazhduar të përmirësohem me qëllim që të konkurroj me bashkëlojtarët e mi”.
“Është e rëndësishme për mua që gjithmonë të mësoj dhe dua të vazhdoj të jap më të mirën, që është arsyeja se pse jam shumë i lumtur”, ka thënë portugezi. 

Bielsa: United mbetet favorit

Trajneri i Athletic Bilbao, Marcelo Bielsa, thotë se Manchester United mbetet favorit për të vazhduar garën në Europa League, pavarësisht avantazhit të tyre 3-2 nga ndeshja e parë.
“Dallimi në pikë dhe financa është dëshmi për secilin. Por po ashtu besoj se në një natë ose në një ndeshje një skuadër si Athletic mund t’i afrohet shumë nivelit të kundërshtarëve si Real Madrid, Barcelona ose Manchester United”.
“Megjithatë, për të mbetur gjatë gjithë sezonit në nivel të tyre është skajshmërish vështirë”, ka thënë ish-përzgjedhësi i Kilit dhe Argjentinës.

Mancini serioz për Europa League

Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, thotë se skuadra e tij është serioze në garën për trofeun e Europa League.
“Ne nuk mund të mendojmë negativisht për momentin. Ne jemi pozitiv dhe mendojmë se do ta fitojmë Ligën Premier dhe Europa League. Nëse mendojmë ndryshe, do të ishte gabim. Do të japim gjithçka për të fituar të dyja garat”.
“Ne gjithmonë luajmë me skuadrën më të mirë. Edhe kur kemi ndryshuar katër ose pesë lojtarë, pasi ne kemi luajtur një ndeshje dhe pastaj një tjetër pas tre ditësh”.
“Ndonjëherë këta lojtar kanë nevojë të pushojmë – është e pamundshme që i njëjti ekip të luajë çdo ndeshje. Ne kemi skuadër prej 20 lojtarësh. Ne duam ta fitojmë ndeshjen dhe kemi nevojë të japim më të mirën nëse duam ta mposhtim Sportingun”, ka thënë Mancini. 

Cannavaro: Kjo vërtet dhemb

Paolo Cannavaro thotë se tifozët e Chelseat kanë pasur ndikim të madh në fitoren e Ligës së Kampionëve ndaj Napolit.
Chelsea u kualifikua për në çerekfinale të garës evropiane me rezultat të përgjithshëm 5-4, pasi fitoi ndeshjen e mbrëmshme me rezultat 4-1 në kohën shtesë.
“Kjo vërtet dhemb, pasi ne kishim shumë shanse, por ky është rezultati dhe ne largohemi nga Liga e Kampionëve me kokën lart”.
“Ju vështirë se mund të dëgjoheshit në fushë, pasi ishte një murr me zhurmë. Kishte ca mosmarrëveshje në mbrojtje në golin e dytë, që vërtet është për të ardhur keq”.
“Ne vërtet deshëm të përfundojmë të tretët në Serie A, por tash uria jonë është bërë edhe më e fuqishme pasi të luajmë në fusha si kjo është gjithmonë objektiv i joni”, ka thënë kapiteni i skuadrës italiane.

Falcao caku kryesor i Chelseat

Chelsea e ka shndërruar sulmuesin e Atletico Madrid, Radamel Falcao, në cakun kryesor të verës.
London Evening Standard shkruan se objektivi i Chelseat për sezonin e ardhshëm është të forcojë vijën sulmuese me 26-vjeçarin, i cili iu bashkua Atletico Madridit nga Porto verën e kaluar për 35 milionë funte.
Falcao ka shkëlqyer në sezonin e tij të parë në Spanjë duke shënuar 20 gola për klubin e ri dhe duke e mbajtur në garë skuadrën në Europa League pas dy kampanjave të suksesshme të tij në Portugali.

Young: Mund ta mposhtim Athletic Bilbaon

Ashley Young është i bindur se Manchester United sonte do të arrijë ta përmbysë disavantazhin 3-2 nga ndeshja e parë e Europa League ndaj Athletic Bilbao.
“Është e zakonshme që ne ta gjejmë veten në këtë pozitë, por është një kamp me shpirt. Ka një atmosferë të shkëlqyeshme në ekip dhe çdokush është plot vetëbesim, veçanërisht me mënyrën se si shkuan gjërat së fundi dhe çdokush mezi pret ndeshjen”.
“Forma jonë në përgjithësi na bën neve të besojmë se mund të shënojmë kurdo që luajmë. Loja jonë sulmuese ka qenë fantastike dhe ne besojmë se mund të shënojmë dy golat që na nevojiten. Çdokush ka ndihmuar me gola së fundi. Kushdo që i shënon golat, përderisa ne i shënojmë dy, kjo ka rëndësi”, ka thënë Young.

NBA: Bulls ia dalin edhe pa Rose

Chicago Bulls i ka bërë ballë mungesës së MVP-së, Derrick Rose, për të shënuar fitore 106-102 ndaj Miami Heat.
Rose ishte jashtë fushe për shkak të një lëndimi, por vendin e tij e zuri John Lucas III i cili shënoi 24 pikë për Bulls për të qenë lojtari kyç i mbrëmjes për Bulls.
Ai befasoi Miamin me 11 pikë në çerekun e katërt përfshirë edhe dy gjuajtje të sakta të lira të cilat vulosën rezultatin me gjashtë sekonda të mbetura.
Dwyane Wade shënoi pikët më të larta, 36 pikë, dhe LeBron James shënoi 35 të tjera për Heat, të cilët shijuan disfatën e 11-të të sezonit (31 fitore).
Joakin Noah shënoi 14 pikë për Bulls, të cilët shënuan fitoren e 36-të të sezonit përkundër nëntë disfatave.

Kaltrina tani e stabilizuar

Para disa ditëve këngëtares Kaltrina Selimit i kanë hyrë hajdutët dhe i thyen banesën duke marrë kështu disa gjësende, si llaptop, aparat digjital, një shumë të të hollave dhe pasaportën e saj dhe të fejuarit të saj.
Kaltrina më shumë ishte e brengosur për pasaportat, ndonëse Dritoni kishte pasaportë britanike dhe ky fakt e kishte brengosur më shumë. Mirëpo me konfirmim të policisë se me këtë pasaportë nuk mund të bëjë askush asgjë, ajo është ndjerë më rehat dhe tani ka nisur punën për realizimin e një kënge të re.
“Natyrisht që gjatë atyre ditëve që më ndodhi kjo fatkeqësi, nuk jam ndjerë fare mirë, më shumë më brengoste fakti për pasaportat tona e sidomos të Dritonit. Por meqë policia na rrëfeu se ata pasaporta tashmë janë të pavlefshme, po ndjehem më mirë”, ka thënë ajo për “Zëri”.
Tani që të dy kanë aplikuar për pasaportat e reja dhe Kaltrina thotë se do t’i kushtojë më shumë rëndësi projektit të ri. 

Fox dëshiron të bëhet aktore e komedive

Megan Fox nuk dëshiron të jetë një vajzë lidere – ajo dëshiron të jetë thjesht një vajzë argëtuese!
Aktorja seksi thotë se roli i saj në filmin e ri “Friends With Kids” i ka dhënë një drejtim të ri karrierës së saj, pas një numër filmash të dështuar dhe përplasjes së saj me regjisorin e filmave “Transformers”, Michael Bay.
“Më pëlqen procesi i bërjes së komedive. Nëse do të zgjidhja në mes të një drame ose filmi aksion ose një komedie, do ta zgjidhja komedinë. Është një përvojë shumë argëtuese dhe është bukur të shkosh në punë dhe të argëtohesh shumë”, ka thënë Megan.

Troja garon në “Rock am Ring”

Rock grupi kosovar “Troja” është në mesin e pesëdhjetë bendeve nga e gjithë bota që është duke “luftuar” në garën “Rock am Ring Band Contest 2012” nëpërmjet ueb-faqes ringrocker.com.
Festivali “Rock am Ring” është njëri nga festivalet më të popullarizuara që mbahen nën qiellin e hapur çdo vit në Nürburgring të Gjermanisë.
Edicioni i këtij viti do të realizohet midis datave një dhe tre të muajit qershor. “Rock am Ring” është themeluar më 1985 dhe që nga ajo kohë në skenën e tij kanë performuar rock grupet më të mëdha të skenës botërore, duke përfshirë edhe “U2”, “Westlife”, “Chris de Burgh” e shumë të tjera.
Përfshirja e “Trojës” në garën që siguron “vizën” për pjesëmarrjen në edicionin e njëzeteshtatë të këtij festivali, ka qenë krejt e rastësishme.
“Një fans i yni gjerman, i cili na ka njohur si grup muzikor përmes një shoku të tij shqiptar, ka aplikuar për ne, sepse i kemi pëlqyer”, ka thënë Shabani për “Koha Ditore”.
“Nga pesëdhjetë bende që kanë konkurruar do të përzgjidhen fillimisht pesë, të cilat do të performojnë në një eveniment më të vogël e prej aty do të përzgjidhen vetëm dy bende që do të kenë mundësi të performojnë në festival”, ka shpjeguar ai.
“Nuk është ideja jonë që në kuptimin e plotë të fjalës të depërtojmë ndërkombëtarisht, por aty do të ketë shumë producentë që vijnë t’i dëgjojnë grupet e reja dhe nëse na ofrojnë diçka do të ishte e mirëseardhur”.
“Tendenca jonë është të shpërndajmë muzikën tonë në një rrjet më të gjerë”, ka shtuar rokeri. 

Balotelli: Italianët më “të modës” se anglezët

Futbollisti italian Mario Balotelli thotë se ai është shumë më i mirë se sa lojtarët anglez – sa i takon modës.
Ylli i Manchester Cityt, i cili së fundi u emërua si mashkulli i dytë më mirë i veshur në Angli nga revista GQ, zotohet se ai di të vishet më mirë se kolegët e tij.
“Nuk dua ta ofendoj askënd, por një person anglez nuk mund të flasë për stil me një person italian”.
“Nuk them se anglezët veshin veshje të këqija, them se italianët janë në një nivel tjetër”, ka thënë Balotelli për Mirror. 

Hana me Kushtrimin në “Kopsht”

Këngëtarja Hana Cakuli ka sjell një këngë të re në bashkëpunim me aktorin këngëtarin Kushtrim Hoxha.
Kënga quhet “Kopshti” dhe është shoqëruar edhe me videoklip, të realizuar nga PINKMOON Creative. Pamjet janë marrë në dy lokacione në qytetin e Ulqinit në Malin e Zi, vendlindja e Hanës.
Këngëtarja ka thënë se ideja për ta bërë këngën bashkë ka qenë e Kushtrimit.
Më poshtë mund ta dëgjoni këngën “Kopshti”.

Driverët e Nvidias për Windows 8

Pas beta versionit të AMD-së të Catalyst për Windows 8 edhe Nvidia paraqiti programet e rinj drejtues për sistemin e ardhshëm operativ të Microsoftit.
Driverët 296.71 të Nvidias i dedikohen Windowsit 8 (respektivisht versionit Consumer Preview i cili është aktual) dhe procesorëve grafik GeForce dhe Quadro për kompjuterët e tavolinës dhe ata portativ.
Sipas fjalëve të kompanisë, driverët janë kompatibil me Windows Display Driver Model (WDDM) v1.2 të pranishëm në Windows 8, e në të njëjtin sistem operativ ofrojnë përkrahjen për Nvidia 3D Vision dhe 3DTV Play. Programet e rinj drejtues në versionin për shfrytëzuesit e Windows 7 dhe XP-së kanë shënimin 296.10 dhe nuk kanë kurrfarë risi në krahasim me versionin e përparshëm (295.73), që solli rritje të përformancave në lojërat e popullarizuara siç janë Skyrim dhe Mass Effect 3.
Të interesuarit versionin e ri të driverëve për çipat e Nvidias mund ta kërkojnë në faqet zyrtare.

Konfirmohet Chrome për Windows 8

Pasi që nga Mozilla publikuan se ka filluar zhvillimi i Firefox për Windows 8, arriti lajmërimi edhe nga Google. Në intervistën për Mashable, zëdhënësi i Google konfirmoi se kompania është duke punuar në zhvillimin e shfletuesit Chrome për Windows 8.
Shfletuesi do të mund të përdoret në ndërfaqen Metro të SO të Microsoft, si dhe në desktopin klasik. Sipas fjalëve të zëdhënësit, qëllimi i Google është të ofroj Chromein e thjeshtë dhe të sigurt në të gjitha platformat, duke përfshirë desktop dhe Metro versionet e Windows 8. Gjithashtu, është konfirmuar se Chrome do të optimizohet për menaxhim me prekje edhe në versionin për desktop.
Supozohet se në Google, si dhe në Mozilla, kanë vendosur të përfshijnë përkrahjen për dy ndërfaqe në një aplikacion. Edhe pse shfletuesit alternativ janë të mirëseardhur në Windows 8 në ndërfaqen Metro do të mund të përdoret vetëm një shfletues i preferuar (default) në Windows.

‘Beba beatbox’ (Video)

Me një ndihmesë të vogël babait, i cili ka bërë miksimin e tingujve të djalit të talentuar Jonah, i vogli është i shkëlqyeshëm në ‘beatboxing’.
Foshnja duke improvizuar në lodër, godet, lëshon zëra dhe i kombinon ato me shprehje të fytyrës.
Ndërsa pas miksimit lë përshtypjen e një profesionisti të ‘beatboxing’, ndërsa në video është foshnja që një fund të xhirimit çon dorën sikur dëshiron të thotë: “Unë jam yll”.

Në shitje qyteti me vetëm një banor

Qyteti Buford në Wyoming, i cili është qyteti më i vogël në SHBA dhe ka vetëm një banor, më 5 prill do të dalë në ankand, ndërsa çmimi fillestar është 100.000 dollarë.
Don Sammons, kryebashkiaku, pronari i dyqanit dhe pompës së benzinës dhe banori i vetëm i Bufordit, ka vendosur që të shpërngulet dhe ta shesë qytetin.
“Kam pasur jetë të mirë këtu me familjen time. Kjo është një ditë e pikëlluar, por edhe shumë interesante, një kaptinë e re në jetën time. Jam i gatshëm për këtë”, ka thënë Sammons.
Qyteti ka rreth katër hektarë, ku ndodhet një shtëpi tredhomëshe, pompa e benzinës, dyqani dhe ndërtesa e shkollës së dikurshme.
Buford është themeluar në vitin 1866 dhe aty kanë jetuar punëtorët që e kanë ndërtuar hekurudhën së bashku me familjet e tyre. Asokohe ka pasur rreth 2.000 banorë. Mirëpo, pas ndërtimit të hekurudhës ata janë shpërngulur.
Sammons ka jetuar në këtë qytet me familjen e tij, mirëpo pas vdekjes së gruas dhe shpërnguljes së djalit, ka mbetur vetëm. Megjithatë, ai nuk ka qenë i vetmuar, sepse gjatë verës qytetin e vizitojnë rreth 1.000 njerëz në ditë, ndërsa gjatë dimrit rreth 100. 

Transeksuali më i gjatë në botë

Një basketbolliste e gjatë 2.13 metra është në rrugë për t’u shpallur transeksuali më i gjatë në botë.
Lindsey Walker, 26-vjeçe, po ashtu ka vendosur që të sigurojë përfshirjen në ekipin e femrave të përfaqësueses së SHBA-ve në basketboll për Lojërat Olimpike, Rio 2016.
‘Ajo’ ka kaluar 21 vjet si mashkull dhe është quajtur Drew, ndërsa gjatë kësaj kohe është marrë me sport dhe me dalje nëpër ndeja, si të gjithë meshkujt.
Sot Lindsey ka flokë kafe të gjata, gjoks të rritur dhe e jeton çdo ditë si femër.

Mustafa për bashkimin e Luginës me Kosovën

Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa ka thënë se synon që përmes rrugëve anësore Lugina e Preshevës të bëhet pjesë e shtetit të Kosovës.
Në një intervistë për Ora News, ai ka thënë se beson që BE dhe akterët tjerë do të nxisin dialogun në favor të stabilitetit në vend.
“Ne synojmë të bëhemi pjesë e saj, jo përmes dhunës apo luftërave, por duke shfrytëzuar metodat e paqes dhe parimit të vetëvendosjes. BE dhe aktorët e tjerë besoj se do të nxisin dialogun në favor të stabilitetit në vend. Ne jemi nën qeverisjen e Serbisë, pavarësisht se 97% e popullsisë janë shqiptarë. Problematikat janë numerike, por Kosova dhe Shqipëria kanë treguar se janë të interesuara për mbarëvajtjen atje. Në kuadër të 100- vjetorit të pavarësisë mendoj se po fillon një erë e re që bashkon shqiptarët në ekonomi dhe biznes”, theksoi ndër të tjera, Mustafa.
Ai ka folur mbi pjesëmarrjen e partisë që drejton ai, në zgjedhjet lokale të 6 majit në Serbi. Sipas tij, PDSH është kundër pjesëmarrjes në zgjedhjet parlamentare që janë caktuar për të njëjtën datë.

Mazzarri: Nuk e kishim përvojën e Chelseat

Trajneri i Napolit, Walter Mazzarri, është krenar me lojtarët e tij pavarësisht eliminimit nga Liga e Kampionëve.
“Është për të ardhur keq të eliminohemi kështu. Sa i takon performancës së dobët, ne krijuam tre ose katër mundësi shënimi kur ende nuk kishte gola. Nga lëndimi i Maggios e këndej, ne kuptuam se gjërat po kthehen për të keq”.
“Ata luajtën më mirë se ne nga ndërprerjet. Ne nuk mund të bënim më shumë se sa t’i mbulonim, pasi ata ishin fizikisht më të fuqishëm në ajër. Ne bëmë shumë harkime nga këndi dhe e dinim se këto mund të jenë të rrezikshme”.
“Na mungoi përvoja ca dhe ende duhet të zhvillohemi. Chelsea ishte klinik, pasi kjo edhe pritet nga një ekip i mbushur me lojtarë të klasit botëror. Fatkeqësisht ne ishim ca të pafat në disa prej shanseve tona”.
“Çfarë të them? Ne sidoqoftë ishim fantastik në Ligën e Kampionëve. Djelmoshat dhanë gjithçka dhe në dhomën e veshjeve u përpoqa të ngre moralin e tyre”, ka thënë Mazzarri. 

Mourinho: Kaka ishte spektakolar

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho, është i ngazëllyer me formën që po kalon Kaka.
Mesfushori brazilian impresionoi në fitoren e mbrëmshme 4-1 ndaj CSKA Moskës, dhe ka marrë lëvdatat e bosit të tij.
“Kaka bëri një paraqitje spektakolare. Ai kaloi vitet e tij më të mira në Itali, por ai kurrë nuk ka punuar aq fuqishëm sa bën tash. Është normale të ndjehesh i lodhur në minutën e 75-të kur ju punoni aq fuqishëm. Ai bëri një punë fantastike dhe jam vërtet i kënaqur me mënyrën se si ai luan”, ka thënë portugezi.

Terry: Ky është Chelsea i vërtetë

Kapiteni i Chelseat, John Terry, është në qiell pas fitores së mbrëmshme në Ligën e Kampionëve ndaj Napolit.
“Kjo është nata më e madhe, sigurisht. Djelmoshat bënë një paraqitje të shkëlqyeshme, vërtet të qëndrueshme, me një energji të madhe në sulm”.
“Ne kemi dëshmuar se jemi skuadër. Ishte dëshira, të qenit të bashkuar. Sonte ne treguam se ky është Chelsea i vërtetë”, ka thënë Terry.

Hernandez: Do ta eliminojmë Bilbaon

Sulmuesi i Manchester United, Javier Hernandez, thotë se ata mund ta përmbysin rezultatin 3-2 nga ndeshja e parë e Europa League.
“Ne e dimë se kemi nevojë të shënojmë dy gola, por po ashtu është e rëndësishme të mos pranojmë. Ne duhet të jemi të qetë”.
“Ne e dimë stilin e Athletic. Pasimi i topit rrotull, ata kanë shumë energji dhe u bëjnë presion kundërshtarëve. Ne duhet të punojmë fuqishëm – më fuqishëm se ata”, ka thënë Chicarito. 

Rrezarta mohon se e ka bërë gjoksin operacion

Këngëtarja nga Shqipëria, Rrezarta Shkurta ka mohuar shkrimet e mediave se ajo ka bërë operacion gjoksin e saj.
Ishte thënë disa ditë më herët për Rrezarta Shkurta që ka bërë gjoksin operacion, por ajo ka reaguar menjëherë në Facebook,duke demantuar këtë lajm.
“Disa njerëz të papunë, dhe dashakeqës ose më saktë të verbër e kanë humbur kohen e tyre së fundmi duke bërë një shkrime ku unë sipas tyre paskam bër gjoksin operacion. Nuk kam asgjë kundër operacioneve plastike por për fat të mirë natyra më ka falur një kraharor të bollshëm ku unë nuk e kam të nevojshme ndërhyrje”, ka thënë Rrezarta për mediat shqiptare.
“Gjithsesi unë këto shpifjet po i marrë si kompliment, pasi të bësh ndërhyrje tregon tentativat për të shkuar nga përfektja,dhe përderisa keni shkruar që e kam të bërë po e marrë në aspektin tjetër”, ka shtuar Rrezarta Shkurta.

Aniston, tetë mijë dollarë në muaj për t’u dukur mirë

Aktores hollivudiane, Jennifer Aniston, ia kanë zili shumë femra, pasi ajo gjithmonë tregon se vitet nuk po lënë shenjë në dukjen e saj.
Mirëpo, nëse kihet parasysh shuma e parave që shpenzon në muaj për të mbajtur lëkurën e tendosur, trupin e tonuar, buzëqeshjen joshëse dhe flokët e shkëlqyera- atëherë nuk është çudi që edhe në moshën 43-vjeçare duket mrekullueshëm.
Ish-ylli i serialit “Friends” në muaj shpenzon 8.000 dollarë për losione, kremra, regjim të të ushqyerit dhe ushtrime.
Vetëm në preparate dhe trajtime për kujdesin ndaj lëkurës, ajo shpenzon 2.000 dollarë në muaj.
Për orët private të jogës me trajnerin personal, Aniston ndan 900 dollarë në javë, ndërsa këshilluesin për ushqim e paguan 680 dollarë për shtatë ditë. 

Vazhdojnë problemet e Lohan

Lindsay Lohan nuk po mundet në asnjë mënyrë që të qëndrojnë në anën e duhur të ligjit.
Pikërisht kur ishte pranë që ta kthejë imazhin e saj të humbur, aktorja të martën mbrëma me automjetin e saj e ka goditur një udhëtar teksa kthehej nga një klub nate.
Gjatë daljes nga parkingu i një klubi në Hollywood, Lindsay është rrethuar nga paparacit dhe duke tentuar t’i shmangë ata, e ka goditur me automjet pronarin e klubit.
Për t’i përkeqësuar edhe më shumë punët, LiLo nuk është kthyer që të shohë nëse i përplasuri është mirë.
Nëse pronari i klubit e paraqet rastin në polici, aktorja do të ketë sërish probleme serioze me ligjin. 

“Ia vlen të pritet për filmin e ri të Bieber”

Mark Wahlberg ka deklaruar se filmi i ardhshëm të cilin pritet ta xhirojë përkrah Justin Bieber do të jetë mjaft me vlerë për ta pritur.
Krijuesi i hitit “Baby” pritet që të marrë pjesë në një film të pa parë ndonjëherë së bashku me Mark Wahlberg dhe edhe pse skenari ende nuk është i gatshëm, Mark beson se do të jetë një film tepër i mirë.
“Ne po presim skenarin. Po presim skenarin. Sa herë shoh Bieberin ose Scooter Braun, unë duhet të sqaroj se ia vlen pritja për atë skenar. Natyrisht duhet të jetë diçka e pa parë ndonjëherë. Mendoj se ia vlen të pritet”, ka deklaruar Wahlberg. 

BB, Erioni refuzon të puthë Klaudian

Ngjarjet interesante kanë vazhduar edhe gjatë këtyre ditëve në Big Brother Albania 5, teksa njëri prej banorëve më të qetë, Erioni, ka bërë atë që ndonjë mashkull tjetër vështirë se do të bënte – refuzoi puthjen e një prej femrave më atraktive në shtëpi.
Gjatë qëndrimit në shtëpi, pas një bashkëbisedimi, Klaudia në njërën apo tjetrën mënyrë ia shpreh dashurinë Erionit dhe kërkon ta puthë atë, duke i mbyllur sytë, por Erioni refuzoi duke i thënë se nuk bëhet gjë me sy hapur e lëre më me sy mbyllur.
Më pas Klaudia ankohet se Erioni ka frikë të merret me të, por Erioni ia bëri të qartë se për shkak të mos dëshirës së tij, ai nuk dëshiron as ta puthë e as të bëjë diçka më tepër me të.

Njerëzit ambiciozë jetojnë më pak

Njerëzit ambiciozë fitojnë më shumë se të tjerët, por kanë shëndet më të dobët dhe vdesin më të rinj, tregon hulumtimi i Kolegjit amerikan për ekonomi Mertdoza në Universitetin Notre Dame.
Njerëzit me ambicie më të mëdha janë më të suksesshëm në aspektin profesional, por jo edhe në atë personal, sepse nuk kanë kohë për miq dhe lidhje, për çka janë më pak të lumtur dhe vdesin me të rinj.
Shkencëtarët kanë përcjellë 717 njerëz të lindur në fillim të shekullit të 204ë të cilët kanë kryer studimet në Oxford, Harvard dhe Yale dhe njerëzit ambiciozë që nuk kanë shkuar në kolegj, përcjell Daily Mail.
Zhvillimin dhe avancimin e tyre e kanë përcjellë deri në fund të jetës. Më ambiciozët kanë pasur pritje më të mëdha, kane ndjekur fakultetet më prestigjioze, kanë punuar në pozita më të mira dhe kanë fituar më shumë para.
Për shkak të ritmit të tillë të jetës, jeta e tyre sociale dhe shëndeti kanë vuajtur, por kanë vdekur edhe më herët se sa ata më pak ambicioz, vërteton studimi.
“Edhe pse ka ndikim pozitiv në karrierë, ambicia ndikon negativisht në jetën shoqërore, por edhe në shëndet. Për shkak të sjelljes së tillë, më së shpeshti vuan edhe lidhja, por edhe miqësitë që mbahen me vështirësi”, pohon udhëheqësi i studimit, profesor Timothy Judge.

Detoksikimi largon helmet dhe papastërtitë nga trupi

Dëshironi të dukeni dhe ndiheni më mirë? Me detoksifikim do të ndiheni më mirë, do të keni më shumë energji dhe do të ndiheni shkëlqyeshëm! Detoksifikimi largon helmet e dëmshme dhe papastërtitë nga trupi. Ja se si!
Pini shumë ujë 
Uji ndihmon të largoni toksinat nga trupi. Pini të pakën tetë gota ujë në ditë. Provoni të shmangni kafeinën, alkoolin dhe pijet e gazuara joalkoolike. Zëvendësojini me ujë!
“Agjëroni” një herë në muaj 
“Agjëroni” një herë në muaj. Pini vetëm ujë, lëngje natyrale frutash apo lëng perimesh, Kjo i ndihmon trupit që të pushojë. Mos “agjëroni” kurrë nëse më herët nuk jeni konsultuar me mjekun!
Hani sa më shumë fibra 
Ushqimi i pasur me fibra do të pastrojë zorrën e trashë. E rëndësishme është që rregullisht t'i pastroni zorrët, sepse në këtë mënyrë do t'i largoni të gjithë materiet e dëmshme nga organizmi.
Pastroni mëlçinë 
Pemët që kanë shije të ithët, si limoni apo grejpi janë të dobishme për pastrimin e mëlçisë. Këto pemë ndihmojnë që të parandalohet përhapja e toksinave edhe në pjesët e tjera të trupit.
Hani fara të kungullit 
Farat e kungullit do të ndihmojnë që trupi të pastrohet në mënyrë të natyrshme nga parazitët.
Ushtroni 
Ushtrimet trupore jo vetëm që ngrehin temperaturën e trupit dhe rrisin furnizimin me oksigjen, por edhe djersit ja gjate kohës së ushtrimeve çliron trupin nga toksinat.
Shmangni produktet e duhanit 
Të gjithë produktet e duhanit janë helme dhe të dëmshme për shëndetin tuaj. Pirja e duhanit shkakton plakjen e parakohshme dhe sëmundjet.
Ushqimi i pasur me pemë dhe perime 
Tentoni të janë pemë, perime, frutat arrore, fara, bimë bishtajore. Hani sa më shumë ushqime të tilla, dhe më pak produkte të qumështit, grurë dhe karbohidrate të rafinuara. Shmangni ushqimin e shpejtë dhe të pashëndetshëm.

Vijnë fotoaparatet me Android?

Samsung po e shqyrton mundësinë për zhvillimin e fotoaparatit digjital i cili do të ishte i bazuar në Android. Gazetarët e Engadget këto informata i kanë marrë gjatë vizitës në zyrat qendrore të Samsung.
Në departamentin e kompanisë për hulumtim dhe zhvillim kanë konfirmuar se ekziston mundësia që pajisjet e këtilla në treg të paraqiten gjatë vitit, që në kombinim me emrin e regjistruar Galaxy Camera është sinjal i qartë se cili është caku i kompanisë. Por, lansimi ende nuk është konfirmuar. Mundësinë e zhvillimit të fotoaparateve të bazuar në Android po e shqyrtojnë edhe në Panasonic.
Hulumtuesit e Samsung kanë përvojë me Android në celularë dhe tablet, kështu që mundësia e zhvillimit të fotoaparateve të bazuar në SO të Google nuk është ndonjë befasi e madhe. Përparësitë e qasjes së këtillë do të ishte mundësia e zhvillimit të aplikacioneve për fotoaparate me cilën gjë ky lloj i pajisjeve për nga funksionaliteti do ti afrohej “pajisjeve të mençura”.

Pesëvjeçari pret flokët për herë të parë

Një djalosh pesëvjeçar ka vendosur që për herë të parë t’i presë flokët, sepse është ngacmuar në shkollë se duket si vajzë.
The Sun raporton se Rean Carter nga Sunderlandi asnjëherë nuk i ka prerë flokët, mirëpo ai tani ka vendosur ta bëjë këtë, sepse po i pengon se njerëzit gjithmonë mendojnë se është vajzë. 

Fytyra e jashtëtokësorit në dru

Britaniku Ken Dobson nga Chiseldon në Wiltshire është mahnitur pasi ka gjetur një dru në prerjen e të cilit shihet “fytyra e një jashtëtokësori”.
“Kam prerë dy drunj me sharrë motorike, ndërsa më pas kam shikuar njërën anë të drurit dhe jam mahnitur. Kur e kam fshirë pluhurin vetëm kam bërtitur: Zoti im, ky është një jashtëtokësor”, citon Metro fjalët e Dobson.
70-vjeçari ka treguar se me vite të tëra po pret dru dhe asnjëherë nuk ka parë diçka të ngjashme.
Gruaja e Dobson ka thënë se ata nuk kishin dëgjuar për jashtëtokësorët, mirëpo nuk kishin besuar se kjo mund t’u ndodhte atyre.
Ata kanë vendosur që të mos e djegin drurin, por do ta ruajnë dhe do ta ndajnë në pjesë, ndërsa pjesët do t’ua japin djemve të tyre. 

Dacic: Kush e pyet Kacinin për zgjedhjet?!

Ministri i Brendshëm serb, Ivica Dacic, thotë se ka pasur presione ndërkombëtare për mosmbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë, por se kur i ka shpallur ato kryetarja e Parlamentit të Serbisë, “kjo punë tash ka mbaruar”.
"Serbia absolutisht nuk do të bisedoj nëse duhet të mbahen zgjedhjet në Kosovë. Ato janë mbajtur që 12-13 vite e nuk e di pse tash po diskutohen aq shumë”, thotë Dacic.
Në lidhje me deklaratën e Raportuesit të Parlamentit Evropian për Serbinë, Jelko Kacin, se do të ishte problem për Serbinë nëse mban zgjedhje në Kosovë, Dacic ka thënë se kjo nuk është punë për të cilën Kacini duhet të japë përgjigje.
"Besoj se shteti jonë nuk do ta pyes dikë se a do të mbajë zgjedhje a jo. Serbia është shtet sovraniteti i së cilës duhet të respektohet, e Kosova nuk është shtet sepse nuk e pranojnë institucionet që duhet, siç janë Kombet e Bashkura”, thotë Dacic. 

Të mos ndalet presioni ndaj Serbisë

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Ulrike Lunacek, thotë se caktimi e datës së bisedimeve të anëtarësimit të Serbisë në BE, duke të kushtëzohet me përparimin e raporteve me Kosovën.
"Unë shpresoj se edhe Vjena do ta shtoj presionin në Serbi dhe do ta bëj të qartë se pa një përmirësim të marrëdhënieve me Kosovën nuk ka fillim të negociatave", tha Lunacek në një artikull të botuar në të përditshmen vjeneze "Presse”.
Lunacek thotë se "kompromisi tek i cili është detyruar Beogradi tregon qartë se Këshilli i BE-së kishte të drejtë kur në dhjetor e ka shtyrë vendim për statusin e kandidatit (të Serbisë)".
“Austria, së bashku me 21 anëtaret që kanë njohur pavarësinë e Kosovës duhet të bëjnë presion më të fuqishëm në Greqi, Qipro, Sllovaki, Rumania dhe Spanjë”, theksoi ajo.
Raportuesja në Parlamentin Evropian për Kosovën thotë se "yll" dhe një fusnotë në krah të emrit "Kosova", paraqet "dritë në fund të tunelit në procesin e afrimit të Beogradit dhe Prishtinës".
"Fusnota kohët e fundit i hapi rrugën Serbisë për statusin e kandidatit dhe fillimin e mundshëm të një studimi të fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me Kosovën, si një hap i parë drejt anëtarësimit në BE", tha ajo.
Lunacek thekson se për këtë marrëveshje opozita, si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë, e ka akuzuar qeverinë për tradhti.
"Në Serbi fusnota kritikohet për njohjen de facto të Kosovës. Në Kosovë autoritetet akuzohen se me të njëjtën fusnotë vihet në pyetje pavarësia. Unë yllin e cilësoj si dritë në fund të tunelit ", tha ajo.
Sipas saj, fusnota lejon "dy tone dhe dy sinjale", duke theksuar se kryesorja është se në takimet rajonale kjo i mundëson Kosovës përfaqësim të pavarur, të barabartë e pa referencën e UNMIK-ut.
Politikania austriake tek kjo sheh “një hap të shumëpritur për Kosovën në rrugën e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare".

Pas fusnotës Thaçi pret takim me Obamën

Kryeministri Hashim Thaçi po pret që gjatë pranverës të ndodhet në Dhomën Ovale të Shtëpisë së Bardhë. Në aranzhim është një takim tête à tête me presidentin Barack Obama.
Dy burime të ndryshme ndërkombëtare i kanë thënë “Kohës Ditore” në kushte anonimiteti se takimi i është premtuar kryeministrit kosovar gjatë qëndrimit në Prishtinë të zëvendëssekretarit amerikan të Shtetit, William Burns, muajin e shkuar.
Zyrtari amerikan kishte bindur Thaçin të pranojë që në nisma rajonale Kosova të përfaqësohej me një fusnotë karshi denominimit të shtetit, në të cilën do të përfshihej edhe Rezoluta 1244 e OKB-së. Deri në këtë kohë Prishtina zyrtare refuzonte një formë të tillë përfaqësimi.
Por, deri tash nuk ka konfirmim për datën e takimit. Për rrjedhojë mungon edhe ftesa zyrtare.
Në Shtëpinë e Bardhë dhe në Zyrën e kryeministrit nuk kanë konfirmuar të dhënën, por as edhe nuk e kanë mohuar.
Nëpërmjet telefonit, një nga zyrtarët për informim të Shtëpisë së Bardhë i ka thënë gazetës të mërkurën se deri tash nuk ka pasur kurrfarë informate që është ndarë me publikun për një takim të këtillë të presidentit. Ai ka thënë se “nuk mund të spekuloj nëse do të ketë apo jo një takim të tillë”.
E Bekim Çollaku, këshilltar kryesor i kryeministrit Thaçi, pa iu referuar fare çështjes së temës për takimin e shefit të tij me presidentin amerikan Obama, ka thënë se temë kyçe e takimit me zëvendëssekretarin Burns ka qenë thellimi i bashkëpunimit bilateral ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe arritja e marrëveshjes për bashkëpunimin rajonal ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Mirëpo, Çollaku ka thënë se një takim Thaçi-Obama s’duhet të përbëjë befasi për kurrkënd. Kjo nga shkaku, se sipas tij, për Qeverinë dhe kryeministrin, fuqizimi i partneritetit me SHBA-në është gjithmonë prioritet.
Disa javë pas Thaçit, presidenti Obama do ta presë kryetarin serb Boris Tadic.