Keq në Kaçanik

Policia ka ndërhyrë sërish të mërkurën në xhaminë e “Sinan Pashës” në Kaçanik. Ata kanë arrestuar dy persona për shkak se nuk kanë lejuar të falen udhëheqësit e rinj të Këshillit të Bashkësisë Islame në këtë qytet. Incidentet vazhdojnë ndërmjet xhematit të ndarë në dysh, pas dy imamëve. Paralajmërohen dhe qërim hesapesh nëse shteti nuk ndërhyn.

Xhemati i ndarë në dy grupe, sa vjen e forcojnë akuzat dhe kërcënimet ndaj drejtuesve të Këshillit të ri të dalë nga zgjedhjet e fundit atje, shkruan gazeta “Express”.
Ish-imami dhe disa simpatizues të tij nuk e njohin kryetarin e Këshillit dhe anëtarët e tjerë të zgjedhur me votat e xhematit, duke i kërcënuar e shantazhuar në mënyra të ndryshme.
Të mërkurën në xhaminë “Sinan Pasha” në Kaçanik, ka pasur edhe incidente ndërmjet xhematit. Madje aty është dashur të ndërhyjë edhe Policia e Kosovës.
Xhemati, i cili përkrah ish-imamin Musli Verbani, nuk ka lejuar që në këtë xhami të falen sekretari dhe një anëtari tjetër i BIK-ut në Kaçanik.
“Ata na i kanë uzurpuar zyrat tona. Ma kanë thyer zyrën e i kanë marrë dokumentet e mia”, thotë ish-imami Musli Verbani, i cili ende nuk e njeh Këshillin e ri të zgjedhur të BIK-ut në Kaçanik.
E krejt këtë situatë të krijuar në BIK dhe në xhaminë “Sinan Pasha”, kryemami i ri e ka përshkuar si presion të 20 personave.
“Krejt këtë situatë e bëjnë njëzet vagabondë që arrestohen e më pas lirohen nga policia në procedurë të rregullt”, ka thënë kryetari i BIK-ut në Kaçanik, Florim Neziraj.