Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Adem Grabovci, ka vlerësuar se Serbia me vendimin për mbajtjen e zgjedhjeve lokale edhe në Kosovë e ka provokuar rëndë edhe bashkësinë ndërkombëtare. Ai ka paralajmëruar se veriu është bombë, e cila mund të shpërthejë, ndërkaq ka mohuar zërat e përfaqësuesve opozitarë se Qeveria po përgatit agjendë të fshehtë politike për veriun.
Në një intervistë për gazetën “Epoka e Re”, Grabovci ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë do të ishte e paligjshme.
“Shpallja e zgjedhjeve serbe është një goditje e rëndë që Serbia ia ka bërë bashkësisë ndërkombëtare”, ka deklaruar ai. Në këtë kontekst, Grabovci ka thënë se Serbia do ta paguajë shtrenjtë shpalljen e zgjedhjeve lokale në një territor të një shteti tjetër si është Republika e Kosovës.
Po ashtu, ai ka deklaruar se zgjidhja e çështjes së veriut jashtë pakos së Ahtisaarit do të ishte një bombë e kurdisur, e cila do të mund ta rrezikonte tërë rajonin.
“Dalja jashtë Pakos së Ahtisaarit për zgjidhjen e çështjes së veriut do të ishte një bombë e kurdisur, e cila mund t’i destabilizojë jo vetëm Kosovën dhe Serbinë, por gjithë rajonin. Gjithashtu, dalja jashtë pakos do të thotë ndryshim i kufijve, që do t’i prekte të gjitha vendet e rajonit”, ka deklaruar Grabovci, i cili i ka mohuar zërat e përfaqësuesve opozitarë se Qeveria po përgatit agjendë të fshehtë politike për veriun.
“Opozita në Kosovë është duke parë ëndrra. Në mungesë të vizonit për zhvillimin e vendit, opozita vazhdimisht fol për gjëra të kota, konfuze dhe aspak serioze”, ka thënë Grabovci, duke mohuar ndërkohë se ka presion ndërkombëtar që zgjidhja e veriut të gjendet jashtë Pakos së Ahtisaarit.