Presidenti serb Boris Tadic planifikon që në prill të jap dorëheqje, në shenjë proteste ndaj ndalimit të mbajtjes së zgjedhjeve lokale serbe në pjesën veriore të Kosovës, raportojnë mediat e Beogradit.
Deri atëherë, kreu i Partisë Demokratike do të ketë kohë që aktivisht, si president shteti, të marrë pjesë aktive në kampanjë zgjedhore, derisa “dorëheqja” për shkak të Kosovës do t’i sillte poenë shtesë.
Edhe pse kryetarja Parlamentit serb, Slavica Dukic Dejanovic, ka thënë se zgjedhjet “në Kosovë do të mbahen në përputhje me Rezolutën 1244”, pakkush në Serbi beson se UNMIK-u do ta ndihmojë Serbinë në këtë drejtim.
Liderët serbë në veri të Kosovës prej kohësh janë ferrë në sy të bashkësisë ndërkombëtare, gjë të cilën e dëshmon kërkesa zyrtare e kancelares gjermane Angela Merkel, e cila kërkoi nga Beogradi eliminimin e strukturave paralele dhe ilegale në veri.
“Autoritetet serbe nuk kanë bërë asnjë kontakt me misionin tonë në lidhje me mbajtjen e zgjedhjeve lokale të Serbisë në Kosovë. Ne nuk kemi qenë të informuar për këtë, kështu që nuk dua të komentoj më shumë”, ka thënë për “Vesti” zëdhënësi i UNMIK-ut, Olivier Salgado.
Në anën tjetër,edhe serbët në Kosovë nuk besojnë se do të kenë zgjedhje. Marko Jaksic, funksionar i Partisë Demokratike të Serbisë (DSS) thotë se shpallja e zgjedhjeve në Kosovë është "edhe një gënjeshtër".
“Thuhet se ato shpallen, dhe se gjoja duhet të jenë në përputhje me Rezolutën 1244, pra se pyetet UNMIK-u. E, UNMIK-u i lejon votimet kur ne serbët të hipim në Hënë. Më herët nuk na është dashur UNMIK-u, e tash pushteti aktual lëshon pe ndaj shantazheve”, thotë Jaksic.
Mundësia e dorëheqjes së Tadicit mund të jetë reale flet deklarata e liderit të Partisë Socialiste të Serbisë, Ivica Dacic, se “do të ishte e logjikshme të dihet se cilat zgjedhje do të mbahen më 6 maj, e jo që Tadici të vendosë më 5 prill të jap dorëheqje, në prag të kampanjës për zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale".
Se zgjedhjet presidenciale mund të bëhen “herët”, këtë e thotë edhe nënkryetari i partisë së Tadicit, Dusan Petrovic. Ai ka thënë se presidenti Tadic, në bazë të vlerësimit të rrezikut për shtetin, do të vendosë nëse do të ketë zgjedhje të përkohshme edhe për president.
Një pjesë e opozitës serbe akuzon Tadicin se po kalkulon me zgjedhjen për kreun e shtetit, në mënyrë që të siguroj një dominim media, ndërsa rivalëve t’u japë më pak kohë për kampanjë. Ai, sipas kritikëve, do që zgjedhjet presidenciale t’i shpallë në fillim të prillit, në mënyrë që disa javë deri atëherë - siç ka bërë shpesh kohëve të fundit, duke vizituar edhe firmat, edhe qytetarët e edhe buqit - funksioni si president t’i zë më shumë vend në media.