Pas fusnotës Thaçi pret takim me Obamën

Kryeministri Hashim Thaçi po pret që gjatë pranverës të ndodhet në Dhomën Ovale të Shtëpisë së Bardhë. Në aranzhim është një takim tête à tête me presidentin Barack Obama.

Dy burime të ndryshme ndërkombëtare i kanë thënë “Kohës Ditore” në kushte anonimiteti se takimi i është premtuar kryeministrit kosovar gjatë qëndrimit në Prishtinë të zëvendëssekretarit amerikan të Shtetit, William Burns, muajin e shkuar.
Zyrtari amerikan kishte bindur Thaçin të pranojë që në nisma rajonale Kosova të përfaqësohej me një fusnotë karshi denominimit të shtetit, në të cilën do të përfshihej edhe Rezoluta 1244 e OKB-së. Deri në këtë kohë Prishtina zyrtare refuzonte një formë të tillë përfaqësimi.
Por, deri tash nuk ka konfirmim për datën e takimit. Për rrjedhojë mungon edhe ftesa zyrtare.
Në Shtëpinë e Bardhë dhe në Zyrën e kryeministrit nuk kanë konfirmuar të dhënën, por as edhe nuk e kanë mohuar.
Nëpërmjet telefonit, një nga zyrtarët për informim të Shtëpisë së Bardhë i ka thënë gazetës të mërkurën se deri tash nuk ka pasur kurrfarë informate që është ndarë me publikun për një takim të këtillë të presidentit. Ai ka thënë se “nuk mund të spekuloj nëse do të ketë apo jo një takim të tillë”.
E Bekim Çollaku, këshilltar kryesor i kryeministrit Thaçi, pa iu referuar fare çështjes së temës për takimin e shefit të tij me presidentin amerikan Obama, ka thënë se temë kyçe e takimit me zëvendëssekretarin Burns ka qenë thellimi i bashkëpunimit bilateral ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe arritja e marrëveshjes për bashkëpunimin rajonal ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Mirëpo, Çollaku ka thënë se një takim Thaçi-Obama s’duhet të përbëjë befasi për kurrkënd. Kjo nga shkaku, se sipas tij, për Qeverinë dhe kryeministrin, fuqizimi i partneritetit me SHBA-në është gjithmonë prioritet.
Disa javë pas Thaçit, presidenti Obama do ta presë kryetarin serb Boris Tadic.