Kuvendi “nxehet” me akuza e kundërakuza

Deputetët e Kuvendit të Kosovës votuan në favor të miratimit të një rezolutë, me të cilën kundërshtohet mbajtja e zgjedhjeve të paralajmëruara serbe për 6 maj edhe në territorin e Kosovës. Për të votuan të gjithë deputetët e pranishëm, 75 nga 120, sa ka Kuvendi. Tani po diskutohet përmbajtja e saj, ndërsa u paralajmërua se për tekstin e Rezolutës do të votohet në seancën e pasdites. Ndërkohë grupet parlamentare do të takohen edhe njëherë.

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, ka thënë se është e habitshme që në vend se të raportojë kryenegociatorja Tahiri, ajo shet demagogji duke e shkelur Rezolutën e Kuvendit të Kosovës, raporton KosovaPress.
“Ju me dy këmbët po e shkelni atë Rezolutë. Mos u merrni me LDK-në. Ne përfaqësojmë elektorat, ju kryejeni obligimin. Lëreni nostalgjinë, se ne ju kuptojmë. Bëni raport, informojeni këtë Kuvend çka po ndodh me këto negociata me këtë ‘shuttle diplomacy’ tuajën personale në emër të popullit”, ka thënë Beqiri.
Tahirit ka thënë se Qeveria ka informuar dhe raportuar, përfshirë edhe marrëveshjet e fundit. Ndërsa, nuk ka munguar as injorimi i saj ndaj deputetit Beqiri, duke e “uruar se ka përparuar në njohjen e gjuhës angleze”.
Beqiri ka kërkuar replikë, e cila nuk i është dhënë nga kryesuesi i seancës, Xhavit Haliti. Kjo ka shtyrë deputetët e LDK-së që në shenjë proteste ta lëshojnë sallën për disa minuta.
Për rezolutë para mbledhjes ishin marrë vesh të gjitha grupet parlamentare, përveç grupit të Vetëvendosjes, e cila kishte vërejtje e kërkesa plotësuese. Vetëvendosje shfaqi rezervat ndaj përmbajtjes jo të duhur të Rezolutës. Po ashtu Vetëvendosje tha se në konsultimin e mëpastajmë rreth rezolutës ky grup parlamentar nuk ishte ftuar fare, njofton Koha.
Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, i ka sugjeruar Edita Tahirit që nga udhëtimi i saj i ardhshëm jashtë shtetit të mos kthehet fare pasi që po i sjellë vetëm fatkeqësi dhe dëme shtetit të Kosovës.
E deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka thënë se vetëm një gjë është e sigurt nga qeverisja e Hashim Thaçit autonomia e veriut, duke thënë se Qeveria po përgatitet fshehtas që të hyjë në bisedime për veriun.
Një pyetje tjetër parlamentare ka qenë nga deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, e cila ka pyetur se sa ka kushtuar periudha e pasfusnotës për taksapaguesit e Kosovës?
Kryenegociatorja është përgjigjur se me këtë marrëveshje Kosova ka arritur shumë, duke u përfaqësuar vet dhe jo nga UNMIK-u.
Kadaj-Bujupi ka reaguar duke thënë se po i ikë përgjigjes. Në pyetjen se sa i ka kushtuar buxhetit të Kosovës udhëtimi i fundit të kryenegociatores Tahiri me një grup të grave për 8 Mars në Shqipëri, Tahiri thotë: “Kjo periudhë i kushtoi Serbisë me njohjen de facto të shtetit të pavarur të Kosovës. Sa i takon vizitës në Tiranë, unë kam shkuar në vizitë zyrtare”, ka thënë Tahiri.
Derisa, deputetët në fillim të seancës konsumuan kohën për deklarime jashtë rendit të ditës dhe për pyetje parlamentare,  në vazhdim ligjvënësit do të procedojnë me disa projektligje.