Travolta ik, mbërriti mbreti i ri i vallëzimit (Video)

Nuk ia dimë as emrin, as prej nga është, por nga ajo që pamë në video është e qartë se pak vajza mund t’i rezistojnë sharmit të tij - kur të rritet.
 Me vallëzimin që tregon ky fëmijë “e pensionon” edhe aktorin legjendar John Travolta, i cili u bë i famshëm me stilet e tij të vallëzimet. Shikojeni videon. 

Hëngri 337 krahë pule - për 30 minuta

Japonezi Takeru Kobayashi arriti të hajë 337 krahë pule për kohën rekorde prej 30 minutash. Ai e fitoi shpërblimin prej 20.000 dollarëve në garën “Wing Bowl XX” që u mbajt në Filadelfia.
Sipas agjencisë së lajmeve AP, rreth 20 veta, shumica e të cilëve hëngrën krahë pule, morën pjesë në këtë manifestim. Rekordin paraprak prej 225 krahëve e mbante amerikani Jonathan Skwib. 

Ping-pong Bebja (video)

Një bebe e cila luan ping-pong është bërë sensacion në YouTube pasi mahniti shikuesit me shkathtësitë e veta për të luajtur këtë sport në një moshë kaq të re.
Fëmija i mrekullueshëm Jamie me reket në dorën e majtë kthen të gjitha gjuajtjet top pas topi derisa qëndron i ulur në tavolinën e ping-pongut.
Meritor për këtë është edhe babai dhe njëherësh trajneri i tij i cili e përgatit djalin në këtë moshë kaq të re.

City bindës përballë Fulhamit

Me rezultat prej 3-0, Manchester City e ka mposhtur Fulhamin, për t’iu rikthyer fitores pas humbjes në xhiron e kaluar.
Sergio Aguero e shënoi golin e parë nga penaltia (10’), ndërsa Chris Baird u bëri shërbim vendasve duke shënuar në portën e vet (30’).
Në gjysmën e dytë, City realizoi edhe një herë me anë të Edin Dzekos (72’), ndërsa Aguero ishte asistues.
Kjo fitore e distancon Manchester Cityn me tre pikë nga rivali për titull, Manchester United, që të dielën zhvillon derbin ndaj Chelseat.

Higuain nuk largohet pa e fituar LK-në

Sulmuesi i Real Madridit, Gonzalo Higuain, i ka thënë agjentit të tij se ai nuk do të largohet nga Real Madridi pa e fituar Ligën e Kampionëve, përkundër interesimit të Chelseat.
“Askush nuk na ka telefonuar”, ka theksuar agjenti dhe babai i lojtarit, Jorge Higuain.
“Derisa ta fitojmë Ligën e Kampionëve, ne nuk do të largohemi nga Madridi”, ka shtuar ai. 

Bayerni në vend të dytë

Bayern Munichu ka siguruar vetëm një pikë në një nga kryendeshjet e kësaj jave në Bundesliga përballë Hamburgut.
Takimi i zhvilluar të shtunën në Imtech Arena përfundoi me rezultat 1-1.
Jacopo Sala i kaloi vendasit në epërsi pas asistimit të Jose Paolo Guerrero (23’) dhe me vetëm këtë gol të shënuar skuadrat shkuan në pushim.
Një pikë bavarezëve ua siguroi Ivica Olic, i cili shënoi në minutën e 71-të.
Pas kësaj xhiroje, Bayern Munichu mbetet në vend të dytë me pikë të barabarta me Schalken që gjendet një vend më poshtë, ndërsa Bundesligas i prin Borussia Dortmundi me dy pikë më shumë se dy përcjellësit e parë.

Guardiola: Messi superior, edhe kur nuk shkëlqen

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka deklaruar se superylli Lionel Messi është superior ndaj lojtarëve të tjerë edhe nëse nuk shkëlqen.
“Leo gjithmonë është i mirë, ai është shumë konkurrues. Ai ka përjetuar shumë gjëra dhe ai gjithmonë luan mirë, tashmë e dini mendimin tim. Edhe pa qenë në formën më të mirë, ai është superior për lojtarët tjerë. Ai shpeshherë merr përgjegjësi pa pasur nevojë”.
“Kur vjen puna te penaltitë, ai është fantastik. Shpresoj që kur ai të pensionohet, ai do të mbajë rekordin e tij të mirë. Ne duhet at ndihmojmë atë, ka nevojë për ndihmën e të gjithëve. Ne të gjithë ndihemi mirë kur ai është në fushë”, ka thënë Guardiola. 

Arsenali copëton Blackburnin

Arsenali ka shënuar fitore të lartë ndaj Blackburnit në Emirates, me rezultat 7-1, duke u rikthyer kështu në luftën për pozitën e katërt në Ligën Premier.
Fillimisht Van Persie shënoi në minutën e dytë për 1-0, për atë që ishte vazhdim i dominimit të madh të Topçinjve.
Në vazhdim Pedersen frikëson vendasit me një gol për 1-1 (32’), por kjo nuk kishte rëndësi, pasi Van Persie (38’) dhe Oxlade-Chamberlain (40’) realizuan për 3-1 dhe rezultatin e pjesës së parë.
Në pjesën e dytë vetëm sa u definua epilogu i takimit. Mikel Arteta shënoi për 4-1 (51’), para se Oxlade Chamberlain të shënojë golin e dytë të takimit (54’) për 5-1. Dhe  hettrikun e tij në këtë takim e kompletoi Robin Van Persie (62’), i cili realizoi për 6-1.
Në fund për rezultatin për rezultatin përfundimtar 7-1, shënoi legjendari Thierry Henry.
Me këtë fitore Arsenali ngritet në pozitën e pestë me 40 pikë, dy më pak se Chelsea në pozitën e katërt që ndeshet me Manchester Unitedin të dielën në Stamford Bridge.

Kosova ka resurse të rëndësishme

Presidentja Atifete Jahjaga ka takuar zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Ekonomisë, Infrastrukturës, Komunikacionit dhe Teknologjisë në Bavari, Martin Zeil.
Dy bashkëbiseduesit diskutuan edhe lidhur me mundësitë e bashkëpunimit mes Landit të Bavarisë, ndër pjesët më të përparuara ekonomikisht, dhe Kosovës, me theks të veçantë për mundësitë e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë.
Jahjaga ka theksuar se Kosova ka resurse të rëndësishme që janë atraktive për investitorët: potencial të pasur njerëzor, të përgatitur për të qenë konkurrentë në ekonominë globale, dhe normat e tatimeve ndër më të ulëtat në Evropë, parakushte këto të rëndësishme për bizneset e huaja që të hapin degët e tyre në Kosovë.
“Vendi ynë është përcaktuar për një ekonomi të tregut dhe për ofrimin e shanseve të barabarta për të gjithë investitorët”, ka deklaruar presidentja, e cila gjithashtu e njoftoi Zeilin lidhur me situatën politike dhe për zhvillimet e përgjithshme në Kosovë.
Martin Zeil, nga ana e tij, u zotua për identifikimin e fushave të bashkëpunimit, duke përmendur se tashmë 110 kompani bavareze veprojnë në Kosovë. 

Mujota: Autostrada vazhdon

Ministri i Infrastrukturës(MI),, Fehmi Mujota, thotë se edhe sivjet ata do të vazhdojnë me vëmendje të posaçme në ndërtimin e “Rrugës së kombit” – autostradës Morinë – Merdar. Ai thotë se janë duke punuar për përgatitjen teknike fillimin e ndërtimit të autostradës tjetër Prishtinë – Hani i Elezit. Sipas tij, posa të gjenden format e financimit të saj, punimet do të fillojë pa ndonjë problem.
Ministri Mujota në një intervistë për Kosovapress ka thënë se top prioriteti i Ministrisë së Infrastrukturës dhe i Qeverisë së Kosovës mbetet ndërtimi i autostradës Morinë-Merdar, ndërsa ka shtuar se do të vazhdojnë përgatitjet për fillimin e punimeve për autostradës Prishtinë-Hani i Elezit. “Top prioriteti për Ministrinë e Infrastrukturës për vitin 2012 është edhe top prioriteti i Qeverisë së Republikës së Kosovës – vazhdimi i ndërtimit të autostradës Morinë-Merdar. Arritja në kilometrin e 60 të autostradës në fund të vitin 2012, përgatitjen teknike për fillimin e ndërtimit të autostradës Prishtinë-Hani i Elezit-Shkup”, ka thënë ai.
Ai ka shtuar se do të vazhdohet edhe me zgjerimin e rrugëve magjistrale Prishtinë-Pejë dhe Prishtinë-Mitrovicë.
Kur jemi te ndërtimi i rrugëve, Mujota ka paralajmëruar kompanitë të cilat i fitojnë tenderët që t’u përmbahen afateve kohore, në të kundërtën, nuk do t’i shpëtojnë ndëshkimeve të parapara me kontratë. “Me një punë të mirëfilltë dhe me një respektim të ligjit plotësisht, po vijmë tek koha e duhur për këtë çështje që askush të mos i shpëtojë sanksionimit në qoftë se nuk i përmbahet kushteve të kontratës, afateve kohore, cilësisë dhe natyrisht që nuk i përmbahet relacioneve të drejta ligjore në raport me qytetarin dhe me Ministrinë”, ka thënë ministri Mujota.
Ministri Mujota ka folur edhe për Hekurudhat e Kosovës, duke thënë se përgjegjësitë kryesore kanë kaluar tashmë në Ministrinë për Zhvillim Ekonomik, ndërsa ka shtuar se Ministrisë së tij i mbetet që ta hartojë legjislacionin dhe të bëjë politikat për këtë sektor. 

Nuk lejohet një tubim i “Vetëvendosje” në Ferizaj

Lëvizja “Vetëvendosje” me anë të një komunikate ka njoftuar se të shtunën rreth orës 19:00 në shkollën fillore “Ali Hadri”, në fshatin Mirash, Komuna Ferizaj, aktivistë të kësaj lëvizjeje nuk janë lejuar të mbajnë tubimin që ishte parashikuar me banorët.
“Ditë më parë Qendra e Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ Ferizaj kishte ndjekur procedurat e kërkuara dhe kishte marrë leje nga drejtori i arsimit të komunës, z. Agim Berisha. Por, megjithatë drejtori i shkollës fillore në këtë fshat, z. Bashkim Bytyçi, edhe pasi u informua për lejen e marrë nga drejtoria e arsimit të komunës Ferizaj. Arsyetimi ishte se: ‘nuk i lejon subjektet politike të mbajnë takime në shkollën e tij’”, thuhet në komunikatën e “Vetëvendosje”, ku theksohet se të pranishëm për të mbajtur tubimin kanë qenë edhe nënkryetari Shpend Ahmeti dhe kryetari i Qendrës Ferizaj, Faton Topalli.
Topalli dhe Ahmeti kanë folur me pjesëmarrësit në oborrin e shkollës dhe u kanë premtuar se do të kthehen sërish te i njëjti vend për të mbajtur tubimin.

‘Presion për shpërbërjen e strukturave paralele’

Një temë e rëndësishme e bisedimeve në takimin e NATO-s në Bruksel, ka qenë edhe misioni i KFOR në Kosovë. Aktualisht, NATO nuk parashikon një reduktim të trupave të KFOR-it për sigurinë në veri të Kosovës, por konsideron se zgjidhja më e mirë është politike dhe jo ushtarake.
“Ne mbështesim procesin e dialogut Prishtinë-Beograd me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Ne nuk duhet të habitemi, që një dialog i tillë të fillojë normalisht me çështje teknike të cilat duan një zgjidhje, dhe gradualisht këto bisedime teknike mund të kalojnë në dialog politik. Në eksperiencën time, kjo është e natyrshme”, ka theksuar Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Anders Fogh Rasmussen.
Ndërkohë, pala shqiptare ka propozuar që të shtohet presioni nga komuniteti ndërkombëtar, lidhur me shpërbërjen e strukturave paralele në veri të Kosovës.
“Gjithashtu, komuniteti ndërkombëtar në përpjekje të gjetjes së një zgjidhjeje politike, duhet t’i kushtojë një vëmendje më të madhe lidhjeve të Beogradit me veriun e Kosovës. Pra, të përpiqet të bëjë një presion pozitiv, në kuptimin që situata politike dhe në përgjithësi situata në veri të përmirësohet”, ka deklaruar zëvendësministri shqiptar i Mbrojtjes, Arjan Starova.

Trajkovic: Bisedimet nuk sjellin pranim shtetësie

Mbajtja e referendumit në komunat e veriut kundërshtohet edhe nga deputetja e Listës Unike Serbe (JSL), Rada Trajkovic, e cila thotë se serbët e asaj pjese me këtë referendum nuk janë duke e ditur as çka janë duke kërkuar.
“Të jem e sinqertë, unë u takoj atyre që janë të ashpër kundër referendumit dhe për këtë në kontinuitet loboj në kuptimin që të bindim serbët e veriut që këtë të mos e bëjnë, sepse nuk e di se çka do të fitojnë nga ai referendum”, ka thënë Trajkovic në një intervistë për agjencinë bullgare BgNews, ndërsa është tallur edhe me zëvendëskryeministrin serb Ivica Dacic, duke e quajtur si një person nën ndikimin e alkoolit.
“Ivica Dacic në kontinuitet ka një varg deklaratash, të cilat ngjajnë më shumë me parulla se sa në deklarata serioze, prapa të cilave qëndron një strategji. Më duket kjo si një parullë parazgjedhore. Më besoni marrë parasysh pozicionin e tij, të cilën e ka dhe është mjaft serioz, është zëvendëskryeministër, nganjëherë mendojë mos ky njeri është nën ndikimin e alkoolit”, ka shtuar ajo.
Duke folur për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, Trajkovic ka thënë se ky dialog dërgon në një ‘status quo’ e re, që nënkupton një relaksim të marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Unë mendoj që këto bisedime teknike midis Prishtinës dhe Beogradit janë një hap para. Ato janë të vështira edhe për njërën palë edhe për tjetrën, por unë mendoj se këto nuk sjellin te ndonjë pranim shtetësie. Unë mendoj se këto bisedime çojnë kah një “status quo” e re, që do të mundësojë një relaksim raportesh midis Beogradit dhe Prishtinës, relaksim të gjithë rajonit që mendoj se është pozitive për popullin, pasi nëpërmjet tyre do të ketë një funksionim më relaksues në gjithë rajonin”, ka thënë Trajkovic, ndërsa transmeton Kosovapress.
E pyetur se a kanë bërë gabime Prishtina apo Beogradi kur është fjala për komunitetin serb, Trajkovic ka thënë se të dyja palët kanë bërë gabime. Sipas saj, Beogradi ka gabuar, duke kërkuar ndarje të Kosovës, ndërsa Prishtina duke tentuar t’i bindë serbët të pranojnë pavarësinë. 

Petrovic po qëndron në SHBA

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic, i shoqëruar nga stafi i lartë i ministrisë ka vazhduar takimet ne Washington. Paradite ka realizuar një takim të frytshëm pune me Institutin Nacional Demokratik (NDI) ku është takuar me Robert Benjamin, drejtor regjional për programet e Evropës qendrore dhe jugore.
Në këtë takim me theks te veçantë janë diskutuar mundësitë e ndihmës konkrete me projekte për demokratizimin e jetës ne veri te Kosovës. Në këtë perspektivë, janë arritur konkluzione të sakta të cilat në nivelin teknik pritet të dakordohen gjatë ditëve të ardhshme.
Delegacioni i MAPL-së ka vazhduar vizitën në Kongres të SHBA-ve ku ka takuar anëtarë të kongresit. Një takim te veçantë e ka bërë me kongresmenin Eliot Engel, me te cilin kanë biseduar për zhvillimet e përgjithshme politike e ekonomike në Kosovë. Një theks në bisedim iu ka dhënë çështjes se integrimit të komuniteteve në jetën institucionale e shoqërore dhe garantimit të ruajtjes se trashëgimisë dhe barazisë së qytetarëve të Kosovës. Eliot Engel ka theksuar se ka qenë përkrahës i madh i pavarësisë së Kosovës, por për gjithë qytetarët e saj.
Një takim i rëndësishëm për shkëmbimin e përvojave në organizimin e pushteteve lokale është mbajtur pasdite me Asociacionin për menaxhimin e autoriteteve lokale në të cilën në formë të ndarë, drejtorë të departamenteve te MAPL-së në takime të ndara kanë mundur të bashkëbisedojnë gjatë me zyrtarët amerikanë të këtij asociacioni. Janë diskutuar modelet e organizimit dhe veçanërisht për modelin e matjes së performancës pasi së bashku me këtë institucion ka filluar implementimi i tyre edhe në Kosovë.
Petrovic ka realizuar takim me Këshillin e Distriktit të Kolumbias me Nyasha Smith, sekretar i Këshillimit. Në këtë takim janë biseduar aspekte të ndryshme legjislative, të buxhetit dhe praktikat e mira të komunikimit me qytetarët për projektet në interes të tyre. Para stafit të lartë të MAPL ka pasur një prezantim detal se si menaxhohet qyteti i Washingtonit dhe organizimi i tij. 

Procesi politik para atij humanitar

Përfaqësuesit e organizatave për të drejtat e njeriut në Prishtinë e Beograd theksojnë nevojën për presion të shtuar për ndriçimin e fatit të rreth 1.800 personave të pagjetur që nga paslufta në Kosovë. Ata thonë se autoritetet kosovare kanë mbetur duarkryq, për shkak të mungesës së vullnetit të palës serbe për të dhënë informata për varrezat e dyshuara masive dhe çështjeve të tjera që ndërlidhen me krimet e luftës në Kosovë.
Drejtori ekzekutiv në Këshillin për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Prishtinë, Behxhet Shala, thotë se bashkësia ndërkombëtare aktualisht po u kushton më shumë vëmendje zgjidhjes së problemeve politike ndërmjet Kosovës e Serbisë, duke i lënë anash ato humanitare.
“Bashkësia Ndërkombëtare e di se, në qoftë se u bën një trysni më të madhe të dyja palëve, atëherë do ta rrezikonte procesin politik. Prandaj familjet e personave të pagjetur janë duke pësuar për shkak të një oportuniteti politik të Bashkësisë Ndërkombëtare, e cila është e vetmja që duke kushtëzuar të dyja palët, do t’i detyronte të japin informacione për fatin e personave të pagjetur”, ka thënë Shala, ndërsa citon Radio Evropa e Lirë.
Me gjithë premtimet se çështja e personave të pagjetur do të futet në kuadër të dialogut teknik me shtetin serb, që nga nisja e këtij procesi në muajin mars të vitit të shkuar, ajo nuk është përmendur pothuaj fare në deklarimet zyrtare e krerëve të delegacioneve përkatëse. Mënyrat anësore për komunikim me Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i dialogut, sipas udhëheqëses së Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, Natasa Kandic, duhet të përdoren si mjet presioni ndaj palës serbe. Ajo vlerëson se i takon Kuvendit të Kosovës ta trajtojë urgjentisht çështjen e personave të pagjetur.
“Shoqatat e viktimave në Kosovë duhet t’i kërkojnë Parlamentit të Kosovës ta trajtojnë çështjen e personave të pagjetur si çështje të rëndësishme për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”, ka deklaruar Kandic.
Kontaktet dhe takimet ndërmjet komisionit serb dhe atij kosovar për krime lufte thuhet se kanë vazhduar edhe gjatë vitit 2011, por pa rezultuar me ndonjë informatë të re për këtë çështje. E pyetur nëse për këtë do të duhej të miratohej një rezolutë nga legjislativi kosovar, Kandic thotë: “Rezoluta nuk ka ndonjë fuqi, por institucionet kosovare do të duhej t’i shfrytëzonin takimet me politikanët dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, për të diskutuar çështjen e personave të pagjetur, sepse ajo është e rëndësishme për familjet shqiptare, sikurse për ato serbe”.
Pas diku dhjetë seancave publike të mbajtura që nga paslufta për personat e pagjetur, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq kishte kritikuar mekanizmat përgjegjës për ritmin e ngadalshëm të punës në këtë proces. Mësohet se nga 6.019 persona të raportuar në këtë komitet, si të zhdukur nga familjet e tyre, 1.799 ende konsiderohen të pagjetur. Pa i gjetur informatat për rreth 1.800 persona që vazhdojnë të mbesin të pagjetur në Kosovë që nga paslufta, nuk mund të normalizohen raportet ndërmjet Kosovës e Serbisë, thonë në organizatat për të drejtat e njeriut.