Nuk prishet BMW-ja kështu! (VIDEO)

Nuk dihet nëse shoferi ishte i pirë apo nuk i punonin frenat por ajo që dihet është se për ta rregulluar këtë BMW që ju shihni në video pas aksidentit kërkon shumë para.
Video është regjistruar në një rrugë në Azerbajxhan teksa një BMW X6 ka goditur një makinë të ndaluar në kryqëzim duke prodhuar një aksident zinxhir. 


Është një kërpudhë!? Jo, në fakt, lodër seksuale (Video)

Një prezantuese televizive në Kinë ka mbetur me fytyrë të skuqur pasi e ka gabuar një lodër seksuale me një ‘kërpudhë të rrallë’.
Fshatarët nga Liucunbu të qytetit kinez Xi'an e zbuluan objektin e çuditshëm, ndërkohë që po groponin – raporton Shanghaiist.
“Kishte një hundë dhe një sy, por nuk e kemi idenë se çfarë është”, ka thënë njëri.
Ata vendosën ta thirrin televizionin lokal për ndihmë, ndërsa reporterja e re Ye Yunfeng u paraqit menjëherë në vendin e ngjarjes.
“Mund të themi se ka diçka si gojë, ndërsa nga ana tjetër është një vrimë, e cila lidhet deri në fund me pjesën tjetër. Është shumë e lëmuar. Ka ndjesinë e mishit”, deklaroi prezantuesja.
Më tej ajo tha se ishte një kërpudhë e rrallë mjekësore, e cila kishte nevojë për kushte specifike për t’u rritur.
Mirëpo, një numër shikuesish e thirrën stacionin televiziv për të treguar se “kërpudha misterioze” ishte në fakt një lodër seksuale për meshkuj.
Një ditë më pas, stacionin televiziv lëshoi një kumtesë kërkimfaljeje për gabimin e reporteres së tyre. 

Kush është më frikacaku? (VIDEO)

Të gjithëve na ka ndodhur t'i çojmë fëmijët në vende të ndryshme pë tu argëtuar. Dhe ndodh shpesh që fëmijët kanë frikë nga lojra të ndryshme.
Një video interesante në internet, në fakt na tregon një situatë krejt ndryshe nga e zakonshmja. Babai i vajzës frikësohet më shumë se e bija.


Qëndron mbi shina, treni i kalon lartë (VIDEO)

Djaloshi që ju shikoni në videonuk ka frikë nga treni edhe nëse ai kalon sipër, mjafton që ai të mos e shtypë. 
Video është regjistruar në një hekurudhë në Kanada teksadjaloshi qëndron mbi shina gjatë momentit që mbi to kalontreni.

Nderohet vepra e dëshmorit të kombit, Ilir Konushevci

Në kazermën “Adem Jashari” të Komandës së Forcave Tokësore të FSK-së në Prishtinë, është nderuar vepra e dëshmorit të kombit, gjeneralmajorit Ilir Konushevci, në 43 vjetorin e lindjes së tij.
Në manifestimin e organizuar për nder të ditëlindjes së dëshmorit Ilir Konushevci, morën pjesë familjarë të dëshmorit, zëvendëskomandanti i KFT-së, gjeneralbrigade Gëzim Hazrolli, oficerë dhe bashkëluftëtarë të Ilirit.

Për veprën dhe heroizmin e dëshmorit foli zëvendëskomandanti i KFT-së, gjeneralbrigade Gëzim Hazrolli, i cili tha se kontributi i Ilir Konushevcit gjatë luftës është shumë i madh, sidomos në organizimin dhe themelimin e Logjistikës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pastaj në udhëheqjen e luftës si ushtar dhe si gjeneral.
“Vepra e gjeneral Konushevcit edhe sot është shembull për ne, se si duhet organizuar dhe furnizuar çdo ushtri, komandë, batalion dhe njësit. Edhe në të ardhmen gjeneral Ilir Konushevci do të mbetet shembull i organizatorit dhe strategut të shquar gjatë luftës sonë Çlirimtare. Ai do mbetet shembull edhe për ne pjesëtarët e FSK-së. Ne sot po përkujtojmë me pietet punën dhe veprën e tij të madhe, që dha për Lirinë e Kosovës”, tha Hazrolli.
Bashkëluftëtarët e familjarë, ushtarë dhe oficerë të FSK-së, vendosën lule dhe bënë nderime para bustit të dëshmorit të Kombit Ilir Konushevci. 

Stefanovic: Në radhë çështjet politike

Dialogu me Prishtinën do të udhëhiqet nga një nivel më i lartë shtetëror, ka thënë shefi i delegacionit serb në bisedime, Borislav Stefanovic. Ai ka thënë se dialogu teknik me Prishtinën ka dhënë rezultate konkrete, porse “tash në radhë janë çështjet politike, si veriu i Kosovës, mbrojtja e serbëve në jug të lumit Ibër, statusi i manastireve dhe kishave serbe dhe pronat”.
Në një konferencë shtypi në Qeverinë e Serbisë, Stefanovic e ka kritikuar ndërmjetësin e BE-së në bisedime, Robert Cooper, duke thënë se diplomati evropian interpreton disa marrëveshje “ashtu si i konvenon Prishtinës”, transmeton Rel.
Dy palët, në nëntë raunde negociatash, kanë arritur shtatë marrëveshje, por zbatimi i tyre thuhet të ketë ngecur.
Cooper sot po qëndron në Beograd, kurse nesër do të vizitojë Prishtinën.
Vazhdimi i dialogut pritet të ndodhë pas formimit të Qeverisë së re të Serbisë, e cila do të pasojë zgjedhjet parlamentare të 6 majit.

VV i shkruan amerikanëve për vdekjen Dino Asanajt

Lëvizja Vetëvendosje kërkoi të mërkurën të zbardhet vdekja e drejtorit të Bordit të Agjencisë kosovare të privatizimit, Dino Asanaj, ndërsa lidhur me këtë çështje, Vetëvendosje do t’i shkruajë edhe zyrtarëve amerikanë.
Sipas Vetëvendosjes, duke ditur ndjeshmërinë e postit të tij, afërsinë me politikanë, aferat e shumëpërfolura të shpronësimit të popullit të Kosovës për përfitime private dhe akuzat e muajve të fundit hapën shumë rrugë për spekulime, pyetje dhe drejtime gishtash, mirëpo gjithmonë me frikën se diçka e tillë mund të ndodhë në Kosovë për çfarëdo arsye.
“Nga lajmërimet e gazetarëve nga Qendra Klinike Universitare ku së paku kuptohej gjendja dhe plagët e të ndjerit, përnjëherë u kalua në një terr informativ që filloi të duket si një përmbyllje e shpejtë e rastit e që për pasojë kishte frikësimin e mëtutjeshëm të qytetarëve, mosbesimin në institucione, kësaj radhe përfshi këtu edhe institucionet shëndetësore e deri të mosbesimi se institucionet e rendit dhe ligjit në Kosovë si shumë herë më parë nuk do të arrijnë të zbardhin këtë krim të mundshëm”, thuhet në kumtesë.
“Për të shtuar rrugët e spekulimeve, Dino Asanaj u varros menjëherë të nesërmen me një nguti të paparë në raste të tilla jo vetëm në Kosovë, për të shtuar pyetjet dhe dyshimet e qytetarëve mbi arsyet e vërteta të këtij krimi dhe prapaskenave të mundshme të (vetë)vrasjes se Asanajt”, vlerëson Vetëvendosje.
Sipas kësaj lëvizje, një konsultim i thjeshtë me ekspertë të pavarur gjyqësorë dhe mjekësorë tregon se në raste të tilla të një vdekje misterioze pas 11 plagëve me thikë, pas ndërrimit të duarve me të cilin është goditur viktima, pas gjetjes së barnave në tavolinën e tij, tregon se obduksioni, hetimi dhe analiza e rrethanave (raportet toksikologjike etj.) do të kërkonin shumë më shumë kohë para se i ndjeri të varrosej.
“Kështu qytetarët dhe populli i Kosovës vazhdojnë të ballafaqohen me pyetje dhe frikë edhe më shumë se më herët. Vazhdojnë të ngrenë mosbesimin në institucionet e Republikës së Kosovës për t’u marrë me ligj dhe drejtësi. Kësaj radhe vetëm duke iu shtuar akterët dhe institucionet për të përmbyll edhe një rast të madh të krimit të mundshëm që mund të ndodhë në mes të ditës në cilindo qytet të Kosovës. Për të forcuar shtetin e Kosovës, sundimin e rendit dhe ligjit, lëvizja Vetëvendosje ! kërkon transparencë në zbardhjen e rastit të vdekjes së Dino Asanaj. Meqenëse tanimë është lëkundur edhe besimi në institucionet e mjekësisë ligjore, dhe meqenëse Dino Asanaj ishte edhe shtetas amerikan, kërkojmë që ekspertë të pavarur të mjekësisë ligjore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të bëjnë një vlerësim të pavarur të rrethanave dhe shkaqeve të vdekjes së Dino Asanajt”, thuhet në kumtesën e Vetëvendosjes.
Këtë kumtesë, Vetëvendosje njofton se do t’ia dërgojë edhe zyrtarëve të shtetit amerikan, përfshirë këtu edhe disa kongresistë e senatorë.

Adriana Hoxhic, emërohet drejtoreshë e Zyrën Administrative në veri

E plotësuar - Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin e Komisionit për emërimin e drejtoreshës së Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës dhe me shumicë votash ka emëruar në këtë fuksion Adriana Hoxhicin.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, kryeministri i vendit, Hashim Thaçi ka shprehur falënderimet për ministrin e Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic për punën që ka bërë.
Ministri, Petrovic ka thënë se Komisioni ka punuar intensivisht dhe ka nxjerrë si kandidate më të suksesshme, Adriana Hoxhic.
Në garë për këtë pozitë kanë qenë 7 kandidat, ndërkohë ka bërë të ditur se 55 zyrtarët e tjerë do të emërohen në ditët në vazhdim, pasi që ka qenë numër i madh i aplikantëve.
Hoxhic, deri më tash, ka qenë shefe e ekipit përgatitor për formimin e komunës së Mitrovicës së Veriut.
Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë thënë më herët se Zyra Administrative në veri do të hapet deri në fund të këtij muaji./Telegrafi/
Adriana Hoxhic, shefe e Zyrës në veri?
(14.55) Adriana Hoxhic është emri i vetëm i propozuar për shefe të Zyrës Administrative për veriun e Mitrovicës nga Qeveria e Kosovës. Ndërsa ajo nuk e ka pohuar, por as mohuar një gjë të tillë.
“Është e vërtetë se kam konkurruar për udhëheqëse të Zyrës, por akoma nuk kam marrë ndonjë përgjigje në lidhje me këtë”, ka thënë Hoxhic .
Nëse emri i saj kalon edhe zyrtarisht në mbledhjen e Qeverisë, e cila është duke u mbajtur, ajo do të jetë përgjegjëse për organizimin e punës dhe funksionimin e kësaj Zyre të formuar me vendim të Qeverisë së Kosovës muajin e kaluar. Shefi i kësaj Zyre do të ketë kompetenca të njëjta me kryetarët e komunave të vendit, ndërsa detyrë e Zyrës do të jetë të ofrojë të gjitha shërbimet për qytetarët dhe të koordinojë aktivitetet, si dhe investimet në këtë pjesë të Kosovës.
Ndryshe, Zyra në fillim do të përbëhet nga 7 drejtori me gjithsej 55 të punësuar, ndërsa parashihet që më vonë në këtë Zyrë të punësohen edhe 25 punëtorë tjerë. Buxheti vjetor i saj do të jetë 4 milionë euro, të cilat do të shërbejnë për shërbime elementare dhe infrastrukturë të objekteve në veri të Mitrovicës. 

Higuain aludon në rikthim te River Plate

Sulmuesi i Real Madridit, Gonzalo Higuain, ka aluduar se ai mund të transferohet te gjiganti argjentinas, River Plate gjatë kësaj vere.
24 vjeçari ka shënuar 15 gola në 35 paraqitje për skuadrën nga Buenos Aires, para se të kompletonte kalimin e tij në Madrid në janar të vitit 2007.
“Unë kam pasur një periudhë të vogël si lojtar te River Plate dhe ua kam borxh një rikthim. Më pëlqen Argjentina. Në Spanjë, ka shumë femra të bukura, por më pëlqejnë argjentinaset”, ka thënë Higuain.

Interi shumë pranë Silvestres

Presidenti i Palermos, Maurizio Zamparini, ka konfirmuar se është shumë pranë marrëveshjes me Massimo Morattin që Matias Silvestre të kalojë te Interi.
27 vjeçari, i cili kaloi një sezon të shkëlqyer te Palermo ka bërë të ditur se dëshiron të largohet dhe si duket oferta prej 7 milionë eurosh për mbrojtësin nga Massimo Moratti është pranuar.
“Unë jam takuar me Massimo Morattin. Ne kemi biseduar për argjentinasin Silvestre dhe jemi të pajtimit. 99% marrëveshja do të arrihet. Do të jetë një transfer prej 8 deri në 10 milionë euro”, ka thënë Zamparini për një radio italiane.

Wenger: Serie A nuk është për Van Persien

Menaxheri i Arsenalit, ka hedhur mundësinë që sulmuesi Robin Van Persie të largohet nga klubi për të luajtur në Serie A.
E ardhmja e holandezit në Emirates vazhdon të mbetet e paqartë, me kontratën e tij që skadon verën e ardhshme dhe me bisedat për vazhdimin e saj që po zhvillohen me një rritëm të ngadalshëm.
Juventusi është lidhur me një transferim të holandezit së fundi, por Wenger ka hedhur poshtë këto spekulime, duke thënë se liga italiane nuk është e nivelit të Van Persiet.
“Në Itali ka probleme të mëdha dhe liga juaj është në një nivel më të ulët se Liga Premier. Serie A është në nivelin më të ulët tash”.
“Nuk ka arsye pse një lojtar i shkëlqyeshëm si Van Persie të vijë dhe të luajë me ju, në Itali, në ligën tuaj. Lojtarët paguhen më mirë në Angli, ju nuk keni dëgjuar për kontratat e reja televizive?”.
“Liga italiane dikur ishte e jashtëzakonshme, dhe mbaj mend mirë, kur liga kishte 16 ekipe dhe secili kishte kampionin e vet. Tashmë kjo nuk është rast”, ka thënë Wenger për Corriere dello Sport.

Napoli 18 milionë për Doumbia

Seydou Doumbia mund të largohet nga CSKA Moska këtë verë pasi Napoli ka ofruar 18 milionë euro për sulmuesin e Bregut të Fildishtë.
Skuadra nga Serie A është në treg për përforcime në repartin sulmues, për shkak të largimit të pritshëm të Ezequiel Lavezzit drejt Paris-Saint Germain, dhe ata e shohin 24-vjeçarin Doumbia si zëvendësim ideal.
Drejtori sportiv i Napolit, Riccardo Bigon, është takuar me përfaqësues të CSKA-së gjatë të martës në Milano, ku ai ka bërë ofertën e parë zyrtare për sulmuesin.
Rusët më herët kishin kërkuar 30 milionë euro për Doumbia, por tash e kanë ulur çmimin në 25 milionë, edhe pse Napoli ka ofruar 18 milionë për lojtarin.
Edhe pse të dyja palët ende janë larg një shifre të përbashkët, ata pritet të takohen edhe një herë në ditët në vazhdim për të vazhduar bisedimet që mund ta ulin çmimin deri në 22 milionë. 

Caliendo: Caku i vërtetë i PSG është Pato

Agjenti Antonio Caliendo beson se PSG është e vendosur të transferojë Alexandre Paton nga Milani.
Rossonerët tashmë kanë refuzuar një ofertë masive të PSG për Thiago Silvan, megjithatë Caliendo paralajmëron se francezët do të rikthehen me oferta.
“Caku i vërtetë i Paris Saint-Germain është Alexandre Pato. Por Galliani e ka bërë punën e tij, presidenti ka zgjedhur ta mbajë brazilianin (Thiago Silva), dujke ruajtur fuqinë e skuadrës”, ka thënë agjenti.

Ghetto dhe Astro vijnë me “Baby”

Reperi nga Ferizaji, Ghetto, ka lansuar këngën e re “Baby” në bashkëpunim me Astron.
Nga titulli mund të kuptojmë se kemi të bëjmë me një këngë dashurie, e cila sikur nga askush tjetër vihet në pah nga reperi i ri, i cili vazhdimisht po ngritet në piedestalin e potencialit të tij.
Nuk dihet ende nëse kënga do të ketë videoklip, por një gjë është e sigurtë – kënga të cilën mund ta dëgjoni më poshtë premton të bëhet një hit. 

Rona e treta sipas jurive

Nëse do të merrej për bazë vetëm vlerësimi i jurisë profesionale në garën më të madhe të këngës në Evropë, përfaqësuesja e Shqipërisë, Rona Nishliu, do të zinte vendin e tretë.
Faqja zyrtare e “Eurovisionit” në internet, 24 ditë pas përfundimit të garës, ka publikuar listën e ndarë me votat e jurisë dhe ato të publikut.
Aty përfaqësuesja e Shqipërisë ka marrë 157 vota nga juria, që e rendit atë të tretën, shkruan sot “Koha Ditore”. Por Nishliu ka marrë 106 vota nga publiku, që në listën e ndarë vetëm me vota nga kjo kategori, ajo renditet e teta.
Sistemi i votimit në këtë festival është kombinim ndërmjet këtyre dy kategorive të votave, derisa rezultati i të dyjave e ka renditur Nishliun në vendin e pestë./Telegrafi/

Premtimi, këngëtar i ri në skenën muzikore (video)

Premtim Ibrahimi, i cili për herë të parë u shfaq në skenën muzikore në vitin 2011, nuk ka të ndalur me punën dhe angazhimin e tij rreth muzikës.
Ai tashmë ka publikuar edhe një këngë të re "I yt mall", këngë kjo e cila është mirëpritur nga publiku. Premtimi thotë se së shpejti do të shfaqet edhe me dy këngë të reja të cilat janë në fazën e përfundimit. Gjithashtu do të publikojë edhe albumin e tij të parë, i cili përfshinë nënë këngë.
“Falë bashkëpunimit tim të ndërsjellët me producentin e këngëve të mia, unë arrita të realizoj këngët e para që disa prej tyre u përfshin edhe në albumin ‘Summer 2011’”.
“Unë frymëzohem duke kënduar shqip, ndërsa publiku është ai për të cilin do të jap maksimumin tim gjithmonë, andaj shpresoj që këngët e mia të mirëpriten nga të gjithë”, u shpreh Premtimi.
Ai thotë se ky është vetëm fillimi pasi shpreson të vazhdojë edhe më tutje dhe “gjithmonë falë fuqisë së Zotit dhe përkrahjes së njerëzve” rreth tij.
Së shpejti Premtimi do të vijë me dy klipe të reja “8me2” dhe “Edhe sonte”.

Amazon App Store tani edhe për Evropë

Javën e kaluar, ishte thënë se Amazon është duke u përgatitur për lansimin e dyqanit të saj virtua,l Amazon App Store edhe në Evropë, pasi që i njëjti ka qenë në dispozicion për SHBA.
Tani, lajmi ka dal të jetë i vërtetë pasi që Amazon ka njoftuar se do të fillojë me Amazon App Store edhe në Evropë, të cilin do ta lëshojë në funksion gjatë verës së këtij viti.
Amazon App Store fillimisht do të lansohet në Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani, Itali, Francë, dhe Spanjë, ndërsa kompania ka thënë se ka plane që zgjerimi i dyqanit të saj virtual të aplikacioneve të ndodhë edhe në vendet tjera evropiane.
Edhe pse Amazon nuk ka dhënë asnjë datë të saktë të lansimit të App Store, zhvilluesit e aplikacioneve tashmë mund të dorëzojnë aplikacionet e tyre në platformën e Amazon.

Gjermania e përkushtuar për përkrahjen e Kosovës

Ambasadori i ri i Republikës së Kosovës në Gjermani, Skender Xhakaliu, u takua me presidentin e Republikës Federale të Gjermanisë, Joachim Gauck, dhe zyrtarisht ia dorëzoi letrat kredenciale si ambasador i Republikës së Kosovës. Me këtë rast, presidenti gjerman theksoi se shteti i tij vazhdon të mbetet i përkushtuar në përkrahjen e shtetit të Kosovës për ndërtimin e institucioneve demokratike.
Ambasadori Xhakaliu u prit me nderimet më të larta shtetërore nga presidenti gjerman Joachim Gauck, thuhet në kumtesën e MPJ-së.
Presidenti gjerman i uroi ambasadorit Xhakaliu mirëseardhje dhe shprehu bindjen e tij se marrëdhëniet tashmë shumë të mira ndërmjet dy shteteve do të thellohen edhe me tej.
Me këtë rast, ambasadori Xhakaliu dhe presidenti gjerman Gauck, biseduan rreth zhvillimeve të fundit në Republikën e Kosovës me ç’rast presidenti gjerman theksoi se shteti i tij vazhdon të mbetet i përkushtuar në përkrahjen e shtetit të Kosovës për ndërtimin e institucioneve demokratike.
Presidenti Gauck shtoi se Gjermania do të ofrojë mbështetjen e saj te plotë për integrimin e mëtutjeshëm të Kosovës në institucionet euroatlantike.
Në fjalën e tij, ambasadori Xhakaliu përcolli përshëndetjet e presidentes Jahjaga dhe urimet e sinqerta të popullit dhe të qeverisë së Republikës së Kosovës.
Ambasadori Xhakaliu theksoi synimin e pandërprerë të Kosovës që si shtet i lirë dhe demokratik të vazhdojë thellimin marrëdhënieve me shtetin gjerman, mbështetur në miqësinë dhe respektin e madh të popullit të Kosovës për popullin gjerman.
Në ceremoninë në Pallatin Bellevue, ambasadori Xhakaliu u shoqërua nga i gjithë stafi diplomatik dhe konsullor në Berlin.
Ambasadori Xhakaliu është ambasadori i dytë i Republikës së Kosovës në Republikën Federale të Gjermanisë. 

Higjienistët e QKUK-së në grevë

Punëtorët e higjienës në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, të cilët punojnë në kuadër të kompanisë “Krasniqi”, të mërkurën janë hedhur në grevë, duke shprehur kështu pakënaqësitë e tyre ndaj kompanisë “Krasniqi”, e cila menaxhon me këta punëtorë.
Lajmin e ka konfirmuar, kryesindikalisti Abdyl Tahiri, i cili ka thënë se kushtet e rënda, pagat e ulëta dhe diskriminimi i ka shtyrë të marrin një hap të tillë. Ai ka thënë se greva e higjienistëve do të vazhdon deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Sipas tij, kërkesat e këtyre punëtorëve janë rritja e pagave për 30 pwr qind pagesa e shujtave prej 44 eurove, pagesën e ndërrimeve të natës, festave, vikendeve etj.
Ndërsa menaxhmenti i QKUK-së dhe drejtues të kompanisë së pastrimit “Krasniqi”, ia hedhin fajin njëra tjetrës për kushtet e rënda të punëtorëve të higjienës në QKUK, transmeton Kosovapress.

Hungaria kontrollon hapësirën ajrore të Kosovës

Hungaria që nga viti i ardhshëm do të marrë përsipër kontrollin e fluturimeve mbi hapësirën e lartë ajrore të Kosovës, përkatësisht mbi 9 mijë e 600 metra.
Sekretari i shtetit në Ministrinë hungareze të Punëve të Jashtme, Zholt Nemet ka bërë të ditur se Hungaria do të kontrollojë hapësirën ajrore të Kosovës me kërkesë të Këshillit Veriatlantik, i cili është organ i NAT0-s, transmeton RTK. 

Tahiri: Ndryshimet kushtetuese në kundërshtim me marrëveshjen

Ramush Tahiri, këshilltari i parë i presidentes Atifete Jahjaga, ka thënë se presidentja nuk është e interesuar që me çdo kusht të qëndrojë në këtë post deri në fund të mandatit të plotë pesëvjeçar. Tahiri ka thënë se Jahjaga është e vetëdijshme se është produkt i marrëveshjes ndërmjet tre liderëve partiakë, e arritur në prill të vitit të kaluar, por, sipas tij, Komisioni për ndryshime kushtetuese ka tejkaluar kompetencat.
Tahiri ka vlerësuar se marrëveshja nuk kishte saktësuar mandatin e Jahjagës, ose që kjo çështje të bëhet pjesë e Kushtetutës, apo pjesë e ligjit.
“Si këshilltar, nuk e kuptoj angazhimin e Komisionit për ndryshime kushtetuese për të tejkaluar kompetencat e marrëveshjes ndërmjet tre liderëve partiakë”, ka thënë Tahiri, duke komentuar ndryshimet kushtetuese që ndërlidhen me mënyrën e zgjedhjes së presidentit.
Tashmë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës është duke shqyrtuar ndryshimet që janë bërë në Kushtetutë, për të sqaruar nëse pas këtyre ndryshimeve do të ishte kundërkushtetuese që t’i kërkohet presidentes Jahjaga që të ndërpresë përgjysmë mandatin për të mundësuar mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale.
Në fakt, kjo ishte paraparë në marrëveshjen ndërmjet Thaçit, Mustafës dhe Pacollit, të arritur në prill të vitit të kaluar, por çështja është komplikuar pas ndryshimeve kushtetuese. Tashmë spekulohet se PDK-ja është duke punuar prapa skenës për të shtyrë zgjedhjet presidenciale. Kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht, megjithëse zyrtarë të kësaj partie kanë deklaruar se do të ishin të gatshëm për ta rinegociuar marrëveshjen, nëse kjo do të ishte ‘për të mirën e qytetarëve’. Por, partitë e tjera e kanë kundërshtuar këtë mundësi.
Ndërkohë, Ramush Tahiri ka thënë se presidentja Jahjaga në çdo deklarim publik e ka bërë të qartë se do ta respektojë çdo marrëveshje ndërmjet partive.
“Mirëpo, unë mendoj se kushtetutshmëria duhet të zbatohet pa marrë parasysh për kë bëhet fjalë. Në këtë rast, Gjykata Kushtetuese duhet të vendos a bëhet precedent apo jo. Mendimi im është që nëpërmjet votës të mos vulgarizohet ajo që quhet kushtetutshmëri”, ka thënë Tahiri për “Tribuna Shqiptare”. 

Krasniqi: Pavarësia e Kosovës, projekt i përbashkët

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, gjatë vizitës në SHBA është takuar me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan, John Boehner dhe kongresistë të tjerë amerikanë. Në këto takime, Krasniqi ka vlerësuar lartë kontributin e SHBA-ve për çlirimin dhe shtet ndërtimin e Kosovës.
Në ditën e dytë të vizitës në Washington, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, është pritur në takime të veçanta në Kongresin Amerikan nga kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner dhe kongresistë të tjerë amerikanë.
Gjatë takimit me kryeparlamentarin Krasniqi, Boehner rikonfirmoi vendosmërinë e SHBA-ve për ta mbështetur Kosovën edhe në të ardhmen. Ai rikujtoi se Shtetet e Bashkuara kanë dërguar trupat ushtarake në Kosovë, fillimisht për të garantuar sigurinë e tani po e mbështesin pavarësinë e saj.
Zyrtari i lartë amerikan u interesua për marrëdhëniet e Kosovës me fqinjët dhe vendet e rajonit, si dhe për mundësitë e zhvillimit ekonomik të Kosovës, thuhet në komunikatën e lëshuar Zyra për marrëdhënie me publikun e Kuvendit të Kosovës.
Krasniqi ka thënë se qytetarët e Kosovës i përjetojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës si vend mik të tyre.
“Ne u jemi shumë mirënjohës që bashkë me ju arritëm pavarësinë dhe sot po e jetësojmë shtet-ndërtimin. Vetë pavarësia e Kosovës, si shtet demokratik dhe shumetnik, është projekti yni i përbashkët”, citohet të ketë thënë Krasniqi.
Sa i përket perspektivës evropiane të Kosovës, Krasniqi ka vlerësuar pranimin e dokumentit për studimin e fizibilitetit dhe marrjen e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, ndërsa ka theksuar edhe angazhimin e institucioneve të Kosovës për t’i plotësuar kushtet politike, ekonomike dhe ligjore që i kërkon Bashkimi Evropian.
Duke folur për dialogun me Serbinë, si pjesë e zhvillimit të bashkëpunimit në rajon, por edhe të integrimeve evropiane të të dyja vendeve, kryetari i Kuvendit të Kosovës theksoi se pala serbe vazhdon të mos i zbatojë marrëveshjen e arritura në Bruksel.
Delegacioni parlamentar i Kosovës është pritur edhe nga kongresistët - udhëheqës të Komisionit të Kongresit për Partneritet në Zhvillimin e Demokracisë, David Drier dhe David Price, komision ky që bashkëpunon drejtpërdrejt me 16 shtete partnere, përfshirë edhe Kosovën, me qëllim të mbështetjes së zhvillimit të institucioneve ligjdhënëse, si dhe nga kongresistin Eliot Engel e kongresistë të tjerë. 

Ivanovic: Na pret verë e “nxehtë” në Kosovë

Sekretari shtetëror në Ministrinë e Serbisë për Kosovën, Oliver Ivanovic, ka vlerësuar se në Kosovë do të jetë “një verë e nxehtë në të cilën do të ketë ende incidente sporadike”.
“Me dialog ne e mbajmë situatën nën kontroll, e cila është e tensionuar dhe e cila secilin moment mund të eskaloj dhe të shndërrohet në ndonjë incident, që nuk është në interesin e askujt”, tha Ivanovic për Radio-Televizionin e Serbisë, transmeton Rel.
Duke komentuar paralajmërimet e aty-këtushme se Bashkimi Evropian dëshiron një takim të presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikolic dhe presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, Oliver Ivanovic theksoi se kërkesa të tilla zyrtare nuk ka.
“Takimi i dy presidentëve do të ishte njohje indireke dhe mendoj se nuk do të hyjmë aq thellë në këtë tregim”, tha Ivanovic, dhe shtoi se kjo është linja e kuqe, që nuk duhet të kalohet. 

Thaçi: Nuk do të ketë status special për veriun

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar mbrëmë në Sofje të Bullgarisë se veriu i Kosovës nuk do të fitojë status special dhe se nuk do të ketë kurrfarë ndarjeje territoresh. Ai ka theksuar se do ta paraqes planin për integrimin e serbëve në pjesën veriore të Kosovës.
“Nuk do të ketë status special për veriun e Kosovës, e as ndarje të territoreve”, tha Thaçi dhe shtoi se “do të propozoj një plan për integrimin e serbëve, që jetojnë në këtë pjesë të Kosovës dhe kjo do të bëhet në mënyrë të njëjtë siç janë integruar serbët në pjesën qendrore dhe jugore të Kosovës”, tha kryeministri Thaçi në intervistën për Radion Kombëtare të Bullgarisë.
Kryemisnitri i Kosovës, Hashim Thaçi, qëndroi në vizitë zyrtare dyditëshe në Bullgari.

DASH: Kosova vend burimi e destinacioni për trafikim njerëzish

Sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, ka paraqitur të martën pasdite Raportin mbi Trafikimin e Personave për vitin 2012. Në pjesën kushtuar Kosovës, raporti shprehet se vendi është burim, destinacion dhe ndoshta vend transit për gratë dhe fëmijët që janë viktima të trafikimit për seks, dhe për fëmijët që i nënshtrohen lypjes së detyruar.
Raporti thotë se Qeveria e Kosovës po bën përpjekje domethënëse për të përmbushur plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, por në të veçohet gjithashtu fakti se pavarësisht njoftimeve mbi raste bashkëpunimi në trafikim nga ana e punonjësve qeveritarë, asnjë zyrtar nuk është dënuar për këtë vepër penale.
Raporti mbi Trafikimin e Personave për vitin 2012 thotë se shumica e viktimave të trafikimit seksual të shfrytëzuara në vend, janë qytetare femra të Kosovës, njofton Zëri i Amerikës. Fëmijë nga Kosova dhe vendet fqinje shfrytëzohen për lypje të detyruar brenda territorit të Kosovës. Pjesa më e madhe e viktimave të huaja të prostitucionit të detyruar - vazhdon vlerësimin DASH - janë gra të reja nga Evropa Lindore, duke përfshirë Moldavinë, Shqipërinë, Poloninë dhe Serbinë.
Gra dhe fëmijë kosovarë i nënshtrohen prostitucionit të detyruar, martesave shfrytëzuese, dhe punës së detyruar në të gjithë Evropën. Raporti citon Policinë e Kosovës për të përmendur se trafikantët shfrytëzojnë më rrallë viktimat e trafikimit të seksit në bare dhe kafene, duke u mbështetur kryesisht tek banesat private.
Qeveria e Kosovës, thuhet në raport, nuk përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, megjithatë, ajo po bën përpjekje domethënëse për ta arritur këtë. Qeveria ka vazhduar zbatimin e procedurave operative standarde të saj të përqendruara tek viktimat si dhe standardet minimale për kujdesin e viktimave të trafikimit.
Përpjekjet nga ana e Qeverisë së Kosovës për parandalim e trafikimit vazhduan të jenë shumë të forta, duke përfshirë thirrje me bazë të gjerë në media, përqendrim tek të rinjtë, dhe koordinim qeveritar në disa nivele.
Por, raporti i DASH i referohet organizatave ndërkombëtare duke thënë se është vërejtur se gjyqësori dhe prokurorët mbeten jo plotësisht të aftë për të ndjekur penalisht rastet e trafikimit, duke rezultuar në vënie të pamjaftueshme para përgjegjësisë të autorëve të trafikimit. Pavarësisht njoftimeve mbi raste bashkëpunimi në trafikim nga ana e punonjësve të qeverisë, asnjë zyrtar qeveritar nuk është dënuar për bashkëpunim.
Raporti mbi Trafikimin e Personave për vitin 2012 i Departamentit amerikan të Shtetit rendit edhe disa rekomandime për Kosovën, duke kërkuar që vendi të bëjë përpjekje më të fuqishme për të ndjekur penalisht, fajësuar dhe dënuar autorët e trafikimit për seks dhe për punë, duke përfshirë zyrtarët e përfshirë në trafikim; të rrisë trajnimin specifik për trafikimin të prokurorëve dhe gjyqësorit, të sigurojë që mbrojtja e punës sociale për viktimat e trafikimit të jetë plotësisht e financuar; duke kërkuar gjithashtu që Kosova të zbatojë Planin Strategjik dhe të Veprimit Kombëtar kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore për vitet 2011-2014; të shtojë hetimet e veprave penale të punës së detyruar si dhe të rrisë rastet e zbulimit dhe të mbrojtjes së viktimave të lypjes së detyruar në Kosovë.
Për Departamentin amerikan të Shtetit është e rëndësishme gjithashtu që të sigurohet që të gjitha viktimat e trafikimit të lejohen të lënë vendstrehimet sociale të papërgjuar dhe me vullnetin e tyre e të financohet në mënyrë të përshtatshme në nivel komunal puna sociale e kujdesit për viktimat e trafikimit.
Raporti thotë se Kosova duhet të vazhdojë vlerësimin e programeve të trafikimit për të siguruar efikasitetin e tyre; të sigurojë që emigrantët pa dokumente të jenë shqyrtuar për të parë nëse janë viktima të trafikimit para se të dërgohen në vendet e tyre; të përmirësojë procedurat e kthimit për t’u lejuar viktimave të trafikimit të kenë mundësi të përdorin këto procedura kthimi; të ndajë të dhënat e autoriteteve ligjore për anti-trafikimin seksual nga ai i punës si dhe të vazhdojë fushatat për ndërgjegjësimin e publikut, duke përfshirë edhe fushata rreth rreziqeve të lypjes. 

Moody’s rrit notën e Turqisë

E njohur si dorështrënguar për sa i përket dhënies së notës Moody's e ka rritur me një shkallë notën e kredisë së Turqisë. Sipas lajmit të agjencisë “Reuters” të lajmeve Moody's notën e Turqisë e ka rritur nga BA2 në BA1. Agjencia ka ruajtur edhe vlerësimin “pozitiv” për perspektivën e Turqisë.
Në njoftimin e agjencisë u tha se faktorët që kanë ndikuar në rritjen e notës janë kapaciteti i financave publike për të amortizuar ndikimet shokuese dhe masat e marra në lidhje me llogaritë rrjedhëse.
Në komunikatë flitet me lëvdata për hapat që ka hedhur Turqia kundër çekuilibrave financiarë, si janë shlyerja e borxheve.
Pozitive agjencia vlerëson edhe ekuilibrin e financave publike, ndërsa bën komentin se në të ardhmen mund ta rrisë edhe më shumë notën e Turqisë në qoftë se ekonomia e saj arrin të jetë më rezistuese ndaj ndikimeve shokuese që prekin ekuilibrat financiarë.
Brenda javës së fundit Moody's kishte ulur notat e kredisë të 5 bankave holandeze, j belge, 1 të Luksemburgut dhe notat e kredisë të Qipros greke dhe Spanjës. 

OKB: Fillon samiti për ekonominë e gjelbër

Samiti triditësh i Kombeve të Bashkuara, që synon vendosjen e ekonomisë globale në një bazë më të qëndrueshme ambientale, hapet sot në Rio de Zhanejro të Brazilit. Ky samit është cilësuar si rast i jashtëzakonshëm për ribalancimin e ekonomisë botërore dhe çrrënjosjen e varfërisë, pa e dëmtuar ambientin.
Megjithatë, propozim teksti final i samitit është kritikuar nga shumë delegatë dhe aktivistë të ambientit për mungesën e përkushtimeve të qarta, të afatet dhe të mjeteve për monitorimin e procesit.
Afro 90 liderë, përfshirë sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-mun dhe presidentin e Francës, Fransua Holand, pritet të marrin pjesë në samit.
Por disa të tjerë, siç janë presidenti amerikan, Barak Obama, ai rus, Vlladimir Putin, kryeministri britanik, Dejvid Kamerun, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, nuk do të marrin pjesë por i dërgojnë zëvendësat e tyre./Telegrafi/
Megjithatë, propozim teksti final i samitit është kritikuar nga shumë delegatë dhe aktivistë të ambientit për mungesën e përkushtimeve të qarta, të afatet dhe të mjeteve për monitorimin e procesit.
Afro 90 liderë, përfshirë sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-mun dhe presidentin e Francës, Fransua Holand, pritet të marrin pjesë në samit.
Por disa të tjerë, siç janë presidenti amerikan, Barak Obama, ai rus, Vlladimir Putin, kryeministri britanik, Dejvid Kamerun, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, nuk do të marrin pjesë por i dërgojnë zëvendësat e tyre.

VITA dhe Tango me shtëpi të re

Qumështi dhe Jogurti VITA, si dhe lëngjet Tango, tashmë kanë filluar të prodhohen në Fabrikën e re, të pajisur me teknologjinë më të fundit, që siguron pastërti dhe kualitet.
Fabrika, e cila gjendet në Radushë të Istogut, buzë Alpeve Shqiptare, ofron një ambient unik për prodhimin dhe përpunimin e produkteve, që burojnë nga natyra, si: qumështi dhe Jogurti VITA, si dhe lëngjet nga frutat e ndryshme, Tango.
Katër hapësirat e mbuluara të fabrikës, që shfrytëzohen për prodhim dhe deponim, janë të shpërndara në një hapësirë, tejet komode, prej 5 hektarësh, ku hapësirat e mbuluara zënë një vend prej 1 5000 m².
Duke e rritur kapacitetin prodhues në lokacionin e ri, VITA tashmë furnizohet me qumësht të freskët në baza ditore nga 200 fermerë të mëdhenj dhe 1 000 fermerë të vegjël, duke u shndërruar në burim të të ardhurave për më shumë se 1 500 familje, të zonave që merren me blegtori në gjithë Kosovën.
Nga ana tjetër, numri i punëtorëve ekzistues që punojnë në prodhimin e Tangos dhe të VITA-s, me standardet më profesionale të prodhimit, me hapjen e Fabrikës së re do të rritet nga 200 në 550.
Derisa numri i përgjithshëm i punëtorëve që punojnë në kuadër të Devolli group e që për momentin është 500, me rritjen e numrit të punëtorëve përmes Qumështores do të rritet në 850.
Fabrika momentalisht ka gjashtë vija prodhuese për prodhimin e qumështit, jogurtit dhe lëngjeve. Kapacitetet maksimale prodhuese të Fabrikës janë 36 mijë litra në orë. Ndërsa, në të ardhmen, me rritjen e pritshme të nevojave të tregut, këto kapacitete pritet të shtohen.
Devolli Group në Fabrikën e re ka investuar 15 milionë euro ca.
Derisa vija e prodhimit të Jogurtit me aromë të frutave, është bashkëfinancuar pjesërisht nga Bashkimi Evropian me një shumë prej 440.000 euro ca, që tregon faktin se prodhimi dhe kualiteti i produkteve është në përputhshmëri të plotë me standarde evropiane.

Stekelenburg dëshiron të mbetet te Roma

Portieri holandez, Maarten Stekelenburg, thotë se ai është i lumtur te Roma dhe nuk ka arsye të largohet.
“Kurrë nuk kam menduar të largohem, nuk kam arsye. Jam i lumtur në Romë, kam kontratë dhe skuadra është e mirë”.
“Zeman? Kam dëgjuar se atij i pëlqen futbolli sulmues dhe kjo ishte rast edhe me Luis Enrique, andaj jam mësuar me këtë”.
“E di që Zeman tashmë ka drejtuar Romën më herët dhe se ka bërë një punë të mirë – nuk kam motiv të shqetësohem”, ka thënë Stekelenburg për Gazzetta dello Sport.

Capello nuk është i interesuar të drejtojë Italinë

Ish-trajneri i Juventusit dhe Anglisë, Fabio Capello, thotë se ai nuk është duke synuar pozitën e Cesare Prandellit.
“E kam thënë edhe më herët dhe do ta përsëris – nuk jam i interesuar të bëhem trajner i ekipit kombëtar. Dhe edhe një gjë, tash jam në një moshë të caktuar”.
“Gjithmonë kam menduar se Italia ka qenë më e fuqishme se ekipet tjera, pasi e kam parë në Poloni se si ata kanë luajtur kundër Spanjës”, ka thënë Capello, që sapo ka mbushur 66 vjet. 

Drogba konfirmon: Do të luaj për Shanghai Shenhua

Didier Drogba ka konfirmuar lëvizjen e tij të pritur nga Chelsea te klubi kinez Shanghai Shenhua.
Sulmuesi 34-vjeçar ka publikuar një deklaratë në faqen e tij, duke konfirmuar se ka nënshkruar kontratë dyvjeçare e gjysmë me klubin kinez dhe pritet t’i bashkohet ekipit në korrik.
“I kam menduar të gjitha ofertat që kam pranuar në disa javët e kaluara, por mendoj se Shanghai Shenhua FC është hapi i duhur për mua për momentin”.
“Mezi pres këtë sfidë të re, të përjetoj një kulturë të re dhe jam i ngazëllyer për zhvillimet e reja në Superligën Kineze”.
“Kur Chelsea udhëtoi në Kinë vitin e kaluar, ne kaluam kohë të shkëlqyeshme dhe kam takuar disa tifozë të mrekullueshëm. Shpresoj të ndihmoj promovimin e futbollit kinez gjithkund në botë dhe një përmirësim të lidhjeve në mes të Kinës dhe Afrikës”, ka thënë Drogba.

NBA: Heat afër titullit

Miami Heat është vetëm një fitore larg shpalljes kampion i NBA-së pasi mposhti Oklahoma City Thunder me rezultat 104-98 në ndeshjen e katërt dhe për të marrë avantazhin 3-1 në finalet e NBA-së.
Heat, që humbën finalet e vitit të kaluar pas gjashtë ndeshjesh ndaj Dallas Mavericks, i afrohen titullit pas një loje të mirë edhe të lojtarëve të tjerë përveç Treshes së Madhe, që përbëhet nga LeBron James, Dwyane Wade dhe Chris Bosh.
James dhe Wade vazhduan të shkëlqejnë edhe në ndeshjen e mbrëmshme, por ishte Mario Chalmers ai që u tregua më vendimtar për Heat.
Chalmers shënoi 25 pikë, 12 prej të cilave në çerekun e katërt të ndeshjes, përfshirë edhe dy gjuajtje të lira në sekondat e fundit të takimit. Wade shënoi po ashtu 25 pikë.
Te Thunder, më i spikaturi ishte Russell Westbrook i cili me 43 pikë të shënuara u mundua ta mbajë skuadrën në lojë i vetëm.
Ndeshja e pestë mes dy skuadrave zhvillohet të enjten po në fushë të Miamit.

Marotta: Duam ta mbajmë Giovincon

Menaxheri gjeneral i Juventusit, Beppe Marotta, thotë se nëse ata blejnë të plotë kartonin e Sebastian Giovinco, e bëjnë këtë pasi duan ta kenë atë në skuadër.
Marotta dëshiron t’u japë fund spekulimeve duke konfirmuar se Juve dëshiron ta mbajë lojtarin, dhe jo ta shesë atë për të përfituar.
“Ne e riblejmë Giovincon pasi duam ai të qëndrojë te Juventusi. Ky është produkt i sistemit tonë të të rinjve, që ka mbledhur përvojë në provinca dhe tash është koha për t’i dhënë atij mundësinë të tregojë vlerën e tij”, ka thënë Marotta.

Pires: Ronaldo më i mirë se Messi

Legjenda e Arsenalit, Robert Pires, e vlerëson yllin e Real Madridit, Cristiano Ronaldo, më shumë se atë të Barcelonës, Lionel Messi.
Pires, i cili ka luajtur në Spanjë me Villarrealin, beson se Ronaldo ka më shumë kualitete krahasuar me Messin.
“Për mua, janë Messi dhe Ronaldo, pastaj nën ta janë të tjerët. Por më pëlqen Ronaldo, mendoj se ai ka më shumë potencial”.
“Njerëzit duhet ta lënë atë të luajë në qetësi. Ai gjithmonë ka shumë në shpinën e tij dhe kjo nuk mund të jetë e lehtë. Ai nuk është makinë, ai është një lojtar”, ka thënë Pires.

Del Bosque: Franca, një rival i vështirë

Trajneri i Spanjës, Vicente del Bosque, beson se Franca do të jetë një test i vështirë për kampionët në fuqi të Evropës në çerekfinale të Euro 2012.“Ne e dimë se ata janë në të njëjtin nivel me ne dhe do të jetë një ndeshje e vështirë. Franca ka bërë shumë progres (nga Botërori 2010)”.
 
“Ata kanë bërë disa ndryshime të rëndësishme dhe kanë lojtarë të shkëlqyeshëm si [Karim] Benzema, [Hatem] Ben Arfa, [Samir] Nasri, [Florent] Malouda and [Franck] Ribery”.
 
“Kjo është një ndeshje vërtet e madhe dhe ne mezi e presim. Ne do të kemi kohë të përgatitemi për ndeshjen dhe të mendojmë për formacionin më të mirë”, ka thënë Spanjolli.
 
Ndeshja në mes të Spanjës dhe Francës zhvillohet të shtunën në Donetsk me fillim nga ora 20:45.

Debuchy: Mund ta mposhtim Spanjën

Mathieu Debuchy është i bindur se Franca ka gjithë çfarë nevojitet për të mposhtur Spanjën dhe për t’u kualifikuar në gjysmëfinale të Euro 2012.Les Bleus përfunduan fazën grupore në pozitën e dytë të grupit D pas disfatës së mbrëmshme 2-0 nga Suedia dhe do të përballen me Spanjën në çerekfinale të garës evropiane.
 
“Jam i sigurt se mund ta mposhtim Spanjën. Ata janë një skuadër e shkëlqyeshme me lojtarë të shkëlqyeshëm”.
 
“Çelësi do të jetë të marrim topin nga ta, që është e qartë se nuk do të jetë e lehtë, pasi ata janë më të mirët në botë për ta mbajtur atë, andaj çelësi është të qëndrojmë të qetë dhe të marrim avantazhin e hapësirave të cilat ata na i lënë”, ka thënë Debuchy. 

Hodgson lavdëron Gerrardin

Trajneri i Anglisë, Roy Hodgson, ka lavdëruar yllin e Liverpoolit, Steven Gerrard, pas edhe një paraqitje kapiteni në fitoren ndaj Ukrainës.Gerrard u zgjodh lojtari i ndeshjes pasi ishte harkimi i tij ai që i dha mundësinë Wayne Rooneyt të shënojë golin e fitores.
 
“Ju duhet ta veçoni Steven. Ai morri shpërblimin lojtari i ndeshjes edhe në dy ndeshjet e kaluara, duke luajtur edhe rolin e kapitenit”.
 
“Katërshja e fundit ishin shumë të mirë sot, dhe portieri, ata ruajtën formën dhe disiplinën shumë mirë”.
 
“Edhe pse kishte goditje në golin tonë, ato ishin nga distanca dhe nuk e detyruan vërtet Hart të bëjë mbrojtje. Ishte një ndeshje për ta lavdëruar paraqitjen ekipore”, ka thënë Hodgson. 

Rooney: Askujt nuk i pëlqen ta sfidojë Anglinë

Anglia mund të arrijë shumë në Euro 2012 dhe skuadrat nuk do të dëshirojnë të luajnë ndaj kësaj përfaqësuese – ka thënë Wayne Rooney.Sulmuesi i Manchester Unitedit u kthye nga suspendimi për ta shënuar golin e fitores ndaj Ukrainës, ndërsa mendon se Tre Luanët janë në rrugë të mirë për të pasur sukses në turneun evropian.

“Mendoj se i dimë kualitetet tona dhe e dimë se çfarë jemi të aftë të bëjmë”.

“Nuk mendoj se ka ndonjë skuadër që i pëlqen të luajë ndaj nesh, jemi të vështirë për t’u thyer dhe kemi lojtarë të cilët mund të shënojnë gola, prandaj gjërat po shkojnë mirë për momentin”, ka deklaruar Rooney për ITV.

Anglia do ta zhvillojë ndeshjen çerekfinale të dielën kundër Italisë. 

Arbër Zeka dëshiron të punojë në media

Fituesi i edicionit të sivjetmë të Big Brother Albania 5, Arbër Zeka gjatë një interviste ka pohuar se ëndërr e tij ka qenë të punojë në media.
“Është dëshirë e imja me qenë pjesë e një mediumi dhe nëse vazhdoj menjëherë me televizion, nuk besoj që mund të kem sukses”.
“Nuk e di çka do të ndodhë dhe nuk kam ofertë, por do të kërkoj vetë nëpër dyer të medieve dhe nëse është diçka e mirë, punë e mirë, do ta pranoj”, ka pohuar Arbëri për ‘Express’.
Arbëri ka shtuar se tashmë i është kthyer jetës normale. 

Linda Halimi duet me Leonora Poloskën

Këngëtarja Linda Halimi, pritet së shpejti të vijë me një duet të ri.
Ajo është duke u përgatitur për një këngë të re në bashkëpunim me këngëtaren Leonora Poloska.
Gjatë një prononcimi për ‘Kosova Sot’, këngëtarja ka thënë se dueti pritet të realizohet së shpejti.
Linda ka pohuar se do të jetë një këngë shumë e mirë, pasi që sipas saj këngëtarja Leonora Poloska është njëra ndër këngëtarët më të mira të estradës sonë.

Kafja të jep energji të rreme

Nëse je bërë skllav i zakonit tënd për të pirë nga një filxhan kafe çdo mëngjes, ne po të tregojmë që mundeni pa problem ta leni mënjanë këtë zakon.
Sipas një studimi, konsumuesit e rregullt e “zakonit të kafesë” nuk marrin ndonjë energji nga rituali i tyre mëngjesor. Arsyeja? Toleranca ndaj kafeinës. I vetmi ndryshim: kafeina ndihmon te kokëdhembja.
Nëse ata që janë mësuar ta pinë vazhdimisht do ta ndalonin një përvojë të tillë, atëherë do të përballeshin me simptoma të ndryshme, si për shembull me dhimbje koke, apo përgjumje.
Nëse do të teprohej, kafja mund të sillte edhe sindroma të tilla si ankthi, paniku. etj.

S’ka më tablet nga LG?!

LG ka thënë se kompania ka vendosur që të ndërpres zhvillimin e tabletëve të ri, pasi që kompania do të fokusohet në pajisje më të vogla, si telefonat e mençur mobil.
LG ka lansuar disa tablet në Android, si LG Optimus Pad, mirëpo dyshohet se ky tablet ka qenë më pak i famshëm sesa që prodhuesi ka pritur, prandaj edhe kompania ka arritur në këtë vendim.
“Ne kemi vendosur që ta shtyejmë prodhimin e tabletëve tanë, në mënyrë që të mund të fokusohemi në telefonat e mençur mobil” ka thënë Ken Hong, zëdhënësi i kompanisë LG.
Megjithatë, ky vendim i LG-së do të mund të sjell modele të reja të telefonave, dhe mbetet të shihet se sa do të mund të depërtojnë në treg modelet e reja të LG.

Burri dhe gruaja zënë njëri-tjetrin duke tradhtuar

Një burrë dhe një grua, të cilët e kanë tradhtuar njëri-tjetrin, kanë zbuluar aferat e dashurisë kur të dy me dashnorët e tyre kanë shkuar në të njëjtin hotel.
Tradhtia është zbuluar, pasi për shkak të ndaljes së rrymës, dy të martuarit gjysmë të zhveshur kanë dalë nga dhomat e tyre në një hotel në Kenia.
Një i pranishëm ka treguar se pasi ata zbuluan për aferat e njëri-tjetrit filluan të ziheshin fizikisht dhe të përplaseshin nëpër dysheme në sy të të gjithëve.
“E pashë kur gruaja bërtiti dhe e kapi burrin e saj, pastaj ai e goditi. Dashnorët e tyre, të cilët ishin ende nëpër dhoma, dolën të shohin se çfarë po ndodhte. Të dy shumë shpejtë u zhdukën në errësirë”, ka thënë burimi.
Sipas raportit të policisë, burri e kishte gënjyer gruan se do të vonohej në punë, ndërsa ajo kishte organizuar takim me të dashurin.
Stafi i hotelit në qytetin Mlolongo ka bërë të ditur se edhe burri edhe gruaja ishin vizitorë të shpeshtë të hotelit të tyre.

Ban Ki-moon pritet ta vizitojë Kosovën

Shefi i OKB-së, Ban Ki-moon, po planifikon një vizitë në rajon. Burime nga New Yorku kanë shpjeguar se sekretari i përgjithshëm planifikon që të qëndrojë në Ballkan për një javë rresht nga 19 korriku deri më 26.
Në kuadër të saj, sipas burimeve të gazetës “Koha Ditore”, Ki-MOON do të qëndrojë edhe në Kosovë, më 24 korrik të këtij viti. Vizitën tani për tani nuk e ka konfirmuar zyrtarisht zëdhënësi i sektarit të përgjithshëm. “Për momentin nuk mund të themi asgjë rreth kësaj”, i ka thënë gazetës njëri prej tyre.
Megjithatë në kuadër të një agjende që ka parë gazeta, shefi i OKB-së do të vizitojë shtatë shtete të rajonit.
Në të gjitha vendet do të qëndrojë nga një ditë të vetme, përjashtuar Kosovën. Vizitën në Beograd dhe Prishtinë shefi i OKB-së ka planifikuar ta bëjë brenda një dite të vetme. Sipas agjendës jozyrtare, Ban Ki-moon planifikon që mëngjesin e 24 korrikut ta vizitojë Beogradin, ndërkaq pasdite do të zhvillojë takime edhe me përfaqësuesit e autoriteteve të Kosovës në Prishtinë.
Shefi i OKB-së planifikon që të arrijë në Slloveni më datën 19 korrik. 20 korriku do të jetë dita e vizitave zyrtare në shtetin slloven.
Në Kroaci, shefi i OKB-së do të qëndrojë dy ditë. Ditën e parë, më 21, do ta ketë ditë pushimi, ndërkaq takimet zyrtare do t`i bëjë më 22. Mali i Zi është shteti ku Ban Ki-moon planifikon të shkojë pas vizitës në Kroaci. Atje do të qëndrojë më 23 korrik. Data 24 do të jetë dita e takimeve në Beograd e Prishtinë, ndërkaq më 25 dhe 26 do të vizitohen Maqedonia dhe Bosnjë-Hercegovina.
Sarajeva pritet të jetë kryeqyteti i fundit në turneun që Ban Ki- moon pritet të ketë në rajon.
Burime të gazetës kanë shpjeguar se shefi i OKB-së me këtë rast do të kërkojë ruajtjen e stabilitetit në Ballkan.
Gazeta nuk ka mundur të merrte qëndrim të Qeverisë së Kosovës lidhur me nivelin e përfaqësuesve kosovarë që do të presin shefin e OKB-së. E pamundur ka qenë të merret edhe një qëndrim i UNMIK-ut në lidhje me këtë vizitë.