Ban Ki-moon pritet ta vizitojë Kosovën

Shefi i OKB-së, Ban Ki-moon, po planifikon një vizitë në rajon. Burime nga New Yorku kanë shpjeguar se sekretari i përgjithshëm planifikon që të qëndrojë në Ballkan për një javë rresht nga 19 korriku deri më 26.

Në kuadër të saj, sipas burimeve të gazetës “Koha Ditore”, Ki-MOON do të qëndrojë edhe në Kosovë, më 24 korrik të këtij viti. Vizitën tani për tani nuk e ka konfirmuar zyrtarisht zëdhënësi i sektarit të përgjithshëm. “Për momentin nuk mund të themi asgjë rreth kësaj”, i ka thënë gazetës njëri prej tyre.
Megjithatë në kuadër të një agjende që ka parë gazeta, shefi i OKB-së do të vizitojë shtatë shtete të rajonit.
Në të gjitha vendet do të qëndrojë nga një ditë të vetme, përjashtuar Kosovën. Vizitën në Beograd dhe Prishtinë shefi i OKB-së ka planifikuar ta bëjë brenda një dite të vetme. Sipas agjendës jozyrtare, Ban Ki-moon planifikon që mëngjesin e 24 korrikut ta vizitojë Beogradin, ndërkaq pasdite do të zhvillojë takime edhe me përfaqësuesit e autoriteteve të Kosovës në Prishtinë.
Shefi i OKB-së planifikon që të arrijë në Slloveni më datën 19 korrik. 20 korriku do të jetë dita e vizitave zyrtare në shtetin slloven.
Në Kroaci, shefi i OKB-së do të qëndrojë dy ditë. Ditën e parë, më 21, do ta ketë ditë pushimi, ndërkaq takimet zyrtare do t`i bëjë më 22. Mali i Zi është shteti ku Ban Ki-moon planifikon të shkojë pas vizitës në Kroaci. Atje do të qëndrojë më 23 korrik. Data 24 do të jetë dita e takimeve në Beograd e Prishtinë, ndërkaq më 25 dhe 26 do të vizitohen Maqedonia dhe Bosnjë-Hercegovina.
Sarajeva pritet të jetë kryeqyteti i fundit në turneun që Ban Ki- moon pritet të ketë në rajon.
Burime të gazetës kanë shpjeguar se shefi i OKB-së me këtë rast do të kërkojë ruajtjen e stabilitetit në Ballkan.
Gazeta nuk ka mundur të merrte qëndrim të Qeverisë së Kosovës lidhur me nivelin e përfaqësuesve kosovarë që do të presin shefin e OKB-së. E pamundur ka qenë të merret edhe një qëndrim i UNMIK-ut në lidhje me këtë vizitë.