Sekretari shtetëror në Ministrinë e Serbisë për Kosovën, Oliver Ivanovic, ka vlerësuar se në Kosovë do të jetë “një verë e nxehtë në të cilën do të ketë ende incidente sporadike”.
“Me dialog ne e mbajmë situatën nën kontroll, e cila është e tensionuar dhe e cila secilin moment mund të eskaloj dhe të shndërrohet në ndonjë incident, që nuk është në interesin e askujt”, tha Ivanovic për Radio-Televizionin e Serbisë, transmeton Rel.
Duke komentuar paralajmërimet e aty-këtushme se Bashkimi Evropian dëshiron një takim të presidentit të Serbisë, Tomisllav Nikolic dhe presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, Oliver Ivanovic theksoi se kërkesa të tilla zyrtare nuk ka.
“Takimi i dy presidentëve do të ishte njohje indireke dhe mendoj se nuk do të hyjmë aq thellë në këtë tregim”, tha Ivanovic, dhe shtoi se kjo është linja e kuqe, që nuk duhet të kalohet.