Krasniqi: Pavarësia e Kosovës, projekt i përbashkët

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, gjatë vizitës në SHBA është takuar me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan, John Boehner dhe kongresistë të tjerë amerikanë. Në këto takime, Krasniqi ka vlerësuar lartë kontributin e SHBA-ve për çlirimin dhe shtet ndërtimin e Kosovës.

Në ditën e dytë të vizitës në Washington, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, është pritur në takime të veçanta në Kongresin Amerikan nga kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner dhe kongresistë të tjerë amerikanë.
Gjatë takimit me kryeparlamentarin Krasniqi, Boehner rikonfirmoi vendosmërinë e SHBA-ve për ta mbështetur Kosovën edhe në të ardhmen. Ai rikujtoi se Shtetet e Bashkuara kanë dërguar trupat ushtarake në Kosovë, fillimisht për të garantuar sigurinë e tani po e mbështesin pavarësinë e saj.
Zyrtari i lartë amerikan u interesua për marrëdhëniet e Kosovës me fqinjët dhe vendet e rajonit, si dhe për mundësitë e zhvillimit ekonomik të Kosovës, thuhet në komunikatën e lëshuar Zyra për marrëdhënie me publikun e Kuvendit të Kosovës.
Krasniqi ka thënë se qytetarët e Kosovës i përjetojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës si vend mik të tyre.
“Ne u jemi shumë mirënjohës që bashkë me ju arritëm pavarësinë dhe sot po e jetësojmë shtet-ndërtimin. Vetë pavarësia e Kosovës, si shtet demokratik dhe shumetnik, është projekti yni i përbashkët”, citohet të ketë thënë Krasniqi.
Sa i përket perspektivës evropiane të Kosovës, Krasniqi ka vlerësuar pranimin e dokumentit për studimin e fizibilitetit dhe marrjen e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, ndërsa ka theksuar edhe angazhimin e institucioneve të Kosovës për t’i plotësuar kushtet politike, ekonomike dhe ligjore që i kërkon Bashkimi Evropian.
Duke folur për dialogun me Serbinë, si pjesë e zhvillimit të bashkëpunimit në rajon, por edhe të integrimeve evropiane të të dyja vendeve, kryetari i Kuvendit të Kosovës theksoi se pala serbe vazhdon të mos i zbatojë marrëveshjen e arritura në Bruksel.
Delegacioni parlamentar i Kosovës është pritur edhe nga kongresistët - udhëheqës të Komisionit të Kongresit për Partneritet në Zhvillimin e Demokracisë, David Drier dhe David Price, komision ky që bashkëpunon drejtpërdrejt me 16 shtete partnere, përfshirë edhe Kosovën, me qëllim të mbështetjes së zhvillimit të institucioneve ligjdhënëse, si dhe nga kongresistin Eliot Engel e kongresistë të tjerë.