E plotësuar - Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin e Komisionit për emërimin e drejtoreshës së Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës dhe me shumicë votash ka emëruar në këtë fuksion Adriana Hoxhicin.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë, kryeministri i vendit, Hashim Thaçi ka shprehur falënderimet për ministrin e Pushtetit Lokal, Slobodan Petrovic për punën që ka bërë.
Ministri, Petrovic ka thënë se Komisioni ka punuar intensivisht dhe ka nxjerrë si kandidate më të suksesshme, Adriana Hoxhic.
Në garë për këtë pozitë kanë qenë 7 kandidat, ndërkohë ka bërë të ditur se 55 zyrtarët e tjerë do të emërohen në ditët në vazhdim, pasi që ka qenë numër i madh i aplikantëve.
Hoxhic, deri më tash, ka qenë shefe e ekipit përgatitor për formimin e komunës së Mitrovicës së Veriut.
Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës kanë thënë më herët se Zyra Administrative në veri do të hapet deri në fund të këtij muaji./Telegrafi/
Adriana Hoxhic, shefe e Zyrës në veri?
(14.55) Adriana Hoxhic është emri i vetëm i propozuar për shefe të Zyrës Administrative për veriun e Mitrovicës nga Qeveria e Kosovës. Ndërsa ajo nuk e ka pohuar, por as mohuar një gjë të tillë.
“Është e vërtetë se kam konkurruar për udhëheqëse të Zyrës, por akoma nuk kam marrë ndonjë përgjigje në lidhje me këtë”, ka thënë Hoxhic .
Nëse emri i saj kalon edhe zyrtarisht në mbledhjen e Qeverisë, e cila është duke u mbajtur, ajo do të jetë përgjegjëse për organizimin e punës dhe funksionimin e kësaj Zyre të formuar me vendim të Qeverisë së Kosovës muajin e kaluar. Shefi i kësaj Zyre do të ketë kompetenca të njëjta me kryetarët e komunave të vendit, ndërsa detyrë e Zyrës do të jetë të ofrojë të gjitha shërbimet për qytetarët dhe të koordinojë aktivitetet, si dhe investimet në këtë pjesë të Kosovës.
Ndryshe, Zyra në fillim do të përbëhet nga 7 drejtori me gjithsej 55 të punësuar, ndërsa parashihet që më vonë në këtë Zyrë të punësohen edhe 25 punëtorë tjerë. Buxheti vjetor i saj do të jetë 4 milionë euro, të cilat do të shërbejnë për shërbime elementare dhe infrastrukturë të objekteve në veri të Mitrovicës.