Projektligji për Hoçën e Madhe, edhe një hap përpara

Amendamentet e Projektligjit për Hoçën e Madhe sot kanë marrë vizën nga Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor. Ndërsa, për harmonizimin e qëndrimeve të këtij projektligji edhe në këtë mbledhje ishin të pranishëm kryeministri Hashim Thaçi dhe përfaqësuesi i ICO-së në Kosovë, Pieter Feith.
Kryetari i këtij Komisioni, Nait Hasani, duke folur për rëndësinë e ligjit dhe kërkoi nga anëtarët e Komisionit të jenë konstruktiv gjatë debatit lidhur me amendamentet e propozuara nga ICO-ja dhe Qeveria e Republikës së Kosovës.
Kryeministri Thaçi, ka thënë se çështja e ligjeve që dalin nga Plani i propozimit gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisari për statusin e Kosovës, tejkalon raportet e kornizave pozitë opozitë. Edhe kryeministri apeloi që t’i kushtohet rëndësi procedimit të këtij Ligji duke e konsideruar me interes për vendin, thuhet në kumtesën e lëshuar nga shërbimi për informim i Kuvendit.
Pas kësaj, anëtarët e Komisionit vazhduan së shqyrtuari amendamentet (12 sosh), për të cilat nuk pati ndonjë mospajtim të theksuar (përpos amendamenteve, një, katërt dhe shtatë).
Lidhur me amendamentet, 1, 4 dhe shtatë, përfaqësuesi i ICO-së, Pieter Feith, bëri sqarimet duke arsyetuar propozimet nga ana e institucionit që përfaqëson.
Anëtari i Komisionit nga radhët e Vetëvendosjes, Liburn Aliu, tërhoqi vërejtjen duke thënë se “Nëse u japim kompetenca njerëzve jo kompetentë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, atëherë, ajo nuk do të mund të mbrohet ashtu siç pretendohet me këtë Projektligj”.
Pas miratimit të amendamenteve nga ana e Komisionit, kryetari Hasani e shpalli të përfunduar procedurën e amendamentimit të Projektligjit për Hoçën e Madhe, i cili në vijim do të shqyrtohet edhe në komisionet e tjera funksionale, dhe së fundmi në mbledhje plenare në Kuvendin e Kosovës. 

Zgjedhjet serbe cenojnë sovranitetin

Mbajtja e zgjedhjeve serbe në Kosovë, qofshin ato lokale, parlamentare apo presidenciale, është e papranueshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, por edhe me parimet dhe ligjet ndërkombëtare, vlerësojnë ekspertët e çështjeve juridike - kushtetuese në Kosovë.
Ata i quajnë jo konstruktive dhe tejet të dëmshme deklaratat e fundit të përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, i cili ka thënë se zgjedhjet lokale serbe në Kosovë janë krejtësisht të papranueshme, por ato parlamentare, sipas tij, mund të mbahen nën organizimin e OSBE-së, duke pasur parasysh që në Kosovë ka qytetarë me shtetësi të dyfishtë.
Por, Riza Smaka, ekspert i çështjeve juridike - kushtetuese, vlerëson se lejimi eventual i mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare serbe në Kosovë, ashtu siç thotë në deklaratën e tij Zbogar, është krejtësisht në kundërshtim me principet evropiane, por edhe të drejtën ndërkombëtare.
“Nuk ka bazë. Në shtetin e huaj, kjo është e paprecedentë. Nuk njihet ndonjë rast nga e drejta ndërkombëtare publike, që organizon një shtet zgjedhje në shtetin tjetër. Ata që e kanë dyshtetësinë, kanë pretendime dhe aspirata për të realizuar këtë të drejtë, mund të shkojnë në shtetin tjetër. Do të thotë, serbët le të shkojnë në Serbi dhe lë të votojnë atje, ne qoftë se e kanë dyshtetësinë. Por, jo në Kosovë dhe jo që të organizohen dhe mbahen këtu”, tha Smaka për Radio Evropa e Lirë.
Edhe eksperti tjetër i çështjeve juridike-kushtetuese, Mazllum Baraliu, e quan të papranueshme mbajtjen e çfarëdo zgjedhjeve nga ana e Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës.
“Duhet t’i thuhet Zbogarit që ka ligje të shtetësisë, të cilat lejojnë edhe shtetësinë e shumëfishtë, por në asnjë mënyrë nuk lejohet në asnjë shtet, që të mbahen zgjedhjet e një shteti të huaj në një shtet tjetër sovran. Kjo askund në botë nuk lejohet. Është, po ashtu, për keqardhje dhe e papranueshme që OSBE-ja t’i organizojë ato, që tashmë ka status të tij dhe qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës – një organizatë e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës të autorizohet që të maje zgjedhje, të cilat janë jo legjitime”, thotë Baraliu.
Mbështetja e mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë, nga kushdo qoftë, thotë Baraliu, paraqet cenim të sovranitetit të vendit dhe, sipas tij, institucionet e Kosovës duhet të reagojnë.
Edhe Smaka, vlerëson se institucionet duhet të reagojnë në mënyrë të vendosur përballë organizimit eventual të çfarëdo zgjedhjeve serbe në Kosovë.
Sidoqoftë, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës kanë deklaruar se zgjedhjet serbe në Kosovë do të trajtohen si ilegale.
Ndërkaq, Kuvendit i Kosovës, përmes një rezolute, e ka obliguar ekzekutivin e vendit që të mos e lejojë fare mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë. 

Ukraina nuk redukton trupat në Kosovë

Nuk do të reduktohet kontigjenti i paqeruajtësve nga Ukraina në kuadër të KFOR-it, ka thënë Ministri i Mbrojtjes së këtij vendi, Dmitro Salamatin.
"Jo, nuk do të ketë reduktime. Këto nuk janë planifikuar të bëhen këtu", ka thënë ai gjatë vizitës në kampin Bondstell, ku gjendet brigada Shumëkombëshe e Lindjes, njofton portali "KyivPost", transmeton Koha.net.
Njoftohet se 134 pjesëtarë të Ukrainaës shërbëjnë në kuadër të KFOR-it në Kosovë.

EULEX-i nuk negocion lëvizjen në veri

Misioni për Sundimin e Ligjit ( EULEX) edhe njëherë dëshiron të sqarojë faktin se ne nuk kanë qenë të përfshirë në asnjë marrëveshje që kushtëzon lëvizjen e stafit dhe automjeteve të EULEX-it në pjesën veriore të Kosovës. /Telegrafi/
Ka pasur raporte në disa qarqe që EULEX-i ka qenë i përfshirë në një marrëveshje të tillë. Kjo është e pavërtetë. Misioni këmbëngul për qasje të lirë, të pakushtëzuar dhe të përhershme për stafin dhe automjetet e EULEX-it. Kjo është e panegociueshme dhe është një parakusht absolut për misionin për të ndjekur mandatin e tij për sundimin e ligjit në këtë pjesë të Kosovës”, thuhet në kumtesën e lëshuar nga EULEX-i.
Ndërkohë, edhe mëngjesin e sotëm, serbët lokalë kanë bllokuar kalimin e tri makinave të EULEX-it në fshatin Zupç, duke pamundësuar lëvizjen e tyre drejt Bërnjakut.

Misioni paqeruajtës i KFOR-it ka reaguar me masa të njëjta, duke bllokuar komunikacionin në rrugët Zveçan-Zubin Potok dhe Zubin Potok-Mitrovicë.

Veprime të ngjashme kanë ndodhur edhe të mërkurën, si dhe disa herë të tjera në ditët e fundit. 

Zbogar: BE-ja nuk e detyron Kosovën për asgjë

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, ka thënë se BE-ja nuk po imponon asgjë për Kosovën dhe se të gjitha vendimet i merr në mënyrë të pavarur Qeveria e Kosovës.
Gjatë një vizite në Pejë, duke folur rreth për autonomi të veriut, Zbogar ka thënë se BE-ja nuk merr vendime për Kosovën dhe nuk e detyron për asgjë.
“Nuk besoj që Bashkësia Evropian po e detyron Kosovën që të marrë vendime. Kjo është çështje e Republikës së Kosovës, e Qeverisë së saj dhe e popullit të Kosovës. Ne besojmë që rrugët e duhura janë dialogu, bisedimet dhe rruga paqësore e zgjidhjes së problemeve”, ka theksuar Zbogar.
Siç transmeton Qik, ai më tej ka thënë se BE-ja mund ta inkurajojë Kosovën për diçka, të jap këshilla dhe në fund të bëjë vlerësime për përparimet e arritura.
Ai ka thënë gjithashtu se qëndrimi i tij dhe i Bashkimit Evropian është që zgjedhjet serbe nuk do të mbahen në Kosovë.
“Unë besoj shumë se Serbia do ta kuptojë dhe nuk do të organizojë zgjedhje në Republikën e Kosovës. Ne kemi qenë mjaft të qartë dhe shpresoj që ata do ta kuptojnë këtë. Ne jemi vazhdimisht duke i bindur ata që të mos i mbajnë zgjedhjet lokale në Kosovë dhe besojmë që nuk do të ndodhë një gjë e tillë”, ka thënë Zbogar.

Integrimi evropian, synim i përbashkët

Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë në thellimin e bashkëpunimit rreth procesit të Integrimit Evropian ishin çështjet që u trajtuan në takimin e ministres së Integrimit Evropian të Kosovës, Vlora Çitaku me Teuta Arifin, zv/kryeministre për Integrim Evropian në Republikën e Maqedonisë.
Ministrja Çitaku tha që është e domosdoshme që e ardhmja jonë në Bashkimin Evropian të jetë edhe si vazhdimësi e bashkëpunimit rajonal që duhet të kemi më të gjitha vendet fqinje.
Në kumtesën e lëshuar nga takimi, thuhet se ministrja Çitaku ka potencuar progresin e arritur të të dy vendeve mike në të gjitha fushat dhe qasjen ndaj sfidave të përbashkëta dhe mundësitë për t’i kaluar ato në mënyre sa më të suksesshme.

“Kjo nënkupton bashkëpunim të mirëfilltë ndërfqinjësor dhe shkëmbim i mendimeve dhe përvojave ndërmjet nesh, sepse siç dihet pikësynime i të dy vendeve është integrimi në Bashkimin Evropian”, tha Çitaku.
Ndërsa, zv.kryeministrja Arifi tha se është shume e kënaqur më progresin e arritur në Kosovë që nga vizita e fundit dhe përgëzoi ministren Çitaku me rastin e fillimit të Studimit të fizibilitetit për Kosovën, duke shprehur gatishmërinë e ofrimit të mbështetjes në të gjitha fushat sa i përket Integrimit Evropian. 

Këtë vit kartelat biometrike të identitetit

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi theksoi se kartelat biometrike të identitetit janë një ndër parakushtet për liberalizimin e vizave dhe me këtë rast u ka bërë thirrje institucioneve relevante që të japin kontributin e tyre në këtë proces.
Rexhepi këto komente i bëri në takimin konsultativ në prag të nisjes së procesit të përgatitjes për lëshimin e kartelave biometrike të identitetit në kohën digjitale.
Zëvendëskryeministrja, Mimoza Kusari premtoi se ministria që ajo drejton do të jetë e dedikuar në këtë proces.
Ky projekt do të kushtoj diku rreth nëntë milionë euro, por ende nuk është bërë e ditur kostoja që do ta paguaj qytetari. Ndërkaq, prodhimi dhe dhënia e kartave biometrike të identitetit parashihet të bëhet në pjesën e dytë të këtij viti. 

Kosova të bëhet pjesë e Asamblesë së OSBE-së

Modalitetet që Kosova të jetë pjesë e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, janë shqyrtuar në takimin e sotëm të kryeparlamentarit, Jakup Krasniqi me delegacionin e parlamentarëve italianë të Asamblesë së OSBE-së, të kryesuar nga Riccardo Migliori -president i delegacionit italian në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së.
Gjatë takimit me kryeparlamentarin Krasniqi, delegacioni italian shtroi edhe për çështjen e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë edhe në Kosovë, të cilat do të mbaheshin nën mbikëqyrjen e OSBE-së.
Ndërsa kryekuvendari Krasniqi, përsëriti qëndrimin e tij se “zgjedhjet serbe çfarëdo qofshin ato, lokale ose parlamentare, janë të papranueshme për Kosovën”, thuhet në kumtesën e lëshuar nga takimi.
Anëtarët e delegacionit treguan interesim që marrëdhëniet ndërmjet Parlamentit të Italisë dhe Kuvendit të Kosovës të intensifikohen, duke u angazhuar edhe për formimin e grupit të miqësisë në mes dy parlamenteve.
Delegacioni italian theksoi se është duke shqyrtuar modalitetet që Kosova të jetë pjesë e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së.
Në këtë frymë u shtrua nevoja që Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës të krijojë një grup pune për vendosjen e marrëdhënieve të vazhdueshme me OSBE-në, me qëllim të intensifikimit të marrëdhënieve ndërmjet OSBE-së dhe Kuvendit të Kosovës.
Krasniqi theksoi se Kosova vazhdimisht ka bërë kompromise që nga Rambujeja e deri në bisedimet e Brukselit, ndërkaq, Serbia nuk ka treguar gatishmëri për implementimin e marrëveshjeve të arritura.
Kreu i legjislativit të vendit ngriti pastaj çështjen e të zhdukurve, e cila ende është e pazgjidhur, pasi
Serbia nuk po bën asgjë në këtë drejtim.
Ai tha se shumë shpejt do të formohet Grupi i Miqësisë Kosovë-Itali.

Daka pranon “gabimin për shtëpinë e Mustafës”

Ish-kreu i LDK-së për degën e SHBA-ve, Musa Daka përmes një kumtese për media ka reaguar lidhur me deklaratat për fondin e tre përqindëshit, duke thënë se në përpjekjet e tij që të kontribuoj në zbardhjen e këtyre fakteve mund të ketë pasaktësi eventuale, por shprehet i bindur se kanë ekzistuar apo ekzistojnë pasuri për të cilat duhet të ketë hetim institucional se kush është titullar i tyre.
Ai ka thënë se pas deklarimeve të tij më në fund është konfirmuar se mjetet e Fondit të tre përqindëshit, pavarësisht se si quhen sot, ekzistojnë ende dhe ky fond është aktiv edhe më tej.
“ Kjo është konfirmuar nga deklarimet e njërit nga të apostrofuarit për menaxhimin e këtyre Fondeve, zotit Naser Osmani, deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së. Unë do të vazhdoj të insistoj që të zbardhen të gjitha të dhënat lidhur me këtë Fond, shfrytëzimin dhe menaxhimin e tij, përfshirë edhe objektet në çfarëdo cilësie qofshin ato, të cilat kanë qenë apo janë në pronësi të ish-qeverisë në ekzil të drejtuar nga zoti Bujar Bukoshi”, thotë Daka në deklaratë.
Sipas tij, ka pasuri të tilla për të cilat duhet të dihet se ku janë, kush i menaxhon, sikur që duhet të sqarohet se çfarë ka ndodhur me mjetet e objekteve dhe institucioneve të shitura siç është p.sh Dardania Bank.
“Në përpjekjet e mia që të kontribuoj në zbardhjen e këtyre fakteve mund të ketë pasaktësi eventuale, por jam i bindur se kanë ekzistuar apo ekzistojnë pasuri për të cilat duhet të ketë hetim institucional se kush është titullar i tyre. Dhe për këtë jam i bindur se përgjegjësit kryesor të menaxhimit të Fondit të tre përqindëshit e dinë më së miri dhe kanë përgjegjësi dhe obligim që të sqarohen para qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës”, shprehet Daka. 

FSK trajnohet nga Ushtria e Turqisë

Një grup prej 33 pjesëtarëve është nisur për në Turqi për tu trajnuar në Operacionet mbështetëse të paqes.
Agim Çeku, ministër i FSK-së, tha se ndjehet tejet i lumtur që Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Turqisë dhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Turqisë, kanë ofruar mundësi trajnimi për FSK-në për pjesëmarrje në operacionet paqësore kudo nëpër botë.
Në ceremoninë e përcjelljes së Togut të FSK-së për në Republikën e Turqisë, mori pjesë edhe kolonel Yucel Keles, përfaqësues i Ushtrisë Turke në Kosovë, i cili shprehu kënaqësinë që ky projekt që buron nga Marrëveshja bashkëpunimit ndërmjet FSK-së dhe Ushtrisë Turke po realizohet dhe se trajnimi i FSK-së për Operacione Mbështetëse të Paqes është njëra prej formave të mbështetjes që Ushtria e Republikës së Turqisë ka ofruar për FSK-në.
Togu i Forcës së Sigurisë të Kosovës, (33 pjesëtarë), të cilët udhëtuan për në Turqi, do të zhvillojë një trajnim (22 mars-26 prill), në Brigadën e 28 të Korpusit të Tretë të Forcave të Armatosura të Ushtrisë së Turqisë dhe në Qendrën e Partneritetit për Paqe, në Ankara.
Qëllimi i këtij trajnimi është përgatitja e pjesëtarëve të FSK-së, për Operacione Mbështetëse të Paqes. 

Lipjani e Shtimja me qendra për regjistrim të bizneseve

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Mimoza Kusari – Lila nënshkroi memorandum mirëkuptimi për hapjen e dy qendrave për regjistrim të biznesit të njohura si “One-Stop Shop” me komunën e Shtimes dhe Lipjanit.
Me këtë memorandum përcaktohen masat për bashkëpunim në mes të palëve në lidhje me themelimin, menaxhimin dhe funksionimin e një "One-Stop Shop-i", që do të sigurojë shërbim për të gjithë klientët e mundshëm ose klientët e bizneseve ekzistuese.
Ministrja Kusari-Lila, tha se pas një punë të palodhshme, përfundimisht sot arritëm të nënshkruajmë memorandumin e mirëkuptimit me dy komuna. “Shpresoj që këto dy qendra të jenë sa më funksionale, t’i ofrojë bizneseve mundësi të shpejt të regjistrimit dhe të shërbejë si qendër informuese për investitorët e interesuar”, u shpreh ajo.
Këto qendra do të ndihmojnë në kompletimin e të gjitha procedurave, që zyrtarisht janë të nevojshme për klientë për të filluar dhe operuar në aktivitetet të ligjshme industriale dhe komerciale në komunë. Sipas rregullave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve Kosovare, në këto qendra do të bëhet regjistrimi, ruajtja, procedimi dhe lëshimi i të gjitha dokumenteve: regjistrimi i numrit fiskal, regjistrimi i TVSH-së, si dhe dhënia e këshillave dhe udhëzimeve për klientët afaristë.
Deri më tani në Kosovë janë hapur 22 “One Stop Shop-e” për t’u ofruar bizneseve qasje më të lehtë dhe më të afërt për të regjistruar biznesin e tyre. Kurse në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë paraparë të hapen edhe gjashtë qendra tjera

KEK, blloku A5 më pak pluhur

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka nisur ndërrimin e elektrofiltrit të njësisë A5 të Termocentralit “Kosova A”. Punët po kryhen sipas dinamikës së paraparë dhe pas katër muaj e gjysmë blloku do të ketë emetimin brenda standardeve më të reja të Bashkimit Evropian. Emisionet e gazrave nga ky bllok do të jenë të njëjta si ato në BE. .
Menaxhmenti i lartë i KEK-ut ka inspektuar punimet dhe ka verifikuar se punët po kryhen brenda kontratës. Punët është duke i implementuar kompania me nam botëror nga Gjermania, Hamon Envoirmental në konzorcium me kompaninë Intering, e cila kishte fituar tenderin për vendosjen e elektrofiltrave të rinj.
“Nga ky projekt ambiental përfitojnë shumë qytetarët përreth termocentralit si ata të Obiliqit, Fushë Kosovës dhe Prishtinës. Ambienti do të jetë shumë më i pastër, që është një tregues i qartë se KEK-u i sotëm është kompani e orientuar të jetë sa më miqësore ndaj ambientit”, tha Arben Gjukaj, Drejtor Menaxhues i KEK-ut.
Përfaqësuesit e kompanisë që po e implementon projektin janë shprehur të përkushtuar t’i kryejnë punimet pikë për pikë me kontratën.
Vendosja e elektrofiltrit të ri është pjesë e projektit më madhor ambiental të KEK-ut. Në bazë të projektit do të ndërrohen elektrofiltrat e njësive aktive të TC “Kosova A”, përkatësisht A3, A4 dhe A5. Pas elektrofiltrit të njësisë A5, do të nisë menjëherë ndërrimi i njësisë A3 dhe do të zgjasë deri në tremujorin e tretë, kur nisë ndërrimi i elektrofiltrit të njësisë A4. Ndërrimi nuk po bëhet të njëjtën kohë sepse duhet ndalur blloku deri në momentin e ndërrimit të plotë të elektrofiltrit. Projekti do të përfundojë në tremujorin e parë të vitit 2013 dhe ka koston prej mbi 25 milionë eurosh, investim vetanak i KEK-ut.
Ndërrimi i elektrofiltrave është një nga 4 faktorët që si pasoje e degradimit te mehereshem dhe teknologjisë se trashëguar ishin identifikuar si ndotës nga ekspertët e ambientit.. KEK është duke punuar në eliminimin e të katër ndotësve dhe në vitin 2013 ambienti ku operon KEK-u do të jetë shumë më i pastër dhe jeta e qytetarëve shumë më kualitative.
Pos elektrofiltrave, KEK ka në përfundim e sipër edhe projektin për mbulimin e kodrës së hirit pranë TC “Kosova A”, ndërtimin e sistemit hidraulik të bartjes së hirit dhe asgjësimin e mbi 20 mijë tonë substanca të rrezikshme. Të gjitha këto projekte do të përfundojnë brenda këtij viti.

Draghi: Eurozona kaloi krizën e vështir

Presidenti i Bankës Qendrore Europiane (BQE), Mario Draghi, në një intervistë për mediat gjermane, tha se Eurozona, ka kaluar pjesën më të vështirë dhe më të rrezikshme të krizës së borxheve. Ai theksoi se paralelisht nuk ka asnjë kërcënim për inflacion në terma afatgjatë të krijuar nga programi i injektimit të likuiditetit në sistem që u krye në 2 faza dhe që dha pothuajse 1.2 trilionë euro për financat europaine.
Mario Draghi tha se tashmë ka ardhur koha që 17 qeveritë e Eurozonës të marrin përsipër përgjegjësitë e tyre dhe të mbrojnë bllokun e monedhës së përbashkët nga krizat. "Në rast të përkeqësimit të parashikimit për inflacionin në do të marrin masat e nevojshme parandaluese”, i tha Draghi Gazetës Bild, ku ka shtuar se, “nëse do të përjashtojnë çmimin e naftës dhe rritjen e fundit të taksave nga qeveritë në Eurozonë atëherë inflacioni llogaritet i qëndrueshëm në 1.5 për qind për disa muaj në radhë”.
Çmimi i energjisë rriti koston e jetesës në Eurozonë përgjatë shkurtit pasi inflacioni u rrit në 2.7 për qind dhe qytetarët e Gjermanisë janë të shqetësuar se çmimet e energjisë së bashku me injektimin e likuiditetit nga Banka e Europës do të shtojnë presionin e inflacionit.

Conte: Ende nuk kemi fituar asgjë

Trajneri i Juventusit, Antonio Conte, ka porositur lojtarët e tij të mos shpërqendrohen pasi kanë arritur në finale të Kupës së Italisë duke eliminuar Milanin, dhe ka thënë se Bianconerët nuk kanë arritur ende asgjë.
“Nuk dua të shoh fytyra të qeshura. Dua të shoh vendosmëri në fytyrat e lojtarëve”.
“Ne ende nuk kemi arritur asgjë. Ne ende nuk kemi arritur asnjë nga objektivat tona. Kjo është arsyeja se pse duhet të vazhdojmë të punojmë fuqishëm”.
“Ajo çfarë është e rëndësishme, është të kemi buzëqeshje në fytyrat tona në fund të sezonit”, ka thënë Conte për Tuttosport. 

Demba Ba pasardhësi i Drogbas te Chelsea?

Chelsea mund ta zëvendësojë Didier Drogban me sulmuesin e Newcastle United, Demba Ba, shkruan Daily Mail.
Drogba, 34-vjeçar, është lidhur me një largim nga Stamford Bridge në fund të sezonit dhe Blutë raportohet se janë në kërkim të pasardhësit të tij.
Suluesi i Portos, Hulk, dhe ai i Napolit, Edinson Cavani, raportohet se janë kryesorët në listën e klubit londinez, por ata do të kushtonin shumë më shumë se sa sulmuesi i Newcastle.
Ba ka shënuar 16 gola në Ligën Premier për Newcastle këtë sezon dhe raportohet se ka një klauzolë lëshimi në kontratën e tij. 

Quagliarella të largohet nga Juve

Fabio Quagliarella do të largohet nga Juventusi gjatë afatit kalimtar të verës, shkruan ueb-faqja e futbollit Goal.com.
Sulmuesi 29-vjeçar ka qëndruar shumicën e kohës në karrige për Bianconerët, që nga arritja e trajnerit kryesor, Antonio Conte në fillim të sezonit 2011/12, dhe ka shënuar vetëm dy gola në 19 paraqitje.
Ish-ylli i Udineses ka kontratë me Juventusin deri në verën e vitit 2014, por edhe klubi edhe lojtari janë të pajtimit se e ardhmja e tij qëndron diku tjetër.
Lazio raportohet se është duke përcjellë nga afër situatën e Quagliarellas dhe e sheh sulmuesin si një partner ideal për Miroslav Klosen. Në garë për të mund të jetë edhe Fiorentina si dhe Zenit St Petersburg. 

Valdano: Maradona më artistik se Messi

Ish-lojtari i përfaqësuese së Argjentinës, Jorge Valdano, ka thënë se Diego Maradona ishte më artistik se sa ylli i Barcelonës, Lionel Messi, por mendon se ky i fundit është më efikas.
“Ne e gjykojmë Maradonën duke u bazuar në gjithë karrierën e tij, derisa Messi është vetëm 24-vjeçar. Fakti se ne tashmë i krahasojmë ata dy është lavdërim për atë që Lionel ka arritur”.
“Nëse duhet t’i dallojmë ata, mund të thoni se Maradona ishte më artistik dhe kishte një stil unik, të bukur të lojës. Messi në anën tjetër është më efikas dhe më i qëndrueshëm. Ai është i rrezikshëm secilën herë që e merr topin”.
“Nëse ai vazhdon të luajë në këtë nivel, ai sigurisht do ta tejkalojë secilin, përfshirë edhe Pelen”, ka thënë Valdano për Sport

Milito: Mourinho është më i miri

Sulmuesi Interit, Diego Milito, thotë se Jose Mourinho është trajneri më i mirë me të cilin ai ka punuar.
Ishte pikërisht Mourinho ai i cili e solli 32-vjeçarin erdhi te Interi në sezonin 2009/10 nga Genoa, dhe argjentinasi ishte pjesë kyçe e suksesit të Nerazzurrëve kur ata fituan Serie A, Kupën e Italisë dhe Ligën e Kampionëve.
“Mourinho është trajneri më i mirë me të cilin kam punuar ndonjëherë, ai më ka dhënë kujtimet më të jashtëzakonshme”, ka thënë Milito për Corriere dello Sport.
Milito ka shënuar 14 gola në 23 paraqitje në Serie A deri tash këtë sezon.

Redknapp porosit topçinjtë: Mos u relaksoni

Menaxheri i Tottenhamit, Harry Redknapp, thotë se skuadra e tij ende ka shpresa për kualifikim në Ligën e Kampionëve pas barazimit 1-1 ndaj Stoke Cityt.
Tottenham humbi pozitën e tretë të tabelës, e cila dërgon drejtpërdrejt në Ligën e Kampionëve, për të parën herë pas gati tre muajsh, por Redknapp është optimist se mund ta rikthejë atë.
“Ne ende mund të përfundojmë mbi Arsenalin. Arsenali mund të mendojë se gjithçka ka përfunduar. Nuk ka përfunduar. Ende ka shumë deri në fund”.
“Do të ketë kthesa dhe ndryshime. Ka ende për t’u luajtur. Ata nuk do ta fitojnë çdo ndeshje, apo jo? Unë nuk mendoj”, ka thënë Redknapp.

Mourinho injoron mediat

Jose Mourinho ka refuzuar të flasë para shtypit pasi u përjashtua nga ndeshja gjatë barazimit të mbrëmshëm kontrovers të Real Madridit ndaj Villarrealit.
Los Blancos ishin në rrugë për të nxjerrë pikë të plota në El Madrigal pas golit të Cristiano Ronaldos të shënuar pas një ore lojë, por Marcos Senna barazoi rezultatin me anë të një gjuajtje të lirë me shtatë minuta të mbetura.
Mourinho më pas mori karton të kuq për shkak të protestimit ndaj vendimit të gjyqtarit Jose Paradas Romero për të dhënë goditjen e lirë, duke iu bashkuar kolegut të tij Rui Faria në publik, pasi ndihmësi i tij po ashtu ishte përjashtuar më herët gjatë ndeshjes.
Madrilenët më pas humbën kontrollin në fushë me Sergio Ramos dhe Mesut Ozil që u përjashtuan të dy me kartonët e dytë të verdhë dhe skuadra mysafire që e përfundoi ndeshjen me nëntë lojtarë.
Barazimi do të thotë se avantazhi i Madridit ndaj Barcelonës në krye të La Ligës është reduktuar nga dhjetë në gjashtë pikë brenda vetëm pesë ditësh.

Heynckes: Ishim me fat ndaj M’gladbach

Bayern Munich ishte me fat që mposhti Borussia Monchengladbach dhe arriti në finale të DFB-Pokal, thotë trajneri i skuadrës bavareze Jupp Heynckes.
Ndeshja përfundoi pa gola edhe pas vazhdimeve dhe finalisti u vendos vetëm pas gjuajtjes së penaltive, kur Bayerni ishte më i saktë duke fituar 4-2, dhe kjo falë mbrojtjes së portierit Manuel Neuer.
“Të dyja skuadrat ishin të jashtëzakonshme. Gladbach ishte shumë mirë e organizuar dhe ne duhej të rrezikonim shumë”, ka thënë Heynckes.
“Mbi të gjitha, ne kishim shanse më të pastra, por ata po ashtu kishin tre shanse të mira. Megjithatë, goli i parë nuk erdhi dhe ne ishim fitues me fat”.
“Manuel Neuer bëri një paraqitje të shkëlqyeshme. Ai së pari bëri një mbrojtje të mrekullueshme nga Marco Reus, pastaj mbrojtësi penaltinë vendimtare”, ka shtuar gjermani.

NBA: Lakers mposhtin kampionët

Los Angeles Lakers kanë treguar një formë të mirë për të shënuar fitore 109-93 ndaj kampionit në fuqi të NBA-së, Dallas Mavericks, në ndeshjen e mbrëmshme.
Kobe Bryant ishte shtylla e Lakers me 30 pikë të shënuara, derisa Pau Gasol shënoi 27 pikë tjera. Ramon Sessions shënoi 17 pikë, ndërsa Matt Barnes përfundoi ndeshjen me 11 pikë dhe nëntë kërcime.
Dirk Nowitzki shënoi 26 pikë për Dallas, me Jason Terry që kontribuoi me 23 pikë. Disfata e mbrëmshme u dha fund katër fitoreve radhazi të Mavericks. 

Mazzarri i kënaqur me kualifikimin në finale të Kupës

Trajneri i Napolit, Walter Mazzarri, ka lavdëruar lojtarët e tij pasi ata siguruan vend në finalen e Kupës së Italisë, ku do të takohen me Juventusin.
Napoli ishte në disavantazh 2-1 nga ndeshja e parë ndaj Sienës, por fitoi 2-0 në takimin e mbrëmshëm për të siguruar biletën për në finale.
“Duhet t’i uroj djelmoshat, të cilët dhanë gjithçka. Ne jemi të lumtur që kemi arritur në finale dhe ne jemi të bindur se Olimpico do të jetë gjysmë e mbushur me tifozët e Napolit”.
“Me këtë rezultat, pak a shumë, ne jemi të sigurt se do të rikthehemi në Evropë sezonin e ardhshëm”, ka thënë Mazzarri. 

Mentori pritet të ‘godasë’ me hite këtë verë

Këngëtari Mentor Haziri është duke u përgatitur të sjellë një mori hitesh të ndryshme gjatë për sezonin veror.
Ai tashmë ka gati tri këngë të realizuara nga producenti Flori Mumajesi. Njëra nga to, që pritet të jetë një hit veror, është bashkëpunimi mes tij dhe prezantueses Albana Osmani.
Dueti i Mentor Hazirit dhe Albana Osmanit, një këngë shumë e ritmike e realizuar nga Flori Mumajesi dhe me tekst të shkruar nga Eneida Tarifa, këto ditë pritet të shoqërohet edhe me videoklip dhe së shpejti të lansohet në televizionet shqiptare.
Gjatë një prononcimi për Telegrafi, Mentori ka thënë se kjo këngë tashmë është e përfunduar dhe beson që do të pëlqehet nga publiku.
Ai gjithashtu ka shtuar se këtë verë do të sjellë edhe projekte të reja muzikore, të cilat do të jenë hite verore. 

Tuna: Thashethemi më i madh që jam lesbike

Këngëtarja Altuna Sejdi-Tuna ka pohuar se thashethemi më i madh që ajo ka dëgjuar për veti dhe nuk është aspak i vërtet, ishte që ajo është lesbike.
"Thashethëmi më i madh që kam dëgjuar për veten është që “jam homoseksuale”, gjë që është absolutisht e pavërtetë”, ka thënë Tuna për ‘Prive”.
Përveç kësaj, Tuna ka pohuar se nuk ka bërë operacione plastike, por në të ardhmen do të bëj.

Kim beson në dashuri

Kim Kardashian, e cila u nda nga burri i saj Kris Humphries në tetor pas vetëm 72 ditësh martesë, ende beson se ajo mund të bie sërish në dashuri.
“Kam mësuar aq shumë, dhe gjërat për të cilat shqetësohem në jetën time kanë ndryshuar krejtësisht. Por ende besoj në dashuri. Jam në dashuri me dashurinë. Megjithatë, kështu ishte shkruar për mua”, ka thënë bukuroshja,
Kim po ashtu ka thënë se familja e saj kishte pasur rezerva rreth martesës me Kris, por ajo nuk i kishte dëgjuar ata. 

Johnny Depp përzien me Ashley Olsen?

Aktori Johnny Depp raportohet se është duke dalë me aktoren dhe stilisten Ashley Olsen.
Depp, romanca e të cilit me të dashurën e kamotshme Vanessa Paradis raportohet se është afër shkatërrimit, është parë duke dalë me nxitim nga një ndërtesë zyrash e lidhur me apartamentin e Ashley.
“Ai dukej sikur nuk dëshiron të shihet”, ka thënë një burim për revistën amerikane In Touch Weekly.
“Një email ka qarkulluar në mesin e punëtorëve që thoshte se Johnny Depp po e shfrytëzonte ndërtesën tonë për të shmangur paparazzët”, ka shtuar një punëtor i zyrës ku është parë Depp. 

Adelina mohon lidhjen me Gold AG

Ditë më parë ishte shkruar se këngëtarja Adelina Tahiri ka filluar lidhje dashurie me reperin Gold AG.
Adelina e ka demantuar këtë thashethemë. Ajo ka pohuar që nuk është në lidhje me Arian Asgushi, i njohur si Gold AG.
“Edhe pse përflitet shumë për jetën private, asnjëherë nuk kam preferuar të tregoj dhe të jem e hapur në opinion. Sa i përket Arianit për të cilin thonë se e paskam të dashur, kjo nuk qëndron, sepse unë atë po e takoj për të dytën herë dhe nuk mund të nisë një lidhje dashurie me një preson që e kam takuar dy herë”.
“Megjithatë nuk është e domosdoshme që i dashuri im të jetë fytyrë publike. Mund të jetë edhe një djalë i rëndomtë”, ka thënë Adelina për ‘Zëri’. 

Stresi vjen në shtrat me ju

Sigurisht puna është faktori kryesor që sa më shumë t'i falësh kohë, aq më shumë do të largohet dëshira për të kaluar disa momente intimiteti të kënaqshme. Atëherë? Jepini intimitetit tuaj prioritetin më të madh.
Në ditët e sotme gjithçka ecën dhe bëhet në mënyrë të programuar. Ekziston një kohë dhe një vend për çdo gjë. Duhet caktuar termin te dentisti, restoranti, parukieria ... Atëherë për se të mos bëjmë të njëjtën gjë edhe me marrëdhëniet tona intime? Mund të duket pak jo spontane, joorigjinale, por duke qenë që çdo minutë mbetet e programuar, ato pak gjëra që mund të jenë jashtë listës sonë, mund të harrohen dhe të dalin në plan të dytë.
I dedikoni vetes tuaj një natë intime në javë. Disa orë, katër ose më shumë, në të cilat duhet të respektoni një rregull të vetëm: mund të bëni çfarëdo gjëje ose të flisni për çfarëdolloj teme, vetëm që këto të fundit mos të jenë ato që ju bëni çdo ditë në jetën tuaj të përditshme. 

Rigoni është burim i pashtershëm i antioksidantëve

Hulumtimet kanë treguar se si rigoni është 42 herë më i pasur me antioksidantë se mollët, 12 herë më i pasur se portokajtë dhe 4 herë se boronicat.
Kjo bimë e shijshme përmban shumë minerale, siç janë bakri, niacina dhe beta-karoteni, si dhe materiet tjera ushqyese.
Rigoni, sikurse edhe rozmarina dhe borziloku përmban të ashtuquajturin acid rozmarik. Ky antioksidant i fortë ndihmon në parandalimin e dëmtimit të qelizave të shkaktuara nga radikalet e lira, me çka reduktohet rreziku nga kanceri, sëmundjet e zemrës, arteroskleroza dhe plakja e hershme. Meqenëse e karakterizon efekti kundërinflamator; acidi i rozmarinës paraqet trajtim efikas për astmën alergjike.
Rigoni po ashtu është i pasur me veçori antibakteriale, duke përfshirë vajin timol dhe karvakrol. Hulumtimet kanë treguar që këto dy komplekse ndalin rritjen e shumë llojeve të baktereve.
Rigoni është efektiv te aknet, artriti, sëmundjet kancerogjene, gjendja inflamatore dhe mutacionet e qelizave. Nxit tretjen dhe funksionimin e mëlçisë dhe stomakut, si dhe në mënyrë të suksesshme aplikohet te inflamacioni akut dhe kronik i sinuseve, virozat, gripi dhe ftohja, por edhe te dhimbja kronike e kokës.
Nëse e pëlqeni ushqimin italian, dhe veçanërisht picën, atëherë me siguri shumë herë e keni shijuar shijen e pasur të rigonit.

Promovohet Commodore Amiga Mini PC

Kompania Commodore USA paraqiti modelet e rinj të kompjuterëve të vet klasik nga të tetëdhjetat dhe në mënyrë unike bashkoi dy modelet më të popullarizuara Commodore dhe Amiga në të riun Commodore AMIGA mini PC.
Krahas këtij modeli janë paraqitur edhe C64x Supreme, i riu VIC min dhe më i fuqishmi VIC-Slim me daljen HDMI. Modelet e rinj qysh tani janë në dispozicion përmes www.Commodore USA.net.
Modeli i ri Commodore AMIGA mini është i bazuar në procesorin Intel i7-2700k në 3.5 GHz dhe teknologjinë Quad-Core, ka 16 Gb RAM DDR3 1333 MHz si dhe NVIDIA GeForce GT 430 me 1 GB të memories DDR3. Sistemi është i pajisur me diskun e fortë të mbaruar nga alumini. Në shtëpizë ndodhet edhe Blu-Ray, e ekzistojnë edhe dy sllote për dy disqet tjera të forta 2.5”. Shtëpiza ka dimensionet 20x20x8 cm, ndërsa është e zbukuruar nga AMIGA logo e gdhendur në pjesën e përparme.
Modeli C64x, është mbindërtuar me procesorin e ri D2700 dual core të Intelit në 2.13 GHz dhe kartelën grafike nVidia GeForce GT 520 (512Mb). Gjithashtu, i është rritur edhe memoria punuese në 4Gb (DDR3 1066), disku i fortë është prej 1 ose 3 TB (ose me SSD prej 300 ose 600 Gb), është përfshirë lexuesi multi-card, si dhe WiFi, Bluetoothi, daljet DVI dhe HDMI, zëri 7.1 HD, 2xUSB 3.0 dhe 4xUSB2.0, Blu-ray dhe WiFi.
Modeli VIC mini ka specifikat identike me C64x Supreme, por është brenda shtëpizës elegante AMIGA mini.
CEO i Commodore, Beri Altman në promocionin e modeleve të rinj tha: “Kjo është një ditë historike për ne. Ekipi ka punuar gjatë që të arrij vizionin tonë dhe të unifikoj brendet Commodore dhe AMIGA dhe këtë e kemi arritur me AMIGA mini PC”.
Galerinë e kompjuterëve të rinj Commodore mund ta shikonikëtu

Acamar zbulon modelin Transformer

Kompania kineze Acamar gjatë kësaj jave ka zbuluar netbook-un e saj të ri, i cili është dizajnuar që të transformohet edhe në kompjuter tablet.
Ky model i tabletit me kompjuterin netbook nuk është dicka e re, por megjithatë Acamar Transformer është i pajisur me ekran të ndjeshëm në prekje me 8.9 inç.
Acamar Transfomer posedon gjithashtu edhe procesorin e Intel, Atom N450 1.6GHz me një bërthamë, ndërsa pajisja është e mbështetur edhe me 2GB memorie të brendshme DDR, si dhe 120 GB hard drive.
Tableti minimal i njohur si Acamar Transfomer Netbook do të mbështetet nga Windows 7 dhe rezolucioni i ekranit me 1024 x 600 piksel, ndërsa specifikat tjera përfshijnë edhe dy USB 2.0 porte VGA, Ethernet, dhe lidhje me Bluetooth dhe Wi-Fi
<

Një e paralizuar provon ekstremen (Video)

Një femër paraplegjike (e paralizuar në ekstremitetet e poshtme) është hedhur nga ura e lidhur së bashku me karrocën e saj.
Videoja është paksa e frikshme, mirëpo njerëzit rreth saj kanë thënë se shpresojnë që ky akt mund t’i frymëzojë të gjithë njerëzit me aftësi të kufizuara.
Ndërkaq, vajza e lumtur e ka vendosur menjëherë videon në YouTube dhe ka thënë se kjo nuk është hera e fundit, porse edhe në të ardhmen ajo do të vazhdojë të tejkalojë kufijtë dhe të tregojë guximin e saj. 

Njeriu shpend (Video)

Duke shfrytëzuar kontrolluesit për videolojëra, një telefon android dhe krahët që i ka ndërtuar vetë, inxhinieri holandez Jarno Smeets ka arritur që të fluturojë sikur shpend.
Në një park në Hagë, Smeets ka realizuar një fluturim të ngjashëm me atë të albatrosit.
“Gjithmonë kam ëndërruar për këtë. Pas tetë muajsh pune të rëndë, hulumtimesh dhe testimesh, e gjitha ia vlejti”, ka thënë Smeets, ndërsa citon Wired. 

Ja si NUK duhet prerë druri! (Video)

Një sharrëxhi amator është xhiruar duke prerë një dru të madh pranë shtëpisë së tij – me pasoja katastrofale.
Në videon e publikuar në YouTube shihet druri i madh duke rënë drejt e mbi shtëpi.
Më pas, sharrëxhiu dëgjohet duke bërtitur “shtëpia ime”...