Amendamentet e Projektligjit për Hoçën e Madhe sot kanë marrë vizën nga Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor. Ndërsa, për harmonizimin e qëndrimeve të këtij projektligji edhe në këtë mbledhje ishin të pranishëm kryeministri Hashim Thaçi dhe përfaqësuesi i ICO-së në Kosovë, Pieter Feith.
Kryetari i këtij Komisioni, Nait Hasani, duke folur për rëndësinë e ligjit dhe kërkoi nga anëtarët e Komisionit të jenë konstruktiv gjatë debatit lidhur me amendamentet e propozuara nga ICO-ja dhe Qeveria e Republikës së Kosovës.
Kryeministri Thaçi, ka thënë se çështja e ligjeve që dalin nga Plani i propozimit gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisari për statusin e Kosovës, tejkalon raportet e kornizave pozitë opozitë. Edhe kryeministri apeloi që t’i kushtohet rëndësi procedimit të këtij Ligji duke e konsideruar me interes për vendin, thuhet në kumtesën e lëshuar nga shërbimi për informim i Kuvendit.
Pas kësaj, anëtarët e Komisionit vazhduan së shqyrtuari amendamentet (12 sosh), për të cilat nuk pati ndonjë mospajtim të theksuar (përpos amendamenteve, një, katërt dhe shtatë).
Lidhur me amendamentet, 1, 4 dhe shtatë, përfaqësuesi i ICO-së, Pieter Feith, bëri sqarimet duke arsyetuar propozimet nga ana e institucionit që përfaqëson.
Anëtari i Komisionit nga radhët e Vetëvendosjes, Liburn Aliu, tërhoqi vërejtjen duke thënë se “Nëse u japim kompetenca njerëzve jo kompetentë për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, atëherë, ajo nuk do të mund të mbrohet ashtu siç pretendohet me këtë Projektligj”.
Pas miratimit të amendamenteve nga ana e Komisionit, kryetari Hasani e shpalli të përfunduar procedurën e amendamentimit të Projektligjit për Hoçën e Madhe, i cili në vijim do të shqyrtohet edhe në komisionet e tjera funksionale, dhe së fundmi në mbledhje plenare në Kuvendin e Kosovës.