Modalitetet që Kosova të jetë pjesë e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, janë shqyrtuar në takimin e sotëm të kryeparlamentarit, Jakup Krasniqi me delegacionin e parlamentarëve italianë të Asamblesë së OSBE-së, të kryesuar nga Riccardo Migliori -president i delegacionit italian në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së.
Gjatë takimit me kryeparlamentarin Krasniqi, delegacioni italian shtroi edhe për çështjen e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë edhe në Kosovë, të cilat do të mbaheshin nën mbikëqyrjen e OSBE-së.
Ndërsa kryekuvendari Krasniqi, përsëriti qëndrimin e tij se “zgjedhjet serbe çfarëdo qofshin ato, lokale ose parlamentare, janë të papranueshme për Kosovën”, thuhet në kumtesën e lëshuar nga takimi.
Anëtarët e delegacionit treguan interesim që marrëdhëniet ndërmjet Parlamentit të Italisë dhe Kuvendit të Kosovës të intensifikohen, duke u angazhuar edhe për formimin e grupit të miqësisë në mes dy parlamenteve.
Delegacioni italian theksoi se është duke shqyrtuar modalitetet që Kosova të jetë pjesë e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së.
Në këtë frymë u shtrua nevoja që Komisioni për Punë të Jashtme i Kuvendit të Kosovës të krijojë një grup pune për vendosjen e marrëdhënieve të vazhdueshme me OSBE-në, me qëllim të intensifikimit të marrëdhënieve ndërmjet OSBE-së dhe Kuvendit të Kosovës.
Krasniqi theksoi se Kosova vazhdimisht ka bërë kompromise që nga Rambujeja e deri në bisedimet e Brukselit, ndërkaq, Serbia nuk ka treguar gatishmëri për implementimin e marrëveshjeve të arritura.
Kreu i legjislativit të vendit ngriti pastaj çështjen e të zhdukurve, e cila ende është e pazgjidhur, pasi
Serbia nuk po bën asgjë në këtë drejtim.
Serbia nuk po bën asgjë në këtë drejtim.
Ai tha se shumë shpejt do të formohet Grupi i Miqësisë Kosovë-Itali.