Lipjani e Shtimja me qendra për regjistrim të bizneseve

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Mimoza Kusari – Lila nënshkroi memorandum mirëkuptimi për hapjen e dy qendrave për regjistrim të biznesit të njohura si “One-Stop Shop” me komunën e Shtimes dhe Lipjanit.

Me këtë memorandum përcaktohen masat për bashkëpunim në mes të palëve në lidhje me themelimin, menaxhimin dhe funksionimin e një "One-Stop Shop-i", që do të sigurojë shërbim për të gjithë klientët e mundshëm ose klientët e bizneseve ekzistuese.
Ministrja Kusari-Lila, tha se pas një punë të palodhshme, përfundimisht sot arritëm të nënshkruajmë memorandumin e mirëkuptimit me dy komuna. “Shpresoj që këto dy qendra të jenë sa më funksionale, t’i ofrojë bizneseve mundësi të shpejt të regjistrimit dhe të shërbejë si qendër informuese për investitorët e interesuar”, u shpreh ajo.
Këto qendra do të ndihmojnë në kompletimin e të gjitha procedurave, që zyrtarisht janë të nevojshme për klientë për të filluar dhe operuar në aktivitetet të ligjshme industriale dhe komerciale në komunë. Sipas rregullave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve Kosovare, në këto qendra do të bëhet regjistrimi, ruajtja, procedimi dhe lëshimi i të gjitha dokumenteve: regjistrimi i numrit fiskal, regjistrimi i TVSH-së, si dhe dhënia e këshillave dhe udhëzimeve për klientët afaristë.
Deri më tani në Kosovë janë hapur 22 “One Stop Shop-e” për t’u ofruar bizneseve qasje më të lehtë dhe më të afërt për të regjistruar biznesin e tyre. Kurse në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë paraparë të hapen edhe gjashtë qendra tjera