Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, ka thënë se BE-ja nuk po imponon asgjë për Kosovën dhe se të gjitha vendimet i merr në mënyrë të pavarur Qeveria e Kosovës.
Gjatë një vizite në Pejë, duke folur rreth për autonomi të veriut, Zbogar ka thënë se BE-ja nuk merr vendime për Kosovën dhe nuk e detyron për asgjë.
“Nuk besoj që Bashkësia Evropian po e detyron Kosovën që të marrë vendime. Kjo është çështje e Republikës së Kosovës, e Qeverisë së saj dhe e popullit të Kosovës. Ne besojmë që rrugët e duhura janë dialogu, bisedimet dhe rruga paqësore e zgjidhjes së problemeve”, ka theksuar Zbogar.
Siç transmeton Qik, ai më tej ka thënë se BE-ja mund ta inkurajojë Kosovën për diçka, të jap këshilla dhe në fund të bëjë vlerësime për përparimet e arritura.
Ai ka thënë gjithashtu se qëndrimi i tij dhe i Bashkimit Evropian është që zgjedhjet serbe nuk do të mbahen në Kosovë.
“Unë besoj shumë se Serbia do ta kuptojë dhe nuk do të organizojë zgjedhje në Republikën e Kosovës. Ne kemi qenë mjaft të qartë dhe shpresoj që ata do ta kuptojnë këtë. Ne jemi vazhdimisht duke i bindur ata që të mos i mbajnë zgjedhjet lokale në Kosovë dhe besojmë që nuk do të ndodhë një gjë e tillë”, ka thënë Zbogar.