Fitore bindëse e Arsenalit

Topçinjtë ishin bindës në sfidën si mysafir i Wolverhamptonit, të cilin e mposhtën me rezultat 3-0.
Vendasit e filluan keq takimin, pasi në minutën e tetë, Sebastien Bassong u përjashtua me karton të kuq dhe për mysafirët u akordua penalti, të cilën e shndërroi në gol Robin van Persie.
Vetëm pak minuta më pas, pas kombinimeve të Van Persie dhe Theo Walcott, ky i fundit e shënoi golin e dytë për Arsenalin (11’).
Mysafirët shënuan edhe një herë në pjesën e dytë, ndërsa realizues ishte Yossi Benayoun (69’). 

Juventusi i pandalshëm

Zonja e Vjetër ka regjistruar fitoren e radhës në Serie A duke mposhtur Lazion me rezultat 2-1 në Juventus Stadium.
Bianocnerët krijuan avantazh në minutën e 30-të përmes Simone Pepes, i cili u asistua nga Andrea Pirlo.
Mirëpo në fund të pjesës së parë (45’) Lazio e barazoi rezultatin, ndërsa realizues ishte Stefano Mauri.
Në gjysmën e dytë, skuadra vendase dominoi në tërësi, por e kishte të vështirë të krijonte raste të volitshme shënimi.
Inkuadrimi në lojë i Alessandro Del Pieros, ndryshoi gjithçka, pasi ikona bardhezi ishte ai që bëri diferencën dhe shënoi golin e fitores (82’).
Juventusi gjendet në krye të tabelës së Serie A me një pikë më shumë se Milani.

City fiton, United gabon

Manchester City e ka shkatërruar WBA-në në shtëpi me rezultat 4-0, teksa nga ana tjetër gabim të rëndë ka bërë Manchester United, që ishte viktimë e Wiganit që po lufton për mbijetesë, me këta të fundit që para tifozëve të vet shënuan fitore me rezultat minimal.
Ishte Aguero ai që u kthye në fushë dhe me kthimin e Agueros u kthyen edhe golat, pasi argjentinasi shënoi dy gola (6’ dhe 54’), para se edhe Carlos Tevez të shënonte për 3-0 (61’). Rezultatin përfundimtar prej 4-0 e vuri mesfushori spanjoll David Silva në tre minuta pas golit të Tevez, në një sfidë ku Manchester City tregoi dominancën dhe atë që mund ta presë Unitedin para duelit vendimtar për titull.
E kur jemi te Manchester United, sigurisht do të çuditeni. Kjo pasi Djajtë e Kuq kanë pësuar humbje pas një kohe të gjatë dhe këtë nga skuadra që po lufton për mbijetesë, Wigani.
Golin e vetëm të këtij takimi e shënoi Shaun Maloney me asistimin e Jean Beausejeaur (50’) që dhe ishte rezultati përfundimtar prej 1-0.
Me këtë fitore Manchester City është në vendin e dytë me 74 pikë, pesë pikë më pak se lideri Manchester United. 

Interi dhe Roma fitojnë

Interi ka shënuar fitore në duelin e zhvilluar ndaj Sienës në Giueseppe Meazza me rezultat 2-1, teksa nga ana tjetër edhe Roma shënoi fitore me rezultat të 3-1 ndaj Udineses në Olimpico.
Mbrojtja e Interit edhe njëherë tregoi dobësitë. D’Agostino pas gjashtë minutash lojë kaloi në epërsi mysafirët nga Siena, për të nervozuar Nerazzurët të cilët e morën tejet seriozisht takimin.
Pas rasteve të shumta, Diego Milito shënoi për 1-0 (42’), ndërsa nga një penalti ishte përsëri El Principe ai që realizoi golin e tij të dytë në këtë takim dhe të 21-tin këtë sezon në Serie A për 2-1 dhe fitoren e madhe të Interit. Golit iu gëzuan Stramaccioni, Zanetti dhe 50 tifozë shqiptarë të cilët ishin të pranishëm në stadiumin Giuseppe Meazza.
Edhe Roma gëzoi tifozët e vet në Olimpico, përkatësisht ishte nata e kapitenëve. Kjo pasi Francesco Totti shënoi golin e fitores prej 2-1 në minutën e 86-të, por para tij realizuan edhe Osvaldo (8’) dhe Fernandes (43’). Për 3-1 dhe rezultatin përfundimtar shënoi Marquinho (92’), i cili fut seriozisht Romën në garë për vendin e tretë në Serie A.
Gjashtë javë pa përfunduar sezoni në Serie A, Roma ka 50 pikë në vendin e pestë, katër pikë më pak se vendi i tretë Lazio, kurse Interi që në fundjavë takohet me Udinesen ka 48 pikë në vendin e shtatë dhe po ashtu është në garë për vendin e tretë pasi gjashtë pikë është diferenca me Lazion. Nëse Interi mposht Udinesen dhe Lazion në transfertë në dy ndeshjet e ardhshme, atëherë vendi i tretë për zikaltrit nuk është utopi.

Fitou: Veriu po mbahet peng i disa interesave

Veriu i Kosovës është peng dhe përdoret për interesa të disa njerëzve, vlerësoi ambasadori francez në Prishtinë, Jean - Francois Fitou.
 Në një intervistë për televizionin Klan Kosova, ai drejtoi kritika direkte ndaj disa figurave të larta politike përkitazi me zhvillimet e fundit në veri.
“Mbase edhe nuk duhet ta them, por veriu po përdoret për interesa të disa njerëzve, dhe sikur ata të mos e përdornin këtë, atëherë do të mund të gjendej një zgjidhje e drejtë”.
Ambasadori francez sërish theksoi se zgjidhja më e mirë për veriun e Kosovës është zbatimi i Planit të Ahtisaarit. 

Dortmundi afër Titullit

Borussia Dortmundi ka bërë një hap të rëndësishëm drejt mbrojtjes së titullit të kampionit të Gjermanisë, duke mposhtur rivalin kryesor, Bayern Munich, në Signal Iduna Park me rezultat 1-0.
Gjatë gjysmës së parë skuadrat zhvilluan një lojë të shkëlqyer me të dyja palët që dukeshin të rrezikshme përpara golit.
Dortmundi ndoshta nuk pati fat që nuk avancoi, pas rastit të Grosskreutz dhe atij të Lewandowskit.
Nga ana tjetër, Bayerni ishte më pak mbresëlënës sa i përket sulmit, megjithatë ka mundur të shënojë përmes Kroos.
Minutat e para të gjysmës së dytë i takuan liderit, ndërsa pas një ore lojë Ribery ka mundur të bëjë më mirë.
Pas një periudhe loje që favorizonte bavarezët, lojtarët vendas e kthyen sërish menaxhimin e ndeshjes dhe arritën të realizojnë gol.
Pas një korneri të shkurtër, më së miri në zonë u gjend Robert Lewandowski, i cili e mposhti portierin Neuer (77’).
Në vazhdim, u akordua penalti në favor të skuadrës mysafire, mirëpo Arjen Robben dështoi që ta barazojë rezultatin (86’).
Me këtë fitore, Borussia Dortmundi shton diferencën në gjashtë pikë kundrejt Bayern Munichut, kur kanë mbetur edhe katër xhiro për t’u zhvilluar.

Simeone: Luajmë për vete, jo për Barcën

Trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone, mendon se fitorja ndaj Real Madridit vetëm për t’i bërë mirë Barcelonës është totalisht absurde, pasi ndjen se ekipi i tij luan për vete.
“Nuk më pëlqejnë komentet e legjendës tonë, Futres, i cili tha se duhet të fitojmë për t’i bërë dëm Realit. Do të ishte mediokre të mendonim se duhet fituar vetëm për t’i bërë favor Barcelonës”.
“Unë nuk brengosem nëse dikujt i bën mirë fitorja jonë. Ne duam tri pikët për vete. Për çdo rast, unë nuk kam nevojë për ndonjë gjen anti-madridist. Unë jam i brengosur vetëm për rezultatet tona. Atletico Madridi është Atletico Madridi. Është mënyra e vetme për t’u ngritur”, ka thënë Simeone.

Irani, besnik i Serbisë!

Republika Islamike e Iranit do të vazhdojë t’i mbetet besnik qëndrimit të vet për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, ka deklaruar të mërkurën në Beograd, zëvendësministri i jashtëm iranian, Ramin Mehmanparast. Ai ka thënë se me këtë qëndrim, Irani i kontribuon paqes dhe stabilitetit rajonal.
 Mehmanparast ka thënë se Teherani zyrtar nuk do ta njohë shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës por mbështet dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit, sepse sipas tij, “e drejta ndërkombëtare do të mundësojë një zgjidhje të mirë për të dyja palët” raporton Blic.
Zëvendës/shefi i diplomacisë iraniane ka thënë po ashtu se Irani ka ndikim në Gjirin Persik dhe do të vazhdojë të nxisë vendet e rajonit për të thelluar raportet politike dhe ekonomike me Republikën e Serbisë.
Kosovën deri më tani e kanë njohur 89 shtete, ndër to edhe shtete me demokraci dhe ekonomi më të zhvilluar në botë. Por shumica e vendeve islamike dhe arabe prej katër vitesh hezitojnë të njohin pavarësinë e Kosovës, shpallja e së cilës, sipas Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nuk ka qenë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Bogdanovic nuk i përmend zgjedhjet lokale

Beogradi zyrtar do t’i kërkojë OSBE-së që t’i monitorojë zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë, të vilat do të mbahen me 6 maj. Në kërkesën e bërë gati nga Serbia, nuk janë përmendur fare zgjedhjet lokale serbe, të cilat institucionet e Republikës së Kosovës kanë paralajmëruar se do t’i pengojnë, nëse është nevoja duke përdorur edhe forcën.
 Goran Bogdanovic, drejtues i të ashtuquajturës Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka thënë se zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale duhet të mbahen në tërë territorin e Kosovës. Ai i ka thënë agjencisë serbe te lajmeve Tanjug, se do të kërkojnë nga OSBE-ja, që përmes monitorimit të ndihmojë në mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.
Bogdanovic ka thënë se OSBE vetëm duhet të monitorojë zgjedhjet dhe jo të përcaktojë numrin e qendrave të votimit dhe kushtet tjera. Sipas tij, ekziston gatishmëria që të zvogëlohet numri i qendrave te votimit në jug të lumit Ibër, por, sipas tij, ai duhet të mbetet i njëjtë sikurse përpara.
“Jemi pajtuar se do të ishte keq që ato të mbahen vetëm në veri. Kjo do të ishte porosi e keqe për komunitetin ndërkombëtare që është i obliguar të na ndihmojë në mbajtjen e zgjedhjeve në tërë territorin e Kosovës, e edhe në Prishtinë, sepse me plot të drejtë dikush mund të konstatojë se Beogradi e dëshiron ndarjen e Kosovës”, ka thënë Bogdanovic, duke shfaqur shpresën se OSBE do të pranojë që të ndihmojë.

“Reali humbi identitetin nën Mourinhon”

Legjenda e Barcelonës, Carles Rexach, përsëri ka sulmuar Real Madridin, në veçanti trajnerin kontravers, Jose Mourinho.
Rexach ndjen se veprimet e Jose Mourinhos si trajner i Los Blancos kanë bërë që klubi mbretëror spanjoll të humbë shumë nga klasi dhe identeti.
“Real Madridi e ka humbur identitetin e vet, ndërsa kjo jo vetëm me Jose Mourinhon. Kjo ka ardhur për pasojë e ndërrimit të shpeshtë të trajnerëve dhe humbjeve të vazhdueshme nga Barca”, ka theksuar Rexach.

Richards: United më bëri të qaj

Mbrojtësi i Manchester Cityt, Micah Richards, ka pranuar se Manchester United e ka bërë atë të qajë javën e kaluar.
“Në fund të pjesës së parë dhe pas 60 minutave mendova se United mund të lëshojë pikë ndaj Blackburnit. Por, United gjithmonë duket se do të shënojë. Kështu, unë e kam ditur se diçka do të ndodhë. Por, kur ata edhe më tej zgjeruan diferencën, atëherë kam dashur të qaj dhe nuk jam ndjerë ashtu me vite. Futbolli është plot emocione. Ju nervozoheni dhe bëheni të lumtur, por unë kurrë më parë nuk kam qarë”.
“Tani kam qarë për shkak të domethënies së madhe. Ne kemi luajtur futboll të pa besueshëm dhe të shohim Unitedin në vendin e parë dhemb. Kjo më vret. Unë aq shumë brengosem për atë se si luaj, vërtet nuk e di se si kemi mundur ta lëshojmë pozitën e parë”, është shprehur Richards. 

Babai siguron: Higuain nuk largohet

Babai i sulmuesit të Real Madridit, Gonzalo Higuain, ka thënë se e ardhmja e sulmuesit argjentinas është e sigurtë në kryeqytetin spanjoll.
“Ai ka edhe katër vjet në kontratën e tij dhe ata dëshirojnë ta mbajnë në ekip. Unë nuk e di, por asgjë nuk do të ndryshojë derisa klubi të mos e dëshirojë atë”.
“Por jo, mendoj se ai është shumë i dashur dhe ai ka edhe katër vjet kontratë me klubin”, ka theksuar babai i El Pipitas.

Kurti kërkon nga NATO të parandalojë pastrimin etnik në veri

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të mërkurën i ka shkruar edhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fog Rasmusen, si dhe komandantit të KFOR-it, Erhard Drews, nga të cilët ka kërkuar, që të ndërmarrin masa të menjëhershme për t’i vendosur forcat e KFOR-it në veriun e Mitrovicës, për të parandaluar incidentet e mëtutjeshme që mund të ndodhin.
 Duke kujtuar vrasjen e Selver Haradinajt me bombë në shtëpinë e tij në Mitrovicë, si dhe incidentet e fundit në raport me Serbinë, si arrestimi i përfaqësuesit të sindikatës së pavarur të metalurgëve të Kosovës, e arrestimi i dy policëve kosovarë nga ana e xhnadarmërisë serbe, Kurti ka theksuar se populli i Kosovës është shumë i shqetësuar nga përkeqësimi drastik i situatës së sigurisë.
“Nga ne kërkohet të qëndrojmë ‘të qetë’, por ne nuk mund të jemi të qetë, duke qenë në dijeni të cënueshmërisë së skajshme të shqiptarëve që jetojnë në veri të Mitrovicës”, ka shkruar Kurti, që njëherësh është edhe deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe kryetar i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme.
Ai ka thënë se shqiptarët në veri janë pa mbrojtje institucionale dhe nën mëshirën e strukturave ilegale të Beogradit, të cilat vazhdojnë të përdorin forcën për të frikësuar shqiptarët që t’i braktisin shtëpitë e tyre. “KFOR-i është akoma përgjegjës për ofrimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë popullin e Kosovës. Prandaj me anë të kësaj letre ju kërkoj që të merrni masa të menjëhershme për t’i vendosur forcat e KFOR-it për të parandaluar incidentet e mëtutjeshme që mund të ndodhin".
"Është jetike të veprohet tani, për të ofruar siguri për të gjithë, dhe për të bërë të mundur që Kosova të jetë një shtet i së drejtës. Strukturat ilegale dhe kriminale të Serbisë nuk duhet të lejohen që të lënë akoma jetimë në Mitrovicë apo kudo tjetër në Kosovë”.

Të drejta edhe për Luginën!

Serbia po vazhdon me politikat e saja diskriminuese ndaj Luginës së Preshevës dhe me këtë po tentohet që në mënyrë të heshtur të bëhet shpërngulja e shqiptareve nga Lugina. Kështu thanë përfaqësuesit e Luginës së Preshevës, kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa dhe nënkryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi gjatë takimit që zhvilluan në Prishtinë me zëvendëskryeministrin e Republikës së Kosovës, Hajredin Kuçi.
 Në këtë takim në të cilin u bisedua për zhvillimet politike në Kosovës dhe Luginë të Preshevës, zëvendëskryeministri Kuçi tha së Qeveria e Kosovës do mbështes shqiptarët e Luginës së Preshevës për të drejtat e tyre qytetare dhe njerëzore, por edhe ato që kanë të bëjnë me identitetin nacional.
“Ne jemi te gatshëm që të mbështesim Luginën e Preshevës, shqiptarët atje dhe jemi të gatshëm që t’i trajtojmë shqiptarët atje si urë lidhëse për raportet tona korrekte që duhet t’i kemi në mes dy shteteve tona. Natyrisht e dimë sa është e rëndë të jetohet në atë ambient, por bashkëpunimi ynë, kohezioni ynë nacional, por edhe mbështetja ndërkombëtare, do të ndikojnë në përmirësimin e gjendjes në atë pjesë, në kuptimin më pozitiv të mundur”, theksoi Kuçi.
Sipas Kuçit, Qeveria e Kosovës do të angazhohet për zvogëlimin e çmimit të polisave të sigurimeve kufitar për shqiptaret e Luginës së Preshevës, po ashtu sipas tij, për aq sa përputhen programet arsimore të arsimit fillor, nxënësve shqiptarë të Luginës do t’ju shpërndahen libra falas, si dhe do të punohet për përshpejtim të procedurave për marrjen e diplomave nga studentët Luginës. 

“Barca ka gjasa për titull”

Zëvëndëspresidenti i Barcelonës, Javier Faus, ka lëvduar rikthimin e Barcelonës në La Liga, duke thënë se Blaugranët kanë gjasa për ta fituar titullin.
“Kampionati është më i gjallë se kurrë. Ne kemi qenë 13 pikë prapa, sot jemi një pikë prapa, ndërsa nesër mund të jemi përsëri katër pikë prapa. Kampionati ende është në favor të Realit”.
“Ne jemi të fortë, si mentalisht ashtu dhe fizikisht. Ne kemi fituar 10 ndeshje radhazi dhe jemi në gjendje që deri në fund të vazhdojmë me fitore”, është shprehur Faus.

Luis Enrique: Edhe Ferguson kërkoi kohë

Trajneri i Romës, Luis Enrique, ka kritikuar mediat për qëndrimin e tyre ndaj klubit Gialloros, duke thënë se edhe ai ashtu sikurse Sir Alex Ferguson ka nevojë për kohë për të fituar tituj.
“Ju mediat dëshironi të krijoni një betejë me vetveten dhe drejtorët, por unë nuk jam i interesuar për këto gjëra. Kur ka nevojë për të biseduar me drejtorët, atëherë unë do ta bëj këtë privatisht. Unë po mendoj vetëm për ekipin”.
“Askush nuk mund të thotë se ne nuk do të fitojmë në të ardhmen. Shikoni trajnerët e mëdhenj sikur Ferguson, edhe ai menjëherë nuk ishte fitues me Unitedin, por shikoni të arriturat e tij”, ka deklaruar Enrique.

Gjyqtari Gonzalez thumbon Mourinhon

Ish-gjyqtari, Iturralde Gonzalez, ka akuzuar trajnerin e Real Madridit, Jose Mourinho, për kritikat e tij ndaj gjyqtarëve, duke thënë se portugezi ka reputacion të keq edhe nëpër vende ku ka punuar edhe më parë.
Gonzalez, shumë i kritikuar nga Mourinho në të kaluarën, nuk ka humbur kohë për t’ia kthyer borxhin portugezit, të cilin e akuzoi rëndë për sjelljet e tij.
“Ai ka histori të gjatë për kritikat ndaj gjyqtarëve. Shikoni se si u sjell me gjyqtarët kur ishte te Chelsea, në Itali kur ishte te Interi, ose në Portugali kur ishte te Porto”.
“Nëse flisni me gjyqtarët në Angli apo Itali, e dini mjaft mirë se si do të flasin për Mourinhon. Shikoni sjelljet që ai i ka bërë atje dhe do të kuptoni se nuk është asgjë e re kjo që po shohim këto sezone në La Liga”, ka potencuar Gonzalez. 

Procedurë kundërvajtëse ndaj 261 zyrtarëve publikë

Më shumë se 91.71 për qind e zyrtarëve të lartë publikë e kanë deklaruar pasurinë e tyre tek Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK), brenda afatit ligjor.
 Ky proces është obligativ sipas Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave për të Gjithë Personat Zyrtarë.
Sipas këtij ligji numri i zyrtarëve të lartë publik të cilët kanë pasur për obligim ta bëjnë deklarimin e pasurisë së tyre tek Agjencia kundër Korrupsionit ka qenë 3657. Nga ky numër i tërësishëm obligimin ligjor e kanë përmbushur 3354 ose 91.71%, ndërsa numri i atyre që nuk e kanë deklaruar pasurinë është 261 zyrtarë të lartë publikë.
Gjashtë zyrtar të lartë kanë ofruar dëshmi që gjenden jashtë vendit apo janë të sëmurë, kurse numri i atyre të cilët e kanë deklaruar pasurin pas afatit ligjor saktësisht deri me datën 11.04.2012 është gjithsej 36.
Ndryshe, bazuar në nenin 17 të ligjit në fjalë AKK-ja është e obliguar që të inicioj procedurë kundërvajtëse për të gjithë zyrtarët të cilët nuk e kanë deklaruar pasurinë ashtu siç e përcakton ligji në fjalë.

Çështja e veriut duhet të zgjidhet me serbët lokalë!

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, e ka konsideruar të papranueshme gjendjen aktuale në veriun e Kosovës, veçanërisht pas vrasjes së një shqiptari në pjesën veriore. Ai ka thënë se çështja e veriut duhet të zgjidhet me dialog ndërmjet Qeverisë së Kosovës e serbëve të veriut.
 “Jam i brengosur për shkak të situatës së sigurisë në Kosovë, sidomos pas vrasjes së fundit që ka ndodhur në veri të Mitrovicës. Por, çështja e veriut të Mitrovicës duhet të zgjidhet nga Qeveria e Kosovës me qytetarët e kësaj pjese të Kosovës, mirëpo pasi që në këtë pjesë jeton edhe komuniteti serb, ka mundësi që edhe Serbia do të tentojë të kyçet në gjetjen e zgjidhjes”, ka thënë Zbogar të mërkurën në Prizren, raporton Zëri.
Duke folur për gjendjen e krijuar pas vrasjes së një anëtari të familjes Haradinaj, shefi i BE-së për Kosovë ka thënë se së pari duhet të kryejnë punën e tyre organet e hetuesisë, Policia e Kosovës dhe e EULEX-it, e pastaj të reagojë BE-ja. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës në përgjithësi që të ruajnë rendin dhe qetësinë në tërë Kosovën.
Autoritetet kosovare e kanë përsëritur disa herë se nuk do të ketë bisedimeve të veçanta me Serbinë për veriun e Kosovës, dhe se e vetmja zgjidhje sipas tyre, është pranimi i Planit Gjithëpërfshirës të Ahtisarit dhe integrimi i serbëve në institucionet e Republikës së Kosovës.

S’ka seancë të jashtëzakonshme për Mitrovicën

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e së mërkurës, të drejtuar nga kryeparlamentari Jakup Krasniqi, ku merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka shqyrtuar rendin e ditës për seancën e rregullt të së enjtes.
 Pos pikave të përhershme të seancave të rregullta të Kuvendit: çështje jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, seancës i propozohet shqyrtimi i dytë i Projektligjit për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jobankare.
“Duke qenë se kërkesa e grupit Parlamentar të Vetëvendosjes për seancë të jashtëzakonshme për gjendjen në veri të Kosovës, nuk ka gjetur mbështetje në takimin e Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare (sepse nuk janë krijuar kushtet që i parasheh Rregullorja e Punës për një seancë të tillë), e vetmja mundësi ka mbetur që para miratimit të rendit të ditës së seancës së nesërme parashtruesi t’i kërkojë seancës që debatin për gjendjen në veri ta radhisë si çështje urgjente” thuhet në një komunikatë të Kuvendit të Republikës së Kosovës

Haliti lobon për Kosovën në Asamblenë Parlamentare të NATO-s

Në Marsej të Francës ka filluar seminari “Rose – Roth” i organizuar nga Asambleja Parlamentare e NATO-s, në të cilin po merr pjesë edhe një delegacion nga Kosova, i përfaqësuar nga nënkryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Xhavit Haliti. Pjesë e këtij delegacioni është edhe nënkryetari tjetër i Kuvendit të Kosovës, Petar Miletic.
 Në këtë takim, i cili do të zgjasë deri më 13 prill, do të debatohet në temën: “Tranzicioni politik dhe ekonomik në vendet e Gjirit Persik, Magreb dhe Mashrek”. Do të debatohet për sfidat e këtij rajoni me dallime të shumta dhe rreziqe potenciale.
Panelet do të përqendrohen tek shoqëritë myslimane, rolin e aktorëve të jashtëm në këtë rajon, për pritjet ekonomike nga Pranvera Arabe, për implikimet e saj në Gadishullin Arabik, si dhe për ndryshimin e dinamikës sociale në Lindjen e Mesme.
Një nga qëllimet e këtij seminari do të jetë nxjerrja në pah e çështjeve që lidhen me tranzicionin demokratik dhe të identifikojë fushat ku bashkëpunimi i gjerë ndërkombëtar do të ishte i dobishëm.
Delegacioni i Kosovës do të shfrytëzojë këtë rast edhe për lobim ndërparlamentar meqë në seminar, përveç vendeve anëtare te Aleancës Veriatlantike dhe Asamblesë së NATO-s, marrin pjesë edhe shumë përfaqësues parlamentesh që janë vëzhgues në Asamblenë Parlamentare, si dhe shumë përfaqësues parlamentesh nga Magrebi, Lindja e Mesme, vendet e Gjirit Persik dhe Afrikës, Parlamenti Evropian, asambletë interparlamentare, përfaqësues nga institute kërkimore, organizata joqeveritare, organizata ndërkombëtare etj.

Presidentja ndan 5 000 euro për familjen Haradinaj

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka ndarë 5 000 euro nga fondi i Zyrës së Presidentes për të ndihmuar familjen Haradinaj nga Mitrovica.
 Familja Haradinaj, e cila humbi kryefamiljarin e saj Selver Haradinaj në sulmin me mjet shpërthyes, në banesën e tij private, në lagjen e Tre Rrokaqiejve në Mitrovicë.
Institucionet vendore e ndërkombëtare janë kritikuar vazhdimisht për mospërkrahjen e duhur të shqiptarëve të veriut të Mitrovicës, prej ku nën presionin e strukturave shtetërore të Serbisë, janë shpërngulur në jug të qytetit ose në brendi të Kosovës gati 20 mijë veta që nga viti 1999

OVL-UÇK: Do të vihemi në ballë të organizimit popullor

Organizatat e dala nga UÇK-ja nëpërmjet një letre të hapur drejtuar organeve përgjegjëse për sigurinë në Kosovë kanë kërkuar që të sigurohet popullata shqiptare në veri, duke kërcënuar se ndryshe “organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së do të jenë në ballë të organizimit popullor”.
Në këtë letër apelohen organeve të sigurisë që urgjentisht të merren masat për kthimin e menjëhershëm të banorëve shqiptar në pronat e veta, si dhe të shuhen strukturat e Serbisë e të arrestohen pjesëtarët e tyre
“Këto masa, sipas OVL UÇK-së, janë parakusht i ruajtjes së sigurisë në Kosovë dhe do krijojnë kushtet për jetë të lirë e të qetë, për organizimin e pushtetit lokal legjitim dhe për mirëqenien ekonomiko-sociale të banorëve në atë pjesë”, thuhet në letrën e nënshkruar nga Muharrem Xhemajli. “Nëse KFOR-i, EULEX-i dhe Qeveria e Kosovës, do të rrinë edhe më tutje duarkryq, Organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së do të jenë në ballë të organizimit popullor. Përgjegjës të kësaj situate do të jenë vet organet e sigurisë, që me mosveprimin e tyre shkaktuan tërë këtë situatë”. 

Stoichkov: Reali ka frikë

Legjenda e Barcelonës, Hristo Stoichkov, thotë se Real Madridi ka filluar të bëhet tejet nervoz para fundit të sezonit në La Liga.
“Real Madridi po bëhet tepër nervoz dhe po futet në depresion të thellë. Kjo vetëm mund t’i sjellë përfitime Barcelonës, që është në formë të mirë dhe nuk do të lëshojë më pikë”.
“Unë gjithmonë kam vënë bast dhe edhe tani jam i gatshëm të vë bast se Barcelona do ta fitojë titullin. Nëse ata i fitojnë të gjitha ndeshjet deri në fund, sigurisht titulli është i tyre”, ka thënë Stoichkov. 

Carlos: Reali do ta fitojë titullin

Ish-ylli i Real Madridit, Roberto Carlos, është i bindur se njerëzit e Jose Mourinhos do ta fitojnë titullin në La Liga në rast të fitores ndaj Atletico Madridit të mërkurën mbrëma.
“Unë mendoj se kampionati do të vendoset në rast se Real Madridi mposht Atletico Madridin. Reali do t’i hyjë ndeshjes duke e ditur se Barca fitoi dhe Atletico do të jetë tejet i motivuar, ndërsa nga ana tjetër po afrohet edhe El Clasico”.
“Reali kurrë nuk ka pasur ndonjë problem me pesionin. Të dyja ekipet kanë ndeshje të vështira në përfundim e sipër të sezonit”, është shprehur Roberto Carlos. 

Wenger: Top 4, synimi jonë kryesor

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, e ka ripërsëritur rëndësinë e përfundimit në top katërshe këtë sezon, duke synuar kështu fitoren sonte mbrëma.
“Përfundimi në top katërshe është shumë me rëndësi për ne. Ka domethënie të madhe për ne sepse ne duam të luajmë në maje dhe kjo për shkak se nga ku kemi ardhur, është arritje e madhe për ne”.
“Ky ekip ka kaluar nëpër kohëra të vështira, por ne e dimë se u takojmë më të mirëve dhe e kemi treguar këtë të dielën ndaj Cityt. Për këtë arsye është me rëndësi që të vazhdojmë të jemi të fortë”, ka deklaruar francezi.

570 paraqitje për Zanettin

Ikona e Interit, Javier Zanetti, do të zhvendoset në pozitën e tretë të lojtarëve më të paraqitur në histori të kampionatit italian, Serie A, kur ai të zbresë për të 570-ën herë në fushë ndaj Sienës sonte mbrëma.
38 vjeçari ka 569 paraqitje për skuadrën nga Giuseppe Meazza dhe pritet që të barazohet me legjendën e Juventusit, Dino Zoff, kur ‘Il Capitano’ të paraqitet ndaj Sienës sonte mbrëma – një arsye tjetër pse Nerazzurët do të kërkojnë fitoren.
Zanetti iu bashkua Interit nga Banfield në verën e vitit 1995 dhe deri tani ka 750 paraqitje në të gjitha garat me Interin, kurse i vetmi që e ka kaluar në Serie A me paraqitje është legjenda e Milanit, Paolo Maldini, me 648 paraqitje. 

Schuster: Reali favorit ndaj Atleticos

Real Madridi është favorit në derbin lokal të të mërkurës mbrëma kundër Atletico Madridit, megjithatë gjithçka mund të ndodhë në Vicente Calderon- ka deklaruar Bernd Schuster.
Los Blancos kanë nevojë për fitore, duke qenë se Barcelona është afruar në vetëm një pikë, prandaj të gjithë i konsiderojnë favoritë.
“Gjithçka mund të ndodhë në një derbi. Mund të ketë gola dhe përjashtime. Derbit janë të veçantë”.
“Nuk ka dyshim që Madridi është favorit, por ky është një moment kyç në sezonin e tyre. Edhe Atletico ka nevojë për pikë për të hyrë në garë për një vend që çon në Evropë”, ka thënë Schuster për Radio Marca. 

Wiz Khalifa dhe Pitbull refuzojnë Kosovën

Kosova në dy vitet e fundit është shndërruar në një prej vendeve më atraktive ballkanike për organizimin e koncerteve të mëdha, kurse kompani të ndryshme kanë ide për koncerte të mëdha gjatë verës. Sidoqoftë, ka disa pengesa në të cilat ata janë duke hasur.
Së fundmi dy prej artistëve më në formë, Wiz Khalifa dhe Pitbull kanë refuzuar oferta të jashtëzakonshme për të performuar në Kosovë. Për arsyet flet Nexhat Morina, promoteri i njohur shqiptar, i cili ekskluzivisht për Telegrafin ka zbuluar detajet.
“Pitbull është në turne me balerinat dhe me gjithë stafin e tij. Ai nuk pranon koncert në palestra apo në ndonjë diskotekë, pos stadiumit. Kështu, oferta është refuzuar nga menaxhmenti i tij”.
“Wiz Khalifa? Edhe ky ka refuzuar që të vijë në Kosovë. Kjo për shkak të kërkesave të larta sa i përket çmimit dhe kërkesave tjera, si hoteli dhe pijet që do të duheshin siguruar për të. Tani është tepër vonë për Wiz Khalifën, pasi unë e kam pasur në dorë ofertën shumë të lirë që ai të mbajë koncert në Kosovë tetorin e vitit të kaluar, por kompanitë nuk ishin të interesuara. Shikoni tani kush është Wiz Khalifa”, ka deklaruar Morina.
Më tej Nexhat Morina ka konfirmuar se Busta Rhymes më 18 gusht do të performojë në Prishtinë, teksa shton se është duke punuar personalisht që të sjellë tri emra tjerë të mëdhenj për të rinjt shqiptarë.

Policia heton Baba Stars?

Policia e Kosovës nuk ka qenë në gjendje të konfirmojë për agjencinë e lajmeve Kosovapress nëse është duke e hetuar anëtarët e labelit “Baba Stars” për spotin e tyre “High”, në të cilin xhirimet janë bërë në një plantacion marihuane.
Paraqitja e anëtarëve të Baba Stars, konkretisht të Tingullit të 3NT dhe të Skillz në disa fusha të Lazaratit “të gjelbëruara” nga marihuana, mund t’u kushtojnë atyre me ndonjë hetim të mundshëm nga Policia e Kosovës.
Në klipin e këngës “High”, i publikuar para disa muajve, shiheshin pjesëtarë të grupit “Skillz” dhe grupit “Tingulli 3nt” duke tymosur marihuanë në një fushë të mbjellë me hashash.
Klipi është edhe në Youtube, por që nuk mund të shikohet nga persona që nuk kanë profil të hapur aty dhe konsiderohet i ndaluar për ata që janë nën moshën 18 vjeçare.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadriu, ka thënë se policia përdor mediat si burim informacioni për të gjitha rastet kur konsideron se në një pamje ose një incizim personat e caktuar kanë rënë ndesh me ligjin ose kanë bërë një veprim të kundërligjshëm. Megjithatë, kur është pyetur për këtë klip, ai nuk ka pohuar as mohuar se policia është duke hetuar këtë rast.
“Sa i përket specifikisht për rastin nuk mund të flasim për shkak se momentalisht ne si zyre nuk kemi informacione nëse ka hetime ose nuk ka hetime”, ka thënë Sadriu për Kosovapress.
“High” është xhiruar në Lazarat dhe në Tiranë nga “Max Production”

Instagram, i pari në Apple iOS

Instagram ka qenë në dispozicion për një kohë të gjatë për Apple iOS, ndërsa së fundmi ky aplikacion mund të shkarkohet edhe në platformën e Google, Android, në të cilën është thënë se ka arritur të shkarkohet mbi 5 milionë herë, për një kohë shumë të shkurtër.
 
Në anën tjetër, para dy ditësh është thënë gjithashtu se Instagram është blerë nga Facebook për një kosto të jashtëzakonshme prej 1 miliard dollarësh, dhe ky publicitet i ka ndihmuar rrjetit social të fotografive të popullarizohet edhe më shumë, për tu bërë aplikacioni më i shkarkuar në iOS. 
 
Instagram ka postuar në Twitter se aplikacioni i tyre ka arritur të bëhet aplikacioni më i shkarkuar në iOS. 
 
Tani pritet që Instagram të arrijë rekorde të reja të përdorimit me këtë publicitet të jashtëzakonshëm, ndërsa numri i përdoruesve të saj pritet të arrijë në më shumë se 30 milionë përdorues në mbarë botën. 

Abidal është në gjendje më të mirë

Mbrojtësi i Barcelonës, Eric Abidal, është duke u rikuperuar mirë pas transplantimit të mëlçisë. Kështu ka thënë presidenti blaugran, Sandro Rosell.
Francezi është larguar nga një klinikë të martën mbrëma pas ndërhyrjes që zgjati rreth nëntë orë, dhe derisa Barca nuk ka lëshuar komunikatë zyrtare sa i përket rrjedhës së procedurës operuese, Rosell ka dhënë një deklaratë të shkurtë.
“E sotmja mund të jetë e mirë për të gjithë, sepse e dimë se Abidal dhe kushëriri i tij (donori i mëlçisë) po riaftësohen mirë pas operacionit”, ka thënë Rosell.

FIFA: Shqipëria bie edhe katër vende

Kombëtarja shqiptare ka rënë edhe katër pozita në renditjen e FIFAs për majin prill dhe tash pozicionohet e 84-ta.
Kuqezinjtë tash mbledhin 384 pikë, 48 pikë më pak se muajin e kaluar (432 pikë) kur u pozicionuan në pozitën e 80-të dhe 68 më pak se në muajin shkurt (452 pikë) kur u pozicionuan të 78-tët.
Nga vendet e rajonit që qëndrojnë më së keqi, Maqedonia është ngritur katër pozita dhe tash rreshtohet e 98-ta, derisa Bullgaria ka rënë 11 pozita dhe tash pozicionohet e 96-ta.
Kroacia është vendi ballkanik më së miri i pozicionuar, e teta. Keq nuk qëndrojnë as Greqia, e cila është e 14-ta dhe Bosnja e Hercegovina, e cila është e 27-ta. Serbia pozicionohet e 32-ta dhe Mali i Zi i 54-ti

S’ka punë, s’ka rrugëdalje, s’ka shtet për rini!

Papunësia në Kosovë arrin në 45 për qind, ndërsa popullsia e saj është më e reja në Evropë. Pa shanse për të udhëtuar, dhe me pak mundësi në vendlindje, cilat janë shpresat e gjeneratës së re në rritje?
Në të gjitha orët e ditës, artistë të Prishtinës, shkrimtarë dhe ëndërrimtarë, mblidhen në qoshet e rehatshme të “Nat’ e dit’”, një kafene e mbushur me libra. Në mesin e tyre është Astrit Ismaili, artisti konceptual 20 vjeçar, i cili tash së voni u kthye nga qëndrimi gjashtëmujor në New York.
"Isha me fat. Kam marrë një çmim për të shkuar në SHBA”, thotë ai për Irish Times. "Shumica e njerëzve në Kosovë nuk kanë kurrë shanse për t'u larguar, për shkak të vështirësive në marrjen e vizave. Është e dhimbshme që talenti dhe ambiciet e të rinjve këtu janë më të mëdha seç lejon realiteti jonë”.
Puna e Ismailit hulumton temat e identitetit dhe seksualitetit përmes prizmit të një shoqërie që ende merret me pasojat e luftës, që ndihmuan Kosovën që të lindë si një shtet i pavarur. Ajo mund të jetë provokuese - një projekt e paraqet Ismailin pothuajse lakuriq në horizontin e një rrokaqielli të Prishtinës - dhe ai e di se është duke i shtyrë kufijtë në atë që vazhdon të jetë një vend kryesisht konservator.
"Nëse ju nuk keni mundësi të përjetoni gjërat jashtë Kosovës, mund të ngulfateni këtu".
Ngufatja është fjala që përdoret edhe nga një i diplomuar i papunë, emri i të cilit është Dren. Duke konsumuar makiato në një kafene të mbushur plot me njerëz, me pamje drejtë monumentit të verdh Newborn – i zbuluar kur Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008 – Dreni flet për rrethin e tij.
"Prishtina është e mbushur me kafene si kjo... të mbushura me të rinjtë si unë, që nuk kanë gjë tjetër të bëjnë pos të pinë kafe tërë ditën e lume”, thotë ai me hidhërim. "Nuk kemi punë, nuk ka perspektivë dhe asnjë rrugëdalje. Ky nuk është vend për të rinjtë".
Kosova megjithatë është një vend i të rinjve. Dy milionë banorët e saj përbëjnë popullsinë më të re në Evropë: çdo person i dytë është nën moshën 25 vjeçe. Më shumë se gjysma e ministrave në Qeverinë e Kosovës janë nën 40 vjeç. Presidentja e vendit, një ish-komandante policisë me emrin Atifete Jahjaga, ishte vetëm 36 vjeçe kur u emërua në këtë post vitin e kaluar.
Dhe, siç zyrtarët duan të theksojnë kur diskutojnë sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova, shteti i cili ka festuar katër vjetorin në shkurt është shteti më i ri në botë pas Sudanit Jugor!
"Nuk mund ta gjeni një rast të vetëm në histori ku brenda tri apo katër viteve të pavarësisë janë adresuar të çështjet e zhvillimit të vendit”, thotë zëvendëskryeministrja Edita Tahiri. "Unë do t’ju thosha të rinjve: na jepni pak kohë”.
Por, disa mendojnë se qeveria, e cila ia ka paguar 5 milionë euro kompanisë “Saatchi Saatchi” për të realizuar fushatën reklamuese që e trumbeton Kosovën si “evropianët e rinj”, nuk është duke u marrë seriozisht me mbufatjen e të rinjve. Para dy vitesh, Iniciativa për Stabilitet - organizatë e Prishtinës në partneritet me UNICE-in – ka publikuar raportin që thotë se 73 për qind e të rinjve janë të papunë.
"Papunësia në Kosovë po shkatërron të rinjtë", u tha hulumtuesve një i intervistuar i quajtur Milot; të tjerët folën se si nepotizmi dhe favorizimi i miqve e ka bërë edhe më të vështirë jetën e të rinjve. Situata ka të ngjarë të bëhet më e keqe se më e mirë: parashikohet që afro 200 mijë vetë do ta arrijnë moshën e punës gjatë pesë viteve të ardhshme.
"Derisa shumica janë dakord se e ardhmja e Kosovës qëndron në duart e të rinjve, rinia e Kosovës zë shumë pak vend në politikat që përcaktojnë të ardhmen e saj", thotë raporti. "Arsimimi, fuqizimi dhe punësimi i të rinjve janë sfidat kryesore të rrugës së Kosovës drejtë integrimit evropian. Kosova ka nevojë të investojë më shumë në rininë e saj, që të ketë një ekonomi konkurruese”.
Një nga autoret e raportit, Brikena Hoxha, thotë se pak gjëra kanë ndryshuar. "Rinia nuk është prioritet për qeverinë. Ata na thonë se kanë nevojë fillimisht ta zhvillojnë ekonominë. Nuk e dinë se të dy këto gjëra shkojnë së bashku”., thotë ajo.
Kolegia e saj, Vjosa Rogova-Damoni, pajtohet me të. "Të rinjtë e Kosovës mund të jetë forca shtytëse për vendin tonë. Nëse qeveria e injoron këtë, ne mund t’i humbasin ata që mund të na ndihmojnë të zhvillohemi”, thotë ajo. “Hulumtimi ynë tregon se të rinjtë nuk duan të qëndrojnë këtu për shkak të mungesës së mundësive. Kur ju flisni me ta, janë gjithnjë e më shumë apatikë, mungon motivimi dhe janë të dëshpëruar. Ata nuk shohin të ardhme ."
Benefitet për të papunët nuk ekzistojnë në Kosovë. Rrjeti i vetëm i sigurisë është familja.
"Çfarë bëjnë të rinjtë? Ata jetojnë me prindërit e tyre dhe të gjejnë një mënyrë për të mbijetuar ", thotë Rogova-Damoni. Shumë kërkojnë ikjen në mënyra të tjera. Përdorimi i alkoolit dhe drogës është shtuar, thonë ata që punojnë me të rinjtë e Kosovës.
Shkalla e përgjithshme e papunësisë në Kosovës është rreth 45 për qind, më e larta në Ballkanin perëndimor. Një raport i vitit të kaluar, nga programi i OKB-së për zhvillim. vuri në dukje se shteti i ri lufton me infrastrukturë të dobët dhe me pasiguri politike e juridike - 104 prej 193 shteteve anëtare të OKB-së, përfshirë edhe pesë në BE, ende nuk e kanë njohur Kosovën - gjë që ka rezultuar me investimeve të kufizuara nga jashtë. Vendi po ashtu ballafaqohet me korrupsionin: javën e kaluar, shefi i Task-Forcës së Qeverisë, për luftën kundër korrupsionit, është arrestuar nën dyshimin për mitmarrje.
Ajo që mbetet është një ekonomi në agoni, e varur nga sektori i shërbimeve, ndihmës ndërkombëtare dhe parave të dërguara nga diaspora e Kosovës (edhe pse ky burim i fundit i të ardhurave ka qenë i prekur nga kriza globale financiare).
Frustrimeve të të rinjve i shtohet edhe fakti se Kosova është vendi i vetëm në Ballkan qytetarët e të cilit nuk mund të udhëtojnë lirisht në vendet e BE-së. Zhgënjimi për përjashtimin e Kosovës nga liberalizimi i vizave është një refren i zakonshëm në mesin e të pakënaqurve.
"Ne jemi gjeografikisht në Evropë, por më të izoluar se njerëzit në Afganistan", thotë njëri.
"Një nga pengesat më të mëdha është mungesa e lëvizjes, veçanërisht për të rinjtë. Unë e konsideroj rininë tonë si një nga thesaret më të mëdha të Kosovës. Liberalizimi i vizave do t’ua mundësojë atyre që të shkëmbejnë idetë, përvojat dhe vizionin me bashkëmoshatarët ", thotë presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, në zyrat e saj qendrore në Prishtinë. "Çështja e papunësisë dhe përplasjet mes brezave nuk janë fenomen vetëm i Kosovës, por i gjithë rajonit".
Një raport nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave, e shtroi çështjen e të rinjve në aspektin e sigurisë.
"Ndoshta kërcënimi më afatgjatë për Kosovën është mungesa e zhvillimit ekonomik e kombinuar me rritjen e shpejtë të popullsisë ", thuhet aty.
"Papunësia e të rinjve dhe vështirësitë ekonomike mund të kërcënojnë destabilizimin e Kosovës duke i shtyrë të rinjtë në kriminalitetit, ekonominë gri, ose duke krijuar trazira sociale. Paaftësia e shtetit për të siguruar nevojat themelore të popullsisë në lidhje me energjinë elektrike, shëndetësi, edukim dhe drejtësi. mund të shkaktojë trazira sociale".
Kreshnik Hoxha, një kolumnist në fillim të 20-tat të tij, vitin e kaluar ka shkruar: “E vërteta është se Kosova ka nënshkruar vetë dënimin e saj me vdekje, duke neglizhuar rininë e saj".
Një person me shumë vite përvojë në agjencitë ndërkombëtare në Kosovë, tërheq paralele me ankesat që shpien në protesta në Lindjen e Mesme dhe në Afrikën veriore vitin e kaluar: “Popullata e re, papunësia e lartë e të rinjve dhe çmagjepsja e shtuar me status quon - të njëjtit përbërës janë të pranishëm këtu".
Disa e atribuojnë rritjen e lëvizjes nacionaliste të të rinjve, Vetëvendsoje - nga një organizatë ngatërrestare në partinë e tretë më të madhe në Parlament - për shkak të aftësisë së tyre për të kanalizuar pakënaqësitë në rritje rreth izolimit dhe stagnimit të vendit.
Vetëvendosje kundërshton të gjitha kontaktet me Serbinë, rreshtohet kundër asaj që perceptohet paternalizëm ndaj misioneve ndërkombëtare në Kosovë, përfshirë operacionin evropian të njohur si EULEX, ndërsa kërkon bashkim me Shqipërinë fqinje.
Rrugët e Prishtinës janë të mbuluara me grafitet e tyre, përfshirë ato "Eulexperiment" dhe "Jo Negociata - Vetëvendosje"!. Ky i fundit është me germa të mëdha prapa statujës historike të Bill Clintonit, në rrugën që mban emrin e ish presidentin të SHBA-ve, për të shënuar kështu rolin e tij në nisjen e fushatës bombarduese të NATO-së për të përzënë trupat e Beogradit, gjatë luftimeve të përgjakshme etnike të vitit 1999 - midis serbëve dhe shqiptarëve.
Lideri i Vetëvendosjes ,sAlbin Kurti, flet për një kryengritje paqësore popullore, kundër asaj që ai e sheh si elita e korruptuar politike të Kosovës. Por, protestat e lëvizjes në rrugë kanë çuar në disa raste në përleshje me policinë.
Zyrtarët e Kosovës, disa prej të cilëve e përshkruajnë Kurtin dhe lëvizjen e tij si ekstremiste, hedhin poshtë mundësinë e trazirave më të mëdha.
"Nuk ka asnjë rrezik për këtë ", thotë presidentja Jahjaga.
Shem Aliu, një 28-vjeçar, aktivist i shoqërisë civile i cili punon me projektet e financuar nga BE e që ndërlidhen për zhvillimin ekonomik dhe pajtimin, thotë se Kosova ka shumë për të dhënë.
"Ne duam të bashkohet me BE-në, ne duam që të jemi pjesë e Lojërave Olimpike, ne duam të jemi anëtar i FIFA-s... Ne duam t’ia tregojmë botës anët tona të ndritshme: të rinjtë e talentuar”, thotë ai. "Si vend kemi bërë rrugë të gjatë, edhe pse jemi larg nga ku ne duam të jemi. Por, izolimi që jemi përballur po i bën aspiratat tona më të forta. Ne besojmë se ditët më të mira po vijnë për ne”

Nikolic takohet me qytetarë serbë të Mitrovicës

Edhe pse Prishtina zyrtare është shprehur kundër mbajtjes së zgjedhjeve serbe në territorin e Kosovës megjithatë shteti serb ka nisur fushatën paraelektorale edhe në veri të Mitrovicës.
Lideri i Partisë Përparimtare Serbe, Tomislav Nikolic ka arritur në Mitrovicë ku është takuar me qytetarët serb të asaj pjese. KTV-ja ka mësuar se Nikolic ka ardhur në Mitrovicë që të garantoj elektoratin se zgjedhjet e 6 majit do të mbahen edhe në Kosovë.
Në tubimin e sotëm kanë marrë pjesë qindra serb. Po ashtu në pjesën veriore janë vendosur pllakate të partisë së Nikolicit.
Ndërkohë, shumë serbë radikalë janë tubuar në mëngjes në pikëkalimin kufitar në Jarinjë të Leposaviqit ku kanë pritur liderin e tyre.

Del Piero: Patjetër të fitojmë ndaj Lazios

Sulmuesi i Juventusit, Alessandro Del Piero, thotë se Biankonerët do t’i kërkojnë me çdo kusht tre pikë në ndeshjen e sotme të Serie A kundër Lazios, për t’u kthyer në krye të tabelës.
“Ne kemi nevojë për tre pikë të plota me qëllim që të ruajmë ëndrrën për titull. Java e mëhershme nuk mund të kishte shkuar më mirë për ne. Ne mposhtëm Palermon dhe u ngjitëm në vendin e parë”.
“Megjithatë, tash na pret një javë vendimtare dhe e vështirë. Kjo nuk është koha për të festuar. Ne duhet të fokusohemi në ndeshjen kundër Lazios dhe të nxjerrim tre pikë edhe një herë. Ne të gjithë dëshirojmë të arrijmë shumë gjëra sërish”, ka thënë Del Piero për Tuttosport. 

Policia mohon zmbrapsjen nga kontrolli i vijës së gjelbër

Policia e Kosovës ka reaguar të mërkurën ndaj shkrimeve se patrullimet e Policisë kufitare përskaj vijës kufitare janë zhvendosur në thellësi të territorit të Republikës së Kosovës, duke thënë se nuk qëndrojnë dhe nuk janë të vërteta.
Sipas njoftimit të Policisë, përkundrazi Policia Kufitare e Republikës së Kosovës ka shtuar aktivitetet e veta në këtë zonë të përgjegjësisë dhe që nga data 31.3.2011 ka ngritur vigjilencën dhe mbikëqyrjen e kontrollit kufitar duke përfshirë këtu pikëkalimet kufitare dhe vijën e gjelbër me Republikën e Serbisë.
“... Pikëkalimet kufitare dhe vija e gjelbër në zonën e përgjegjësisë së Drejtorisë Rajonale të Veriut mbulohen 24 orë duke përfshirë pika vëzhguese, vrojtuese dhe patrullimet në këmbë e me vetura si dhe patrullimet e përbashkëta me KFOR-in, të cilat tani po ashtu janë shtuar. Një kujdes i veçantë nga Policia Kufitare e PK-së i është dhënë kontaktit me banorë të kësaj zone kufitare, në mënyrë që ata të ndjehen sa më të sigurt. Bazuar në kontaktet me qytetarë deri tani nuk është pranuar ndonjë ankesë e drejtpërdrejtë nga ana e tyre që ndërlidhet me aspektin e sigurisë.”, thuhet ndër të tjera në reagim e Policisë për shkrimin “Zmbrapset Policia Kufitare”, të gazetës “Zëri”.
Mirëpo, gazeta ndër të tjera ka kontaktuar edhe me banorët e fshatit Dumnicë të Podujevës, që jetojnë përgjatë brezit kufitar me Serbinë, të cilët sipas gazetës tregojnë se janë të shqetësuar për sigurinë e tyre, të cilët thonë se prania e Policisë së Kosovës është zvogëluar në masë të madhe nga koha e arrestimit të dy zyrtarëve policorë nga shteti serb.

Krasniqi i kundërpërgjigjet Kastratit

Kryparlamentari Jakup Krasniqi, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit i është kundërpërgjigjur kryetarit të komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati lidhur me deklaratat se në rast nevoje qytetarët duhet të vetëmbrohen.
Krasniqi pas mbledhjes së Kryesisë ka thënë se nuk janë qytetarët ata që duhet ta mbrojnë veten, por institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare e kanë atë përgjegjësi, duke kërkuar kështu angazhim më të madh nga institucionet gjegjëse për sigurinë.
Kryesia nuk ka vendosur për seancë të jashtëzakonshme për situatën e krijuar në veri të vendit, që ishte kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje, mirëpo në rend dite për seancën e së enjtes ka vendosur të jetë Projektligji për bankat dhe institucionet mikrofinanciare, që është kontestuar nga opozita.

Jahjaga: Ngjarjet në veri të papranueshme

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka deklaruar se nuk do të ketë vend për anarki, por për sundim të rendit dhe ligjit dhe se për këtë, sipas saj, të gjithë janë të përkushtuar.
Presidentja Jahjaga këto komente i bëri gjatë takimit me gratë ndërmarrëse shqiptare e serbe në Shtërpcë, të cilat kishin organizuar panairin e ndërmarrësisë për të reklamuar produktet e tyre.
Jahjaga duke iu referuar ngjarjeve të fundit në veri të Kosovës, deklaroi se ngjarjet e tilla destabilizuese për vendin janë të papranueshme.
“Ne duhet që së bashku ta kundërshtojmë dhunën që po shkatërron të ardhmen dhe zhvillimin tonë. Ngjarjet e fundjavës që lamë pas në Mitrovicë, që morën jetën e një qytetari të Kosovës dhe lënduan familjen e tij janë të papranueshme”, ka thënë ajo.

Thaçi fton sekretarin Ban Ki-moon ta vizitojë Kosovën

Nga Kosova kërkohet të ketë sa më shumë njohje, ndërsa strukturat ilegale kriminale serbe duhet të shpërbehen. Kështu tha kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi menjëherë pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon.
Në një intervistë për Kosovapress, ai ka njoftuar se e ka ftuar sekretarin Ban Ki-moon-in që këtë vit ta vizitojë Kosovën, dhe është shprehur i bindur se kjo do të ndodh.
Thaçi takimin me sekretarin e OKB-së e ka quajtur një takim jashtëzakonisht të mirë dhe produktiv.
Ndërsa sa i përket dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ai thotë se ka shprehur shqetësimin e tij për, siç e quan, zvarritjen e këtij procesi nga ana e Serbisë.
I pyetur për qëndrimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon lidhur me gjendjen në veri, Thaçi tha “ishte një qëndrim mbështetës në përpjekjet tona të përbashkëta për rend, qetësi për sundim të ligjit, për dënim të incidenteve dhe në asnjë rreth të mos lejohet që grupe të ndryshme, në veçanti strukturat ilegale kriminale serbe flas, mos të lejohen që të zhvillojnë aktivitetet e tyre, dhe shtrohet domosdoshmëria e shpërbërjes komplete të të gjitha këtyre strukturave”.
Ndërsa, sa i përket zgjedhjeve lokale të Serbisë, Thaçi tha se assesi nuk do të mbahen në Kosovë.

Iniesta: Gjërat kanë ndryshuar

Mesfushori i Barcelonës, Andres Iniesta, thotë se Real Madridi mbetet favorit për titullin, por gjërat tash nuk janë si më parë.
Barcelona fitoi me rezultat 4-0 ndaj Getafes për të ngushtuar në vetëm një pikë diferencën nga Reali, që sonte udhëton në Vicente Calderon në një ndeshje të vështirë përballë Atletico Madrid.
“Lider është Madridi. Ata kanë avantazhin, por ata duhet të luajnë nesër. Gjërat kanë ndryshuar, ne po luftojmë për t’i arritur ata. Këtë do të bëjmë deri në fund”.
“Këto derbi (Atletico – Real) janë shumë intensiv, nuk e di nëse do ta shikoj”, ka thënë Iniesta.

Zola: Dua ta drejtoj Chelsean

Ish-sulmuesi i Chelseat, Gianfranco Zola, ka zbuluar se ai do të dëshironte t'i drejtojë Blutë në të ardhmen.
45-vjeçari veshi fanellën e Chelseat nga viti 1996 deri në vitin 2003, dhe dëshiron të kthehet në Stamford Bridge kur të jetë koha e duhur.
“Do të më pëlqente të drejtoj Chelsean, por kushtet nuk janë të duhura në këtë moment. Kam pranuar disa oferta, por të gjitha varen nëse unë besoj në projektin”, ka thënë Zola për La Gazzetta dello Sport.
Chelsea së fundi shkarkoi trajnerin Andre Villas-Boas dhe përkohësisht drejtohet nga Roberto Di Matteo

Rihanna kurrë krejtësisht e zhveshur

Rihanna thotë ajo kurrë nuk do të pozojë nudo për ndonjë revistë të meshkujve pasi nëna e saj “do ta mbyste”.
Këngëtarja është e famshme për veshjet e nxehta dhe për zgjedhjen “e rrezikshme” të kostumeve të skenës që bën, por ajo thotë se njerëzit kurrë nuk do të mund ta shohim atë krejtësisht lakuriqe, kjo për arsye se ajo ka frikë nga nëna e saj.
“Nëna ime do të më mbyste nëse unë pozoj nudo! Nëna ime më ka rritur me standarde të caktuara”, ka thënë Rihanna.
Edhe pse nuk do të heqë teshat krejtësisht për publikun, Rihanna së fundi tha se ajo ndjehet më komforte sa më shumë që zhvishet.

KFOR-i mohon se janë mbyllur rrugët alternative në veri

KFOR-i ka hedhur poshtë informacionet e publikuara, sipas të cilave ai ka mbyllur të gjitha rrugët alternative në pikën kufitare Jarinje.
Zëdhënësi i KFOR-it, Uve Novicki, i tha Radio Kosovës se informacionet e tilla nuk janë të vërteta.
“Ky informacion nuk është i saktë dhe nuk konfirmohet nga KFOR-i. Është një informacion i gabuar”, sqaron Novicki. 

Kukan dhe Kacin kërkojnë lirimin e Hasan Abazit

Udhëheqës të delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me vendet e Ballkanit Perëndimor, Eduard Kukan dhe Jelko Kacin i kanë dërguar një letër kryeministrit të Serbisë, Mirko Cvetkovic, për të shprehur shqetësimin në lidhje me arrestimin e shqiptarit nga Kosova, Hasan Abazi, më 28 mars.
Kukan dhe Kacin kanë kërkuar lirimin e Abazit, ndërsa sipas tyre, mbajtja në paraburgim e kryetarit të Sindikatës së pavarur të punëtorëve metalikë të Kosovës, Hasan Abazi, krijon “shqetësim serioz në aspektin e pavarësisë së institucioneve shtetërore dhe sundimit të ligjit në Serbi”.
“Sipas informacioneve tona, Abazi, në 48 orët e para është mbajtur ilegalisht në paraburgim, dhe nuk i është lejuar të takohet me avokatin e tij e as me anëtarët e familjes së tij”, theksohet në letrën e Eduard Kukanit dhe Jelko Kacinit.
“Paraburgimi i Hasan Abazit është hap në drejtim të gabuar”, thonë ata.
Eduard Kukan është kryetar i delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhënie me Shqipërinë, Bosnjë Hercegovinë, Serbinë, Malin e Zi dhe Kosovën, ndërkaq Jelko Kacin është zëvendëskryetar i këtij delegacioni. 

“Na mbroni ose ne do të vetëmbrohemi”

Qytetarët shqiptarë dhe ata të komuniteteve joserbe të veriut të Mitrovicës, kërkojnë veprime urgjente të strukturave të sigurisë të Kosovës.
Përfaqësuesit e banorëve shqiptarë dhe boshnjakë që jetojnë në veri, këto kërkesa i kanë shtruar në takimin e Komitetit të Sigurisë që mbahet në kuadër të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Komunës së Mitrovicës.
Në takim janë shprehur kritika edhe ndaj autoriteteve ndërkombëtare në Kosovë, sidomos ndaj EULEX-it dhe KFOR-it për mosveprim në veri.
“Na mbroni ose ne do të vetëmbrohemi”, ka thënë Florent Azemi, përfaqësues i banorëve shqiptarë të Lagjes së Boshnjakëve.
Musa Myftari, përfaqësues i organizatës “Bregu i veriut”, përveç kërkesës për rritjen e pranisë së strukturave të sigurisë, kërkoi edhe vendosjen e kamera për të vëzhguar situatën. Ndërsa, Nexhat Uglanin, përfaqësues i komunitetit boshnjak, kërkoi eliminimin e alarmit që përdoret nga strukturat serbe për të ftuar qytetarët serbë në aktivitetet e tyre kriminale.
“Duhet të veprohet, meqë në të kundërtën situata do të del jashtë kontrolli”, ka thënë kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati. 

Qeveria gjermane e shqetësuar për zhvillimet në veri

Qeveria e Gjermanisë është shprehur e shqetësuar për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, ndërkaq ka paralajmëruar qytetarët gjermanë që të shmangin udhëtimet në veri të Kosovës.
Në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë thuhet se tensionet në Kosovë janë të lidhura me fushatën zgjedhore, e cila po zhvillohet në Serbi për zgjedhjet që do të mbahen me 6 maj të këtij viti. 

Ilegalët e Panticit financohen nga buxheti i Kosovës

I ashtuquajturi ministër për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanovic, ka thënë se 60 punëtorët e Kuvendit paralele të Mitrovicës, të cilët financohen nga Serbia, në 15 ditët e ardhshme duhet të heqin dorë nga të ardhurat që marrin nga buxheti i Kosovës.
Bogdanovic e dha këtë deklaratë për ditoren Politika të Beogradit, në lidhje me letrën që Krstimir Pantic, i ashtuquajtur kryetari Mitrovicës, ia ka dërguar atij në lidhje me “udhëzimet se si të procedojë me 60 punonjësit e administratës komunale në Mitrovicë, të cilët janë në listën e pagave të Qeverisë së Kosovës."
"Ligji është mjaft e qartë. Unë nuk mund t'i përgjigjem Krstimir Panticit, kur dihet se ai po ikë nga përgjegjësia. Pse nga unë kërkon instruksione, kur para vetes e ka Ligjin për punën dhe marrëdhëniet e punës të Republikës së Serbisë”, ka thënë Bogdanovic.
Pantic ka thënë për Politika se nga 109 punëtorë të punësuar në administratën ilegale të Mitrovicës, 49 janë në listën e pagave të Serbisë, derisa 60 të tjerë që nga viti 2002 janë në listën e pagave të buxhetit të Kosovës.