Procedurë kundërvajtëse ndaj 261 zyrtarëve publikë

Më shumë se 91.71 për qind e zyrtarëve të lartë publikë e kanë deklaruar pasurinë e tyre tek Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK), brenda afatit ligjor.

 Ky proces është obligativ sipas Ligjit për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë të Zyrtarëve të Lartë Publik dhe Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Dhuratave për të Gjithë Personat Zyrtarë.
Sipas këtij ligji numri i zyrtarëve të lartë publik të cilët kanë pasur për obligim ta bëjnë deklarimin e pasurisë së tyre tek Agjencia kundër Korrupsionit ka qenë 3657. Nga ky numër i tërësishëm obligimin ligjor e kanë përmbushur 3354 ose 91.71%, ndërsa numri i atyre që nuk e kanë deklaruar pasurinë është 261 zyrtarë të lartë publikë.
Gjashtë zyrtar të lartë kanë ofruar dëshmi që gjenden jashtë vendit apo janë të sëmurë, kurse numri i atyre të cilët e kanë deklaruar pasurin pas afatit ligjor saktësisht deri me datën 11.04.2012 është gjithsej 36.
Ndryshe, bazuar në nenin 17 të ligjit në fjalë AKK-ja është e obliguar që të inicioj procedurë kundërvajtëse për të gjithë zyrtarët të cilët nuk e kanë deklaruar pasurinë ashtu siç e përcakton ligji në fjalë.