Çështja e veriut duhet të zgjidhet me serbët lokalë!

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zbogar, e ka konsideruar të papranueshme gjendjen aktuale në veriun e Kosovës, veçanërisht pas vrasjes së një shqiptari në pjesën veriore. Ai ka thënë se çështja e veriut duhet të zgjidhet me dialog ndërmjet Qeverisë së Kosovës e serbëve të veriut.

 “Jam i brengosur për shkak të situatës së sigurisë në Kosovë, sidomos pas vrasjes së fundit që ka ndodhur në veri të Mitrovicës. Por, çështja e veriut të Mitrovicës duhet të zgjidhet nga Qeveria e Kosovës me qytetarët e kësaj pjese të Kosovës, mirëpo pasi që në këtë pjesë jeton edhe komuniteti serb, ka mundësi që edhe Serbia do të tentojë të kyçet në gjetjen e zgjidhjes”, ka thënë Zbogar të mërkurën në Prizren, raporton Zëri.
Duke folur për gjendjen e krijuar pas vrasjes së një anëtari të familjes Haradinaj, shefi i BE-së për Kosovë ka thënë se së pari duhet të kryejnë punën e tyre organet e hetuesisë, Policia e Kosovës dhe e EULEX-it, e pastaj të reagojë BE-ja. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës në përgjithësi që të ruajnë rendin dhe qetësinë në tërë Kosovën.
Autoritetet kosovare e kanë përsëritur disa herë se nuk do të ketë bisedimeve të veçanta me Serbinë për veriun e Kosovës, dhe se e vetmja zgjidhje sipas tyre, është pranimi i Planit Gjithëpërfshirës të Ahtisarit dhe integrimi i serbëve në institucionet e Republikës së Kosovës.