KEK-u, pensionon dhunshëm

Udhëheqësit e KEK-ut po synojnë ta ulin numrin e punëtorëve me pensionim të parakohshëm. Express ka siguruar një letër, ku drejtori Arben Gjukaj i ka paralajmëruar punëtorët që janë mbi moshën 55 vjeç se nëse nuk shkojnë vullnetarisht në pension, duhet t’iu nënshtrohen testeve profesionale dhe fizike. Ata që nuk i kalojnë testet, llogariten si tepricë që nuk i duhen KEK-ut. Sindikata e punëtorëve po kundërshton, pasi sipas tyre, me këtë po u bëhet presion për ta lëshuar punën.

Rreth një mijë punëtorë të Korporatës Energjetike të Kosovës rrezikohen të mbesin pa punë. Menaxhmenti i kësaj korporate po planifikon që punëtorët mbi moshën 55-vjeçare t’i dërgojë në pension të parakohshëm, duke synuar kështu zvogëlimin e numrit të të punësuarve në këtë korporatë. Ky njoftim është përcjellë te ta nga vetë drejtori i korporatës, Arben Gjukaj.
Gazeta Express ka siguruar letrën, të cilën drejtori Gjukaj ua ka shkruar menaxherëve të kësaj ndërmarrjeje, ku ka bërë kërkesën për pensionimin e parakohshëm të punëtorëve mbi moshën 55 vjeçare.
“Duke u nisur nga kërkesat tuaja se keni staf të moshuar dhe të cilët nuk po kanë mundësi të performojnë konform kërkesave tuaja dhe përgjegjësive të tyre, ju udhëzoj ju dhe menaxherët tuaj që të inkurajoni stafin tuaj mbi moshën 55-vjeçare që të aplikojnë në skemën opsionale për pensionim të parakohshëm”, thuhet në letrën e drejtorit Gjukaj drejtuar menaxherëve të korporatës. Pos kësaj, ai ka kërkuar që ky staf i punëtorëve t’iu nënshtrohet edhe disa testeve dhe ushtrimeve fizike.
Këto ushtrime duhet të kryhen pas 14 prillit, kur edhe do të fillojë edhe intervistimi i këtyre të punësuarve, shkruan Express.
Por kryetari i Sindikatës së Punëtorëve e të KEK-ut Izet Mustaf këtë formë të pensionimit nga ana e kësaj korporate e quan presion. “ Menaxhmenti me kërkesën që punëtorët tu nënshtrohen testeve dhe ushtrimeve fizike, po bënë presion dhe po i shantazhin punëtorët, sidomos kategoritë e atyre që kanë pësuar në punë”, tha Mustafa.
Zëdhënësi i KEK-ut thotë se nuk ka presion ndaj punëtorëve ato skema janë vullnetare.