Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e së mërkurës, të drejtuar nga kryeparlamentari Jakup Krasniqi, ku merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka shqyrtuar rendin e ditës për seancën e rregullt të së enjtes.
Pos pikave të përhershme të seancave të rregullta të Kuvendit: çështje jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare, seancës i propozohet shqyrtimi i dytë i Projektligjit për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jobankare.
“Duke qenë se kërkesa e grupit Parlamentar të Vetëvendosjes për seancë të jashtëzakonshme për gjendjen në veri të Kosovës, nuk ka gjetur mbështetje në takimin e Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare (sepse nuk janë krijuar kushtet që i parasheh Rregullorja e Punës për një seancë të tillë), e vetmja mundësi ka mbetur që para miratimit të rendit të ditës së seancës së nesërme parashtruesi t’i kërkojë seancës që debatin për gjendjen në veri ta radhisë si çështje urgjente” thuhet në një komunikatë të Kuvendit të Republikës së Kosovës