Beogradi zyrtar do t’i kërkojë OSBE-së që t’i monitorojë zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë, të vilat do të mbahen me 6 maj. Në kërkesën e bërë gati nga Serbia, nuk janë përmendur fare zgjedhjet lokale serbe, të cilat institucionet e Republikës së Kosovës kanë paralajmëruar se do t’i pengojnë, nëse është nevoja duke përdorur edhe forcën.
Goran Bogdanovic, drejtues i të ashtuquajturës Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka thënë se zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale duhet të mbahen në tërë territorin e Kosovës. Ai i ka thënë agjencisë serbe te lajmeve Tanjug, se do të kërkojnë nga OSBE-ja, që përmes monitorimit të ndihmojë në mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.
Bogdanovic ka thënë se OSBE vetëm duhet të monitorojë zgjedhjet dhe jo të përcaktojë numrin e qendrave të votimit dhe kushtet tjera. Sipas tij, ekziston gatishmëria që të zvogëlohet numri i qendrave te votimit në jug të lumit Ibër, por, sipas tij, ai duhet të mbetet i njëjtë sikurse përpara.
“Jemi pajtuar se do të ishte keq që ato të mbahen vetëm në veri. Kjo do të ishte porosi e keqe për komunitetin ndërkombëtare që është i obliguar të na ndihmojë në mbajtjen e zgjedhjeve në tërë territorin e Kosovës, e edhe në Prishtinë, sepse me plot të drejtë dikush mund të konstatojë se Beogradi e dëshiron ndarjen e Kosovës”, ka thënë Bogdanovic, duke shfaqur shpresën se OSBE do të pranojë që të ndihmojë.