Policia e Kosovës ka reaguar të mërkurën ndaj shkrimeve se patrullimet e Policisë kufitare përskaj vijës kufitare janë zhvendosur në thellësi të territorit të Republikës së Kosovës, duke thënë se nuk qëndrojnë dhe nuk janë të vërteta.
Sipas njoftimit të Policisë, përkundrazi Policia Kufitare e Republikës së Kosovës ka shtuar aktivitetet e veta në këtë zonë të përgjegjësisë dhe që nga data 31.3.2011 ka ngritur vigjilencën dhe mbikëqyrjen e kontrollit kufitar duke përfshirë këtu pikëkalimet kufitare dhe vijën e gjelbër me Republikën e Serbisë.
“... Pikëkalimet kufitare dhe vija e gjelbër në zonën e përgjegjësisë së Drejtorisë Rajonale të Veriut mbulohen 24 orë duke përfshirë pika vëzhguese, vrojtuese dhe patrullimet në këmbë e me vetura si dhe patrullimet e përbashkëta me KFOR-in, të cilat tani po ashtu janë shtuar. Një kujdes i veçantë nga Policia Kufitare e PK-së i është dhënë kontaktit me banorë të kësaj zone kufitare, në mënyrë që ata të ndjehen sa më të sigurt. Bazuar në kontaktet me qytetarë deri tani nuk është pranuar ndonjë ankesë e drejtpërdrejtë nga ana e tyre që ndërlidhet me aspektin e sigurisë.”, thuhet ndër të tjera në reagim e Policisë për shkrimin “Zmbrapset Policia Kufitare”, të gazetës “Zëri”.
Mirëpo, gazeta ndër të tjera ka kontaktuar edhe me banorët e fshatit Dumnicë të Podujevës, që jetojnë përgjatë brezit kufitar me Serbinë, të cilët sipas gazetës tregojnë se janë të shqetësuar për sigurinë e tyre, të cilët thonë se prania e Policisë së Kosovës është zvogëluar në masë të madhe nga koha e arrestimit të dy zyrtarëve policorë nga shteti serb.