Njujorkezja Jessica Vega është arrestuar nën akuzën se ka gënjyer se është duke vdekur nga leukemia në mënyrë që të marrë dhurata me vlerë prej disa mijë dollarësh për martesën e saj të ëndrrave. Ajo është akuzuar për gjashtë vepra penale, duke përfshirë edhe vjedhjen dhe mashtrimin.
Para dy vitesh, Jessica kishte thënë se është në fazën përfundimtare të kancerit të gjakut dhe para se të vdiste dëshironte që të martohej me Michael O'Connell, babanë e vajzës së saj.
Çifti u martua në maj të vitit 2010, morën mijëra dollarë në formë dhuratash dhe shërbime të ndryshme dhe shkuan në muaj të mjaltit në Aruba.
Mirëpo, katër muaj më pas, O'Connell shkoi në redaksinë e gazetës Times Herald Record (ku ishte publikuar me herët tregimi tronditës rreth dëshirës së fundit të Jessicas) dhe e kishte akuzuar atë se ka gënjyer se vuan nga kanceri.
Asokohe, ata u ndanë dhe O'Connell u transferua në Virginia, mirëpo më vonë u pajtuan dhe tash ata kanë edhe një fëmijë tjetër së bashku.
“Ajo është nënë e mirë dhe në fund të fundit, kjo ka rëndësi. Dua që fëmijët e mi të qëndrojnë me nënën e tyre”, ka thënë ai.
Sipas O'Connell, Jessica, e cila është arrestuar javën e kaluar, duhet t’i kthejë dhuratat dhe t’u kërkojë falje të gjithëve, dhe duhet të shkojë te ndonjë psikiatër e jo në burg.