Galliani: Montolivon e kërkuam 20 vjet

Zëvëndëspresidenti i Milanit, Adriano Galliani, ka thënë se ata e kanë kërkuar mesfushorin italian, Riccardo Montolivo për plot 20 vjet.
27 vjeçari kaloi nga Fiorentina te Milani në parametra zero dhe Galliani zbulon se ai e ka kërkuar që një kohë të gjatë asin italian.

“Kur Montolivo ishte vetëm shtatë vjeçar, ne e kuptuam se ai do të bëhet lojtar i madh. Sidoqoftë, prindërit e tij vendosën kundër një kalimi të tij te Milani, për të nënshkruar më pas me akademinë e Atalantës”, ka theksuar Galliani.

Më tej Galliani sqaroi edhe blerjen e 19 vjeçarit, mbrojësit Mattia De Sciglio, të cilin Milani e kishte blerë në moshën 10 vjeçare për 500 euro nga klubi amater Cimino.

Chelsea arrin marrëveshje me Hulk?

Chelsea është një hap larg transferimit të super sulmuesit të Portos, Hulk, gjithnjë sipas raportimeve të fundit nga mediat angleze.
Daily Star shkruan se Blutë kanë arritur marrëveshje për kontratën e futbollistit të jashtëzakonshëm të Portos, Hulk, i cili është vetëm 25 vjeç.

Porto kërkon 40 milionë funte për Hulk, por Chelsea e vlerëson vetëm për 30 milionë funte, ndërsa ky detaj besohet se është i vogël dhe i pa rëndësishëm për arritjen e marrëveshjes.

Clinton urdhëroi CIA-n për fotot me porno yjet?

Ish-presidenti i SHBA-ve, babai i pavarësisë së Kosovës, Bill Clinton, ka shkaktuar polemika të mëdha gjatë javës, kur është parë duke u fotografuar me disa porno yje në rivierën franceze.
65 vjeçari është parë duke u fotografur me disa prej porno yjeve më të njohura amerikane, si Tasha Reign dhe Brooklyn Lee, fotografi këto që menjëherë u publikuan në rrjetin social Twitter.

Edhe pse spekulimet thonë se ishte aktorja pornografike Brooklyn Lee ajo që kërkoi të bënte foto me të, The Sun beson se Bill Clinton urdhëroi shërbimin sekret amerikan që t’i kontaktojë porno yjet për të bërë fotografi që do të mbesnin në sirtarin e ish-presidentit.

Edhe pse Clinton nuk është më president, ai ende ka imazh dhe influencë të jashtëzakonshme, ndërsa imazhet e fundit të publikuara nga mediat botërore sigurisht se nuk do të kënaqin Sekretaren Amerikane të Shetit, bashkëshorten e tij, Hillary Clinton.

Eminem: Po punoj në albumin e ri

Reperi i njohur amerikan, Eminem, ka zbuluar se ka filluar punën për albumin e tij të ri solo.
Këto pohime Eminem i bëri gjatë një interviste për Peter Rosenberg në emisionin “Hot 97’s”.

“Unë kam filluar të punoj kapak për albumin tim të ri”, ka thkesuar Eminem.

Albumi do të jetë i pari solo për Eminem që prej lansimit të “Recovery” në vitin 2010, i cili i theu të gjitha rekordet e shitjes me hite si “Not Afraid” dhe “Love The Way You Lie”.

Po e vëzhgojmë Nikolicin!

Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të analizojnë se çfarë do të thotë fitorja e Tomislav Nikolicit në Serbi për Kosovën dhe rajonin, por në të njëjtën kohë mirëpresin angazhimin e tij për të ardhmen evropiane të vendit.
Kështu ka deklaruar ndihmësi i sekretares amerikane të Shtetit, Philip Gordon, në konferencën vjetore të Qendrës për SHBA-në dhe Evropën, në Washington, raporton Radio Evropa e Lirë.

“Edhe pse vazhdojmë të analizojmë se çfarë do të thotë zgjedhja e Tomislav Nikolicit për Kosovën dhe rajonin e gjerë, ne përshëndesim angazhimin e tij të shprehur për të ardhmen evropiane të Serbisë dhe i bëjmë thirrje që të punojë në mënyrë konstruktive me qeverinë e re, për arritjen e këtij qëllimi”, ka thënë Gordon.

Ai ka theksuar se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre në Evropë duhet të bashkëpunojnë me udhëheqësit e vendeve të rajonit rreth ideve të reja për zgjidhjen e sfidave në veri të Kosovës.

“Stabiliteti dhe zhvillimi i Ballkanit Perëndimor do të varet nga ajo nëse shtetet e këtij rajoni realizojnë reformat e nevojshme për euro-integrime”, ka thënë Gordon.

Messi në 2009: “E shoh që s’jam i rëndësishëm”

Pep Guardiola vështirë se mund t’i besojë syve të tij. I ulur në autobusin e tij pranë mikut, njeriut të besueshëm dhe kolegut, Manuel Estiarte, ishte trajneri atëkohë i ri katalanas ai që mori një SMS befasues në telefonin e tij.
Por, ky nuk ishte tekst i thjesht. Jo. Mesazhi emocional ishte nga Lionel Messi. Argjentinasi, i cili ishte disa ulëse më prapa në autobus, ishte duke vuajtur në heshtje. Pa qenë në gjendje që të shprehë veten e tij në bisedën direkte me Guardiolën, ai e shfrytëzoi telefonin për ta shprehur pikëpamjen e tij. Ai nuk ishte i kënaqur.
Këto ishin ditët e hershme të sukseseve të Pep Guardiolës: Barca sapo kishte fituar gjashtë trofe në 15 muaj të mrekullueshëm dhe gjithçka është dukur për mrekulli për klubin katalanas – së paku nga jashtë.
Sezoni i dytë i Pep Guardiolës pëfundoi me katër trofe nga gjashtë të mundshme, por ata dështuan në Ligën e Kampionëve dhe Copa del Rey. Prapa skenave, gjërat nuk ishin si duhet.
“Unë mund të shoh se nuk jam më i rëndësishëm për ekipin, këhtu që...”, kishte shkruar Messi në SMS-in e tij drejtuar Guardiolës, duke lënë kështu mesazhin e tij të pa përfunduar, përkundër paraqitjeve të përkryera në fushë.
Në depresion dhe pa iluzion, futbollisti më i mirë në botë ishte tmerrësisht serioz. Dy paraqitje të këqija e kanë bërë atë të dyshojë në rolin e tij të heroit te Barcelona, por më e keqja është se shkaktar i kësaj situate ishte askush pos një njeriu – Zlatan Ibrahimovic.
Ibrahimovic, i cili erdhi nga Interi për një marrëveshje të vlefshme prej 70 milionë eurosh, kishte kërkuar pagë të njëjtë me atë të Lionel Messit, duke vënë kështu nën presion enorm argjentinasin, me të cilin as se si nuk po përshtatej në fushë. Ibrahimovic bëri luftë me Messin.
Pas eliminimit nga Interi në Ligën e Kampionëve, ishte Ibrahimovic ai që akuzonte Guardiolën se nuk kishte ‘topat’ për t’u përballuar me Mourinhon dhe se kishte frikë nga portugezi.
Dhe në këtë rast, Guardiola reagoi më së miri, askush nuk mund të dyshojë tani në filozofinë e tij: e zhvendosi Messin në qendër për ta larguar Ibrën nga Barcelona. Ibrahimovic kaloi te Milani si huazim dhe më pas ishte blerë në mënyrë permanente.
Në ndërkohë, pasi Messi kaloi në qendër, ai realizoi 53 gola në sezonin 2010/2011 dhe 72 të tjerë gjatë këtij sezoni, plus duhet të shtojmë këtu pesë trofe me klubin dhe dy Topa të Artë. Kjo është dëshmi se Guardiola mori vendimin e duhur – vendimin e vetëm. Kur është dashur të zgjedhë mes Ibrës dhe Messit, ai zgjodhi futbollistin më të mirë të të gjitha kohërave.
Pep reagoi në kohën kur Leo kishte më së shumti nevojë dhe argjentinasi u përgjigj në mënyrën më të mirë – duke fituar ndeshjet. Mesazhi i Messit në autobus kishte ngritur alarmin vendimtar në klub, por edhe reagimi i Guardiolës ishte i qartë si kristali – ai e përkrahu Messin edhe atëherë kur ai nuk shënonte. 

Ranieri: Interin e mundonin ‘djajtë’

Trajneri i Interit, Claudio Ranieri, ka thënë se gabimi më i madh që ai ka bërë sa ishte te klubi Nerazzur ishte lejimi i largimit të Thiago Mottas, teksa në anën tjetër shtoi se zikaltrit ishin të përfshirë nga djajtë edhe gjatë periudhës së qëndrimit të tij.
“Në janar, kur unë i dhashë dritën e gjelbërt largimit të Mottas, unë e dija se po humbisja një pjesë të fotografisë time të përkryer, një lojtar që na jipte baraspeshën. Ne kemi kërkuar një anësor, por ishte e pamundur ta transferonim”.
“Pse nuk e kundërshtova largimin? Sepse unë e kam ditur se kam ardhur në një moment kur Interi ishte në vështirësi financiare. Unë erdha te Interi në një vit shumë të veçantë për klubin. Kishte ende djaj në klub. Unë e vura makinën në funksion, por më pas përsëri u ndal”, ka deklaruar Ranieri.

Giggs lëvdon të rinjt e United

Legjenda e Manchester United, Ryan Giggs, ka lëvduar impaktin pozitiv të talentëve të rinj të klubit, duke thënë se shumë prej tyre meritojnë ekipin e parë pas paraqitjeve të shfaqura gjatë këtij sezoni.
“Është e mrekullueshme për lojtarët e mëdhenj të shohin lojtarët e rinj duke përparuar aq shumë. Unë e njoh këtë nga vetvetja kur isha i ri dhe kur e kisha aq të vështirë të depërtoja në ekipin e parë”.
“Është vështirë për një të ri nëse humb pak në formë, pasi humb dhe rastin jetësor. Isha i impresionuar nga qëndrueshmëria e të gjithë lojtarëve të rinj dhe transfereve të reja sezonin e kaluar”, është shprehur Giggs.

De Marcos: Barca më e mira në botë

Ylli i Athletic Bilbao, Oscar de Marcos, thotë se Barcelona është “ekipi më i mirë në botë”, para finales së Kupës së Mbretit që zhvillohet sonte në Madrid.
“Barcelona vazhdon të jetë skuadra më e mirë në botë për mua. Kjo do të jetë ndeshja e fundit e Guardiolës, [por] nuk do të ndikojë në ta”.
“Ne duam ta kemi topin dhe të dominojmë në ndeshje. Ne duam Barca të vrapojë dhe ta ndjekë topin. Por ndoshta gjërat nuk do të funksionojnë, këmbët tona do të fillojnë të dridhen dhe kush e di”.
“Nuk e di nëse është një avantazh, por duke mos qenë favoritë na jep neve më shumë paqe në mendje”, ka thënë De Marcos. 

Guardiola: Bilbao, një skuadër e guximshme

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola, ka paralajmëruar lojtarët e tij të japim maksimumin nëse duan të mposhtin një skuadër të guximshme si Athletic Bilbao në finalen e sotme të Kupës së Mbretit.
“Athletic është një skuadër, e cila gjithmonë krijon shanse, ata nuk dorëzohen. Kjo është një finale ku ne duhet të durojmë gjërat deri në fund”.
“Të dyja ekipet do të luajnë në sulm dhe pres skuadra më e mirë të fitojë. Lojtarët e tyre kanë guxim dhe ata do ta tregojnë atë në ndeshje”.zx
“Kur ata qanin, siç bënë Muniain dhe Toquero në finalen e Europa League, kjo ishte sepse ata ishin të prekur nga humbja. Me dy javë pushim, besoj se ne do të takohemi me rivalin të cilin e pamë në ndeshjet kundër Manchester United”, ka thënë Guardiola.
Ndeshja e Kupës së Mbretit fillon zhvillohet sonte me fillim nga ora 22:00 në stadiumin Vicente Calderon në kryeqytetin spanjoll. 

Neymar nuk i intereson Barcës

Zëvendës-presidenti i Barcelonës, Josep Bartomeu, ka përjashtuar një transferim të Neymar gjatë kësaj vere dhe beson se Katalanasit nuk kanë nevojë për shumë përforcime për sezonin e ardhshëm.
“A mundet Neymar të na bashkohet neve këtë verë? Ai ka kontratë me Santos deri në vitin 2014. Ai do të qëndrojë te klubi i tij”.
“Ne kemi punuar në transferime për muaj të tërë, por vendimet përfundimtare do të merren vetëm nga e hëna e tutje”.
“Ne tashmë kemi një skuadër të shkëlqyeshme dhe lojtarët e lënduar do të rikthehen. Ne mendojmë se nuk kemi nevojë për shumë transferime, por trajnerët vendosin nëse kemi nevojë për ndonjë përforcim”, ka thënë Bartomeu. 

Blatter: Penaltitë, gjë e padrejtë

Presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, ka deklaruar se futbolli mund të jetë “tragjedi” kur një ndeshje vendoset nga gjuajtjet e penaltive.
Pavarësisht se dominoi gjithë ndeshjen finale të Ligës së Kampionëve, ëndrra e Bayern Munichut për të ngritur trofeun e më të mirit në Evropë përfundoi pasi Chelsea fitoi “lotarinë” në gjuajtjen e penaltive dhe u shpall kampion evropian.
Blatter beson se natyra e vërtetë e futbolli humbet kur një ndeshje vendoset nga penaltitë, dhe ka dhënë shenja se institucioni që ai drejton do të kërkojë të gjejë opsione të tjera në të ardhmen.
“Futbolli mund të jetë tragjedi kur ju shkoni në gjuajtje të penaltive. Futbolli nuk duhet të kalojë në sfidë një në një, kur kalon në gjuajtje të penaltive futbolli e humb esencën e tij”.
“Mbase Franz Beckenbauer me grupin e tij Football 2014 mund të na tregojë neve një zgjidhje, ndoshta jo sot, por në të ardhmen”, ka thënë Blatter për BBC.

Milani nënshkruan me brazilianin Gabriel

Milani ka zbuluar në faqen zyrtare se ka siguruar shërbimet e portierit premtues Gabriel nga Cruzeiro për një shumë të pazbuluar.
Rossonerët ishin në treg për një portier të ri pas largimit të portierit të tretë, Flavio Roma, dhe ata tash kanë gjetur njeriun i cili do të luftojë për t’i mposhtur dy portierët e parë, Christian Abbiati dhe Marco Amelia.
“Gabriel do të regjistrohet në Lega Serie A dhe do t’i bashkohet ekipit në para-sezon që nga 9 korriku”, shkruhet në deklaratën e Milanit.
Braziliani 19-vjeçar është përforcimi i tretë i Milanit këtë sezon, pasi Rossonerët tashmë kanë nënshkruar me Riccardo Montolivo nga Fiorentina dhe Bakaye Traore nga Nancy. 

Altintop nuk do të pengohet nga Reali

Mesfushori i Real Madridit, Hamit Altintop, nuk do të mbahet me zor në Santiago Bernabeu, nëse ai dëshiron të largohet.
Jose Mourinho ka shpjeguar se edhe pse ai llogarit në shërbimet e Altintop, nuk do ta pengojë atë të transferohet në Turqi, ku për të është i interesuar Galatasaray, nëse vetë lojtari e kërkon këtë.
“Hamit është një lojtar shumë i rëndësishëm në Turqi. Unë kam raporte të shkëlqyeshme me të, pasi ai është një lojtar dhe një person i shkëlqyeshëm”.
“Do të isha i kënaqur nëse ai qëndron, por nëse dëshiron ta ndryshojë skenarin, është jeta e tij. Nëse dëshiron të rikthehet në Turqi – nëse kjo është ajo që ai dëshiron për karrierën e tij – ne do ta ndihmojmë”, ka thënë Mourinho. 

Guardiola: Tito do t’ia dalë

Trajneri në largim i Barcelonës, Pep Guardiola, i ka dhënë mbështetje pasardhësit të tij, Tito Vilanova, duke bërë shaka se nuk ka shanse që ai të kthehet në Camp Nou pas gjashtë muajsh.
“Tito do t’ia dalë mirë. Nuk do të më duhet të kthehem pas gjashtë muajsh. Në nëntor kisha një darkë me Zubizarretan dhe më pyetën nëse mendoj se Tito ishte dikush që mund ta drejtojë skuadrën”.
“I thash se besoj se ai do t’i ofrojë gjithçka që unë do të kërkoja nga një trajner i Barcelonës. Tito më ka ndihmuar mua të jem trajneri i cili jam tash, gjatë pesë viteve të kaluara”, ka thënë Guardiola.

NBA: Wade dërgon Heat në finale

Dwyane Wade ka realizuar double-double për të ndihmuar Miami Heat të sigurojë vend në finalet e Konferencës Lindore duke mposhtur Indiana Pacers me rezultat 105-93 në ndeshjen e gjashtë mes tyre.
Heat kualifikohen në mesin e katër ekipeve më të mira në NBA-së pasi fituan serinë gjysmëfinale të playoffit të Lindjes me rezultat 4-2 nga gjashtë ndeshjet e zhvilluara, dhe në finalet (e Lindjes) do të takohet me Boston Celtics ose Philadelphia 76ers. Këto dy të fundit do ta zhvillojnë ndeshjen e shtatë vendimtare, nesër (e shtunë) në Boston.
Miami rikthehet në finalet e Lindjes për të dytin vit radhazi. Sezonin e kaluar ata fituan në këtë Konferencë duke mposhtur Chicago Bulls për të arritur në finalen e përgjithshme të NBA-së ku humbën nga Dallas Mavericks 4-2 me ndeshje.
Në ndeshjen e mbrëmshme Dwayne Wade kontribuoi me 41 pikë, 10 kërcime dhe tre asistime, derisa MVP i sezonit, LeBron James, shënoi 28 pikë. David West ishte shënuesi më i mirë te Indiana me 24 pikë, ndërsa George Hill kontribuoi me 18 pikë. 

Mourinho: Jam humbës i mirë

Menaxheri i Real Madridit, Jose Mourinho, thotë se ai është “një humbës i mirë” dhe se ai shpërthen pas ndeshjeve vetëm nëse mendon se skuadra e tij ka qenë viktimë e padrejtësisë.
Portugezi shihet si trajneri më i përsosur në botë, por ai ka shkaktuar kundërthënie kudo që ka punuar për shkak të natyrës së tij për të shprehur gjithçka.
Megjithatë, Mourinho thotë se ai gjithmonë është shpirtmirë në disfata, duke përmendur si shembull gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve ndaj Bayern Munichut, kur ata u mposhtën në penalti.
“Unë jam një humbës i mirë. Ne ishim të dëshpëruar kur humbën në Ligën e Kampionëve, por asgjë nuk ndodhi. Unë vetëm shkova në dhomën e veshjeve të Bayernit për të parë gëzimin e tyre dhe për ta ndarë atë”.
“Dallimi është se kur ne humbasim nga diçka që është e padrejtë, nuk mund ta duroj këtë”, ka deklaruar Mourinho për NTV. 

Mirjam Cani “mbron” Rona Nishliun

Mirjam Cani ka shfrytëzuar faqen e saj në internet për t’u kundërpërgjigjur kritikëve “shqiptar” të Rona Nishliut dhe për të mbrojtur këngëtaren e cila prezanton kombin tonë në festivalin evropian të këngës, Eurovision.
“Duke lexuar pak përshtypjet e kombit tonë për këngën e Eurovisionit, më vjen realisht keq dhe më duket e pabesueshme që në këtë rast armiku më i MADH i vendit tonë jemi VETË NE!”.
“Komplimente nga shtetet e huaja dhe sulmi vjen nga vendi ynë! Sa kohe do duhet të hapen sytë… shumë kohë…”, ka shkruar Mirjami.
“Looku i Ronës? Moderne dhe perëndimore… Ky quhet stil unik… Interpretimi? Të lë pa fjalë.. Një artiste që në kohën e sotme quhet ARTISTE!!!!!!!!!”, ka shkruar më tej këngëtarja shqiptare

Big Brother, “një program i montuar televiziv”?

Petrit Bylykbashi, ish-banori i shtëpisë Big Brother 4, mendon se ku spektakël nuk është një “reality show”, por vetëm “një program i montuar televiziv”.
Gjatë një prononcimi për Indeks Online, Petriti ka thënë se shikuesit kot harxhojnë lekë duke dërguar sms-së pasi gjithçka aty është e programuar nga producentët.
“Qysh nga pilot projekti kur të bëhet, i dihet fillimi dhe fundi i një programi televiziv, njëjtë është edhe Big Brother. Gjithmonë caktohen personazhet qysh para fillimit të edicionit dhe vazhdojnë me eliminime ashtu sipas projektit”, ka thënë Petriti.
“Ai që krijon më së shumti antipati në publik mbahet brenda, pasi votimet janë ‘voto për atë që doni të largoni’. Është logjikë e thjesht pasi që bazën e të hollave, pas sponsorëve e kanë në sms-a. Kështu që i duhet ta mbajë brenda [pikërisht] atë që votohet më së shumti për me dalë nga ajo shtëpi”, tregon më tej Petriti.
Sipas tij, Liami do të jetë fitues i këtij spektakli dhe “e ka përgëzuar për fitoren” pasi “ai ka ditur të luajë lojën” në të gjitha aspektet. 

Ndahen Travolta dhe Preston?

Kelly Preston raportohet se është ndarë nga John Travolta dhe është larguar nga shtëpia e tyre familjare.
Sipas tabloidit amerikan Nation Anquirer, Preston u ka thënë miqve se ajo “boll më” ka duruar aktorin pas supozimeve për keqtrajtim seksual nga një numër masazhistësh meshkujt, dhe publikimit të fotove të yllit të veshur si femër në një ngjarje private në vitin 1997.
“Kelly më ka thënë se martesa e tyre ka mbaruar dhe e ka bërë të qartë se ajo nuk jeton më në shtëpinë familjare”.
“Ajo e ka duruar jetën e dyfishtë të John me dekada, derisa sjelljet e tij kanë mbetur nën hije. Por dalja e gjithë kësaj në publik, e ka poshtëruar të. Kelly është krejtësisht e shkatërruar”, ka thënë burimi.

Dukagjini WTC, me standarde ndërkombëtare në Kosovë

Kompleksi banesor “Dukagjini” – WTC, në Prishtinë sipas drejtuesve të Asociacionit të Planerëve të Kosovës është një shembull se si duhet aplikuar standardet më të larta ndërkombëtare në fushën e ndërtimit edhe në vendin tonë.
Në vazhdën e aktiviteteve të manifestimit të “Muajit të ndërtimeve të sigurta 2012″ organizuar nga Asociacioni i Planerëve të Kosovës, drejtues të këtij asociacioni, profesorë dhe studentë të Fakultetit të Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës, kanë vizituar punishten e kompleksit banesorë “Dukagjini” – WTC, në Prishtinë. Kryetarja e Asociacionit, Nixharije Buçinca, tha se e kanë zgjedhur të vizitojnë pikërisht punishten e “Dukagjini” – WTC, në Prishtinë, pasi që sipas saj është shembulli më i mirë dhe i vetmi në vend për t`ua sqaruar studentëve dhe për të sensibilizuar opinionin dhe bizneset ndërtuese, se si punohet dhe si duhet të aplikohen standardet më të larta ndërkombëtare të ndërtimtarisë.“Këtë aktivitet e kemi në vazhdën e aktiviteteve tjera të cilat i kemi organizuar pikërishtë për manifestimin e muajit të ndërtimeve të sigurta, muaj ky i cili po manifestohet për herë të parë në Kosovë”, tha ajo.
Buçinca tha se në punishten “Dukagjini” – WTC” i është dhënë një rëndësi e veçantë aspektit të sigurisë në punë, dhe se çdo moment punëtorët janë të pajisur me të gjitha elementet e nevojshme teknike, prandaj ajo kërkoj që kudo nëpër kantieret e ndërtimeve të respektohen standartet e tilla të sigurisë në ndërtim. “Punohet pikërisht me standarde, punohet me rregulaltivë teknike, edhe unë çdo ditë e shoh, sepse kaloj këtu dhe e shoh se punëtoret janë të përgatitur dhe punojnë me kushte shumë të mira”, tha Buçinca.
Ndërkaq, anëtarja e Asociacionit të Planerëve të Kosovës, Aida Dobruna, tha se ky projekt ka marrë licencën nga Asociacioni World Trade Center nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Asociacion ky i cili sipas Dobrunës inkurajon rrjetin e Qendrave Tregtare Botërore, si dhe promovon zhvillim përmes tregtisë dhe investimeve. Ajo tha se objekti është i hartuar sipas standardeve më të larta ndërkombëtare në fushën e ndërtimtarisë.“E gjithë sipërfaqja e këtij objekti është rreth 100 mijë metra katrorë, ku garazha bën pjesë me 30 mijë metra katorë, qendra tregtare me 25 mijë, kulla administrative i ka 14 mijë metra katrorë dhe ndërtesa banesore rreth 30 mijë metra katrorë. Është me rëndësi të ceket se mbi 20 për qind e gjithë parcelës do të jetë gjelbërim”, tha Dobruna.
Ndryshe muaji i sigurisë në ndërtim ka filluar për herë të parë në Amerikë, që nga viti 1980 e deri më sot, ndërsa në Kosovë ky muaj shënohet për herë të parë këtë vit. 

KEK, raporti i auditorit pa asnjë vërejtje

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), ka njoftuar se për herë të parë në historinë e tij ka pranuar një raport të auditorit të pavarur pa kurrfarë kualifikimi, sa i përket pasqyrave financiare të vitit 2011.
Në opinionin e auditorit të pavarur, Grant Thornton, " pasqyrat financiare (të KEK-ut) paraqesin saktë, në të gjitha aspektet materiale, pozicionin financiar të Kompanisë deri më 31 dhjetor 2011, si dhe performancën e tij financiare dhe rrjedhën e parasë për vitin që kaloi, në përputhshmëri me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar".
Raporti i auditorit, thekson që Pasqyra e Pozicionit Financiar (“Bilanci i Gjendjes”), Pasqyra e Të Hyrave të Përgjithshme (“Pasqyra e Të Hyrave”) dhe Pasqyra e Rrjedhës së Parasë, i plotësojnë të gjitha kërkesat e Standardeve Ndërkombëtare për Raportim Financiar. Raporti thekson po ashtu se KEK-u ka pasur rritje të aseteve, të fitimit dhe likuiditetit.
“Raporti i pakualifikuar i auditorit për KEK-un paraqet një përmirësim të dukshëm të cilin KEK-u e ka bërë gjatë viteve në fushën e regjistrimit dhe raportimit financiar, përfshirë këtu përmirësimin e sistemeve të kompjuterizuara të kontabilitetit, zhvillimin e mëtejshëm të sistemeve të kontrollit të brendshëm të kompanisë dhe përsosmërinë e politikave dhe procedurave të kontabilitetit, në përpjekje për të plotësuar praktikat më të mira ndërkombëtare”, është thënë në komunikatën e KEK-ut për media.
Ky përmirësim i raportimit financiar të KEK-ut është pjesë e përmirësimit të përgjithshëm në vazhdimësi që KEK-u ka bërë për të qenë një entitet afarist.

Autostrada nën hetime të EULEX-it

Misioni i Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX, është duke e hetuar projektin “Rruga 7, autostrada Morinë-Merdare”, të cilin Qeveria e Kosovës ia besoi konzorciumit amerikano-turk, “Bechta&Enka”.
Burime të Indeksonline brenda EULEX-it bëjnë me dije se tash e gati një muaj ky mision është duke kërkuar në vazhdimësi dokumente në Ministrinë e Infrastrukturës, trashëgimtare e ish-Ministrisë së Transportit dhe Postelekomunikacionit, për këtë projekt.
Edhe pse është projekti më i madh investiv në vend, vlera e të cilit mund të arrijë mbi 700 milionë euro, Ministria e Infrastrukturës nuk kanë pranuar që të flas për këtë veprim të EULEX-it.
Nisjen e hetimeve nuk e ka mohuar e as pohuar EULEX-i.
“EULEX-i në parim nuk komenton rreth hetimeve”, ka thënë për Blerim Krasniqi, një nga zëdhënësit e EULEX-it.
Derisa ky mision është duke marrë dokumente në MI për projektin në fjalë, në konzorciumin amerikano-turk ende nuk është “dukur”.
“Projekti nuk ka marr asnjë kërkesë nga EULEX-i për të dhënë asnjë lloj dokumentacioni”, ka thënë Ela Ruçi, zëdhënëse e “Bechtel & Enka”.
Ky projekt ishte tenderuar nga ish-Ministria e Transportit dhe Postelekomunikacionit (MTPPT) kur atë po e drejtonte deputeti Fatmir Limaj, ndaj të cilit EULEX ka bërë dy vite hetime për korrupsion, për të cilat ende nuk ka ndonjë vendim se si do të përfundojnë.
Pas një procesi të gjatë tenderimi, kontratën me “Bechtel & Enka” pos Limajt e kishte nënshkruar edhe ish-shefi i Prokurimit, Nexhat Krasniqi, që po ashtu, sikurse Limaj, është hetuar si i dyshuar për korrupsion nga EULEX-i për dy vite me radhë.
“Rruga 7, autostrada Morinë-Merdare” është pjesë e të ashtuquajturës “Rruga e Kombit”, e cila lidhet me autostradën e Shqipërisë, që po ashtu është ndërtuar nga konzorciumi “Bechtel & Enka”. 

Ushtrim për forcimin e vitheve

Është një ushtrim për forcimin e vitheve, i cili ndikon edhe në muskujt e pasmë të kofshëve dhe në përmirësimin e baraspeshës.
Si ushtrohet: Qëndroni në shputa, në gjerësinë e shpatullave, me gjunjët pak të lakuar. Ngrini njërën këmbë nga dyshemeja dhe tërhiqeni prapa derisa të bëhet paralel me dyshemenë.
Kini kujdes që shpina gjatë gjithë kohës të jetë në pozitë të drejtë.
Qëndroni në atë pozitë disa sekonda, pastaj edhe pak tërhiqeni këmbën prapa dhe kthehuni në pozitën fillestare.
Përsëriten ushtrimin pesë herë dhe pastaj ushtroni edhe me këmbën tjetër. 

A i nevojitet bebes uji?

Qumështi i nënës përmban madje 88% ujë. Ja përse është i rëndësishëm uji për beben.
Prisni gjashtë muaj para se t’i jepni foshnjës ujë për të pirë, dhe atëherë filloni me sasinë e kufizuar në disa mililitra në ditë. Ideale do te ishte që foshnja të pijë disa pika ujë pas ushqimit dhe assesi para, që të mos ndihet e mbushur para ushqimit.
Nëse mendoni që foshnja dëshiron të pijë pak ujë edhe gjatë gjashtë muajve të parë të jetës – ajo mund të ndihmojë foshnjën që të mos dehidrojë (sidomos në rastet me temperaturë të ngritur) si dhe freskon kur është nxehtë. Megjithatë, nëse vendosni t’i jepni foshnjës ujë gjatë gjashtë muajve të parë, këshillohuni më parë me pediatrin, sepse sasia e madhe mund t’i bëjë dëm foshnjës, mund t’i shkaktojë diarre apo sëmundje të tjera. Barku i foshnjës është ende i vogël dhe nëse foshnja pi ujë do mbetet pak vend për qumësht i cili është shumë i rëndësishëm për shëndetin e foshnjës.
Për përgatitjen e qumështit me formulë, më së shpeshti përdoret uji në shishe, me më pak minerale dhe i pagazuar apo uji i kroit por i vluar më parë. 

BlackBerry Messenger jo për platformat tjera

Deri më sot, ka pasur shumë thashetheme se RIM do të lëshojë shërbimin e saj - BlackBerry Messenger, edhe për platformat tjera, që përfshijnë iOS të Apple, si dhe Android të Google.
Tani, sipas një raporti të ri thuhet se drejtori i ri i RIM nuk ka asnjë plan që të licensojë BBM për platformat tjera, ose pajisjet tjera jashtë atyre të kompanisë.
BlackBerry Messenger është shërbimi më i famshëm i pajsijeve BlackBerry, dhe tani thuhet se për tu qasur në këtë shërbim, RIM do të krijojë një buton special në çdo model të ri telefonit ose tabletit.

Rrotullimi i frikshëm i cisternës (Video)

Ky është një nga ato momentet në të cilat askush nuk do të donte ta shihte veten.
Në YouTube është postuar xhirimi i një aksidenti në Rusi, në të cilën cisterna pas humbjes së kontrollit rrotullohet dhe drejtohet tek automjeti në anën e kundërt të rrugës.
Është e çuditshme se si askush gjatë këtij aksidenti nuk ka pësuar lëndime të rënda. 

Lëshohet pa parashutë nga 731 metra (Video)

Britaniku Gary Connery ka arritur të hidhet pa parashutë nga 731 metra lartësi, e ç’është më e rëndësishmja të mbijetojë edhe pas rënies në tokë. 42-vjeçari, i cili u hodh nga helikopteri, ishte veshur me një veshje të pajisur me krahë të veçantë.
Hedhja është realizuar në jug të Anglisë mbi Henley-on-Thames. Shpejtësia e zbritjes e cila zgjati vetëm pak minuta kishte kaluar 130 km në orë. Connery u hodh mbi një grumbull të madh të përbërë prej 18.600 kutish për të minimizuar sadopak tronditjen. Pas zbritjes së suksesshme spektatorët arritën të marrin frymë lirisht.
Dubluesi i njohur i filmave “Harry Potter” dhe “James Bond”, në një intervistë për Sky News e cilësoi provën si fantastike dhe tha se zbritja ishte shumë e rehatshme dhe e butë.
“Llogaritë më dolën në rregull prandaj jam shumë i lumtur”, citonStart fjalët e Conneryt, ndërkohë që bashkëshortja e tij shpreh gëzimin e saj pas kalimit me sukses të provës. 

Sa do të paguanit për një paqetë cigare?

Qeveria e Zelandës së Re ka njoftuar se do të rrisë taksën e cigareve për 40 për qind gjatë katër viteve të ardhshme, në një përpjekje për të zvogëluar numrin e duhanpirësve.
Sipas REL, në vitin 2016 në Zelandë të Re, kjo rritje e taksave, do të ngritë çmimin e një paqete cigaresh në 15 dollarë.
Autoritetet atje kanë mbështetur planin dhe vendimin që deri në vitin 2025, duhani të ndalohet plotësisht në vendet publike.
Në Zelandë të Re, qeveria në mënyrë të vazhdueshme e ka rritur çmimin e duhanit, për ta bërë koston e tyre të kushtueshme dhe të papërballueshme. 

Për Zyrën në veri nuk është konsultuar KFOR-i dhe EULEX-i

“Jemi konsultuar me të gjitha autoritet përkatëse të sigurisë, si vendore dhe ndërkombëtare”, kështu deklaroi vetëm dy ditë më parë, kryeministri Hashim Thaçi, kur bëri të ditur vendimin për themelimin e Zyrës administrative në veri.
Por, institucionet ndërkombëtare , KFOR-i dhe EULEX-i që mbikëqyrin situatën e sigurisë në Kosovë thonë se nuk janë konsultuar nga Qeveria e Kosovës për këtë zyrë.
Zëdhënësi i KFOR-it, Marc Stuemler i ka thënë Radio Dukagjinit se kjo zyre është tërësisht jashtë kompetencave të KFOR-it
“KFOR-i nuk ka të bëjë asgjë me ketë zyrë prandaj edhe nuk kemi çka të deklarojmë sepse kjo është totalisht jashtë kompetencave të KFOR-it . Është çështje politike dhe ne nuk deklarohemi për të”, ka thënë Stuemler.
Por përderisa për KFOR-in, kjo është çështje politike, për kryeministrin Thaçi, zyra është çështje apolitike.
Qeveria e Kosovës për zyrën administrative në veri nuk e ka konsultuar as EULEX-in ka thënë zëdhënësi, Nicholas Howton.
“Jo nuk ka pasur konsulta formale, vetëm na kanë informuar”, tha ai.
Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës do të ofrojë të gjitha shërbimet për qytetarët e kësaj pjese të Republikës së Kosovës dhe do të koordinojë angazhimet dhe investimet qeveritare në këtë pjesë të vendit.
Fillimisht kjo zyrë do të përbëhet nga 7 drejtori me 55 të punësuar dhe ajo do të drejtohet nga një zyrtar i lartë administrativ, që do të përzgjidhet përmes konkursit nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Serbët paralajmërojnë “hapa radikalë”

Në veri të Mitrovicës janë tubuar edhe të premten disa qytetarë serbë, për të shprehur, siç kanë thënë, presionin në rritje ndaj komunitetit të tyre.
Para të tubuarve, siç raporton Rel, përfaqësuesi i serbëve të Mitrovicës, Krstimir Pantic, ka shprehur kundërshtimin e fuqishëm ndaj institucioneve të Kosovës.
“Nëse flasim për ndonjë institucion, ajo është administrata e UNMIK-ut, që është formuar në bazë të marrëveshjes së qeverisë së atëhershme dhe presidentit të atëhershëm të Jugosllavisë, zotit Vojisllav Koshtunica”, ka thënë Pantic.
Ai ka përmendur sërish njërin nga shkaqet e organizimit të protestës, që është arrestimi i Jovica Milkovicit, duke thënë se nëse ky i fundit nuk lirohet deri të hënën, serbët do të marrin “hapa më radikalë”.
Milkovic është arrestuar ditë më parë nën dyshimin se ka marrë pjesë në një grup që ka dëmtuar pasurinë e luajtshme të policisë së Kosovës dhe ka penguar në ushtrimin e detyrës zyrtare.
Serbët kanë paralajmëruar protesta të përditshme në veri. 

Vlerësohet lartë vepra e Xheladin Gashit-komandant Plakut

Xheladin Gashi-komandant Plaku mbi interesant personale vuri interesin kombëtar e shtetëror, pasi që ai një jetë të tërë mendojë, jetojë dhe veprojë për të mirën e Kosovës. Kurse, kur e shpalosëm bustin e komandant Plakut kuptojmë edhe më mirë përmasat e personalitetit të Xheladin Gashit dhe të gjithë atyre që kontribuuan për lirinë e Kosovës, u shpreh kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.
Thaçi kështu deklaroi me rastin e zbulimit të bustit të njërit ndër themeluesit e UÇK-së, Xheladin Gashi-Komandant Plaku në oborrin e Shkollës Fillore në Komoran.
“Xheladin Gashi, shtatë vjet më parë, u nda nga jeta, në kulmin e energjive për të bërë institucione efikase dhe funksionale në shërbim të shtetit të ri të Kosovës. Ai mbeti besnik i parimit të njeriut idealist që mbi interesin individual dhe interesin kombëtar e shtetëror. Komandant Plaku një jetë të tërë mendojë, jetojë dhe veprojë për të mirën e Kosovës. Sot kur e shpalosëm bustin e komandant Plakut kuptojmë edhe më mirë përmasat e personalitetit të Xheladin Gashit dhe të gjithë atyre që kontribuan për lirinë e Kosovës. Xheladin Gashi ka hyrë në panteonin e shenjët të historisë moderne të Kosovës. Çdo vit që kalon thellon dhe e bënë edhe më të shkëlqyeshme luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës", ka thënë kryeministri Thaçi.
Sipas, tij Kosova është në rrugë të sigurt ashtu siç e dëshiruan ata që dhanë gjithçka nga vetja e tyre, shtet i lirë dhe demokratik, shtet i orientuar drejt integrimeve euro atlantike dhe i përkrahur nga shtetet e demokracive më të fuqishme të botës.
Ndërkaq, gjeneral Kudusi Lama ka thënë se derisa vitet kalojnë figura e Xheladin Gashit rritet dhe ndriçohet më shumë sepse ai në jetën e tij e ndërtojë një vepër të madhe, e cila në historinë e Kosovës ka një vend të merituar sepse në gjithë jetën tonë në vazhdimësi do të jetë mesazh force, mesazh uniteti, qetësie, krenarie dhe sigurie.
“Unë sot jam profesor universiteti. Duke qenë i tillë, kam fatin të takojë mjaft prej nxënësve të Xheladin Gashit. Të gjithë ata thonë se Xheladin Gashin e kemi pasur mësues historie dhe pastaj shtojnë, realisht ishte profesor biologjie por historinë kombëtare e kemi mësuar prej tij. Besojë që mjafton kjo për të kuptuar se në çdo kohë nuk bënte vetëm një punë por njëkohësisht bënte shumë punë njëherësh. Unë e njoha Plakun në luftë, sepse ai ishte njëri nga luftëtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës", ka thënë Lama.
Kurse, Ali Ahmeti ka pohuar se nuk është rastësisht në Komoran, sepse as Xheladin Gashi, në vitin 2001, nuk ishte rastësisht pranë Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Malësi të Tetovës.
“Me Xheladin Gashin nuk jemi takuar rastësisht në kafene apo në ndonjë aheng, por jemi takuar në malet e Berishës, bashkë me Afrim Zhitin, Fadil Vatën me çka shtrohej platforma se si do i dalim zot vendit, se si do ta shndërrojmë porosinë e Rexhep Malës e Nuhi Berishës, ato porosi t'i zbatojmë në praktikë, mu aty ku u vendosë Shtabi i Përgjithshëm në Divlak, në shtëpinë e Xha Nezës e vëllezërve të tij. Aty u hartua platforma e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bashkë me Afrim Zhitin, Fadil Vatën dhe veprimtarë të tjerë”, ka thënë Ahmeti.
Duke kujtuar dhe vlerësuar lartë veprën e komandant Plakut, të pranishmëve me nga një fjalë rasti u është drejtuar edhe veprimtari Adem Demaçi, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UCK-së, kryetari i Komunës së Drenasit, Nexhat Demaku, drejtori i Shkollës Fillore, Ruzhdi Orana. Kurse, në emër të familjes, të pranishmit i përshëndetur djali i Komandant Plakut, Arsim Gashi. 

Rekomandimet (nuk) e kushtëzojnë dialogun?

Mocioni i Kuvendit të Kosovës, me të cilin i rekomandohet qeverisë që ta kushtëzojë vazhdimin e bisedimeve me Serbinë me zbardhjen e fatit të personave të pagjetur të luftës, mund të mos jetë pengesë për qeverinë që ta vazhdojë dialogun me Beogradin.
Duke iu referuar fjalorit të shprehjeve parlamentare e ligjore, ku sqarohet fjala rekomandim sipas standardeve të BE-së, kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi thotë se mocioni i datës 10 maj për të pagjeturit, lidhur me vazhdimin e dialogut me Serbinë, ka nxjerrë si rezultat rekomandime të cilat nuk janë akte të obligueshme juridike për qeverinë.
“Ne në seancë kemi miratuar rekomandimet dhe rekomandimet nuk e kanë fuqinë ligjore. Vetëm një mocion është detyrues për qeverinë”, ka interpretuar këtë mocion kryetari Krasniqi.
Mirëpo, këto deklarata të Krasniqit, të bëra në seancën e të enjtes, kanë nxitur reagimin e opozitës. Sipas partive opozitare, të gjitha vendimet e kuvendit janë obliguese për qeverinë.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, thotë se çdo vendim i Kuvendit duhet të respektohet nga qeveria.
“Pse atëherë të bëhen kur nuk qenkan obligative”, ka thënë Beqiri për Radio Evropa e Lirë.
Ndërkohë, nënkryetari i Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, thotë se kryeparlamentari ka bërë kësaj radhe një interpretim nga vizioni politik i PDK-së, dhe jo nga vizioni i kreut të Kuvendit.
Deklaratat e fundit të Krasniqit për obligueshmërinë e rekomandimeve të mocionit për të pagjeturit, nga nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmeti Isufi, shihen si tentativë për manipulimin e opinionit publik.
“Këtu po bëhen lojëra fjalësh dhe po ashtu qeveria po iu ik obligimeve që i ka para Parlamentit të Republikës së Kosovës. Ju e dini që ka pas edhe hedhje të rezolutave poshtë”, ka vlerësuar Isufi.
Ngjashëm me kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, edhe shefi i ICO-së në Kosovë, Pieter Feith, këtë javë ka deklaruar se rekomandimet nuk janë të obligueshme për qeverinë. Kurse, një pozicion i ri në raport me bisedimet Kosovë-Serbi, mund të paraqes deklarata e fundit e kryeministrit Hashim Thaçi, se bisedimet mund të vazhdojnë vetëm pasi që Serbia t’i respektojë dhe zbatojë marrëveshjet e arritura deri më tani.
Sidoqoftë, zyrtarët e BE-së që ndërmjetësojnë në këtë dialog kanë deklaruar se bisedimet nuk mund të vazhdojnë përderisa të mos përmbyllet procesi zgjedhor në Serbi që nënkupton edhe formimin e institucioneve, sidomos të qeverisë së re atje. 

VV nuk mbështet asnjërin kandidat për kryetar të Ferizajt

Lëvizja Vetëvendosje njoftoi të premten se nuk do të mbështesë asnjërin nga kandidatët për kryetar të komunës së Ferizajt.
Në komunën e Ferizajt të dielën do të zhvillohet balotazhi për zgjedhjen e kryetarit të komunës, ndërsa në garë janë Agim Aliu nga PDK dhe Adem Salihaj nga LDK.
“Në këtë garë politike marrin pjesë kandidatët e dy partive politike të cilat kanë pas rastin, secila veç e veç, pastaj edhe së bashku përmes koalicionit, të tregojnë se si qeverisin. Kjo mënyrë e qeverisjes së të dy partive ndryshon në nuanca dhe intensitet të qeverisjes së keqe por jo shumë në përmbajtje”, vlerëson Vetëvendosje.
Sipas tyre, Partia Demokratike e Kosovës, partia në pushtet, është shembulli më tipik se si nuk duhet të jetë pushteti, ndërkaq Lidhja Demokratike nuk është subjekti politik i cili mund të bëjë ndryshime në Kosovë.
“Lëvizja Vetëvendosje angazhohet për një koncept politik që dallon rrënjësisht nga konceptet e subjekteve tjera politike, për një koncept që ka për qëllim kryesorë ndërtimin e shtetit, të sovranitetit ekonomik, politik dhe territorial, të rritjes së mirëqenies së qytetarëve dhe të zhvillimit ekonomik”, thuhet në kumtesën e Vetëvendosjes. /Telegrafi/

UNMIK-u mbyll zyrën në Mitrovicë brenda dy javësh

Administrata e vendosur nga UNMIK-u, që ka menaxhuar veriun e Mitrovicës nga vitit 2002, pritet që të mbyllet brenda dy javësh. Qeveria e Kosovës e ka njoftuar shefin e UNMIK-ut, Farid Zaarif, se Zyra Administrative e veriut të Mitrovicës do të funksionalizohet brenda dy javësh, dhe se deri atëherë shtetet mbështetëse të pavarësisë dhe Qeveria e Kosovës presin që UNMIK-u t`i transferojë të gjitha dokumentet, të dhënat dhe materialet tjera te Zyra e krijuar nga Qeveria.
Ministria e Administratës dhe e Pushtetit Lokal, merr vesh “Koha Ditore”, ka hapur konkursin nga i cili do të pranohen 55 të punësuarit në administratën e vendosur të Qeverisë së Kosovës, që do të funksionojë si komunë e re për veriun e Mitrovicës, por do të mbajë emrin Zyrë Administrative.
Veprimi i hapjes së Zyrës, sipas burimeve të gazetës, është bërë nga Qeveria e Kosovës dhe ICO-ja, në koordinim me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë dhe ambasadat tjera.
Sipas burimeve të gazetës, në proces kanë marrë pjesë edhe KFOR-i dhe EULEX-i, të cilët pos tjerash do të bëjnë sigurimin e transferimit të materialeve nga UAM te ZAMV.
UNMIK-u nuk ka dashur që t`i komentojë këto zhvillime.
“Është shumë herët që të përgjigjemi në këto pyetje. UNMIK-u pret diskutime të mëtutjeshme me autoritetet e Kosovës dhe faktorët e tjerë”, ka thënë zëdhënësi i UNMIK-ut, Olivier Salgado, i pyetur nëse UNMIK-u do të mbyllë UAM-in dhe do të transferojë dokumentet te Zyra e krijuar nga Qeveria.
Të gjitha zyrtarët vendës që punojnë në administratën e UNMIK në veri të Mitrovicës (UAM) do të kenë të drejtë të konkurrojnë në pozitat relevante, përveç atyre që Qeveria e Kosovës ka informacion se punojnë edhe në komunën paralele të Serbisë në veri të Mitrovicës.
“Koha Ditore” ka raportuar javë më parë se të paktën 8 zyrtarë të UNMIK-ut që operojnë në veri të Mitrovicës punojnë edhe në komunën paralele të Serbisë. Dragan Spasojeviq, drejtor i Urbanizmit në Administratën e UNMIK-ut në veri të Mitrovicës (UAM), ka të njëjtën pozitë edhe në komunën ilegale të Serbisë. Edhe Borivoje Djuric, merr dy rroga dhe ka dy pozita të ngjashme të në dy mekanizmat. Në të dyja ai është drejtor për financa dhe ekonomi. Njëjtë vepron edhe drejtori tjetër, Momcilo Barovic.
Pesë drejtorët tjerë të UAM-it, Katas Scekic, Zoran Bratic, Bilana Petrovic, Zoran Smikic, janë drejtorë në UAM, por kanë funksione edhe në kuadër të komunës paralele të Serbisë në veri të Mitrovicës.
Të dhënat për zyrtarët që paguhen edhe nga buxheti i Kosovës nëpërmjet UAM-it, edhe nga buxheti i Serbisë nëpërmjet komunës paralele, i di Qeveria e Kosovës dhe ICO-ja. Zyra Civile, Quinti dhe Qeveria, disa herë e kanë ngritur këtë çështje me zyrtarët e UNMIK-ut, por shefi i misionit të OKB-së të mbetur në Kosovë, dhe zyrtarët e tjerë nuk kanë vepruar. 

VV: E drejta për dinjitet, e drejta për pensione!

Lëvizja Vetëvendosje e mbështetë protestën e organizuar nga Sindikata e Pavarur e Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës të Kosovës.
“Pensionet janë një e drejtë dhe si të tilla ato nuk duhen të trajtohen si benefite sociale, por si e drejtë që i garantohet çdo pensionisti”, thuhet në një kumtesë të VV-së.

“Sistemi pensional i ndërtuar për këto 12 vite ka bërë një prerje të menjëhershme prej sistemit të solidaritetit në atë të vetëfinancimit, duke i anashkaluar tërësisht pensionistët në mënyrën më të padrejtë të mundshme dhe duke i vendosur të njëjtit në kategorinë e rasteve sociale. Pra, ata që ndërtuan Kosovën me kontribute për vite me radhë, ata që duhet të gëzojnë këtë të drejtë universale, tani më trajtohen sikurse nuk duhet gëzuar këtë të drejtë dhe sikurse nuk kanë kontribuar fare”.

Lëvizja Vetëvendosje rithekson përkrahjen për katër kërkesat e Sindikatës së Pavarur të Pensionistëve dhe Invalidëve të Punës të Kosovës, si në vijim:

1. Ligjin pensional dhe invalidor, i cili rregullon dhe siguron statusin e pensionistëve dhe të invalidëve të punës, në bazë të punës dhe kontributeve të paguara (me mesatare prej 60 për qind nga mesatarja e
pagave)

2. Të mos aprovohet draft-ligji diskriminues i aprovuar nga qeveria me 21 dhjetor 2011.

3. Të sigurohen subvencione apo lehtësime në shpenzimet komunale, të shërbimeve shëndetësore, transportit urban dhe të energjisë elektrike.

4. Të identifikohen dhe te kthehet prona e paluajtshme e pensionistëve dhe e invalidëve të punës.

“Lëvizja Vetëvendosje thekson se çdo vonesë në ndërtimin e një sistemi të mirëfilltë pensional, i cili përfill nevojat e pensionistëve ekzistues, nevojat e kontributdhënësve ekzistues, por edhe nevojat e ekonomisë së vendit, do jenë detrimentale për Kosovën dhe kohezicionin shoqëror”, thuhet në fund të kumtesës.

Pack: Çështja e sportit të futet në dialog

Duke folur për Radio Dukagjinin , eruoparlamentarja gjermane, Doris Pack, ka shprehur keqardhje të thellë që xhudistes kosovare Majlinda Kelmendi nuk i është lejuar ta përfaqësoj Kosovën në lojërat olimpike.
Sipas saj, kjo çështje duhet të adresohet në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kosova ka emrin e vetë dhe askush nuk mund ta quaj ndryshe”, ka thënë europarlamentarja Doris Pack, e cila ka potencuar se për këtë çështje duhet angazhimi i të gjithë faktorëve.

Kosova dhe “testi evropian” i Serbisë

Deputet evropianë të afërt me qendrat e pushtetit politik në Bruksel dhe Berlin, nuk janë të kënaqur me zgjedhjen e Tomislav Nikolicit për kryetar të Serbisë, por nuk e mënjanojnë mundësinë se si “pragmatik” ai mund të “luajë” lojë më të mirë se Boris Tadici rreth Kosovës dhe Rusisë.
Tash për tash atë e pret “testi evropian” me të cilin duhet të dëshmojë se fjalët janë si vepra, pas të cilave Partia e tij Përparimtare mund të dalë edhe nga izolimi ndërkombëtar ku gjendet momentalisht.
“ Mendoj se shumë prej nesh nuk jemi të lumtur që ai ka fituar, por ai thotë se ka ndryshuar, se angazhohet për BE. Ai tash është në pushtet dhe ne do të shohim se si e udhëheqë integrimin e Serbisë. Pra, si i përmbushë kushtet për fillimin e negociatave të anëtarësimit, cilat vlera i përfaqëson, se si sillet në raport me Kosovën, si i sheh raportet me fqinjët dhe çfarë ndikimi ka në regjion”, thotë Elmar Brok, kryetar i Këshillit për politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian dhe anëtar me ndikim i Partisë Demokristiane të Gjermanisë (CDU), i afërt me qarqet e qeverisë së udhëhequr nga Angela Merkel.
Brok vë në dukje se "testi", pra kushtet për anëtarësim evropian, përfshijnë edhe situatën e brendshme, me theks të veçantë korrupsionin dhe kriminalitetin.
“Një nga çështjet e brendshme është pushteti i oligarkëve. Ndonjëherë fitohet përshtypja se janë ata që drejtojnë shtetin. Do të shohim. Serbia është shtet i rëndësishëm që ka perspektivë. Të shohim se si do të duket qeveria e tyre e re”, thotë Brok për "Vesti", të cilit i ka lënë përshtypje deklarata e Nikolicit se Gjermania është partneri më i rëndësishëm i Serbisë.
“Ndoshta shpejtë do të mundësohet edhe një takim me kancelarin Angela Merkel”.
I pyetur nëse pret që Nikolici ta vazhdojë orientimin e Tadicit ndaj Kosovës, ai thotë se Tadici ka bërë përparime të mëdha në raport me Kosovën.
“Mendoj se politikanët pragmatikë, sidomos ata konservatorë, ndonjëherë mund të bëjnë më shumë”, deklaron Brok.