Po e vëzhgojmë Nikolicin!

Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të analizojnë se çfarë do të thotë fitorja e Tomislav Nikolicit në Serbi për Kosovën dhe rajonin, por në të njëjtën kohë mirëpresin angazhimin e tij për të ardhmen evropiane të vendit.
Kështu ka deklaruar ndihmësi i sekretares amerikane të Shtetit, Philip Gordon, në konferencën vjetore të Qendrës për SHBA-në dhe Evropën, në Washington, raporton Radio Evropa e Lirë.

“Edhe pse vazhdojmë të analizojmë se çfarë do të thotë zgjedhja e Tomislav Nikolicit për Kosovën dhe rajonin e gjerë, ne përshëndesim angazhimin e tij të shprehur për të ardhmen evropiane të Serbisë dhe i bëjmë thirrje që të punojë në mënyrë konstruktive me qeverinë e re, për arritjen e këtij qëllimi”, ka thënë Gordon.

Ai ka theksuar se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre në Evropë duhet të bashkëpunojnë me udhëheqësit e vendeve të rajonit rreth ideve të reja për zgjidhjen e sfidave në veri të Kosovës.

“Stabiliteti dhe zhvillimi i Ballkanit Perëndimor do të varet nga ajo nëse shtetet e këtij rajoni realizojnë reformat e nevojshme për euro-integrime”, ka thënë Gordon.