Në veri të Mitrovicës janë tubuar edhe të premten disa qytetarë serbë, për të shprehur, siç kanë thënë, presionin në rritje ndaj komunitetit të tyre.
Para të tubuarve, siç raporton Rel, përfaqësuesi i serbëve të Mitrovicës, Krstimir Pantic, ka shprehur kundërshtimin e fuqishëm ndaj institucioneve të Kosovës.
“Nëse flasim për ndonjë institucion, ajo është administrata e UNMIK-ut, që është formuar në bazë të marrëveshjes së qeverisë së atëhershme dhe presidentit të atëhershëm të Jugosllavisë, zotit Vojisllav Koshtunica”, ka thënë Pantic.
Ai ka përmendur sërish njërin nga shkaqet e organizimit të protestës, që është arrestimi i Jovica Milkovicit, duke thënë se nëse ky i fundit nuk lirohet deri të hënën, serbët do të marrin “hapa më radikalë”.
Milkovic është arrestuar ditë më parë nën dyshimin se ka marrë pjesë në një grup që ka dëmtuar pasurinë e luajtshme të policisë së Kosovës dhe ka penguar në ushtrimin e detyrës zyrtare.
Serbët kanë paralajmëruar protesta të përditshme në veri.