Dukagjini WTC, me standarde ndërkombëtare në Kosovë

Kompleksi banesor “Dukagjini” – WTC, në Prishtinë sipas drejtuesve të Asociacionit të Planerëve të Kosovës është një shembull se si duhet aplikuar standardet më të larta ndërkombëtare në fushën e ndërtimit edhe në vendin tonë.

Në vazhdën e aktiviteteve të manifestimit të “Muajit të ndërtimeve të sigurta 2012″ organizuar nga Asociacioni i Planerëve të Kosovës, drejtues të këtij asociacioni, profesorë dhe studentë të Fakultetit të Arkitekturës të Universitetit të Prishtinës, kanë vizituar punishten e kompleksit banesorë “Dukagjini” – WTC, në Prishtinë. Kryetarja e Asociacionit, Nixharije Buçinca, tha se e kanë zgjedhur të vizitojnë pikërisht punishten e “Dukagjini” – WTC, në Prishtinë, pasi që sipas saj është shembulli më i mirë dhe i vetmi në vend për t`ua sqaruar studentëve dhe për të sensibilizuar opinionin dhe bizneset ndërtuese, se si punohet dhe si duhet të aplikohen standardet më të larta ndërkombëtare të ndërtimtarisë.“Këtë aktivitet e kemi në vazhdën e aktiviteteve tjera të cilat i kemi organizuar pikërishtë për manifestimin e muajit të ndërtimeve të sigurta, muaj ky i cili po manifestohet për herë të parë në Kosovë”, tha ajo.
Buçinca tha se në punishten “Dukagjini” – WTC” i është dhënë një rëndësi e veçantë aspektit të sigurisë në punë, dhe se çdo moment punëtorët janë të pajisur me të gjitha elementet e nevojshme teknike, prandaj ajo kërkoj që kudo nëpër kantieret e ndërtimeve të respektohen standartet e tilla të sigurisë në ndërtim. “Punohet pikërisht me standarde, punohet me rregulaltivë teknike, edhe unë çdo ditë e shoh, sepse kaloj këtu dhe e shoh se punëtoret janë të përgatitur dhe punojnë me kushte shumë të mira”, tha Buçinca.
Ndërkaq, anëtarja e Asociacionit të Planerëve të Kosovës, Aida Dobruna, tha se ky projekt ka marrë licencën nga Asociacioni World Trade Center nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Asociacion ky i cili sipas Dobrunës inkurajon rrjetin e Qendrave Tregtare Botërore, si dhe promovon zhvillim përmes tregtisë dhe investimeve. Ajo tha se objekti është i hartuar sipas standardeve më të larta ndërkombëtare në fushën e ndërtimtarisë.“E gjithë sipërfaqja e këtij objekti është rreth 100 mijë metra katrorë, ku garazha bën pjesë me 30 mijë metra katorë, qendra tregtare me 25 mijë, kulla administrative i ka 14 mijë metra katrorë dhe ndërtesa banesore rreth 30 mijë metra katrorë. Është me rëndësi të ceket se mbi 20 për qind e gjithë parcelës do të jetë gjelbërim”, tha Dobruna.
Ndryshe muaji i sigurisë në ndërtim ka filluar për herë të parë në Amerikë, që nga viti 1980 e deri më sot, ndërsa në Kosovë ky muaj shënohet për herë të parë këtë vit.