Rekomandimet (nuk) e kushtëzojnë dialogun?

Mocioni i Kuvendit të Kosovës, me të cilin i rekomandohet qeverisë që ta kushtëzojë vazhdimin e bisedimeve me Serbinë me zbardhjen e fatit të personave të pagjetur të luftës, mund të mos jetë pengesë për qeverinë që ta vazhdojë dialogun me Beogradin.

Duke iu referuar fjalorit të shprehjeve parlamentare e ligjore, ku sqarohet fjala rekomandim sipas standardeve të BE-së, kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi thotë se mocioni i datës 10 maj për të pagjeturit, lidhur me vazhdimin e dialogut me Serbinë, ka nxjerrë si rezultat rekomandime të cilat nuk janë akte të obligueshme juridike për qeverinë.
“Ne në seancë kemi miratuar rekomandimet dhe rekomandimet nuk e kanë fuqinë ligjore. Vetëm një mocion është detyrues për qeverinë”, ka interpretuar këtë mocion kryetari Krasniqi.
Mirëpo, këto deklarata të Krasniqit, të bëra në seancën e të enjtes, kanë nxitur reagimin e opozitës. Sipas partive opozitare, të gjitha vendimet e kuvendit janë obliguese për qeverinë.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, thotë se çdo vendim i Kuvendit duhet të respektohet nga qeveria.
“Pse atëherë të bëhen kur nuk qenkan obligative”, ka thënë Beqiri për Radio Evropa e Lirë.
Ndërkohë, nënkryetari i Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, thotë se kryeparlamentari ka bërë kësaj radhe një interpretim nga vizioni politik i PDK-së, dhe jo nga vizioni i kreut të Kuvendit.
Deklaratat e fundit të Krasniqit për obligueshmërinë e rekomandimeve të mocionit për të pagjeturit, nga nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmeti Isufi, shihen si tentativë për manipulimin e opinionit publik.
“Këtu po bëhen lojëra fjalësh dhe po ashtu qeveria po iu ik obligimeve që i ka para Parlamentit të Republikës së Kosovës. Ju e dini që ka pas edhe hedhje të rezolutave poshtë”, ka vlerësuar Isufi.
Ngjashëm me kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, edhe shefi i ICO-së në Kosovë, Pieter Feith, këtë javë ka deklaruar se rekomandimet nuk janë të obligueshme për qeverinë. Kurse, një pozicion i ri në raport me bisedimet Kosovë-Serbi, mund të paraqes deklarata e fundit e kryeministrit Hashim Thaçi, se bisedimet mund të vazhdojnë vetëm pasi që Serbia t’i respektojë dhe zbatojë marrëveshjet e arritura deri më tani.
Sidoqoftë, zyrtarët e BE-së që ndërmjetësojnë në këtë dialog kanë deklaruar se bisedimet nuk mund të vazhdojnë përderisa të mos përmbyllet procesi zgjedhor në Serbi që nënkupton edhe formimin e institucioneve, sidomos të qeverisë së re atje.