Facebook do të blejë WhatsApp?

Një raport i publikuar gjatë fundjavës deklaroi se Facebook është në bisedime për të blerë aplikacionin e famshëm - WhatsApp. Në gusht të këtij viti, WhatsApp ka raportuar se ka arritur të dërgojë më shumë se 10 miliardë mesazhe në ditë, gjë që e bën kompaninë interesante për tu blerë nga një gjigant i teknologjisë siç është sot Facebook. Sot, WhatsApp është aplikacioni numër 1 në 114 vende të botës, dhe njëri ndër pesë aplikacionet kryesore në 145 vende. Operatori mobil holandez, KPN kishte përmendur WhatsApp si një nga arsyet e rënies së trafikut të SMS-ve në fillim të vitit 2011. Që atëherë, vëllimet e SMS-ve në shumë vende të botës janë në rënie. Rënia vjetore e vëllimit të SMS-ve në Spanjë ka arritur në 25 për qind verën e kaluar.

Ekongrohja e dobishme

Për ecurinë e deritashme të Projektit të Kogjenerimit, të hënën ka folur gjatë një konference për media kryeshefi ekzekutiv i Termokos-it Arsim Janova. Janova duke sjellë detaje të këtij projekti kapital për konsumatorët e “Termokosit”, kryeshefi Janova ka folur për dobësitë e prodhimit aktual të ngrohjes qendrore nëpërmes shfrytëzimit të mazutit si lëndë djegëse, çmimi i lartë i të cilit ia pamundëson “Termokosit”, që të ofrojë ngrohje përgjatë tërë sezonës. “Projekti ka për qëllim rehabilitimin e sistemit të ngrohjes qendrore të Prishtinës, në mënyrë që të shërbejë konsumatorët me ngrohje të qëndrueshme, efikasitet të lartë dhe t’iu ofrojë ambient ekologjikisht më të mirë”, tha Janova. Ndërkaq, Rene Eschemann, drejtor i Zyrës regjionale të Bankës Gjermane për Zhvillim (KFW) për Kosovë dhe Shqipëri, shprehu kënaqësinë e tij që në ditën kur kanë filluar reshjet e borës “Termokosi” është duke ofruar ngrohje për një pjesë të qytetit. Ai rikujtoi, që qëllimi i realizimit të këtij projekti është që pas përfundimit të tij “Termokos” të jetë në gjendje, që të ofrojë ngrohje të mjaftueshme. Eschemann u shpreh optimist se projekti do të përfundojë me kohë.

IPKO shpërblen konsumatorët e vet

Dhjetori i këtij viti do të jetë shumë më i pasur për të gjithë konsumatorët e telefonisë mobile IPKO të cilët do të shpërblehen me dhurata të shumta, për festat e fundvitit. Të gjithë konsumatorët e telefonisë mobile IPKO të cilët blejnë mbushje në vlera prej 3 deri në 100 euro do të kenë mundësi që menjëherë të fitojnë dhurata të vlefshme si; minuta, SMS, MB, pako të internetit apo televizionit, iPhone 4S, Samsung Galaxy S3, iPad, laptop, TV dhe shumë më shumë se kaq. “Edhe këtë vit, IPKO do t’i shpërblejë konsumatorët e saj me shpërblime atraktive, për t’i dhënë më shumë kuptim festave të fundvitit, me më shumë komunikim dhe më shumë dhurata të vlefshme” tha Robert Erzin, drejtor ekzekutiv në IPKO. Sa më e madhe që është vlera e rimbushjes së telefonit mobil, aq më i madh do të jetë edhe shpërblimi i marrë nga IPKO. Oferta me shpërblime është e vlefshme vetëm gjatë muajit dhjetor. Përveç përgjegjësisë dhe kontributit pozitiv që e jep në shoqëri, IPKO njihet edhe si operatori i parë mobil, sa i përket kujdesit konsumatorë, çmimeve të volitshme, kualitetit të shërbimeve, stabilitetit dhe mbulueshmërisë së rrjetit të telefonisë mobile në Kosovë.

Samiti i të rinjve në Prishtinë

Samiti i të rinjve në Prishtinë, nga 14 dhjetori deri me 16 dhjetor do t´i mbledh rreth 150 të rinj të cilët janë shoqëro-politikish aktiv, të cilët janë mbrojtës të të Drejtave të Njeriut nga vendet e Ballkanit Përendimor, nga Bashkimi Evropian dhe nga territoret (post) konfliktuoze nga e tërë bota, sikur dhe përfaqësuesit dhe përfaqësueset e institucioneve shtetërore nga rajoni dhe Unioni Evropian. Samitin e organizon Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR). Samiti do të jetë një mundësi për t´u dëgjuar zërat dhe për t´u shkëmbyer mendimet e të rinjve nga Ballkani Perëndimor mbi zgjedhimin e problemeve të cilat i konsiderojnë të rëndësishme për të ardhmen e rajonit, por t´i shkëmbejnë edhe përvojat dhe njohuritë e aktivistëve demokratë nga Izraeli, Palestina, Tunizia, Libia, Venezuela, Egjipti, Liberia të cilat mund të jenë të rëndësishme për Ballkanin Perëndimor. Disa nga temat e diskutimit do të jenë marrëdhënia e shoqërive dhe e shteteve ndaj trashëgimisë e të shkuarës luftarake ndaj Drejtave të Njeriut dhe ndaj valës së re të nacionalizmit te të rinjtë. Në fokus do të jenë edhe pasojat e konflikteve në territorin e ish - RFJ, problemet e shqiptarëve të rinj në Serbi, dhe të s
erbëve në Kosovë, konfliktet e ngrira, jeta në qytete të ndara, sikur dhe bashkëpunimi i aktivistëve të rinj në rajon dhe në një nivel global. Pjesëmarrësit e Samitit do të diskutojnë në panele dhe në grupe të vogla pune të cilat do ta mundësojnë një debat më intensiv. Samiti është i ndarë në tri tërësi tematike: Kosova-Serbia, bashkëpunimi rajonal dhe perspektiva globale. Qëllimi i Samitit është themelimi i një platforme për bashkëpunim të aktivistëve të rinj dhe aktivisteve të reja nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për komunikimin e tyre me zyrtarët e BE-së. Në Samit do të jetë e formuluar edhe strategjia për themelimin e rrjetit global nga teritoret (post) konfliktuoze. Ideja themëlore dhe vlera të cilat do t´i mbledhin pjesëmarrësit dhe pjesëmarrëset e Samitit është luftimi kundër nacionalizimit që është duke u krijuar tek të rinjtë nga vendet e ish - RFJ-së, por edhe në nivelin global.

Gërxhaliu: Barrierat, pengesë për zhvillimin e sektorit privat

Në vazhdën e takimeve me institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës, Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu u takua me Ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj. Takimi u zhvillua në frymë të bashkëpunimit reciprok në trajtimin e çështjeve më vitale për zhvillimin ekonomik të vendit, sidomos në fushën e krijimit të lehtësirave për sektorin privat, si gjenerues i vetëm i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe rritjes të punësimit. Ministri Besim Beqaj prezantoi objektivat zhvillimore të Qeverisë të Republikës të Kosovës, në raport me përkrahjen dhe krijimin e kushteve për rritjen e sektorit privat, sidomos përmes reformave strukturore dhe rritjes së investimeve publike në sektorë vital për zhvillimin ekonomik të vendit si: Infrastruktura dhe Energjia. Po ashtu ofroi edhe përkrahjen e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik për trajtimin dhe gjetjen e zgjidhjeve për shumicën e problemeve akute që pengojnë në përmbushjen e agjendës zhvillimore.
Në anën tjetër Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, prezantoi aktivitetin e Odës Ekonomike të Kosovës, që është në përputhje të plotë me kërkesat dhe propozimet e të gjithë anëtarëve të komunitetit të biznesit në Republikën e Kosovës si dhe investitorëve të huaj që aktualisht veprojnë në Republikën e Kosovës dhe atyre potencial. Gërxhaliu paraqiti një varg çështjesh dhe propozimesh të anëtarëve të ndryshëm të Odës Ekonomike të Kosovës, që janë paraqitur përmes shoqatave të ndryshme sektoriale të cilat në të njëjtën kohë janë edhe ndër kontribuuesit kryesor në zhvillimin ekonomik të vendit, përmes kontributit direkt në buxhetin e Kosovës dhe punësimin e qëndrueshëm. Në mesin e çështjeve të diskutuara ishte edhe raporti me Investitorët e huaj që përkundër promovimeve të vazhdueshme të mundësive për investime, ende po hasin në barriera të llojit administrativ.

Rreth 2 milionë euro për misër dhe kafshë të imta

Ministria e Bujqësisë ka ekzekutuar pagesa direkte në vlerë prej 1.948.180 euro për sipërfaqet e mbjella me misër, lulediell dhe për kafshët e imëta. Nga këto nënmasa kanë përfituar gjithsej 1237 blegtorë me 120510 krerë dele në vlerë prej 1,205.100 euro, 184 blegtorë me gjithsej 9391 krerë dhi në vlerë prej 93910 euro, 29 kultivues të lulediellit me një sipërfaqe prej 737.11 hektarë në vlerë prej 73711 euro dhe 2209 kultivues të misrit me një sipërfaqe prej 5754.59 hektarë, në vlerë prej 575.459 euro. Zëdhënësi i kësaj ministrie, Adil Behramaj, tha se sivjet procesi i granteve investive dhe subvencioneve ka zgjatur më shumë për shkak të trefishimit të numrit të aplikuesve dhe shtimit të nënmasave të reja në programin vjetor. “Ky proces, ashtu siç përfundon në të gjitha vendet e rajonit brenda vitit, përfundon edhe tek ne, mirëpo për dallim prej tyre, ne sapo kemi krijuar strukturat e nevojshme për implementim dhe monitorim, sepse dihet që deri në këto vitet e fundit nuk është përkrahur ky sektor, ndërsa shtetet tjera përveçse kanë sisteme të avancuara implementuese dhe monitoruese, kanë edhe kapacitete institucionale shumë më të fuqishme”, the Behramaj. Ai ka treguar se në proces të ekzekutimit janë edhe grantet investive për projektet e zhvillimit rural. Të gjithë blegtorët që kanë aplikuar për të përfituar subvencione është dashur të kenë minimum 30 deri në 500 krerë dele dhe 20 deri në 500 krerë dhi, ndërsa kultivuesit e misrit dhe lulediellit për të përfituar nga nënmasa e tyre mbështetëse është dashur të kenë më së paku 1 hektarë të mbjellë me misër dhe lulediell.

Kosova e Arabia lidhen me linjë fluturimesh

Javën e kaluar është realizua fluturimi i parë në historinë e Kosovës në mes Emirateve të Bashkuara Arabe(EBA) dhe Kosovës. Ky fluturim u realizua me sukses pas negociatave në mes Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe të përfaqësuara nga Autoriteti Gjeneral i Aviacionit Civil duke nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi dhe inicuar Marrëveshjen për Shërbime Ajrore me Qeverinë e Republikës së Kosovës në Prishtinë më 17 shtator. Marrëveshja ishte inicuar nga H.E Saif Mohammed AL SUWAIDI, Drejtor Gjerneral i Autoritetit Gjeneral të Aviacionit Civil të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Driton Gjonbalaj, Drejtor Gjeneral i Autoritetit të Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës. Përfaqësues nga Departamenti i Transportit të Abu Dhabi, Autoriteti i Aviacionit Civil të Dubait, Departamenti i Aviacionit Civil të Sharjah, Etihad Airways dhe Emirates Airline kanë marrë pjesë në negociata. H.E. Al Suwaidi theksoi rëndësinë e marrëveshjeve të hapësirave ajrore sikur kjo e nënshkruar me Republikën e Kosovës e cila do të kontribuojë për të avancuar tregtinë, turizmin dhe investimet në mes EBA-së dhe Republikës së Kosovës, duke pasur parasysh që tani Transportuesit e Emëruar të EBA dhe të Republikës së Kosovës do të operojnë me fluturime direkte në mes të dy shteteve. Dritan Gjonbalaj , Drejtor Gjeneral i Autoritetit të Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës tha: ‚Fluturimi inagurues i Air Arabia për Prishtinë shënon një moment të rëndësishëm në rritjen e vazhdueshme të marrëdhënieve në mes Republikës së Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Si njëri ndër transportuesit e parë të EBA-së për të fluturuar në Kosovë ,Air Arabia është kryesues në trendin e rëndësishëm me shërbime të udhëtarëve dhe të qarkullimit të mallrave në mes të dy shteteve që vetëm se do të rritet në vitet në vijim. “Që kur kemi filluar operimet nëntë vite më parë , Air Arabia është krenuar duke qenë një kompani ajrore ndër të parat. Ne kemi kënaqësinë që të bëhemi transportuesi i parë i Shteteve të Bashkuara Arabe për të ofruar shërbime të rregullta për Kosovë”, theksoi Adel Ali, Drejtor Ekzekutiv i Air Arabia. “Jemi të bindur që fillimi i destinacionit tonë të parë për në Gadishullin Ballkanik do të sjellë beneficione të mëdha në lidhjet ekonomike mes dy vendeve të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Republikës së Kosovës dhe do të kontribuojë në rritjen e shpejtë dhe zgjerimin e Air Arabia në Evropën Lindore. Ndërsa në anën tjetër Drejtori Gjeneral i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës‚ Adem Jashari LKIA Mertol Genç theksoi: “Tani jo vetëm që ekspozohemi drejtpërdrejt në pjesët më të bukura dhe më të rëndësishme botërore por gjithashtu kemi hapur rrugë për mundësi të mëdha biznesi dhe dyer për bashkëpunim ndërmjet bizneseve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Emirateve të Bashkuara Arabe. Marrëveshja e dyanshme do t’i ofrojë bizneseve Kosovare pozicionim të suksesshëm në të ardhmen‘. Është një eveniment i rëndësishëm jo vetëm për aeroportin por për të gjithë qytetarët e Kosovës duke pasur këtë fluturim direkt për herë të parë në historinë e këtij aeroporti‘. Duke operuar të hënave dhe të enjteve , shërbimi Air Arabia’s Kosovo do të niset nga Aeroporti Ndërkombëtar i Sharnjah në orën 09:00 dhe do të arrijë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” në ora 12:30. Fluturimet kthyese do të nisen nga Kosova ditëve të njëjta në ora 13:30 dhe do të arrijnë në Sharjah në ora 21:30.

Silva në dyshim për derbin e Mançesterit

Anësori i Manchester Cityt, David Silva, do të mungojë në ndeshjen ndaj Borussia Dortmundit, ndërsa është në dyshim edhe për derbin e qytetit të Mançesterit. Spanjolli nuk ka udhëtuar në Gjermani për ndeshjen e Ligës së Kampionëve, ndërsa Mancini ka thënë se nuk dihet nëse ai mund të luajë kundër Manchester Unitedit. “Do të përpiqemi, por do të shohim”, u ka thënë italiani gazetarëve. Dy liderët e Ligës Premier luajnë të dielën në Etihad Stadium.

Ancelotti dëshiron pozitën e parë në grup

Trajneri i Paris Saint-Germain, Carlo Ancelotti, ka thënë se është e rëndësishme që skuadra e tij ta fitojë Grupin A në kuadër të Ligës së Kampionëve. Aktualisht PSG mban vendin e dytë, me një pikë prapa Portos, ndërsa është nikoqir i klubit portugez në ndeshjen e të martës dhe me fitore do ta siguronte pozitën e parë. “Është e rëndësishme të zësh vendin e parë, sepse mund të fitosh short më të mirë në raundin tjetër”. “Po ashtu, është e rëndësishme të zhvillojmë një ndeshje të mirë dhe të fitojmë për të dëshmuar se skuadra ka kualitet”, u ka thënë Ancelotti gazetarëve.

Herët ose vonë City do ta fitojë LK-në

Mbrojtësi i Manchester Cityt, Maicon, beson se skuadra e tij do ta fitojë Ligën e Kampionëve në një të ardhme të afërt. Kampioni i Anglisë është eliminuar për të dytën herë radhazi që në fazën grupore, por braziliani mendon se ata do të triumfojnë në sezonet e ardhshme. “Të martën luajmë për krenarinë. Por edhe për arsye praktike, sepse duam të vazhdojmë të luajmë në Evropë (Europa League), edhe nëse nuk jemi në garën kryesore”. “Europa League është e rëndësishme për ne, prandaj duhet të përpiqemi të qëndrojmë në Evropë deri në fund të sezonit nëse mundemi”. “Klubi po zhvillohet vazhdimisht dhe herët ose vonë City do ta fitojë Ligën e Kampionëve, sepse të gjithë po punojnë në atë drejtim”, ka deklaruar braziliani.

Kate Middleton është shtatzënë

Dukesha e Cambridge, Catherine Middleton dhe burri i saj, princi William, presin fëmijën e parë – thuhet në një njoftim të Pallatit St. James. Zëdhënësi i familjes mbretërore ka bërë të ditur se Kate është shtrirë në spital për shkak të mundimeve të mëngjesit dhe do të qëndrojë disa ditë. Middleton dhe William u martuan në prill të viti të kaluar në Westminster Abbeyu, ndërsa fëmija që do të lindë, qoftë vajzë apo djalë – sipas një ligji që pritet të miratohet – do të jetë trashëgimtar i drejtpërdrejtë i fronit. Kur të rritet, fëmija do të jetë në krye të forcave të armatosura, guvernator kryesor i Kishës angleze dhe kreu i Commonwealth.

Edhe Papa në Twitter

Emrave të njohur që shfrytëzojnë rrjetin social Twitter, së shpejti do t’u bashkohet edhe Papa Benedicti i XVI. Profili i Papës do të hapet me emrin #pontifex, ndërsa do të funksionojë në tetë gjuhët kryesore të botës, thuhet në një njoftim nga Selia e Shenjtë. Ati i Shenjtë do të flasë për çështjet fetare të javës, datat e shenjta si dhe reagime për ngjarjet kryesore botërore, si katastrofat natyrore dhe konfliktet njerëzore, ndërsa nuk do të ndjekë trendin aktual për të qëndruar vazhdimisht online. “Papa nuk do të qëndrojë gjatë gjithë kohës me Blackberry apo iPad në dorë dhe askush nuk do ta këshillojë atë se çfarë të shkruajë”, ka thënë përfaqësuesi mediatik i Vatikanit, Greg Burke.

Kolona prej 190 kilometrash

Nëse mendoni se komunikacioni në Prishtinë apo në qytetet tona tjera, është i ngarkuar, kjo që ndodh te ne nuk është asgjë në krahasim me ngarkesën në trafik në Rusi, e cila është regjistruar në librin e rekordeve të Guinessit. Si pasojë e reshjeve të mëdha të borës, autostrada që lidh qytetet ruse Moskë dhe Saint Petersburg është bllokuar aq sa kolona ka arritur gjatësi prej 190 kilometrash. Me intervenimin e autoriteteve, gjatësia e kolonës është reduktuar në 50 kilometra në orët e para të ditës së hënë, ndërsa shpejtësia e lëvizjes ishte 15-20 km/h.

Nga trupi i njeriut krijon vepra arti

Punimet e artistes gjermane, Marwedel Gesine, janë plotë jetë. Në fakt, për këto krijime ajo nuk përdorë kanavacat tradicionale, por trupin e njeriut. Artistja e talentuar aktet e saj i shndërron në kryevepra lëvizëse, duke pikturuar peizazhe piktoreske dhe karaktere të kafshëve. Kështu, në saje të teknikës e saj, një nga modelet kthehet në mjellmë njerëzore, në tjetrën në kurora malesh, apo në një panoramë mahnitëse qyteti. Për pikturim përdorë ngjyra natyrore, baza e të cilave janë uji mineral dhe balta termike. Marwedel, që është shumë e njohur në vendlindje, thotë se inspirimin e ka fituar nga një jetimore indiane, ku ka përfunduar diplomën e saj pasuniversitare. Body-painting, apo pikturimi në trupa njeriu, është i njohur tek fiset e Australisë, të Zelandës së Ri dhe të ishujve të Paqësorit.

Erdh Skendermani

Skenderman është aplikacion, përkatësisht lojë e cila mund të luhet në dy platformat e telefonave të mençur, iOS dhe Android. Ideja e këtij aplikacioni u konkretizua për herë të parë në AppCamp ku edhe ishte njëri prej fituesve në këtë garë. Loja është e përshtatur për madhësi të ekraneve të ndryshme të iPhone, dhe në thelb nuk do të ketë animacione 3D, por çdo gjë është e krijuar në formë të ilustrimeve dhe skicave. Lojtari do të ketë mundësi ta luaj lojën duke manovruar me Skendermenin nëpër ekran dhe duke ikur prej shpatave që vijnë drejt tij dhe duke ngrënë mish për tu bërë më i fuqishëm. Sa më shumë që të jetë aktiv lojtari, në prapaskenë do të ndërrohen ilustrimet të cilat i kemi ndërlidhur me betejat historike të Skenderbeut. Skenderman për hërë të parë u lansua online me datë 28 Nëntor në platformën Android, dhe të nesërmen, më 29 Nëntor, është lansuar në iOS. Lojën tashmë mund ta shkarkoni dhe ta luani në dyja platformat. Më poshtë i keni linkat direkt për App Store dhe Play Store ku mund ta shkarkoni lojën. Loja është realizuar nga Graphsix Studio. Shkarko KËTU lojën në App Store Shkarko KËTU lojën në Play Store

Shakhtari dëshiron ta mposhtë Juven

Trajneri i Shakhtar Donetskut, Mircea Lucescu, ka deklaruar se ekipi i tij gjithmonë e fillon një ndeshje për ta fituar. Klubi ukrainas e ka siguruar kualifikimin në fazën e eliminimit direkt të Ligës së Kampionëve, ndërsa të mërkurën mbrëma zhvillon ndeshjen e fundit në kuadër të Grupit E kundër Juventusit. “Shakhtari është gjithmonë aty për të fituar. Nëse ndeshja e të mërkurës përfundon baras, atëherë do të thotë se ka qenë fat”, ka deklaruar strategu rumun për Tuttosport. Juventusit i nevojitet së paku një pikë për të siguruar kualifikimin në rast se Chelsea mposht Nordsjaellandin.

Barca bazohet në lojën ekipore

Superylli i Barcelonës, Lionel Messi, nuk beson se skuadra katalunase varet nga ai. Që nga fillimi i këtij sezoni, 25-vjeçari është në formë të jashtëzakonshme duke luajtur rol kryesor në sukseset e skuadrës në La Liga dhe Ligën e Kampionëve. Megjithatë, argjentinasi thotë se arritjet janë falë angazhimit të të gjithë ekipit. “Këtu te Barcelona, jam mësuar të luaj në një skuadër. Te Barcelona punojnë shumë më ndryshe nga pjesa tjetër e botës”. “Unë erdha nga Argjentina, ku bëja çfarëdo që doja. Në masë të madhe ishte vrapim dhe diçka më shumë. Këtu vërtet jam mësuar të luaj në një ekip”, ka deklaruar Messi për ELF Voetball.

Arsenalit i duhet mbështetja e tifozëve

Portieri i Arsenalit, Wojciech Szczesny, ka kërkuar nga tifozët që ta mbështesin skuadrën që po vuan aktualisht. Humbja nga Swansea i ka zhgënjyer tej mase tifozët e Topçinjve, ndërsa portieri ka thënë se skuadra ka nevojë për mbështetjen e tyre. “Pas një ndeshjeje si ajo, kur të gjithë janë të zhgënjyer – tifozët janë të zhgënjyer, lojtarët janë të zhgënjyer – është shumë lehtë të dorëzohesh dhe të thuash se nuk jemi të mirë sa duhet”. “Është shumë vështirë tash për tash. Kjo humbje është edhe më zhgënjyese, sepse luajtëm në shtëpi kundër Swansea në një ndeshje të cilën duhej ta fitonim me komoditet”. “Është koha të kuptojmë se diçka nuk është në rregull dhe se duhet të bëjmë diçka, sepse mendoj se tifozët nuk e meritojnë (një paraqitje të tillë), ka deklaruar Szczesny për Evening Standard.

Pique: Messi ma ka vjedhur zemrën

Qendërmbrojtësi i Barcelonës, Gerard Pique, është i bindur se bashkëlojtari i tij Lionel Messi është favorit për ta fituar Topin e Artë. Argjentinasi është në konkurrim me Andres Iniestas dhe Cristiano Ronaldon për çmimin më të madh individual. “Iniesta e ka fituar Kampionatin Evropian këtë vit dhe mund ta fitojë”. “Cristiano Ronaldo ka pasur një sezon të shkëlqyer, por Leo ma ka vjedhur zemrën. Mendoj se ai është favoriti kryesor”, ka deklaruar Pique.

Kate Middleton është shtatzënë

Dukesha e Cambridge, Catherine Middleton dhe burri i saj, princi William, presin fëmijën e parë – thuhet në një njoftim të Pallatit St. James. Zëdhënësi i familjes mbretërore ka bërë të ditur se Kate është shtrirë në spital për shkak të mundimeve të mëngjesit dhe do të qëndrojë disa ditë. Middleton dhe William u martuan në prill të viti të kaluar në Westminster Abbeyu, ndërsa fëmija që do të lindë, qoftë vajzë apo djalë – sipas një ligji që pritet të miratohet – do të jetë trashëgimtar i drejtpërdrejtë i fronit. Kur të rritet, fëmija do të jetë në krye të forcave të armatosura, guvernator kryesor i Kishës angleze dhe kreu i Commonwealth.

Bleona: Nuk e kam refuzuar Ritën

Bleona Qereti ka bërë të ditur se nuk njihet personalisht me Rita Orën dhe ka thënë se janë të pavërteta njoftimet se ka refuzuar të drekojë me këngëtaren e famshme. Ditë më parë, mediat shqiptare raportuan se dy këngëtaret është dashur të dilnin bashkë për drekë gjatë qëndrimit në Tiranë për festën e 100-vjetorit të Pavarësisë dhe se Bleona e ka refuzuar këtë takim. “Miq të dashur, po lexoj nëpër portale të ndryshme online një lajm aspak të vërtetë, lidhur me refuzimin e një ftese që Rita Ora më paska bërë mua për të drekuar. Nuk kam pasur asnjë komunikim me Rita Orën dhe për pasojë, nuk ka pasur asnjë ftesë nga ana e saj dhe as nga unë”. “Unë nuk njihem personalisht me Ritën, gjithçka kisha për të thënë për të, e thashë në intervistën e AMA... Mos u besoni lajmeve të rreme. Faleminderit! Bleona”, ka shkruar këngëtarja në faqen zyrtare në Facebook.

Ish- i dashuri kërkon 100 milionë dollarë nga Shakira

Këngëtarja kolumbiane, Shakira, do të duhet t’i paguajë 100 milionë dollarë ish-të dashurit të saj, nëse ky i fundit e fiton gjyqin. Antonio de la Rua, ish-partneri dhe njëherësh ish-menaxheri i saj, e ka akuzuar 35-vjeçaren duke thënë se është më meritori për suksesin e saj. Ai pohon se është arkitekti i planit, falë të cilit Shakira është bërë e famshme anekënd botës. Ndërkaq, edhe këngëtarja ka ngritur akuzë kundër De la Ruas për keqpërdorim të fondeve të saj, për të cilët thotë se i ka shfrytëzuar për shpenzimet personale. Shakira dhe Antonio de la Rua kanë filluar lidhjen në vitin 2000, menjëherë pasi babai i tij u bë president i Argjentinës. Katër vjet më pas, De la Rua mori në dorë edhe karrierën e këngëtares të cilën e udhëhoqi deri në vitin 2010, kur edhe u ndanë. Këngëtarja aktualisht është duke pritur fëmijë me futbollistin e Barcelonës, Gerard Pique.

Lindsay refuzon rehabilitimin

Aktorja amerikane, Lindsay Lohan, ka refuzuar t’i nënshtrohet sërish rehabilitimit pas problemeve me alkoolin. TMZ njofton se LiLo pi deri në dy litra vodka në ditë, pasi që është nën stres për shkak të paraqitjeve nëpër gjykata. 26-vjeçarja e theu lirimin me kusht duke qenë pjesëmarrëse në një incident në një klub nate, duke u arrestuar dhe është akuzuar për sulm të shkallës së tretë, që do të thotë se mund të përfundojë në burg. Miqtë e aktores janë përpjekur që ta bindin atë që t’i kthehet rehabilitimit, gjë që do t’i ndihmonte në gjykatë. Megjithatë, Lindsay thotë se nuk është e varur nga alkooli dhe mendon se nuk ka nevojë për ndihmë.

Rita Ora tradhëtoi Robin me 20 të tjerë?!

Rob Kardashian arsyeton ndarjen e tij nga Rita Ora, duke thënë që ajo e ka tradhtuar me shumë djem sa kanë qenë në lidhje. Një postim i Robit në faqen e tij të Twitterit, ka shokuar fansat e shumtë të këngëtares shqitpare anë e mbanë botës. Menjëherë pas lajmit që Rita Ora dhe Rob Kardashian janë ndarë, Robi bëri pohime shokuese me një postim të rëndë. “Ajo më tradhtoi mua me rreth 20 djem përderisa ishim në lidhje, pyes veten se me sa do të flej ajo tani më që jemi ndarë? Por unë pyes veten, 20?!!!” ka shkruar Rob Kardashian në faqen e tij.
Ai shtoi më pas në një postim tjetër se është tepër i befasuar se si ka kohë që Rita, sipas tij, të flejë me gjithë këta meshkuj. “Si ka mundësi që një vajzë kaq e zënë me ngritjen e karrierës së saj, të ketë kohë të flejë me gjithë këta njerëz, përderisa ishte në një lidhje?!!! Më vjen për të vjellë..!!”, theksoi Rob. Nga ana tjetër, motra e Robit, Khloe Kardashian, ka shkruar se tradhtarët asnjëherë nuk përparojnë, dhe Robi ia ka kthyer duke i thënë që do të kthehet në shtëpi sot.
Por, pas 20 minutave, Robi ka fshirë të gjitha postimet që i kishte bërë më herët, megjithëse Telegrafi ka arritur të shkëpusë atë që ka thënë Robi. Ende nuk dihet sigurt nëse ka pasur fjalën drejtpërdrejt për Ritën, pasi emrin nuk ia ka përmendur, por duke marrë parasysh që ai reagoi në këtë mënyrë pikërisht pas ndarjes, i bën që këto akuza të duken tejet, tejet të rënda.

Fjoralba: The Voice, përvojë jetësore

Fjoralba Krapi, njëra nga pjesëmarrëset nga Kosova, tashmë e eliminuar, e spektaklit “The Voice of Albania”, thotë se pjesëmarrja në këtë garë ka qenë “përvoja më e bukur në jetën e saj”. Duke folur pas largimit nga spektakli, këngëtarja e re zotohet se do ta shfrytëzojë anën pozitive të eliminimit, duke e motivuar veten për të punuar më shumë. “Meqë muzikën e dua, unë e mora këtë largim si motiv për të punuar më shumë. Për mua ishte përvoja më e bukur e jetës sime, sepse më dha më shumë se vetëm performancë”. “Më dha shtysë që të jem më e fortë dhe të luftoj për ëndrrat e mia. Nuk e konsideroj si humbje, përkundrazi, kam fituar më shumë se ç’do të mund të humbja”, thotë ajo gjatë një prononcimi.

Fjoralba, nxënëse në shkollën “Mileniumi i Tretë”, ka edhe fjalë të mira për mentorin e saj, Elton Deda, këshillat e të cilit do ta kujtojë gjatë. “Puna me Eltonin ishte shumë e mirë. Ai më jepte këshilla dhe më ndihmonte kundrejt performancës. Përpos me Eltonin, unë punova edhe me Ardian Lulgjurajn, asistentin e Eltonit, i cili ishte shumë i përpiktë dhe kaloi shumë kohë me ne”. “Përpos këshillave, Eltoni na dha një mësim shumë të rëndësishëm. Pak para performancës ai na mblodhi të gjithë konkurrentëve dhe na tha: ‘Çfarëdo që të ndodhë në skenë, ju jeni yje. Mos u ndaloni kurrë së ndjekuri ëndrrat tuaja’,”, ka kujtuar këngëtarja kosovare.

Chelsea nuk do ta kthejë Grantin

Drejtuesit e Chelseat kanë hedhur poshtë mundësinë e rikthimit të Avram Grantit në Stamford Bridge. Blutë sapo e kanë angazhuar Rafael Benitezin, i cili ka regjistruar tri ndeshje pa fitore, ndërsa mediat spekuluan se pronari Roman Abramovich planifikon ta kthejë trajnerin izraelit për t’i ndihmuar spanjollit. “Nuk ka të vërtetë në njoftimet se Avram Grant do të kthehet te klubi”, ka thënë një zëdhënës i Chelseat.

Milani do ta mposhtë Zenitin, deklaron Yepes

Qendërmbrojtësi i Milanit, Mario Yepes, është i bindur se Rossonerët do të shënojnë fitore në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Zenit St Petersburgut. “Mënyra më e mirë për ta nderuar këtë fanellë, është duke fituar dhe këtë do ta bëjë Milani nesër (e martë)”, ka thënë 36-vjeçari në një konferencë për gazetarë. Klubi italian e ka siguruar kualifikimin në fazën e mëtutjeshme duke zënë vendin e dytë në Grupin C, pas Malagas që ka befasuar në garën prestigjioze evropiane.

Sneijder refuzon kontratën e Interit

Mesfushori i Interit, Wesley Sneijder, ka thënë se nuk e ka në plan të nënshkruajë kontratë të re me zikaltrit, derisa po qëndron jashtë formacionit bazë. Klubi dëshiron t’ia zvogëlojë pagën holandezit, i cili deri më tani ka refuzuar vazhdimin e kontratës. “Aktualisht, derisa nuk po luaj, nuk e kam në plan që ta nënshkruaj kontratën e Interit”, ka deklaruar 28-vjeçari. Ndërkohë, presidenti Massimo Moratti ka thënë se beson që do të arrihet marrëveshja.

El Shaarawy: Largimet e Ibrës e Cassanos më dhanë hapësirë

Sulmuesi në top formë i Milanit, Stephan El Shaarawy, ka thënë se largimet e Zlatan Ibrahimovicit dhe Antonio Cassanos gjatë verës, i kanë dhënë hapësirën e duhur atij. El Shaarawy po gëzon një formë të jashtëzakonshme këtë stinor dhe po bombardon golat e pothuajse çdo kundërshtari që po i del përpara. Ai deri më tani ka shënuar 12 gola në 15 paraqitje në Serie A dhe gjithashtu ka shënuar dy gola në Ligën e Kampionëve. “Me largimet e Ibrahimovicit dhe Cassanos, u larguan dy sulmues të mëdhenj dhe tani unë kam hapësirë më shumë. E kam filluar sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme dhe jam pjekur shumë”, ka thënë El Shaarawy në faqen zyrtare të Uefa-së.

Moyes: Top katërshi, vështirë i arritshëm

Menaxheri i Evertonit, David Moyes, mendon se ekipi i tij do ta ketë vështirë të zë një vend në top katërshen e Ligës Premier. “Mendoj se do të jetë e vështirë për ne të kualifikohemi për në Ligën e Kampionëve. Do të jetë një gjë e madhe për ne. Mendoj se e kemi besimin e duhur dhe lojtarët vërtetë po luajnë mirë, vetëm se po na mungon pak kualiteti që ta bëjmë diferencën”. “Neve po na mungojnë Kevin Mirallas, Victor Anichebe dhe kemi mungesa në repartin e sulmit, po na mungon dikush që të na i fitojë ndeshjet, për këtë arsye edhe kemi bërë shumë barazime”, tha Moyes për Daily Mirror.

Mourinho mohon spekulimet për largim

Jose Mourinho thotë se nuk ka synime të largohet nga Real Madridi në fund të sezonit 2012/13. Marca sot shtoi spekulimet, duke thënë se ish-menaxheri i Chelseat dhe Interit do të largohet nga Los Blancos gjatë verës, por Mourinho e ka bërë të qartë se ai nuk do t’i thotë lamtumirë klubit të tij aktual në një të ardhme të afërt. “A po largohem nga Real Madrid? Nuk ka të vërtetë në këtë tregim. Nuk dua të them asgjë më shumë rreth kësaj”. “Pyeteni Florentino Perez nëse është i kënaqur me punën time. Nuk ka asnjë problem. Unë nuk duhet t’ju tregoj juve se çfarë diskutoj me presidentin”, ka thënë portugezi.

Wenger: Nuk largohem

Menaxheri i Arsenalit, Arsene Wenger, ua ka bërë me dijë tifozëve të Arsenalit se ai nuk e ka ndërmend të largohet edhe pse klubi gjendet në një krizë të rezultateve. Humbja e fundit nga Swansea e ka zbritur Arsenalin në pozitën e dhjetë me 21 pikë të tubuara nga 15 ndeshje. “Nëse më pyetni mua për të ardhmen time, unë mund t’iu jap vetëm një përgjigje. Unë gjithmonë e respektoj kontratën time deri në fund”. “Unë dua që tifozët tanë të jenë të lumtur por kjo nuk e ndryshon mënyrën se si po ndihem unë tani, sepse unë duhet të fokusohem në punën time dhe t’i rregullojmë këto probleme që i kemi”. “Ne e humbëm vetëm një ndeshje, por prapë se prapë është një zhgënjim i madh. Ne duam medoemos ta fitojmë ndeshjen e ardhshme. Ju mund ta shihni nga rezultatet se ky është një moment i vështirë për të gjithë. Të gjitha klubet, bile edhe ato që kanë bërë investime të mëdha po hasin në vështirësi”, tha Wenger.

Nafta hip lehtë

Kontratat e naftës u rritën të hënën duke reflektuar optimizmin e gjerë të investitorëve në të gjitha tregjet. Rritja e çmimit të naftës është një reagim i statistikës së aktivitetit të manifakturës në kinë që ka sugjeruar për stabilizimin të ekonomisë. Edhe indekset menaxherial të manifakturës të prodhuesve të tjerë të mëdhenj të Azisë kanë paraqitur të njëjtën tablo. Këto statistika kanë rritur besimin e investitorëve për qëndrueshmërinë e konsumit të naftën në rajonin e Azisë. Një tjetër mbështetje për kontratat e naftës është edhe qëndrueshmëria e tensionit në lindjen e mesme çka shton riskun për një çrregullim të furnizimit botëror me naftë bruto. Ndikim mbështetës po jep edhe zhvlerësimi i indeksit që mat vlerën e dollarit në tregjet monetare. Nafta bruto Brent e Londrës për janarin u rrit 34 cent në 111.61 dollarë për fuçi. Nafta bruto amerikane për janarin u rrit 22 cent në 89.13 dollarë për fuçi. Fokusi përgjatë sesionit do të jetë në raportimin e indeksi menaxherial të manifakturës në Eurozonë.

Në fillim të prillit energjia do të rritet me 10%

Në fillim të prillit energjia elektrike do të rritet me 10 për qind. Tarifat e reja me rritje Korporata Energjetike e Kosovës ka paraparë t’i aplikojnë nga një prilli i vitit që vjen, pak ditë para se kompania turke “Limak” ta marrë në menaxhim distribucionin, të cilin e ka privatizuar për 26.3 milionë euro. Sipas Zëri-t për vitin 2013, planifikimi i inkasimit është përgatitur duke marrë si bazë realizimin gjatë vitit 2012, si dhe planeve aksionale të parapara për vitin e ardhshëm. “Ky skenar është bazuar në vendimin e Kuvendit të Kosovës, për rritjen e tarifës së rentës në thëngjill prej 3 euro për tonë të prodhuar. Ky vendim zbatohet prej janarit të vitit 2013", me reflektim në rritjen e tarifave të energjisë në shumën prej 10 për qind nga muaji prill 2013", thuhet në buxhetin e miratuar të KEK-ut.

Prishtina e Suhareka përfitueset kryesore të donacioneve

Komuna e Prishtinës dhe ajo e Suharekës sivjet kanë përfituar më së shumti grante nga donatorët në nivel vendi. Këto donacione janë përqendruar në shërbimet publike dhe në bujqësi. Përderisa në raportet financiare të Ministrisë së Financave nuk jepen detaje për orientimet e granteve të donatorëve nëpër komuna, burime të “Kohës Ditore” bëjnë të ditur se dy komunat e përmendura kanë përfituar më së shumti nga donatorët. Drejtues të dy Komunave kanë konfirmuar se janë përfituese të donacioneve disamilionëshe për projekte të ndryshme. Por, vlera e donacioneve që janë dhënë për Komunën e Suharekës rezulton të jetë shumë më e madhe krahasuar me kryeqytetin. Drejtori i Shërbimeve Publike, në Komunën e Prishtinës, Agim Gashi, tha se sivjet kanë përfituar donacione në vlerë prej afro 2 milionë eurosh për projekte të ndryshme, siç është përfitimi i dhjetë kamionëve për transportin e mbeturinave nga një organizatë japoneze, së bashku me një makineri për ndërrimin e gomave, që kapin vlerën prej mbi një milion eurosh, pastaj është financimi i fushatës së vetëdijesimit për ndarjen e mbeturinave, që po e financon GIZ-i gjerman, i cili po ashtu ka kontribuar edhe me blerjen e shportave të mbeturinave, për të cilin projekt ka dhënë donacione edhe USAID-i amerikan. Gashi tutje ka pohuar se GIZ-i gjerman, po ashtu ka financuar edhe rregullimin e zyrave të kompanisë “Pastrimi”, si dhe projektin e instalimit të sistemit elektronik të financave dhe kontabilitetit në këtë kompani, i cili ka kushtuar afro 200 mijë euro. Si projekt tjetër, i përfituar nga donatorët, ai ka përmendur edhe rregullimin e parkut të “Arbërisë” nga Komisioni Evropian, të cilin e ka implementuar IOM-i, si dhe projekti tjetër, mirëmbajtja e varrezave të qytetit dhe rregullimi i oborreve të dy shkollave: “Xhevdet Doda” dhe “Naim Frashëri”- donacion nga Banka Botërore. Kurse, kryetari i Komunës së Therandës, Blerim Kuqi, i cili ka pohuar se në këto dy vjetët e fundit Komuna që ai drejton ka përfituar 15 milionë euro, të cilat janë implementuar edhe sivjet. “Kemi fituar donacione që kalojnë vlerën prej mbi 15 milionë eurosh, për projekte të filluara para dy vjetësh dhe që janë në proces e sipër të realizimit “, tha Kuqi. Ai ka saktësuar se donatorët kanë financuar më së shumti projektet në bujqësi dhe donatori më i madh në këtë komunë, sipas tij, është ADA (Agjencia për Zhvillim e Austrisë), e cila ka dhënë së paku 3 milionë euro në projektet e kësaj fushe. “Pastaj kemi projekte të financuara nga Komisioni Evropian, USAID-i, Banka Gjermane për Zhvillim, etj”, ka theksuar Kuqi. Një pjesë e këtyre mjeteve të donatorëve janë investuar në ujësjellës, dhe shumica prej tyre në bujqësi, ka bërë të ditur ai. “Në politika zhvillimore janë investuar shumë pak, përveç bujqësisë, e cila megjithatë është një sektor tepër me interes për komunën, dhe këto investime i duhen këtij sektori”, është shprehur Kuqi.

Nokia të prodhojë telefona Android?

Përkundër raportit të ngushtë afarist me Microsoft, dhe mbështetjen që telefonat e saj i japing platformës Windows Phone 8, prodhuesi i famshëm finlandez i telefonave mobil – Nokia, thuhet se është duke planifikuar që të prodhojë edhe modele të telefonave që bazohen në sistemin operativ Android. Së fundmi, Nokia ka postuar një pozitë të re të punës në LinkedIn, në të cilën kërkon ekspert për Linux, person i cili, siç thuhet do të punojë në një “ambient të një njësie të re të biznesit”. Njoftimi për punë nga Nokia gjithashtu thotë se punëtori i ri do të punojë në “produkte të reja shumë atraktive” dhe “teknologji të re mobile”. Duke u bazuar në këtë shpallje të Nokia’së, mund të thuhet se kompania është duke punuar në lansimin e telefonave të bazuar në Android, nga i cili do të përdor edhe hartat, emailat, dhe shërbimet tjera shumë të përdorura të këtij sistemi operativ.

Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur-Viti shkollor 2012-2013” drejt përfundimit të fazës së I-rë

Projekti “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur- Viti shkollor 2012-2013” i cili po realizohet nga Organizata për Arsim, Shkencë dhe Shëndetësi “KISCOMS”, Qendra Kombëtare për Edukim Shëndetësor Oral “DENT-IN” dhe Shoqata Kosovare e Studentëve të Stomatologjisë “KADS”, deri tani kanë vizituar rreth 2/3 e Institucioneve parashkollore. Ky projekt ka filluar në muajin shtator, përkatësisht me dt. 12 shtator, në Ditën Botërore të Shëndetit Oral. Vizita e parë është bërë në Kopshtin e fëmijëve “Drita” në Skenderaj, aktivitet ky i realizuar në bashkëpunim me Qendrën Rinore Publike dhe Drejtoratin për Arsim të Kuvendit Komunal të Skenderajt. Projekti, “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur- Viti shkollor 2012-2013”, do të realizohet gjatë vitit shkollor 2012-2013, përkatësisht nga muaji shtator 2012, deri në muajin qershor 2013, në të gjitha Institucionet parashokollore, fillore dhe të mesme të Republikës së Kosovës, bazuar në programin ”Shkollat Promovuese të Shëndetit” dhe në rekomandimet e grupit ndërministror nga Ministria e Arsimit, Shkëncës dhe e Teknologjisë (MASHT), Ministria e Shëndetësisë (MSH), Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) si dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS). Në projektin “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur- Viti shkollor 2012-2013”, do të përfshihen në mënyrë të drejtëpërdrejtë mbi 1150 Institucione parashkollore, fillore dhe të mesme të Republikës së Kosovës, përkatësisht do të përfshihen një numër prej 450 mijë fëmijë-nxënës.
Xheladin Ujkani, ideator dhe udhëheqës i projektit, për Telegrafi.com, tha se : Aktualisht, është duke u implementuar faza e I-rë e cila përfshin të gjitha Institucionet parashkollore (kopshtet-qerdhet) në Kosovë. Kjo fazë ka filluar me datën 12 shtator, dhe do të zgjasë deri në fund të vitit 2012, përkatsisht deri në përfundimin e të gjitha Institucioneve parashkollore. Gjatë kësaj periudhe, ne po punojmë së bashku edhe me grupin ndërministrorë nga programi “Shkollat Promovuese të Shëndetit”, që nga muaji mars, deri në muajin qershor 2013, të filloj dhe të implementohet edhe faza e II-të dhe e III-të e projektit, në të gjitha Institucionet e arsimit fillorë dhe të mesëm në Kosovë. Gjatë muajit nëntor, në Prishtinë janë vizituar këto Institucione parashkollore : "Bardha 1", "Bardha 2", "Bardha 3", "Bardha 4", "Bardha 6", "Shpresa 1", "Shpresa 2", "Dea 1", "Dea 2", "Te Adi", ndërsa në Istog : "Gëzimi Ynë" në Istog, "Lulet e Jetës"-Vrellë, "Ardhmëria Jonë"-Gurakoc si dhe "Shpresa Jonë"-Banjë. * Faza e parë e projektit realizohet në mbështetje nga Klinika Dentare “DENT-IN”. Ndihmë po japin edhe Depo Dentale “ALLIANZ”- përfaqësues i autorizuar i brushave të dhëmbëve “CAVEX” si dhe Shtypëshkronja “SHKROLA PRINT”. * Sponzor medial të projektit janë : Portali Informativ telegrafi.com, Radiotelevizioni 21 dhe Gazeta Kosova Sot.

 

Shkencëtarët zbulojnë gjenin, i cili mund ta kontrollojë virusin HIV

Walter dhe Eliza Hall nga instituti për kërkime në Australi, udhëheqës të ekipit shkencor, së bashku me kolegët e tyre kanë izoluar gjenin, i cili mund të jetë kyç në shërimin dhe kontrollin e infeksioneve kronike, si virusit HIV, tuberkulozit dhe hepatitit. Gjeni që ka rëndësi të madhe për ekzistimin e embrioneve udhëheq me funksionimin bazë të sistemit imun, duke marre pjesë në "vendimin" përfundimtar nëse vjen apo nuk vjen deri në përgjigjen e sistemit imun karshi sëmundjeve të ndryshme. Ky zbulim do të mund t'i ndihmojë shërimit të virusit HIV, por edhe parandalimit të pezmatimeve kronike, si artritit reumatoid. Gjeni është zbuluar në qelizën e degëzuar, e cila ndikon si sistem i paralajmërimit të hershëm. Gjeni "Arih2" është përgjegjës për funksionimin kyç nëse sistemi imun do të reagojë - tha Dr. Marc Pellegrini, njëri nga hulumtuesit. Nëse vjen deri tek zgjedhja e gabuar, organizmi i nënshtrohet infeksionit. Gjërat e lartpërmendura ndodhin kur vjen deri tek paraqitja e virusit HIV, hepatitit apo tuberkulozit.

Mënyrat e buta për t’ia kumtuar ndarjen

Janë tri mënyra të buta të mundshme që një mashkulli, për të cilin nuk jeni e interesuar për ta vazhduar lidhjen, t'ia kumtoni se dëshironi të ndaheni nga ai. Djaloshi me të cilin ishit në lidhje për dhjetë vjet rresht meriton një ndarje paksa më formale në krahasim me djaloshin të cilin e keni njohur për vetëm disa muaj. Eksperti për lidhjet, Bob Grant, propozon mënyra të ndryshme të ndarjes për lidhje dhe faza të ndryshme! Më shumë se tre muaj Nevojitet një bisedë serioze në katër sy. Sa më gjatë që të keni qenë së bashku, e keni për borxh shpjegimin, natyrisht vetëm nëse ai nuk e meriton një të tillë. Pas shumë takimeve (me mashkullin i cili pret lidhje) Keni dalë me të disa herë dhe jeni të sigurt se ai nga ju pret lidhje? Më së paku që mund të bëni për të është ta thërrisni dhe lajmin se nuk dëshironi lidhje është t'ia kumtoni në telefon. Keni dalë në disa takime Takimet e tilla që nuk çojnë askund nuk e kanë nevojën e një ndarje formale. Meshkujt e "llojit" të tillë mund t'i hiqni qafe me një porosi të bukur në telefon.

Britney kopjon Bleonën?

Britney Spears kopjon fustanin e këngëtares shqiptare Bleona Qereti. Fustani, i cili u vesh në turneun e Bleonës në Shqipëri dhe Kosovë, raportohet se është kopjuar nga ylli botëror Britney Spears. Bleona në turneun e saj në trojet shqiptare kishte veshur po këtë fustan, e pas afro dy muajsh, me të njëjtin fustan është shfaqur edhe Britney Spears. A është i kopjuar apo vetëm i huazuar, nuk dihet. Por të dy bukuroshet dukeshin super seksi në këtë veshje.

Edison Kelmendi, modeli shqiptar në reklamën e “G Star”

Kompania e njohur e modës, "G Star", ka përzgjedhur modelin shqiptar, Edison Kelmendim për të promovuar veshjet e tyre për edicionin e ri. Shqiptari, i cili jeton në Zvicër, po korr shumë sukses në fushën e modelimit. Ai së fundmi ka nënshkruar kontratë me kompaninë e veshjeve ‘G Star’, për të qenë fytyra reklamuese e koleksionit më të ri. Edinson Kelmendi është pjesëtar I kompanisë “Scout Model Agency”, dhe ka sfiluar për shumë shtëpi prestigjioze të modës si "Versace", GUESS”, “Gassmann”, “La biostethiqua” dhe “Talamonti show”.

Elvana së shpejti i rikthehet skenës

Elvana Gjata është në kompletim e sipër të albumit të saj më të ri dhe shumë shpejt pritet të rikthehet në skenë. Pas publikimit të klipit “Gjaku im” këngëtarja nuk është shfaqur më në skenë me ndonjë projekt tjetër. Arsyeja e kësaj mungese, sipas Elvanës, ka qenë puna e madhe të cilën ajo po e bën në albumin e saj më të ri, i cili shumë shpejt do të jetë në tregun tonë. “Jam duke punuar në albumin më të ri dhe jo pa qëllim kam bërë një pauzë të tillë, sepse kam shumë kohë që jam mbyllur në studio dhe nuk dal prej saj derisa të dalë ajo punë dhe ai album që kam kaq kohë që po punoj”, ka thënë Elvana. Jeta personale e Elvanës si gjithmonë mbetet një sekret i madh për publikun dhe për botën mediatike.

Rita ndahet nga Rob Kardashian?

Rita Ora raportohet se është ndarë nga i dashuri i saj, Rob Kardashian. Këngëtarja kosovare fillimisht kishte hedhur poshtë spekulimet se ajo ishte në lidhje me Rob, duke thënë se mes tyre kishte vetëm një shoqëri të mirë. Por javë më parë Rob kishte shtuar spekulimet duke postuar në profilin e tij Twitter një foto ku dyshja putheshin. Por The Sun tash shkruan se dyshja janë ndarë, për t’iu përkushtuar secili vetes. “Është vërtet për të ardhur keq – ata vërtet e pëlqenin njëri-tjetrin, por ai jeton në Los Angeles, dhe ajo në Londër, dhe ishte e pamundshme ta ruajnë lidhjen”. “Ata vendosën të dalin publikisht me romancën e tyre muaj më parë, për të mos vendosur presion në veten e tyre, por tashmë janë ndarë. Rob tash ka fshirë gjithçka në Twitter që i kujton atij Ritan”, ka thënë burimi.

The Game hap studion personale

Reperi amerikan, The Game ka hapur studion e tij personale, ku ai do t’i krijojë projektet e tij të së ardhmes. Hip hop ylli që më parë ishte në ‘laberlin’ Aftermath të Dr. Dre, ka bashkuar forcat me reperin Stat Quo për të krijuar studion Rolex Records, teksa së fundmi ata morën dhe një zyre me pajisje më të reja në Los Angeles. “Do të shohim nëse do të mund të lëzivim drejt suksesit. Stat Quo ishte i nënshkruar në Aftermath bashk me mua. Tani jemi partnerë biznesi, që është mirë, sepse ai është mik i mirë i imi dhe ai është shumë inteligjent nga ana muzikore. Do ta bëjmë të madh këtë probjekt. Ideja është që këngët e mia, të dalin nga studioja ime”, është shprehur The Game.

Fergie: Mourinho mund të më zëvendësojë

Menaxheri i Manchester United, Sir Alex Ferguson, ka thënë se Jose Mourinho është një kandidat serioz për ta pasuar vendin e tij në Old Trafford. Gjatë incizimit të një dokumentari në Portugali, Sir Alex është pyetur nga një gazetar se a mendon që Mourinho mund ta zëvendësojë atë te Manchester United, ndërsa Ferguson është përgjigjur kështu: “Absolutisht, ai mund ta drejtojë çdo ekip”. ”Unë kurrë nuk kam menduar se një njeri që nuk ka luajtur futboll mund të bëhet një top menaxher, por ju duhet ta shikoni personalitetin e tij. Ai ka një personalitet të mrekullueshëm dhe shumë të fortë”. “Më kujtohet konferenca e parë e tij për shtyp te Chelsea dhe unë menjëherë mendova, ‘Oh zot, ky qenka një bastard kryelartë’. Ai po ju drejtohej lojtarëve të tij me fjalët, ‘Dëgjoni, unë jam i veçanti, ne nuk humbin ndeshje’”. “Ta marrtë dreqi, të vish në Angli, të jesh i ri dhe të thuash që je i veçantë? Ai e bëri këtë, por kjo i ndihmoi ekipit të tij të marrë vetëbesim dhe ta fitojnë kampionatin”, tha Fergie