Fjoralba: The Voice, përvojë jetësore

Fjoralba Krapi, njëra nga pjesëmarrëset nga Kosova, tashmë e eliminuar, e spektaklit “The Voice of Albania”, thotë se pjesëmarrja në këtë garë ka qenë “përvoja më e bukur në jetën e saj”. Duke folur pas largimit nga spektakli, këngëtarja e re zotohet se do ta shfrytëzojë anën pozitive të eliminimit, duke e motivuar veten për të punuar më shumë. “Meqë muzikën e dua, unë e mora këtë largim si motiv për të punuar më shumë. Për mua ishte përvoja më e bukur e jetës sime, sepse më dha më shumë se vetëm performancë”. “Më dha shtysë që të jem më e fortë dhe të luftoj për ëndrrat e mia. Nuk e konsideroj si humbje, përkundrazi, kam fituar më shumë se ç’do të mund të humbja”, thotë ajo gjatë një prononcimi.


Fjoralba, nxënëse në shkollën “Mileniumi i Tretë”, ka edhe fjalë të mira për mentorin e saj, Elton Deda, këshillat e të cilit do ta kujtojë gjatë. “Puna me Eltonin ishte shumë e mirë. Ai më jepte këshilla dhe më ndihmonte kundrejt performancës. Përpos me Eltonin, unë punova edhe me Ardian Lulgjurajn, asistentin e Eltonit, i cili ishte shumë i përpiktë dhe kaloi shumë kohë me ne”. “Përpos këshillave, Eltoni na dha një mësim shumë të rëndësishëm. Pak para performancës ai na mblodhi të gjithë konkurrentëve dhe na tha: ‘Çfarëdo që të ndodhë në skenë, ju jeni yje. Mos u ndaloni kurrë së ndjekuri ëndrrat tuaja’,”, ka kujtuar këngëtarja kosovare.