“Do të studiojmë ofertat për Falcaon”

Presidenti i Atletico Madridit, Enrique Cerezo, ka thënë se klubi dëshiron ta shesë asin Radamel Falcao, por vetëm për çmimin e duhur.
“Gjithmonë ka gjarprinj gjatë verës dhe në gusht do të ketë mijëra të tillë që do të dëshirojnë ta shfrytëzojnë kohën. Falcao është nën kontratë edhe katër vjet me Atletico Madridin dhe në këtë moment ka shumë oferta për të”.
“Futbolli në Evropë është i shpejtë, kështu që nëse ka oferta, ato do të studiohen dhe nëse jo, atëheë asgjë”, është shprehur Cerezo për të ardhmen e golashënuesit më të mirë në Europa League. 

Barcelona refuzon Van Persien

Barcelona ka refuzuar mundsinë e transferimit të sulmuesit holandez, Robin Van Persie.
Goal raporton se holandezi ka dështuar që të arrijë marrëveshje me drejtuesit e Arsenalit për rinovimin e kontratës dhe agjenti i tij menjëherë ka telefonuar zyrtarët e Barcelonës, për t’i informuar ata se Van Persie është i lirë për transfer.
Sidoqoftë, Barcelona ia ka bërë të qartë edhe agjentit edhe Arsenalit se nuk është e interesuar për sulmuesin holandez, i cili shënoi 37 gola në të gjitha garat këtë sezon, pasi ai do të bëhet 29 vjeçar në gusht dhe ka një çmim prej 30 milionë eurosh.
Ende mbetet e pa qartë e ardhmja e Van Persiet, i cili ende po refuzon të rinovojë me klubin nga Emirates, pasi kërkon pagë prej 200 mijë funtesh në javë.

Robben: Ta shfrytëzojmë rastin për triumf

Anësori i Bayernit të Munichut, Arjen Robben, mendon se bavarezët duhet të shfrytëzojnë mundësinë për të fituar trofeun prestigjioz të Ligë së Kampionëve kur do të takohen me Chelsean të shtunë në Allianz Arena.
Holandezi beson se arritja në finale të garës elitare të klubeve është arritje shumë e madhe dhe beson se triumfi këtë herë është opsioni i vetëm, pas disfatës në finale ndaj Interit në vitin 2010.
“Ky është rast unik. Ju kurrë nuk e dini se nëse ndonjëherë përsëri do të jeni në finale të Ligës së Kampionëve. Ne duhet ta bëjmë këtë tani. Mendoj se humbja në finalen e vitit 2010 nga Interi do të ketë vetëm impakt pozitiv”, ka theksuar Robben.

Fabregas përkrah Vilanovan

Mesfushori i Barcelonës, Cesc Fabregas, beson se vendimi për të emëruar Tito Vilanovan si bos të klubit katalanas do t’i sjellë shumë suksese klubit nga Camp Nou.
“Së pari, më duhet të them se Tito është njeri i mirë. Ai po ashtu ka mentalitetin e njëjtë me Guardiolën, pasi di të nxjerrë më të mirën nga lojtarët. Nuk më pëlqen që të bëj parashikime, por Barcelona do të duket e mrekullueshme nën Titon”.
“Mendoj se vazhdimësia që i është dhënë klubit, për shkak të tejkalimit të suksesve të ekipit të ‘ëndrrave’ të Joan Cruyff është mundësi e mirë për Titon, që të tregojë se kush është. Mendoj se Tito do të bëjë ç’mos që të lë gjurmë në historiën e Barcelonës. Dhe unë e di se ai ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm në rikthimin tim në Camp Nou”, është shprehur Fabregas për El Mundo Deportivo. 

Marchisio: Urrija për sukses, çelësi për titullin

Mesfushori i Juventusit, Claudio Marchisio, ka deklaruar se Bianconerët e kanë fituar titullin e kampionit të Italisë këtë sezon për shkak të urrisë së madhe për suksese.
“Ne fituam titullin sepse ishim më të urritur se sa ekipet tjera. Ne po ashtu luajtëm futboll shumë të mirë, duke barazuar shpeshherë për shkak të mungesës së efikasitetit”.
“Trajneri jonë meriton lëvdata për gjithçka. Ai e ka instaluar mentalitetin e duhur në ekip për ta kthyer klubin në rrugët fituese”, ka thënë Marchisio për Sky Sport.

Eto’o të rikthehet te Barcelona?

Sulmuesi i Anzhit, Samuel Eto’o, ka bërë të ditur se ai do të ishte i interesuar për një rikthim sensacional te gjiganti spanjoll, Barcelona.
Sulmuesi kamerunas u takua gjatë javës me miqt e tij të vjetër te Barcelona, duke bërë shaka se ai do të ishte i interesuar për një rikthim.
Eto’o e di se Barcelona është në treg për një sulmues klasi, teksa pos yllit të Chelseat, Didier Drogba, është El Mundo Deportivo e përditshmja që e lidh kamerunasin me një rikthim në Camp Nou.
Barca mund ta transferojë Eto’on për 20 milionë euro këtë verë, që është një shumë e arsyeshme për buxhetin e klubit spanjoll. Një rikthim i Eto’os është shumë i mundur, duke marrë parasysh se në stolin e Barcelonës nuk është më Pep Guardiola. 

“Terry nuk ishte në listë për penaltitë e finales së Moskës”

Ish-menaxheri i Chelseat, Avram Grant, ka zbuluar se John Terry nuk ishte në listën e Bluve për penaltitë në finalen e vitit 2008 ndaj Manchester United.
Terry e kishte mundësinë për ta fituar trofeun e parë të Ligës së Kampionëve për Chelsean, para se ta huqte penaltinë e tij duke goditur shtyllën. United e fitoi trofeun pasi edhe Anelka më pas dështoi në penaltinë e tij.
“Njerëzit e harrojnë Anelkën. John Terry gjithmonë më thotë: ‘Pse njerëzit flasin për dështimin tim?’. Unë i them: ‘Nëse nuk do ta kishte humbur atë penalti, askush nuk do të kishte folur’”.
“Terry nuk ishte në listën time. Por, për shkak se Didier Drogba ishte jashtë për shkak të kartonit të kuq, ne ndryshuam listën, sepse Kalou është dashur të jetë i pesti dhe për shkak se ishte penaltia vendimtare, Terry e kërkoi mundësinë. Ai bëri më të mirën. Unë mendova se do të shënonte”.
“Por, Terry e humbi penaltinë dhe Anelka po ashtu e humbi e ky është fundi i tregimit. Kur ishim aq pranë fitores ndaj Manchester United, dhemb më shumë fakti se Sir Alex Ferguson tha se ishte një prej ekipeve të United më të mira në histori. Kjo është vërtet zhgënjyese”, ka deklaruar Grant.

Toure: Reali? Nuk më kanë telefonuar

Mesfushori i Manchester Cityt, Yaya Toure, nuk ka preferuar të flasë për mundësinë e transferimit te Real Madridi, pasi atë ende nuk e ka telefonuar personalisht trajneri i Los Blancos, Jose Mourinho.
“A mund të shkoj te Reali? Unë nuk kam asgjë për të thënë për këtë. Për të folur për ndonjë transfer, ju duhet të prisni për të shikuar se si është situata”.
“Por, unë mund të them se as Mourinho e as ndonjë prej bashkpunëtorëve të tij te Real Madridi nuk më ka telefonuar”, ka potencuar Toure.

Mourinho kërkon të mposhtë Cityn për Ibrën

Real Madridi ka hyrë fuqishëm në garën për transferimin e sulmuesit suedez të Milanit, Zlatan Ibrahimovic.
Il Corriere dello Sport shkruan se trajneri i Realit, Jose Mourinho, është i gatshëm që të mposhtë superfuqitë financiare të Manchester Cityt dhe PSG-së për të sjellë dështimin e Barcelonës në Bernabeu.
Milani është viktimë e interesimit të jashtëzakonshëm të klubeve të mëdha për Ibrën, i cili do të kalojë dy javët e ardhshme në debatin e madh për të ardhmen e tij.
Në rast të gjetjes së blerësit për Ibrahimovicin, Milani do të mund të përfitonte 50 milionë euro, me ç’rast do të kursente vetëm 24 milionë euro nga paga e tij.

Luiz: Jam takuar me Gomezin në PlayStation

Mbrojtësi i Chelseat, David Luiz, ka thënë se ai është plotësisht i përgatitur për finalen e madhe të Allianz Arenas ndaj Bayernit të Munichut, duke thënë se ai tashmë është takuar me sulmuesin Mario Gomez, por vetëm në PlayStation.
“Po, unë kam luajtur ndaj Gomezit, por vetëm në Sony Playstation. Unë e di se të gjithë ata që nuk janë në stadium do të jenë në shtëpi për ta përcjellur këtë ndeshje. Prindërit e mi, motrat e mia, babai, të gjithë do të vijnë nga Brazili në stadium për të më përkrahur”.
“Unë jam shumë i lumtur – gjithmonë kam qenë, por tani ndihem më mirë pasi jam në një finale. Unë jam i lumtur kur jam në fushë dhe mund të përjetoj atmosferën fantastike, më vjen keq për bashkëlojtarët që duhet ta shikojnë finalen nga tribunat”, është shprehur Luiz.

Gomez: LK tejet me rëndësi, ta harrojmë Dortmundin

Sulmuesi i Bayernit të Munichut, Mario Gomez, ka thënë se ai tashmë e ka harruar disfatën në Kupën e Gjermanisë nga Dortmundi, pasi për të finalja e Ligës së Kampionëve është shumë e rëndësishme.
“Synimi të cilin duam ta arrijmë është shumë i madh për të humbur kohë duke shtruar pyetje për të kaluarën. Mendoj se ajo humbje nuk është në kokën e askujt”.
“Ndoshta gjëja e mirë është se ne i kemi bërë të gjitha gabimet që duhen bërë dhe se nuk do të ketë më të tilla të shtunën. Secili lojtar e di se është diçka e veçantë. Të gjithë në klub mezi e presin atë ndeshje. Ekziston atmosferë e veçantë”, ka thënë Gomez.

Pavarësia e Kosovës ia solli paqen e sigurinë Ballkanit!

Ballkani Perëndimor ka shënuar ndryshime pozitive dhe të gjitha vendet e rajonit aspirojnë të integrohen në Bashkimin Evropian. Me këtë rast dua të përshëndes shtetin e ri, të pavarur të Kosovës, që brenda një kohe të shkurtër ka arritur rezultate pozitive në të gjitha proceset e demokracisë dhe të reformave ekonomike, duke ndikuar direkt në paqen e sigurinë e rajonit.
 Kështu ka deklaruar presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, në fjalën e tij të mbajtur në debatin e nivelit të lartë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York me temën “Gjendja e Ekonomisë Botërore”.
“Është një realitet që sot Shqipëria është jo vetëm një faktor i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në Ballkan, por ajo ka përmirësuar ekonominë e saj në raport me vendet e tjera të rajonit”, tha Topi në debatin ku ishte i pranishëm edhe Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon.
“Republika e Shqipërisë me ndryshimet e mëdha politike dhe ekonomike që ka pësuar këto 20-vitet e fundit në rrugën e saj drejt demokracisë dhe proceseve të integrimit të plotë në strukturat euro-atlantike, i ka kushtuar një vëmendje të veçantë reformave ekonomike dhe atyre legjislative, për t’u përfshirë me sukses në ekonominë e tregut”.
“Kështu, Shqipëria ka pasur një rritje ekonomike mesatare vjetore prej rreth 5.5 për qind deri në vitin 2009, gjë që ka çuar në një rritje të mirëqenies së shtetasve tanë. Gjithashtu, janë rritur investimet e kapitalit të huaj, është përmirësuar infrastruktura e vendit, është zgjeruar rrjeti i arsimit, shëndetësisë, mediave, shoqërisë civile, si dhe pjesëmarrja më e gjerë e gruas dhe rinisë në gjithë jetën politiko-shoqërore”, ka thënë ndër të tjera presidenti Topi.

Mata: Torres të vijë në Euro

Mesfushori i kombëtares spanjolle, Juan Mata, beson se sulmuesi Fernando Torres meriton që të ftohet në përfaqësuesen e Spanjës për Euro 2012.
“Askush te Chelsea nuk ka dyshuar se Torres do të shënojë gola me rëndësi, e aq më pak unë”.
“Ai duket në formë të mirë dhe më kujtohet se ai ka pasur ndeshje të mira ndaj gjermanëve. Unë nuk jam përzgjedhësi i Spanjës, por unë do ta kisha ftuar në Euro 2012”, ka potencuar Mata.

Vertonghen: Nuk i thuhet ‘jo’ Milanit

Kapiteni i Ajaxit, Jan Vertonghen, ka pranuar se ai do ta kishte të pamundur t’i thoshte ‘jo’ një oferte nga gjiganti italian Milani.
Belgu ka edhe një vit kontratë me klubin holandez dhe pritet që të shitet gjatë kësaj vere, me Tottenhamin që besohet se është në krye të garës për të. Sidoqoftë, Vertonghen i ka bërë ftesë Milanit që ta marrë ne ekip.
“Unë jam prekur nga fjalët e mira të Gallianit pas ndeshjes ndaj Ajaxit. Fjalët e tij më bënë të mos besoj se janë të vërteta. Më pëlqen Liga Premier, por nëse Milani të thërret, nuk mund të thuash ‘jo’”, ka theksuar Vertonghen.

Destro i hapur të rikthehet te Interi

Sulmuesi i Genoas, Mattia Destro, ka pranuar se ai do të ishte i hapur për një rikthim te Interi gjatë verës, por tha se ende nuk ka vendosur definitivisht se ku do të luajë sezonin e ardhshëm.
“Interi? Është klub i madh. Nëse do të rikthehesha, nuk do të merrja vetëm hak për ekipin që më largoi kohë më parë. Unë nuk e di ende se ku do të luaj sezonin e ardhshëm. Unë nuk kam preferenca”.
“Unë kam qenë tifoz i Juventusit si fëmijë, por luajta për akademinë e Interit e kjo ndikon shumë në mua”, ka deklaruar Destro.
Mattia Destro është produkt i akademisë së Interit, por u largua nga klubi verën e vitit 2010 për të kaluar te Genoa, e nga ku më pas shkoi si huazim te Siena, ku shfaqi formë të jashtëzakonshme.

Heynckess: Veteranët e Chelseat, të rrezikshëm

Trajneri i Bayern Munichut, Jupp Heynckes, ka deklaruar se dëshira e veteranëve për të fituar një trofe të madh me Chelsean para se të pensionohen, mund të jetë problem për bavarezët në finalen e të shtunës së Ligës së Kampionëve.
“Ata kanë shumë lojtarë me përvojë në skuadër dhe është e qartë se veteranët, lojtarët të cilët kanë luajtur te Chelsea për shumë vite, dëshirojnë diçka të madhe. Dhe kjo është një gjë e rrezikshme për ne”, ka thënë Heynckes për Uefa.com.
“Ju mund të shihni se Chelsea mund të luajë sisteme të ndryshme të lojës. Ata luajtën krejtësisht ndryshe kundër Benficas krahasuar me atë që bënë kundër Barcelonës”.
“Pres Chelsea të jetë ca më ndryshe se sa kundër Barcelonës. Skuadra ka kaluar nëpër një periudhë vërtetë të mirë në disa javët e kaluara dhe ata po luajnë një futboll më të mirë, më të suksesshëm”, ka shtuar gjermani. 

Owen largohet nga United

Michael Owen do të jetë lojtar i lirë pasi Manchester United ka vendosur të mos i ofrojë atij kontratë të re.
“Menaxheri më ka informuar pas ndeshjes tonë dëshmuese të martën se klubi nuk do të më ofrojë kontratë të re”.
“E kam dashur çdo minutë të tre viteve që i kam kaluar te një klub aq fantastik. Do të doja të falënderoj lojtarët, stafin dhe tifozët për mbështetjen e tyre dhe t’u dëshiroj atyre çdo të mirë në të ardhmen”.
“Tash planifikoj të bëj një pushim të shkurtër, gjatë të cilit do ta shqyrtoj hapin tim të ardhshëm”, ka shkruar Owen në profilin e tij në Twitter.

Adeyabor: E dua Tottenhamin më shumë se Arsenalin

Sulmuesi i Tottenhamit, Emmanuel Adebayor, ka shprehur dëshirën e tij për të mbetur në White Hart Lane edhe sezonin e ardhshëm, duke deklaruar se e do klubin të tashëm më shumë se ish-klubin e tij, Arsenalin.
“Nuk e di ende nëse do të jem këtu sezonin e ardhshëm, por zgjidhja ime do të jetë të qëndroj te Tottenham. Nuk do t’i bie në gjunjë dhe t’i lutem askujt, kjo u takon të tjerëve ta zgjidhin”.
“Nëse mund të arrihet një marrëveshje, atëherë mirë. Do të doja të luaj për Tottenhamin. Nëse jo, atëherë më besoni, do ta mbaj klubin në zemër. Jam tifoz i madh i Tottenhamit tash dhe e dua klubin”.
“Nëse nuk do të jem në klub në të ardhmen, do t’i përcjell ndeshjet e tyre dhe do t’u dëshiroj fat. Kam luajtur te Arsenali për tre vite, por sot e mbaj Tottenhamin në zemër më shumës e Arsenalin, edhe pse nuk kam luajtur këtu aq gjatë”, ka deklaruar Adebayor për London Evening Standard. 

Zyrtare: Milani transferon Montolivon dhe Traoren

Milani ka zbuluar në ueb-faqen zyrtare se ata kanë siguruar shërbimet e Riccardo Montolivo nga Fiorentina dhe Bakaye Traore nga Nancy si transferime të lira.
Klubi italian një kohë të gjatë është lidhur me transferimin e Montolivos dhe Massimiliano Allegri që gjatë vikendit zbuloi se ata kishin arritur marrëveshje me 27-vjeçarin.
Italiani është pa kontratë që nga fundi i këtij sezoni dhe ka nënshkruar me Milanin kontratë e cila do ta mbajë atë në San Siro deri në qershor të vitit 2016.
Në anën tjetër, Nancy që më herët gjatë javës kishte konfirmuar se Traore do të largohet nga klubi për të veshur fanellën Rossonere, por zyrtarizmi erdhi vetëm sot. Mesfushori 27-vjeçar nga Mali ka nënshkruar me Milanin deri në qershor të vitit 2015. 

Rexhepi vlerësoi punën e Grupit kundër krimit

Në takimin e Grupit punues ndërinstitucional për vlerësimin e implementimit të strategjisë dhe planit të veprimit kundër krimit të organizuar,mori pjesë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i cili është Koordinator Nacional i Strategjisë Kundër Krimit të Organizuar. Rexhepi vlerësoi punën e deritashme të grupit punues dhe kërkoi përkushtim maksimal në funksionalizimin e strategjisë dhe planin e veprimit 2012-2017.
Në takim u bisedua me akterët e përfshirë dhe është bërë një vlerësim i përgjithshëm prej fuqizimit të strategjisë kombëtare dhe planit të veprimit të Republikës së Kosovës për vitin 2009-2012, ku është arritur përparim në përmbushjen e parametrave, objektivave, veprimeve dhe aktiviteteve në kuadër të këtyre veprimeve të institucione të përfshira.
U vlerësua se të gjithë institucionet e përfshira janë angazhuar maksimalisht në drejtim të përmbushjes së planit të veprimit dhe objektivat e parapara me këto dokumente strategjike.
Ndërsa, me vendim të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ilhami Gashi, sot u formua grupi punues për hartimin e strategjisë dhe planit të veprimit për vitin 2012-2017, ku në bashkëpunim me sekretariatin e MPB-së dhe në koordinim të plotë me Koordinatorin Nacional.
Riza Shillova, zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, udhëheqës i grupit punues për hartim të strategjisë afatgjate kundër krimit të organizuar, thuhet në komunikatën e MPB-së. 

Arrestohen tre policë për Rastin "Sekiraça"

Janë arrestuar tre pjesëtarë të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, që konsiderohet si një prej shtyllave më të forta të forcave të rendit, si të dyshuar për rastin e shpërthimit në lagjen “Dardania” në Prishtinë, saktësisht të lokalit “Sekiraça”, që ishte pronë e të shumë kërkuarit Enver Sekiraça. Ky shpërthim ka ndodhur në shtator 2008, një vit pasi me 30 gusht 2007 në Prishtinë u vra Triumf Riza, edhe ai pjesëtar i Njësitit Special të Policisë. Ndërsa EULEX ka konfirmuar arrestimin e katër personave lidhur me këtë rast, në mesin e tyre edhe pjestarë Policisë së Kosovës.
Burime nga policia tregojnë nën pranga janë vënë Bekim Suma, komandant i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në Ferizaj.
Në të njëjtën kohë, janë arrestuar edhe Fadil Sadiku nga komuna e Shtimes, pjesëtar i të njëjtës njësi si dhe Luan Çerkini gjithashtu nga kjo njësi.
Përveç tyre, dyshohet se policia është vënë në kërkim edhe të një personi të katërt, të cilin nuk kanë mundur ta arrestojnë ngase mendohet se është jashtë Kosovës, raporton gazeta Express.
Burime të kësaj gazete tregojnë se komandanti Bekim Suma dhe pjesëtari i Njësisë Speciale, Luan Çerkini, dyshohet se ishin duke u stërvitur në kampin e kësaj njësie elite në Vrellë.
Aktualisht, Policia e Kosovës ende nuk ka lëshuar ndonjë njoftim zyrtar dhe nuk ka mundur ta konfirmojë këtë informacion.
Arrestimi i tyre bëhet në lidhje me rastin e shpërthimit në lagjen “Dardania” në Prishtinë, saktësisht të lokalit “Sekiraça”, që ishte pronë e të shumë kërkuarit Enver Sekiraça.
Ky shpërthim ka ndodhur në shtator 2008, një vit pasi me 30 gusht 2007 në Prishtinë u vra Triumf Riza, edhe ai pjesëtar i Njësitit Special të Policisë.
Por derisa personi i dyshuar kryesor i përfshirë në këtë vrasje, Enver Sekiraça vazhdon të kërkohet edhe nga Interpoli, për shpërthimin e ndodhur më vonë, drejtësia ka thënë fjalën e vet.
Kështu, në nëntor 2009, Gjykata e Qarkut në Prishtinë, në lidhje me këtë shpërthim ku pati edhe viktima, dënoi me nga 25 vjet burg, Besnik Hasanin dhe Shpend Qerimin, edhe këta ish pjesëtarë të Njësisë Speciale.
Këta persona akuzoheshin se në shtator të vitit 2008, kanë vënë eksploziv në kafe bar “Sekiraça”, si shenjë hakmarrje për vrasjen e shokut të tyre, Triumf Riza.
Edhe EULEX, përmes një kumtese ka konfirmuar arrestimin e katër personave në kuadër të një hetimi lidhur me të ashtuquajturin shpërthim në Bulevardin Bill Clinton, që kishte ngjarë në shtator të vitit 2007.
"Gjatë operacioneve të sotme, policia e EULEX-it e ka arrestuar një të dyshuar në rajonin e Gjilanit, ndërsa janë bastisur edhe dy prona. Policia e Kosovës i ka arrestuar edhe tre të dyshuar. Në mesin e tyre ka pjesëtarë aktual dhe ish pjesëtarë të PK-së", thuhet ne njoftimin e EULEX-it. 
Hetimet është duke i zhvilluar një prokuror i EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK).

Sulmohen dy gazetarë në veri të Mitrovicës

Shoqata e gazetarëve të Mitrovicës ka dënuar ashpër sulmin e ekstremistëve serbë ndaj gazetarëve Musa Mustafa dhe Alidin Damati, anëtarë të shoqatës.
Gazetari Musa Mustafa i “Kohës Ditore” dhe Alidin Damati i “Kosovapressit”, janë sulmuar të enjten në pjesën veriore të qytetit, nga një grup ekstremistësh serbë, në momentin kur këta po e bënin punën e tyre, duke e përcjell një protestë të serbëve, për shkak të arrestimit të një serbi nga policia e Kosovës, si i dyshuar për dëmtimin e kontejnerit të vendosur nga policia e Kosovës në zonën e tre rrokaqiejve.
Sipas kumtesës së Shoqatës së gazetarëve të Mitrovicës, Mustafa e Damati janë fyer mbi baza etnike dhe janë penguar në punën e tyre, ndërsa janë detyruar të largohen nga vendi i ngjarjes.
“E tëra kjo ka ndodhur para syve të ushtarëve të KFOR-it, të cilët nuk kanë reaguar fare, ndërsa iu ka dalë në ndihmë vetëm njëri nga dy policët e Kosovës që gjendeshin aty. Duke e dënuar ashpër atakimin e gazetarëve, Shoqata kërkon nga organizatorët e protestave që të mos e pengojnë punën e gazetarëve, por të ndihmojnë ata në realizimin e misionit të tyre”, thuhet në kumtesë.
Kjo shoqatë po ashtu ka kërkuar nga përfaqësuesit e KFOR-it dhe ata të Policisë së Kosovës, që të krijojnë kushte për gazetarë edhe në rastet e protestave të ndryshme, si dhe të mbrojnë ata kur rrezikohen nga njerëz me prirje kriminale.

Seriozisht i përgjigjen pyetjeve të KE-së

Ministritë të cilat mbulojnë sektorin e ekonomisë i kanë hyrë shumë seriozisht punës, për plotësimin e pyetjeve të Komisionit Evropian (KE), për Qeverinë e Kosovës. Ministria e Financave, udhëheqë për nga numri i pyetjeve që duhet t’i përgjigjet. Kjo ministri ka 83 pyetje, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë 40 pyetje, Ministria e Infrastrukturës, 22 ajo e Bujqësisë 11 pyetje.
Zëdhënësi i Ministrisë së Financave (MF), Menderes Ibra, tha për Telegrafin, se 83 pyetjet për ministrinë e Financave kanë të bëjnë me Doganat, ATK, Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve , hartimin e Buxhetit dhe pyetje të tjera. “Ne si Ministri e Financave jemi në proces të plotësimit po punojmë me kapacitete të plota dhe pyetjet që kemi për t’i plotësuar do të arrijmë me kohë t’i kryejmë”, tha Ibra.
Ndërkaq, zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Adil Behramaj tha për Telegrafin se për këtë ministri janë adresuar 11 pyetje nga Komisioni Evropian. Ai ka treguar se disa nënpyetje, si dhe dy pyetje të tjera janë të adresuara në mënyrë të përbashkët edhe me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimi Hapësinor. “Pyetjet kryesisht kanë të bëjnë me politikat nacionale dhe strukturale për bujqësinë, zhvillimin rural dhe pylltarinë, për shërbimet këshillimore dhe regjistrin e fermave, për organizimin institucional dhe menaxhimin e politikave bujqësore, për marrëveshjet tregtare bilaterale dhe multilaterale, për skemat e import/eksportit, kuotat tarifore, sistemin e licencave dhe në përgjithësi për zbatimin e nomenklatures së BE-së në Kosovë”, thotë ai.
Behramaj ka treguar se pyetjet përfshijnë edhe politikat që aplikohen në sektorin e prodhimtarisë primare, në përpunimin dhe marketingun e produkteve bujqësore, për politikën e taksave, për privatizimin e tokave bujqësore, për përkrahjen financiare përmes subvencioneve dhe granteve, për kreditimin e sektorit, statistikat bujqësore dhe për kontributin e sektorit në GDP, etj.
Në anën tjetër, Lah Nitaj këshilltarë në Ministrinë e Infrastrukturës (MI), ka konfirmuar për Telegrafin se janë në përfundim të plotësimit të pyetjeve, për fushat që mbulon kjo ministri. Ministria e Infrastrukturës, sipas tij, ka për t’i plotësuar 22 pyetje, e që kanë të bëjnë me fushën e legjislacionit, transportin rrugor, aviacionin civil dhe fusha të tjera. “Ne veç i kemi gati përgjigjet për 22 pyetjet të premten do t’i procedojmë të ministria e Integrimeve”, ka bërë të ditur Nitaj.
Kurse, Bernard Nikaj këshilltarë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), tha se kanë për t’i plotësuar 40 pyetje dhe 30 nënpyetje, nga të cilat dominon tregtia dhe fushat tjera të këtij dikasteri. “Pyetjet kanë kryesisht të bëjnë me tregti, promovim të investimeve, për cilësinë e produkteve dhe pyetje për fushat q ë i mbulojmë si ministri”, tha Nikaj.
Ndërkaq në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik (MZHE), nuk kanë treguar se sa është numri i pyetjeve, por vetëm për fushat në të cilat kanë për tu përgjigjur zyrtarët e këtij dikasteri. “ Pyetjet të cilat i janë drejtuar MZHE-së kanë të bëjnë me lëmin e telekomunikacionit, minierave, energjisë, ndërmarrjeve publike dhe në vetë ngërthejnë edhe përgjigjet nga zyrat e ndryshme te rregullatorëve të cilët mbulojnë këto lëmi si dhe përgjigjet që janë dhënë nga KEK-u dhe KOSST-i”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media të MZHE-së.
Në total pyetësori i Komisionit Europian për Qeverinë përmban 450 pyetje për të gjitha fushat.

Pak siguri në punë

Siguria e punëtorëve në ambientin e punës vazhdon të mbetet në nivel mjaft të ulët në Kosovë. Sipas të dhënave të vitit 2011, në Inspektoratin e Punës janë lajmëruar 10 raste të vdekjes në punë, dhe 31 raste të lëndimeve. Ndërkaq, gjatë këtij viti, tre punëtorë kanë vdekur në vendet e tyre të punës.
Zyrtarë të Inspektoratit të Punës thonë se siguria në punë ende nuk është në nivelin e duhur. Sipas tyre, shumë kompani nuk e respektojnë ligjin që ka të bëjë me sigurinë në punë. “Fatkeqësisht, ky vit ka pasur një fillim jo të mirë, sa i përket aspektit të sigurisë në punë. Ne kemi pasur disa raste të vdekjes së punëtorëve në vendin e tyre të punës. Natyrisht që askush nuk e dëshiron këtë, por janë gjëra që mund të ndodhin. Ne kemi bërë inspektimin e këtyre vendeve dhe e kemi kryer punën tonë ashtu siç e parash edhe ligji”, thekson kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Basri Ibrahimi.
Vetëm në tremujorin e parë, sipas Basri Ibrahimit, Inspektorati i Punës ka shqiptuar 30 gjoba që kanë të bëjnë me sigurinë në punë dhe mosrespektimin e ligjit të punës. “Vetë fakti i shqiptimit të këtyre gjobave, tregon se punëdhënësit nuk e respektojnë dhe nuk janë të vetëdijesuar për zbatimin e ligjit për siguri në punë”, thotë Ibrahimi.
Një problem tjetër është edhe legjislacioni aktual, që ka të bëjë me sigurinë në punë, që sipas Basri Ibrahimit, ky legjislacion nuk e rregullon shumë mirë sigurinë në punë. Lidhur me këtë, ai thotë se gjatë këtij viti do të do ta nxjerrin një ligj të ri të sigurisë në punë, me të cilin pastaj do të rregullohen disa mangësi që janë në kuadër të ligjit aktual.
Siguria në punë në aspektin legjislativ në Kosovë rregullohet me dy ligje në fuqi: Ligjin e punës dhe me ligjin për siguri në punë, mbrojtjen e shëndetit të të punësuarve dhe ambientin e punës. Dënimet për punëdhënësit, sipas ligjit për siguri në punë, mbrojtje të shëndetit të të punësuarve dhe ambientit të punës janë nga 100 deri në 20 mijë euro.
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Haxhi Arifi, thotë se mungesa e sigurisë në ambientin e punës, po i kushton punëtorëve me jetë. “Ne nuk jemi të kënaqur me sigurinë në punë që po i ofrohet punëtorëve. Vdekjet që kanë ndodhur në vendet e punës në Kosovë kanë të bëjnë me siguri të ulët. Kjo është një gjë shumë e keqe. Edhe ato ligje që po i miratojnë nuk po zbatohen. “Mekanizmat që janë për monitorim e këtij ligji duhet shumë më shumë të veprojnë në mbrojtjen e sigurisë në punëtorëve ne vendin e tyre të punës”, thotë Arifi.

Dafina Zeqiri ‘lë’ anash muzikën për aktrimin?

E kthyer tashmë në një bionde, ajo duket se nuk kënaqet më vetëm me muzikën e saj dhe hitet që po sjell.
Dafina Zeqiri në Twitterin e saj ka postuar një fotografi ku thotë se është në xhirime të një seriali në RTV21.
Këngëtarja, siç shihet në foto, është duke realizuar një projekt filmik bashkë me aktorin e njohur kosovar Blerim Gjoci.
Se çfarë roli do të ketë ajo në këtë serial, nuk është bërë e ditur.
Këngëtarja Dafina Zeqiri, së fundmi është nominuar në gjashtë kategori me këngën “Supernova” dhe me këngën “My Swag”, në Videofestin Muzikor, i cili pritet të mbahet më pesë qershor. 

Google prezanton shërbimin Knowledge Graph

Sot, Google ka lansuar një shërbim të ri në motorin e saj të kërkimit, Knowledge Graph, me të cilin gjiganti amerikan synon që të lehtësojë zbulimin e informacioneve të reja.
Me Knowledge Graph, Google gjithashtu ka për qëllim të rris shpejtësinë e gjetjes së rezultateve, ndërsa shërbimi i saj i ri tashmë përmban më shumë se 3.5 miliardë fakte në indeksin e të dhënave.
Google Knowledge Graph është krijuar që të mundësojë kërkimin e njerëzve, lokacioneve, ose çkado tjetër që mund të gjendet në indeksin masiv të të dhënave të Google, dhe më pas përdoruesi i shërbimit të marrë informacionet më relevante për fjalën kyçe të cilën e ka kërkuar.
Shërbimi i ri i Google, Knowledge Graph tashmë është bërë publik për përdoruesit amerikan, ndërsa së shpejti pritet që ky shërbim të lëshohet edhe për përdoruesit tjerë, anembanë botës.

Fëmijët nuk duhet të rrinë vetëm në shtëpi!

Zjarrfikësit kanë arritur ta shpëtojnë një djalë trevjeçar, i cili kishte mbetur në pjesën e jashtme të ballkonit, në katin e tretë të banesës ku jetonte.
Djaloshi, i cili është lënë vetëm në shtëpi në Shilin të provincës kineze Yunnan, kishte dalë nga dritarja në pjesën e jashtme të ballkonit dhe aty ka ngecur duke mos mundur që të kthehej brenda.
Kalimtarët e kanë vërejtur dhe kanë kërkuar ndihmë. Trevjeçari është dashur të qëndrojë rreth gjysmë ore deri kur ka arritur ndihma, ndërsa është frikësuar shumë gjatë pritjes.
Një zjarrfikës është lëshuar nga kulmi i ndërtesës dhe e ka shpëtuar djaloshin. Ndërkohë, ka arritur edhe babai i tij për ta qetësuar fëmijën. 

Lahm: Nuk do ta bëja kurrë atë që bëri Terry

Kapiteni i Bayern Munichut, Philipp Lahm, thotë se ai kurrë nuk do të vepronte siç veproi John Terry kur u dërgua jashtë loje në ndeshjen gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Barcelonës.
Chelsea do të udhëtojë në Munich për t’u përballur me Bayernin në finalen e Ligës së Kampionëve pa kapitenin, i cili është i suspenduar pasi u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen e fundit në garën evropiane ndaj Barcelonës.
“A do ta quaja si të papërgjegjshëm? Le të themi se unë kurrë nuk kam bërë diçka të tillë. Thjesht kjo kurrë nuk do të më ndodhte mua. Pse? Pasi si kapiten do të bëja gjithçka për skuadrën. Kjo do t’i dëmtonte ata dhe nuk do ta lejoja të ndodhë”.
“Do të thosha se kjo është një avantazh për ne që ata do të jenë pa kapitenin e tyre. Mendoj se lojtarët të cilët mungojnë në të dyja anët janë të barabartë”.
“Neve na mungojnë lojtarët të cilët kanë qenë kyç në arritjen në finale, si Holger, Badstuber, Luiz Gustavo dhe David Alaba, andaj edhe ne do të vuajmë”, ka thënë Lahm.

Lahm: Nuk do ta bëja kurrë atë që bëri Terry

Kapiteni i Bayern Munichut, Philipp Lahm, thotë se ai kurrë nuk do të vepronte siç veproi John Terry kur u dërgua jashtë loje në ndeshjen gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve kundër Barcelonës.
Chelsea do të udhëtojë në Munich për t’u përballur me Bayernin në finalen e Ligës së Kampionëve pa kapitenin, i cili është i suspenduar pasi u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen e fundit në garën evropiane ndaj Barcelonës.
“A do ta quaja si të papërgjegjshëm? Le të themi se unë kurrë nuk kam bërë diçka të tillë. Thjesht kjo kurrë nuk do të më ndodhte mua. Pse? Pasi si kapiten do të bëja gjithçka për skuadrën. Kjo do t’i dëmtonte ata dhe nuk do ta lejoja të ndodhë”.
“Do të thosha se kjo është një avantazh për ne që ata do të jenë pa kapitenin e tyre. Mendoj se lojtarët të cilët mungojnë në të dyja anët janë të barabartë”.
“Neve na mungojnë lojtarët të cilët kanë qenë kyç në arritjen në finale, si Holger, Badstuber, Luiz Gustavo dhe David Alaba, andaj edhe ne do të vuajmë”, ka thënë Lahm.

Cannavaro: Kjo është Scudettoja e 30-të

Legjenda e Juventusit, Fabio Cannavaro, ka deklaruar se Bianconerët e kanë fituar Scudetton e 30-të në karrierë këtë sezon.
Bianconerët festuan Scudeton e 28-të zyrtare këtë sezon, pasi atyre iu morën titujt e sezoneve 2004/05 dhe 2005/06, pas skandalit të montimit të ndeshjeve në vitin 2006.
“Juventusi ka fituar 30 Scudetto. Unë i kam fituar të dyja në fushë dhe i mbroj ato. Juve e meritoi titullin këtë vit, pasi ata kishin në sezon fantastik”.
“E uroj Antonio Conten dhe jam i lumtur për të dhe për ish-klubin tim, pasi e di se çfarë do të thotë të fitosh pas aq shumë sakrificave”, ka thënë Cannavaro. 

Lucio të largohet nga Interi

Mbrojtësi brazilian Lucio ka vendosur të largohet nga Interi gjatë kësaj vere.
Ish-lojtari i Bayern Munichut ishte figurë kyçe sezonet e kaluara, përfshirë sezonin kur Interi fitoi tre tituj nën drejtimin e Jose Mourinhos. Por ai ka dështuar të gjejë formën këtë sezon, kur Nerazzurrët ndërruan tre trajnerë.
“Ai ka kaluar tre vite të shkëlqyeshme te Interi dhe mendon se është koha të bëjë një ndryshim”.
“Kemi punuar në këtë që nga java e kaluar dhe i kemi mbyllur bisedat të mërkurën. Kemi bërë një kërkesë transferimi dhe Interi është pajtuar. Tash duhet të gjejmë një klub të ri për të”, ka thënë agjenti i tij, Sandro Becker.

NBA: Fitojnë Thunder dhe Celtics

Oklahoma City Thunder ka shënuar nëntë pikë radhazi në dy minutat e fundit të ndeshjes për të mposhtur Los Angeles Lakers me rezultat 77-75 dhe për të kaluar në avantazh 2-0 në rundin e dytë të serisë së playoffit.
Kobe Bryant dhe Andrew Bynum që të dy shënuan nga 20 pikë derisa Lakers udhëhoqi 75-68 me dy minuta të mbetura dhe dukej sikur do t’ia shkaktonte disfatën e parë në playoff Oklahomas.
Por në momentet vendimtare të takimit James Harten shënoi katër dhe Kevin Durrant pesë pikë, për të përmbysur rezultatin dhe për ta bërë publikun vendas të ngazëllyer. Durrant shënoi 22 pikë për Oklahoman në gjithë takimin.
Lakers do të kërkojnë të rikthehen në garë në ndeshjen e tretë që zhvillohet të premten në Los Angeles.
Dramë të vonshme nuk pati në sfidën e Konferencës Lindore, ku Boston Celtics mposhti Philadelphia 76ers me rezultat 107-91 për të marrë avantazhin 2-1 në serinë e ndeshjeve.
Kevin Garnett kontribuoi me 27 pikë dhe 13 kërcime, derisa Paul Pierce dhe Rajon Rondo po ashtu shënuan double-double për Celtics. Ndeshja e katërt zhvillohet të premten. 

Dështojnë negociatat Arsenal – Van Persie?

Arsenali është pushtuar nga frika se nuk do të jetë në gjendje të bindë Robin van Persien për të nënshkruar kontratë të re me klubin.
The Sun shkruan se Topçinjtë kanë shpresuar ta bindin kapitenin të arrijë një marrëveshje të re trevjeçare të vlefshme 130 mijë funte në javë, e cila do të eliminonte interesimin e kampionëve në fuqi, Manchester Cityt, dhe do ta mbante atë në Emirates Stadium.
Por negociatat e djeshme, të cilat janë përshkruar si të tensionuara dhe gjaknxehta, kanë përfunduar pa asnjë marrëveshje.
Tash në Emirates po shtohet frika se Van Persie mund të kërkojë të largohet nga Arsenali për t’u transferuar në Etihad, ku City është i paepur të sigurojë shërbimet e yllit të Ligës Premier. 

Evra: Viti më i vështirë në karrierën time

Kapiteni i Manchester United, Patrice Evra, thotë se sezoni i kaluar ka qenë më i vështiri në karrierën e tij, si brenda ashtu edhe jashtë fushe.
“Ka pasur shumë momente të vështira. Para ndeshjes ndaj Manchester Cityt në tetor, babai im më telefonoi për të më treguar se kam humbur vëllain”.
“Asgjë tjetër nuk mund të jetë më e vështirë sa kjo para një ndeshje të madhe. Ishte rasti me Luis Suarez po ashtu”.
“E di se kjo nuk është mënyra se si një lojtar i Manchester United duhet të bisedojë kur ju nuk e fitoni ligën. Duket sikur po gjej një arsyetim. Por është e vërtetë. Nuk dua të gënjej njerëzit. Ky vit ka qenë shumë i vështirë”, ka thënë Evra.

Skrtel mendon vetëm për Liverpoolin

Martin Skrtel ka mohuar spekulimet të cilat e lidhin atë me një largim nga Anfield dhe thotë se ai dëshiron të vazhdojë karrierën e tij te Liverpooli.
“E vetmja gjë që mund të them është se [spekulimet] nuk janë të vërteta pasi kurrë nuk kam thënë asgjë se dua të largohem nga klubi ose të bëj kërkesë për transferim”.
“Kam kontratë me Liverpoolin dhe jam i lumtur këtu në klub. Nuk kam menduar për largim. Gjërat të cilat janë shkruar në shtyp janë gjepura”, ka thënë Skrtel për Liverpool TV. 

Neuer: Duhet ta heshtim Drogban

Portieri i Bayern Munichut, Manuel Neuer, ka paralajmëruar bashkëlojtarët e tij nga kërcënimi që paraqet ikona e Chelseat, Didier Drogba.
Bavarezët do të përballen me Blutë të shtunën në finalen e Ligës së Kampionëve që zhvillohet në Allianz Arena, dhe Neuer thotë se ata duhet ta mbajnë të heshtur Drogban.
“Ai është një sulmues shumë i mirë dhe ka një prani të fuqishme fizike dhe e di se si ta nxjerrë veten në situata”
“Ne e kemi parë këtë sezon në ligën e Kampionëve se sa i rrezikshëm është ai”, ka thënë Neuer. 

Gervinho: Te Arsenali jam bërë më i mirë

Anësori i Arsenalit, Gervinho, mendon se ai është më i mirë pas 12 muajve të parë në Angli.
“Mund ta shoh evolucionin në karrierën time çdo ditë, çdo javë, çdo muaj. Jap më të mirën për të qëndruar gjithmonë në kulm të formës dhe të vazhdojë të zhvillohem. Edhe kur kam kaluar nëpër kohë të vështira, ende besoj se jam më i miri. Kurrë nuk lejoj dyshimet të më futen në kokë”.
“Kam mësuar disa mësime të mira gjatë këtij sezon dhe do të ketë shumë punë për t’u bërë sezonin e ardhshëm. Ne do të japim gjithçka për të përfunduar me një trofe”.
“Gjithmonë kam dashur të luaj për Arsenalin dhe kurrë nuk kam menduar se do t’i bashkohem klubit kaq i ri”.
“Kam pasur miq në Angli që kanë luajtur për Chelsean dhe Emmanuel Eboue për Arsenalin andaj kam ardhur për të parë disa ndeshje kur isha te Lille. Ishte kënaqësi e madhe t’i bashkohem klubit te i cili gjithmonë kam dashur të luaj”, ka thënë Gervinho për Arsenal Player.

Juve tërhiqet nga gara për Van Persien

Juventusi është tërhequr nga gara për transferimin e sulmuesit të Arsenalit, Robin van Persie.
Kontrata e holandezit skadon në verën e vitit 2013, ndërsa klube, si Juventusi dhe Manchester City, kërkonin nënshkrimin e tij.
Megjithatë, Goal.com njofton se trajneri i Juves, Antonio Conte, preferon sulmuesin e Napolit, Edinson Cavani, pasi që mund të kushtojë më lirë.
Drejtues të Topçinjve janë në negociata me futbollistin e tyre për vazhdimin e kontratës, mirëpo nëse nuk arrijnë marrëveshje, destinacion i 28-vjeçarit pritet të jetë City, klub i cili mund të paguaj aq sa kërkon Arsenali.

50 Cent shtrohet në spital

50 Cent ka postuar një foto të vetes të shtrirë në krevat në një spital dhe së rrethuar nga kukullat, pasi raportohet se ishte diagnostikuar me një virus në stomak.
Reperi i hitit “In Da Cluub” ka postuar foton e tij në Twitter duke shkruar nën të “Nuk dua të shkoj në operacion”.
Megjithatë, pavarësisht se është i sëmurë, 50 ka siguruar fansat e tij se lëshimi i tij më i ri është i gatshëm.
“Unë jam në spital, por skara ime gangsta LOST TAPE është përfunduar, andaj do të dalë në kohë”, ka shkruar më tej reperi. 

Genta Ismailji bashkëpunim me Dj Blunt

Këngëtarja Genta Ismajli do të vijë në bashkëpunim kësaj radhe me DJ kosovar DJ Blunt.
Bëhet fjalë për një këngë ritmike, e cila pritet të jetë një hit veror dhe e cila është shoqëruar edhe me vidoklip.
Videoklipi i kësaj këngë është xhiruar në Shkup dhe pritet së shpejti të lansohet në televizione.
Genta së fundi pati realizuar këngën “Guximi” në bashkëpunim me DJ Dalool e cila ishte pritur mjaft mirë.

Mirsa: Nuk e fal tradhtinë

Këngëtarja kosovare Mirsa Kërçeli e irrituar nga shumë ngjarje në vend, me plotë bindje ka thënë se nuk do ta falte kurrë tradhtinë.
Ajo mendon se një lidhje e fortë nuk mund të kalojë në tradhti, mirëpo nëse do të ndodhte atëherë tradhtia thotë se nuk falet.
“Për vet faktin se çdo ditë e më shumë po dëgjoj lloj-lloj intrigash dhe ngjarje jo të mira në mes çifteve, kam ardhur në përfundimin se tradhtia nuk falet. Unë personalisht nuk do të mund ta falja kurrë të fejuarin tim nëse më tradhton”, ka thënë ajo për ‘Zëri’.
Sipas Mirsës nëse një tradhti falet një herë, ajo mund të përsëritet për të dytën herë, andaj më mirë preferon të mos e fal fare. Mirsa lutet që tradhtia në mes çifteve të pakohet çdo ditë e më shumë.

Pique tradhton Shakiran me Bar Refaelin

Futbollisti spanjoll, Gerard Pique, e ka tradhtuar të dashurën e tij, këngëtaren Shakira, me modelen Bar Refaeli – shkruajnë tabloidet e ndryshme evropiane.
Bar Refaeli
Manekinia izraelite ndodhet në Barcelonë si e ftuar e shtëpisë së modës Pronovias, ndërsa lajm kryesor është bërë spekulimi rreth një afere me mbrojtësin katalunas.
Shume gazetarë që janë duke ndjekur të rejat rreth koleksionit të Pronovias, kanë pohuar se i kanë parë së bashku.
Shakira
Ndërkaq, këto thashetheme, Refaeli i ka quajtur gënjeshtra, ndërsa ka thënë se nuk e përcjell futbollin dhe nuk njeh asnjë futbollist. 

Joshja: çështje “nuhatjeje”

Jan Havlecek, i Charles University të Pragës, ka zbuluar se meshkujt tërhiqen më së shumti nga aroma e lëkurës së femrës kur ajo është në fazën pjellore të ciklit mujor, ndërsa mendojnë se aroma e saj është më pak tërheqëse pikërisht gjatë ditëve të ciklit.
Një nga instinktet më të natyrshme për çdo specie të natyrës, është ajo e ruajtjes së vetes dhe të riprodhimit. Qeniet njerëzore, në këtë kuptim, nuk bëjnë përjashtim: këtë e vërteton një studim, sipas të cilit mashkulli është në gjendje të “nuhasë” ditët në të cilat femra është më pjellore, si pasojë e aromës së lëkurës së femrës.
Sipas asaj që shkruhet në revistën Ethology, kjo aftësi dallimi dhe ndryshimi dhe niveli i ndryshëm i tërheqjes karshi aromave të femrës, janë vetëm një pjesë e mekanizmit të rafinuar përgjatë evolucionit, me qëllim që t’i japë mashkullit sinjale për të kuptuar se kur është e gatshme partnerja e vet për riprodhim dhe kur jo.
Sinjalet e trupit varen nga një përzierje feromonesh dhe, edhe specia njerëzore, edhe pse e pajisur me aftësi të tjera ndërveprimi, nuk bën përjashtim në riprodhim dhe në çlirimin e këtyre substancave, të cilat shpërhapen kryesisht nëpërmjet djersitjes. 

Lemza e bebeve nuk duhet t’ju brengosë

Secili prind brengoset kur e sheh beben e vet prej vetëm pak ditësh apo muajsh që ka lindur fillon ta ngacmojë lemza. Megjithatë, thonë ekspertët, nuk ka arsye për brengosje.
Lemza te të porsalindurit mund të shfaqet, në qoftë se bebja thith ajër apo nëse ndodh të kthejë ushqimin nga kapërcelli (ezofagu) dhe goja.
Megjithatë nëse shikoni që fëmija juaj ngacmohet shpesh nga lemza, atëherë mund të ndiqni këto këshilla të thjeshta për të larguar këtë problem:
1. Gjatë ngrënies mbajeni fëmijën ulur drejt. Kjo parandalon lemzën pas ngrënies, pasi lëshon ajrin që bebja mund të ketë gëlltitur gjatë ngrënies. Mbajeni fëmijën tuaj mbi shpatullën tuaj dhe goditeni lehtë në kurriz derisa të gromësijë.
2. Kontrolloni biberonin. Kur e mbani atë kokëposhtë, qumështi duhet të dalë i pandërprerë dhe jo me pika. Zgjidhni një shishe që të nxjerrë sa më pak ajër.
3. Ushqejeni me kafshata te vogla. Të dyja rastet, si shumë ushqim, si pak, shkakton lemzën. Lëreni fëmijën të ndalojë së ngrëni kur të ndihet i ngopur; asnjëherë mos sforconi ngrënien.
4. Çojeni fëmijën tuaj tek pediatri nëse ka lemzë të vazhdueshme të shoqëruar me kollë, të vjella, etj. Mund të ketë ndonjë problem të refluksit. Doktori juaj mund të sigurojë këshillat dhe trajtimin e duhur.

Rënie e dërgesave të kompjuterëve në Evropën Perëndimore

Sipas të dhënave të cilat i ka grumbulluar kompania Gartner, dërgesat e kompjuterëve personal në Evropën Perëndimore gjatë çerekut të parë të vitit kanë rënë për 3.1% në krahasim me një vit më parë, në 15.5 milion copë.
Gartner thekson se shitja ishte më e dobët nga ajo e paralajmëruar për shkak të paralajmërimit për sistemet e bazuar në procesorët Ivy Bridge të Intelit. Në të vërtetë, sipas Gartnerit i tërë çereku ishte i shënuar nga pritjet, respektivisht shitoret shtynin porositë e kompjuterëve të rinj derisa të mos arrijnë modelet e bazuar në Ivy Bridge, e i tërë tregu i kompjuterëve personal është në pritje të kompjuterëve të parë të bazuar në sistemin e ri operativ të Microsoftit, Windows 8. Gjithashtu theksohet se shfrytëzuesit e vegjël më shumë janë të orientuar kah pajisjet alternative kompjuterike, siç janë telefonat “e mençur” mobil dhe tabletët.
Prodhuesi udhëheqës i kompjuterëve në tregun e Evropës Perëndimore ende mbetet HP, ndërsa pasohet nga Acer, Asus, Dell dhe Lenovo. 

Ia nxjerrin nga barku brushën e dhëmbëve

Një izraelites i janë dashur dy ditë që ta gjejë dikë që t’i besojë se aksidentalisht kishte gëlltitur një brushë dhëmbësh rreth 20 centimetra të gjatë.
Pasi është refuzuar nga mjekët e parë ku është paraqitur, doktorët në Qendrën mjekësore në Haifa e kanë marrë seriozisht rastin e saj dhe ia kanë nxjerrë brushën.
Pasi ka përfunduar punën, 24-vjeçarja ishte kthyer në shtëpi dhe duke larë dhëmbët, është përkulur që të marrë ujë nga rubineti me brushën në gojë, ndërsa për shkak të këndit, brusha nga goja ka kaluar në ezofag dhe më pas në lukth.
Ajo fillimisht ka provuar të vjellë, por pa sukses. Është paraqitur në një spital, por fotografia e rëntgenit nuk ka treguar asgjë.
Përkundër se vajza ka kërkuar bërjen e testeve tjera, mjekët e kanë dërguar në shtëpi me mendimin se ka parë ëndërr ose nuk është normale.
Të nesërmen dhimbjet kanë vazhduar, ndërsa vëllai i saj e ka dërguar në një spital tjetër. Sërish është fotografuar dhe ekzaminuar me ultrazë, por nuk është zbuluar asgjë. Vetëm CT-ja (tomografia e kompjuterizuar) e ka zbuluar ekzistimin e brushës.
Brusha është nxjerrë nga kirurgët pas operacionit me anestezion të përgjithshëm.