United nuk ka bërë ofertë për Javi Garcian

Mesfushori i Benficas, Javi Garcia, nuk ka marrë kurrfarë oferte nga Manchester Unitedi- ka thënë agjenti i lojtarit.
24-vjeçari kërkohet nga skuadrat e mëdha evropiane, ndërsa Unitedi dhe Milani janë më të interesuar.
Madje, Daily Mirror raportoi të hënën se agjenti i Garcias ishte në bisedime me Djajtë e Kuq që ai të kalojë në Old Trafford gjatë verës.
“Nuk mund të them asgjë, askush nuk ka folur me mua. Nuk ka oferta, vetëm spekulime”, ka thënë agjenti Manuel Garcia Quillon për TSF. 

Nuk fiton Reali

Real Madridi ka barazuar me rezultat 1-1 si mysafir i CSKA Moskës, në ndeshjen e parë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve.
Në një mot të ftohtë në Olimpiyskiy stadion Luzhniki, Mbretërit arritën të shënojnë një gol në pjesën e parë, mirëpo në fund të fraksionit të dytë vendasit e barazuan rezultatin.
Pas një mbrojtjeje të dobët të rusëve, Cristiano Ronaldo i kaloi mysafirët në epërsi (28’), ndërsa ky ishte goli i 36 sezonal në të gjitha garat për superyllin portugez.
Në minutat shtesë të ndeshjes, Pontus Wernbloom nuk e lejoi CSKA-në që të dalë e humbur nga stadiumi Luzhniki (90’+3).
Natyrisht se ky rezultat e favorizon Real Madridin për t’u kualifikuar në çerekfinale, kur dihet që ndeshjen e kthimit e zhvillon para tifozëve të vet.

Xavi nuk mendon për zëvendësimin e Guardiolas

Mesfushori i Barcelonës, Xavi, ka thënë se asnjëherë nuk ka menduar për t’ia zënë vendin Pep Guardiolas, as tash e as në të ardhmen. Ai është i fokusuar tërësisht në karrierën si futbollist aktiv.
Kontrata e Guardiolas skadon në fund të sezonit aktual dhe derisa ai po heziton ta vazhdojë atë, vazhdimisht po përmenden emra që mund t’ia zënë vendin.
“Më lini të luaj. Madje as që mendoj për atë (të jem trajner)”.
“Ndjehem si futbollist, unë nuk kam as licencë të trajnerit. Dua të luaj për shumë vite, derisa trupi im të jetë i qëndrueshëm”, u ka thënë Xavi gazetarëve.
Për më shumë, mjeshtri i mesfushës beson se trajneri i Barcës nuk do të largohet nga Camp Nou.

Drogba e Torres në stol

Trajneri i Chelseat, Andre Villas-Boas, ka zgjedhur një formacion startues pa dyshen e sulmit, Fernando Torres apo Didier Drogba, për takimin e të martës mbrëma ndaj Napolit në kuadër të Ligës së Kampionëve- shkruan La Gazzetta dello Sport.
Sipas gazetës italiane, Blutë do të luajnë me formacionin 4-3-3, ndërsa ajo që bie në sy është mungesa e dy sulmuesve të përmendur në formacionin bazë.
Gary Cahill dhe John Terry do të jenë në qendër të mbrojtjes, të mbështetur nga mbrojtësit e krahut, Branislav Ivanovic dhe Ashley Cole.
Mesfusha do të përbehet nga treshja, Michael Essien, Raul Meireles dhe Frank Lampard.
Në fazën ofensive, si anësorë do të luajnë Juan Mata dhe Ramires, ndërsa Daniel Sturridge do të jetë në qendër të sulmit. 

Enrique kërkon qëndrimin e Guardiolas

Trajneri i Romës, Luis Enrique, shpreson që Pep Guardiola të vazhdojë drejtimin e Barcelonës edhe në sezonin e ardhshëm.
Të dy trajnerët kanë qenë bashkëlojtarë te Blaugranët gjatë viteve 1996-2001, duke fituar dy tituj të Spanjës, një Kupë të Mbreti dhe një trofe të Kupës UEFA.
“E ardhmja e Guardiolas? Dua që ai të vazhdojë për të dhe për klubin”.
“Ai është shumë i mençur, është katalunas dhe e bart në vete shpirtin e Barcës, megjithatë duhet të vendosë për të ardhmen dhe ta tregojë atë me qartësi”, citon Sport.es fjalët e Luis Enriques.

Klitschko dëshiron ta nokautojë Chisoran

Kampioni i botës në versionin WBC, Vitali Klitschko, ka thënë se mund t’i ofrojë revansh Dereck Chisoras, të cilin e mposhti të shtunën në Munih.
Ukrainasi fitoi me pikë pas 12 raundesh, mirëpo kjo nuk e kënaq atë, sepse dëshiron ta nokautojë.
“Arsyeja më thotë se nuk duhet t’i ofroj revansh Chisoras. Por, egoja nuk më lejon që ta lë atë njeri pa ndëshkimin e vërtetë”.
“Dua ta nokautoj. Ende kemi çështje të pazgjidhura”, ka thënë Klitschko për Die Welt. 

Clinton: Besoni te Amerika!

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, të martën, përmes një bisede telefonike, e ka siguruar kryeministrin Hashim Thaçi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të qëndrojnë përkrahë qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës.
Clinton i ka rikujtuar edhe njëherë kryeministrit Thaçi dhe gjithë popullit të Kosovës se Shtetet e Bashkuara asnjëherë nuk do t’i sugjeronin Qeverisë së Kosovës të ndërmarrë veprime të cilat do t’i dëmtonin interesat e shtetit të Kosovës dhe të qytetarëve të saj, në rrugën e integrimit të Republikës së Kosovës në institucionet euro-atlantike.
Temë kyçe e bisedës telefonike, sipas një komunikate të Qeverisë, ishte kërkesa e kryeministrit Thaçi që Kosova të mbështetet në implementimin e agjendës euro-atlantike, në mënyrë që Republikës së Kosovës t’i hapen dyert drejt anëtarësimit të plotë në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Sekretarja Clinton ka rikonfirmuar edhe njëherë që Republika e Kosovës do të ketë mbështetje të parezervë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këtë drejtim. SHBA do të vazhdoj të qëndroj përkrah qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, ka thënë ajo.
Kryeministri Thaçi, me sugjerimin amerikan, ka pranua që Kosova të përfaqësohet në në nismat rajonale me Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, Mendimin Këshillëdhënës të GJND-së dhe Rezolutën 1244. Por kryeministri dy ditët e fundit ka qenë nën presionin e të gjitha partive opozitare, të cilat vlerësojnë se pranimi i fusnotës që përmban 1244-shin për të marrë pjesë në nisma rajonale, është kthim prapa dhe goditje e rëndë për shtetësinë e Kosovës.

S’arrin dot në Bruksel!

Raundi i paraparë për të martën në dialogun Kosovë – Serbi, do të mbahet të mërkurën, meqë delegacioni i Kosovës ende nuk ka arritur në Bruksel. Arsyeja e kësaj shtyrje thuhet të jetë anulimi i fluturimi nga Vjena për në Bruksel, me të cilin është dashur të udhëtojnë anëtarët e delegacionit të Kosovës, të kryesuaar nga zëvendëskryeministrja Edita Tahiri.
Paradite ishte thënë se ka pasur “shtyrjes teknike” të këtij raundi, pasi delegacioni i Kosovës ishte nisur me vonesë nga aeroporti i Prishtinës. Ishte paralajmëruar që takimi të mbahet pasdite. Mirëpo tani, sipas burimeve në Bruksel, thuhet se për shkak të anulimit të fluturimit Vjenë-Bruksel, takimi është shtyrë për të mërkurën.
Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në proces, Robert Cooper, ka bërë publike çështjet që do të diskutohen. Sipas tij, bëhet fjalë për bashkëpunimin rajonal dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në raundet e mëhershme.
Qeveria e Kosovës është pajtuar që Kosova të përfaqësohet me një fusnotë, ku figuron Rezoluta 1244, ndërsa krahas saj edhe Deklarata e Pavarësisë dhe mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e aktit të shpalljes së pavarësisë – çfarë ka nxitur edhe reagimin kundërshtues të opozitës kosovare.

Maradona: E admiroj Mourinhon, por nuk e dashuroj

Trajneri i Al Wasl, Diego Maradona, e ka quajtur Jose Mourinhon si trajnerin më të mirë në botë.
“E admiroj Mourinhon. Si njeri, si trajner dhe menaxher dhe si psikolog. Për mua ai është më i miri. Mourinho mund ta kthejë një monedhë në trëndafil dhe kjo ashtë arsyeja për diferencën e madhe në joshjen time për të”.
“Nuk jam i dashuruar në të ose diçka e ngjashme, por ai është një djalosh i jashtëzakonshëm”.
“Pep është një njeri i mrekullueshëm. E njoh Guardiolën shumë mirë, por ndoshta ai nuk ka aq shumë merita sa ka lojtarë impresiv. Por, le të mos harrojmë se Pep është shumë i ri dhe ai ka një karrierë të shkëlqyeshme përpara”, ka thënë Maradona. 

Schweini për pak sa nuk u kthye në basketbollist

Trajneri i skuadrës së basketbollit të Bayern Munichut, Dirk Bauermann, ka zbuluar se ylli i futbollit Bastian Schweinsteiger për pak sa nuk ka luajtur për skuadrën e tij sezonin e kaluar.
Në autobiografinë e tij që do të publikohet së shpejti, ish-trajneri i kombëtares gjermane në basketboll ka shpjeguar se Shweini kishte qenë si opsion për t’u përfshirë në skuadër pasi ata fituan promovimin në ligën e parë të basketbollit. Por frika për ndonjë lëndim të mundshëm kishte penguar këtë aventurë të tij”.
“Shtatë ndeshje para fundit të sezonit, në mars të vitit 2011, ne siguruam promovimin në Bundesligën e Basketbollit, me pesë ndeshje të mbetura në kampionat”.
“Në fakt, Bastian Schweinsteiger mund të kishte luajtur për ne në atë kohë. Do të ishte shumë kënaqësi. Por mbi të gjitha, kjo tregon si funksionon Bayern: pas vetëm disa muajsh kishte një raport të ngushtë në mes të futbollistëve dhe basketbollistëve”, ka shkruar Bauermann, raporton Bild.

Capello nuk është i interesuar për Chelsean?

Fabio Capello raportohet se nuk është i interesuar të drejtojë Chelsean.
Daily Mail shkruan se ish-përzgjedhësi i përfaqësueses së Anglisë në futboll është duke u menduar nga Roman Abramovich nëse ai humb durimin në Andre Villas-Boas.
Por Abramovichit i është thënë se Capello nuk do të ishte i interesuar për një pozitë afat-shkurtër.

F1: Vettel më i shpejti në Barcelonë

Sebastian Vettel ka shënuar kohën më të shpejtë në testin e sotëm, të dytin për para-sezonin 2012, të Formula 1 në Barcelonë.
Një xhiro e vonshme nga kampioni në fuqi ka nxjerrë Red Bull RB8 si veturën më të shpejtë në këtë seancë, me Force India dhe ngasësin Nico Hulkenberg, i cili ishte më i shpejti shumicën e kohës, që ra në pozitën e dytë.
Lewis Hamilton përfundoi i treti në listën e më të shpejtëve. Ai ishte më pak se çerek sekonde më i ngadalshëm se Vettel.
Ngasësi i Toro Rossos, Daniel Ricciardo, ishte i katërti, derisa Fernando Alonso me Ferrarin e tij arriti kohën e pestë më të mirë.
Michael Schumacher, që drejtoi Mercedes' W03 për të parën herë në këto testime, ishte pesë të qindtat më i ngathtë se Alonso në pozitën e gjashtë.
1. Sebastian Vettel - Red Bull 1:23.343 (38)
2. Nico Hulkenberg - Force India 1:23.440 (47)
3. Lewis Hamilton - McLaren 1:23.590 (45)
4. Daniel Ricciardo - Toro Rosso 1:23.618 (45)
5. Fernando Alonso - Ferrari 1:24.100 (37)
6. Michael Schumacher - Mercedes 1:24.150 (42)
7. Sergio Perez - Sauber 1:24.219 (29)
8. Bruno Senna - Williams 1:26.188 (56)
9. Romain Grosjean - Lotus 1:26.809 (7)
10. Heikki Kovalainen - Caterham 1:27.537 (9)
11. Charles Pic - Marussia 1:29.248 (65)

Shaqiri ngacmon Heynckes: Do të shënoj go

Mesfushori i Baselit, Xherdan Shaqiri, mezi pret ndeshjen e parë të Ligës së Kampionëve kundër skuadrës së tij të ardhshme, Bayern Munich.
Shqiptari me nënshtetësi zvicerane në fund të sezonit do të largohet nga klubi zviceran për t’iu bashkuar gjigantit nga Bundesliga, të cilin e quan si klubin më të mirë në Gjermani.
“Bayerni është favorit, ata do të vijnë në Basel për të fituar. Ata do të luajnë shumë më ndryshe nga ajo çfarë bënë së fundi kundër Freiburg. Bayern është, dhe për mua mbetet, klubi më i mirë në Gjermani”, ka thënë Shaqiri për Bild.
Anësori kosovar së fundi ka folur në telefon me trajnerin e Bayernit, Jupp Heynckes, dhe nuk e ka lëshuar mundësi për të diskutuar rreth ndeshjes së të mërkurës.
“E kam pyetur nga Z. Heynckes: ‘A do të zemëroheshe nëse shënoja kundër Bayernit’? Ai qeshë pastaj bëri një shaka për këtë. Ishte një bisedë e këndshme”, ka shtuar Shaqiri.

Cavani: Ta shkatërrojmë futbollin anglez

Ylli i Napolit, Edinson Cavani, dëshiron “ta shkatërrojë” futbollin anglez duke eliminuar Chelsean nga Liga e Kampionëve.
Ndryshe nga vitet tjera, këtë sezon Chelsea është vetëm klubi i dytë anglez që ende është duke garuar në garën evropiane këtë sezon, pavarësisht se po kalon një fazë të vështirë në kampionatin anglez. Por Cavani mendon se suksesi i Chelseat nuk do të zgjasë shumë.
“Është një shans i madh për ne ta shkatërrojmë futbollin anglez. Ata kanë një reputacion aq të madh, por këtë vit ata kanë dështuar dhe ne synojmë t’i bëjmë gjërat më keq për klubet angleze, duke mposhtur Chelsean”.
“Nuk kemi frikë nga Chelsea, andaj jemi të bindur se mund ta eliminojmë edhe skuadrën e fundit angleze. Ne nuk themi se do të jetë e lehtë, por, me mënyrën se si luajmë, jemi shumë optimist”.
“Ne jemi në pozitën e gjashtë në Serie A, por jemi në formë të mirë dhe do ta dëshmojmë këtë në fushë”, është zotuar Cavani.
Prej klubeve angleze në Ligën e Kampionëve është duke garuar edhe Arsenali, që mori një goditje javën e kaluar duke u mposhtur 4-0 nga Milani.

NBA: Rose rikthehet fuqishëm

Derrick Rose ka treguar një ndikim të menjëhershëm pas rikthimit të tij në skuadrën e Chicago Bulls, pasi MVP i sezonit të kaluar shënoi pikët më të larta të ndeshjes, 23, për të ndihmuar ekipin të fitojë 90-79 ndaj Atlanta Hawks.
Rose mungoi në pesë ndeshje të njëpasnjëshme për shkak të një spazme në shpinë, por tregoi pak pasoja të saj, duke ndihmuar edhe me gjashtë asistime dhe pesë kërcime.
Fitorja ishte e 12-ta në 14-të ndeshje për Bulls dhe e mban ekipin në maje të tabelës së Konferencës Lindore, derisa Atalanta, e gjashtë në tabelë, humbi për të shtatën herë në 10 ndeshje.
Carlos Boozer shënoi 16 pikë të tjera për Bulls derisa Rooney Brewer kontribuoi me 13 pikë. Te Hawks më i sakti ishte Jannero Pargo me 19 pikë. 

Vieira tall Man United: City më i mirë se ju

Ambasadori i Manchester Cityt, Patrick Vieira, ka gjetur kohë për të tallur rivalin lokal, Manchester United.
“Te Arsenali ne besonim në vete dhe fituam titullin – dhe e shoh të njëjtin besim këtu në lojtarët te City”.
“Kur shikoni në skuadrën tonë dhe se si kemi luajtur që nga fillimi i sezonit dhe shikoni se si ka luajtur United, është fakt se ne jemi më të mirë se ata”.
“Alex Ferguson e di si ta fitojë ligën më mirë se çdokush tjetër, por unë besoj se ne kemi lojtarët, menaxherin dhe dëshirën për ta fituar titullin”, ka thënë francezi.

Shtatzëna ha gazeta

Dihet se shtatzënat i mbërthen një dëshirë e papritur për një lloj të caktuar ushqimi ose për ndonjë kombinim të çuditshëm të ushqimit. E, kur hormonet “çmenden”, atëherë paraqiten edhe raste ekstreme si ky i britanikes 35 vjeçare.
Ann Curran nga Dundee thotë se kënaqet duke ngrënë gazeta.
Ann i tha mediave britanike se shija e gazetave i duket e këndshme, kështu që sa herë del në qytet, në çantë mban gazetat “të cilat i përtyp sa herë që e mbërthen kjo dëshirë e pa rezistueshme”. 

Deputeti kanadez, sikur me qenë prej Kosove (Video)

Njëri prej deputetëve më të rinj të partisë Demokratike në Parlamentin e Kanadasë, duket se u lodh shumë gjatë një seance parlamentare. Pasi humbi përqendrimin filloi të merrej me gjëra tjera...
Derisa kolegët e tij mbajnë fjalim, Jonathan Genest-Jourdain (35 vjeçar) rregullonte flokët duke u shikuar në telefonin mobil. Më pas tundte kokën nën ritmet e muzikës, ose të paktën ashtu dukej.
Pas pak kohe ai bile u mërzit edhe me këtë dhe vendosi ta bëjë një sy gjumë.
Një deputet në Kanada e ka rrogën rreth 10.000 euro.    

Katër litra silikonë në gjoks!

Amerikania Sheyla Hershey, mban rekord të pazakontë, sepse 22 herë ka implantuar silikone në gjinjtë e saj, që deri më tash i kanë kushtuar 250.000 dollarë. Madhësia e gjoksit të saj është 38KKK, ndërsa diametri i gjinjve arrin në 142 centimetra.
“Gjinjtë i konsideroj si fëmijët e mi, i dua si t’i kem fëmijë. Ashtu si i kam mendoj se janë gjëja më e mirë në jetën time”, tha Sheyla.
Ajo thotë se për shkak të gjoksit të bujshëm shpesh merr komente jo të hijshme në rrugë, si dhe se me to nuk mund të vrapojë. Kur han ushqimi shpesh përfundon në dekoltenë e saj, ndërsa as nuk është në gjendje që ta shtrëngoje normalisht vajzën.
“Ky është çmimi i bukurisë”, thotë Sheyla.
Për herë të parë futi silikonet në gjoks në moshën 18 vjeçare, ndërsa sasia e silikonit në gjinjtë e saj tejkalon 4 litra.

Arrestohet Kreshnik Cana

Modeli 23-vjeçar Kreshnik Cana, i cili punon përkohësisht në Athinë për një agjenci mode, është arrestuar nga policia greke në zonën e Kalitheas në orët e mëngjesit të së martës, nën akuzën për mbidozë kokaine dhe prishje të rendit publik, kjo e pavërtetuar nga analizat mjekësore brenda këtij instituti.
Ndërkohë, menaxheri i tij B. Mihas është kontaktuar nga disa mediume greke të cilat përcjellin rregullisht aktivitetet policore, sidomos ajo Elefterotypia, dhe me të mësuar për arrestimin dhe kombësinë e modelit, kanë shfrytëzuar rastin për të prishur imazhin e tij në tregun evropian.
Mihas, një bashkëpunëtor i ngushtë me Canën, pohon se nuk bëhet fjalë për përdorim droge, dhe se rasti është ekzagjeruar nga disa persona të caktuar, dhe e quan arrestimin si konspiracion të paramenduar kohë më parë.
Lajmi është keqinterpretuar si rrjedhojë e personave të lartpërmendur, ndërsa Mihas ka shtuar në njoftimin zyrtar në Facebook se rasti nuk është aspak negativ për aktivitetet e modelit, nëse veç ky ka qenë qëllimi i tyre, madje me habi quan rastin si jo të rastësishëm në kohën kur Cana pritet të nënshkruaj kontrata me disa marka të famshme botërore. 

2po2 dhe Flori sjellin këngën ”Gjithë jetën”

Reperi 2po2 së bashku me këngëtarin Flori kanë sjellë bashkëpunimin e tyre të dytë të tituluar “Gjithë jetën”.
Kënga flet për një histori dashurie, një tekst i shkruar mjaft mirë nga reperi Besnik Canolli, ndërsa muzika është realizuar nga Flori.
Për 2po2 dhe Florin ky nuk është bashkëpunimi i parë, pasi që ata më herët kanë realizuar këngën “Crazy Girl”.
Më poshtë mund ta shikoni klipin e këngës “Gjithë jetën’ i realizuar nga Enermedia.

Një anglez ‘rrëmben’ zemrën e Anjezës

Këngëtarja Anjeza Shahini raportohet se prej disa kohësh është duke përjetuar një histori të bukur dashurie.
Djaloshi që ka bërë për vete këngëtaren quhet Pol dhe është një qytetar anglez. Pol prej kohësh jeton në Shqipëri, ku edhe është njohur me Shahinin.
Kështu, të afërm të këngëtares sigurojnë që nuk bëhet fjalë për një histori kalimtare, por tepër serioze.
Kjo është e para histori dashurie e publikuar për Anjeza Shahinin.

Bertani në lidhje me një këngëtare maqedonase?

Edhe pse shumë herë janë prezantuar vetëm si miq dhe bashkëpunëtorë, pop këngëtari dhe producenti Bertan Asllani, duket se e ka bërë publike lidhjen e tij me këngëtaren maqedonase Tamara Todevska.
Disa foto të çiftit janë bërë publike në rrjetet sociale, ku ata shihen të lumtur me njëri tjetrin.
Sipas mediave maqedonase këngëtarja Todevska nuk është përgjigjur për të konfirmuar apo përgënjeshtruar lidhjen.
Ndërsa nga produksioni që menaxhon karrierën e saj, “Simply City”, kanë thënë se në jetën private nuk i përzihen këngëtares. 

Ngrënia me prindërit ndikon në shprehitë ushqyese të fëmijëve

Fëmijët që hanë ushqim së bashku me prindërit e tyre, së paku tri herë brenda javës, tregojnë më pak predispozita për peshë të tepërt.
Një studim ka treguar se nga ngrënia e përbashkët me prindërit ekziston 20 për qind prirje më e vogël e fëmijëve për të ngrënë ushqim të shpejtë, pastaj 35 për qind gjasa më të vogla që fëmijët t’i tejkalojnë vaktet ose të hanë ushqim të tepërt, si dhe 24 për qind gjasa më të mëdha që në ushqimin e tyre fëmijët të përfshijnë më shumë perime dhe ushqim të shëndetshëm.
Familja, gjatë ushqimit të përbashkët, zakonisht nuk konsumon ushqim shumëkalorik, ashtu që mbikëqyrja e prindërve ndikon në zhvillimin e shprehive kualitative te fëmijët.
Kilogramët e tepërt, që i fitojnë fëmijët për shkak të shprehive të këqija ushqyese, mund të shkaktojnë sëmundje kardiovaskulare dhe diabet.

Dëshira për pasardhës është tërheqëse

Në kuadër të vlerësimit të tyre për partnerin potencial, femrat përfshijnë edhe analizën e tyre, nëse partneri në fjalë është i gatshëm që të ketë fëmijë, madje edhe kur ato vetë nuk mendojnë për pasardhës.
Në një studim të shkencëtarëve kalifornianë, femrave iu janë treguar fotografi të fytyrave të meshkujve, të cilëve paraprakisht iu është matur niveli i testosteronit dhe janë pyetur në lidhje me interesimin e tyre për të pasur fëmijë.
Kështu, femrat nga këta meshkuj, përveç dukjes joshëse, kanë kërkuar të dinë për “mashkullitetin” e tyre dhe sa i duan ata fëmijët, ashtu që të vendosin nëse do të fillojnë një lidhje të shkurtër ose të gjatë.
Ndër tjera, është treguar se femrat kanë aftësi të zbulojnë përmes pamjes së fytyrës së mashkullit nëse janë ata të interesuar për fëmijë dhe sa e kanë nivelin e testosteronit.
Meshkujt me nivel të lartë të testosteronit llogariten atraktivë për lidhje afatshkurtër, ndërsa ata që i duan dhe interesohen për fëmijë konsiderohen tërheqës për lidhje afatgjata. 

SkyDrive në Windows 8

Në blogun e vet Building Windows 8, Microsoft gjerë e gjatë publikoi detajet rreth integrimit të SkyDrive në Windowsët e rinj.
Në desktopin klasik do të marrim integrimin e vërtetë siç ofrohet nga Dropbox (e jo vetëm ueb aplikacionin siç është rasti deri me tani). Në kompjuter do të zgjidhet një lokacion (drive ose disk) i cili do të sinkronizoj tërë përmbajtjen me të dhënat në re.
Gjithashtu, për tu përgjigjur në kërkesën e popullarizuar të shfrytëzuesve, në Microsoft kanë mundësuar vendosjen e fajllave me madhësi deri në 2 GB.
Në ndërfaqen Metro SkyDrive do të ketë aplikacionin e vet. Por, ndoshta edhe më me rëndësi, është se të gjitha aplikacionet Metro do të mund ti qasen të dhënave në re pa pasur nevojë për zhvillimin e funksionaliteteve tjera. Më në fund, përmes ndërfaqes së ueb aplikacionit do të mund të qasen të gjitha të dhënat në një kompjuter në largësi. 

Në Kosovë po qëndron delegacioni i FMN-së

Në Kosovë po qëndron një delegacion i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për të bërë vlerësimin përfundimtar të marrëveshjes për monitorim nga stafi, të arritur me Qeverinë e Kosovës, në qershor të vitit të kaluar, thotë Muharrem Shahini, zëdhënës në Ministrinë e Financave.
Shahini, shpreson se këto bisedime do ti hapin rrugë Kosovës, për arritjen e programit të ri, “Stand By” më këtë mision. “Shpresojmë se do të marrim vlerësime pozitive sa i përket qëndrueshmërisë fiskale, pasi që edhe vlerësimi i cili është kryer gjatë nëntorit të vitit të kaluar ka qenë pozitiv. Dhe në këtë mënyrë do të hapet mundësia për arritjen e programit të ri dhe përfitim të fondeve nga ky mision”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Muharrem Shahini.
Marrëveshja 18 mujore e quajtur “Stand By Arrangement” , e arritur në mes ekzekutivit të Kosovës dhe FMN-së, e cila ishte miratuar nga Bordi Ekzekutiv i FMN-së në korrik të vitit 2010, ishte ndërprerë më 2011.
Në atë kohë, misioni i FMN-së, në Prishtinë kishte njoftuar se ky institucion financiar ndërkombëtar ka arritur një marrëveshje në nivel të personelit me autoritete mbi një pako të politikave që do të monitorohen në kontekst të Programit Monitorues të Personelit deri në fund të vitit 2011.
“Zbatimi i suksesshëm i këtij programi do të ndihmojë krijimin e një mekanizmi përcjellës të menaxhimit fiskal, i cili mund të shtrojë rrugën për një rishikim të ndihmës financiare nga ana e FMN-së në vitin 2012 dhe të lehtësojë vazhdimin e mbështetjes së donatorëve”, kishin thënë në atë kohë udhëheqës të zyrës së FMN-së në Kosovë.
Sidoqoftë, nëse vlerësimi i delegacionit të FMN-se është pozitiv, atëherë do t’i mundësohet Qeverisë së Kosovë për bisedime për një program të ri, përmes së cilit ekzekutivi ka planifikuar dhe ka projektuar në buxhetin e këtij viti një shumë prej 92 milionë euro.
Delegacioni i Fondit Monetar Ndërkombëtare, që nga sot e deri më 5 mars do të qëndrojë në Kosovë.

Prishtina ankohet për mungesë buxheti, i teprojnë 17 milionë euro

Afro 17 milionë euro ka rezultuar teprica e mjeteve që Komuna e Prishtinës nuk ka arritur t’i investojë gjatë vitit 2011. Këto mjete janë bartur në buxhetin e këtij viti.
Ky është viti i tretë që Komuna e Prishtinës bartë mjetë nga vitit në vit. Udhëheqësit e Prishtinës vazhdimisht janë ankuar për pamjaftueshmëri të buxhetit për projekte të mëdha për kryeqytetin.
Kjo bartje nga zyrtarët komunal është interpretuar të hënën si dëshmi e respektimit të normave ligjore dhe praktikave të mira të menaxhimit. “Nuk bëhet fjalë për mjete të tepruara. Por për mjete të kontraktuara dhe të patransferuara në kontot përkatëse, ngase transferimi i mjeteve bëhet në bazë të disa raporteve vlerësuese nga puna në terren”, ka thënë Muhamet Gashi zëdhënës i Komunës së Prishtinës, shkruan Koha ditore.
Sipas tij, nga rreth 17 milionë euro të bartura nga viti i kaluar, 9 milionë euro janë të kontraktuara vetëm për sheshet e kryeqytetit.

Veseli: Dikush do luftë gjelash në Kosovë

Ish-shefi i Shërbimit Informativ të Kosovës, Kadri Veseli, nuk pajtohet se faktori politik i Kosovës në të kaluarën ka qenë i përçarë. Ai insiston se ka pasur unitet në qëllim, ndërsa fajin për, siç e quan hendekun e krijuar mes asaj që sot njihet si krah i luftës dhe lëvizjes për rezistencë paqësore, e hedh jashtë oborrit të ish-UÇK-së.
Në intervistën dhënë KTV-së dhe “Kohës Ditore”, Veseli ka folur për proceset e së kaluarës në Kosovë, për luftën për çlirim nga Serbia, për mospajtimet e vazhdueshme mes faktorit politik të Kosovës, për Shërbimin e zbulimit të cilin e udhëhoqi dhe për planet e tij për përfshirje në politikë.
Ish-shefi i SHIK-ut ka folur edhe për raportet e strukturave ilegale të viteve ’90-të dhe atyre të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me lëvizjen paqësore politike të udhëhequr nga Ibrahim Rugova dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.
“E kam parë një fotografi, të botuar në mediat tona edhe shumë mirë si është botuar, kur komandanti jonë legjendar, Adem Jashari, në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës në Rinas e pret presidentin e Kosovës, zotin Ibrahim Rugova”, thotë ai, duke përmendur si dëshmitar Mehmet Krajën, përfaqësuesin e Kosovës në Tiranë në atë kohë.
“Ka qenë vendim i përbashkët që komandanti legjendar të shkojë dhe të takohet me presidentin. Është frikësuar (Rugova), nuk e ka takuar. Nuk e ka takuar, besomëni premtimi ka qenë të takohen. Kjo ka qenë ideja, të shkohet dhe të takohet atje”.
Ai përmend edhe Mujë Rugovën, rektorin e tanishëm të UP-së, dhe Enver Hasanin, kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, si dëshmitarë të tentimeve për të koordinuar veprimet mes UÇK-së dhe kryeministrit në ekzil të asaj kohe, Bujar Bukoshin.
“Ka qenë një hapësirë kur kemi mundur të komunikojmë”, thotë ai, sipas të cilit qeveria e Bukoshit ka qenë qeveri legjitime e asaj kohe, ndërsa koncepti i UÇK-së ka qenë koncepti legjitim i popullit të Kosovës.
“Koncepti ynë ka qenë dhe është të bëjmë diçka të mirë për këtë vend, jo të merremi me njëri-tjetrin”, shton ai. “Është mangësi morale së pari, dhe intelektuale, që tentojnë me çdo kusht të na mbajnë vetëm luftën e gjelave. Kjo nuk i shërben këtij vendi dhe nuk do të jetë e mirë. Ajo çfarë kemi bërë të gjithë në të kaluarën le të mbetet gjykim i gjeneratave që vijnë”.
Ndërkaq, në reagimin e gazetarit se pa faktorin e jashtëm, posaçërisht NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara nuk do të ishte i mundur çlirimi i Kosovës, Veseli thotë: “Nuk është e vërtetë se erdhën të tjerët, ata na çliruan, se ne nuk do të ishim çliruar kurrë. Jo, jo. E vendosëm të çliroheshim si gjeneratë, u futëm në atë koncept, sakrifikuam për atë koncept, dhe bota e civilizuar e pa se ne jemi në rrugë të drejtë dhe atëherë nuk na la vetë”.

Hyseni: Brukseli nuk na mbron nga vetvetja

Propozimi i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, që Kosova në nismat rajonale të përfaqësohet me fusnotën ku shënohet edhe Rezolutë 12 44, sipas deputetit të LDK-së dhe ish-ministrit të Jashtëm të Kosovës, Skender Hyseni, ka befasuar të gjithë, madje edhe vet presidentin e Serbisë, Boris Tadic.
Në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë”, Hyseni thotë se kthimi në Rezolutën 12 44 paraqet kthim në çështjen e pazgjidhur të statusit të Kosovës, çka sipas tij, mund të ketë pasoja për Kosovën dhe gjithë rajonin.
“Gjëja e fundit që do të duhej pritur pas vendimit të Grupit Drejtues Ndërkombëtar - i cili mbikëqyrte pavarësinë e Kosovës, për ta përmbyllur këtë mbikëqyrje diku nga fundi i këtij viti - dhe gjëja e fundit që duhej pritur ishte që vet institucionet e Republikës së Kosovës, me vullnetin e tyre të rikthehen dhe përqafojnë Rezolutën 12 44 si model identifikimi në takimet ndërkombëtare”, thotë Hyseni, sipas të cilit ky është fillim i degradimit gradual të shtetësisë së Kosovës.
“Do të ndihem shumë keq kur të takohem me shumë miq të Kosovës në Parlamentin Evropian, në botë, në Amerikë, të cilët janë angazhuar fuqishëm që referenca e 12 44-shit të mos lejohet. Kanë bërë luftë me deputetët sllovakë, spanjollë, grekë, rreth kësaj, dhe tash jemi ne vet që u themi atyre ju e keni pasur gabim. Me këtë ne e kemi legjitimuar politikën e pesë vendeve të BE-së që nuk e njohin Kosovën dhe e kemi refuzuar politikën e 22 vendeve të Bashkimit Evropian që e njohin Kosovën”.
Hyseni nuk ka asgjë kundër dialogut me Beogradin, por me “pazotësinë e delegacionit të Kosovës” që të jetë e barabartë në dialog. Dialogu do të duhej të synonte ta zvogëlonte atë hendek shumë të madh midis dyja vendeve, mendon ai, e jo ta thellojë problemin duke iu kthyer Rezolutës 12 44.
“Nëse ju me vullnetin tuaj bëni lëshime pse duhet të bëhet avokat i Kosovës dikush në Bruksel. Ka shumë avokat të Kosovës në Bruksel që e kanë mbrojtur Kosovën nga të këqijat që këtij vendi ia ka shkaktuar Republika e Serbisë në të kaluarën. Por, unë ju siguroj që asnjëherë Kosova nuk do të gjejë avokat në Bruksel që do ta mbrojë atë nga vetvetja”.

Kosova të përfaqësohet mbi bazën e reciprocitetit

“Republika e Kosovës është shtet sovran dhe i pavarur dhe përfaqësimi i saj në skenën ndërkombëtare dhe në nismat rajonale bëhet vetëm mbi bazën e reciprocitetit dhe barabarësisë me të gjitha vendet e tjera pjesëmarrëse”, ka thënë Arbër Vllahiu, këshilltar për media i presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga.
Në një deklaratë për “Radion Evropa e Lirë”, Vllahiu ka rikujtuar se “Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë janë të angazhuara, si dy shtete sovrane dhe të barabarta, në dialogun për çështjet teknike të interesit të përbashkët, me ndërmjetësimin dhe lehtësimin e Bashkimit Evropian”.
“Të gjitha vendet dhe popujt e Ballkanit aspirojnë anëtarësimin në BE dhe asnjëri vend nuk mund ta pengojë tjetrin në këtë rrugë të integrimeve. Të gjitha vendet e Ballkanit duhet të përmbushin kushtet për t’u bërë anëtarë të BE-së dhe respektimi i parimit të fqinjësisë së mirë është domosdoshmëri për të ndërtuar një të ardhme më të mirë brenda BE-së”, ka thënë Vllahiu.

Komuna e Skënderajt, njësh në drejtshkrim

Komuna e Skënderajt ka shpallur një konkurs për tri vende të lira të punës, në administratën komunale dhe në shtëpinë e kulturës “Hasan Prishtina”.
Por, gabimet drejtshkrimore janë aq të mëdha, saqë “njëshi” nuk do t’i ikte as një nxënësi, raporton “Zëri”.
“Konkurs, Mbi plotësimin e 3 (tri) vendeve të lira të punës. a). Pozita: Nji Avokat Publik Komunal në zyrën e Kryetarit të Komunës së Skënderajt. Lokacioni tek: Kryetari i Komunës së Skënderajt. b). Pozita: Nji Zyrtar të Ambijentit në DUNMA. Lokacioni vendi i punës: Drejtoria për Ndërtim, Urbanizëm dhe Mbrojtje të Ambijentit. c). Nji Mbikqyerësi Sallav te leximit ne DKRS”, është vetëm një pjesë e tekstit të konkursit, i cili është publikuar në dy të përditshme tona.
Foto: Zëri
Dikush që e njeh sadopak gjuhën shqipe, do të duhej t’i jepte një shikim konkursit, nëse për asgjë tjetër, atëherë për të mos u “bërë horë“ në opinion. Pos “nji”, në vend “një“, që vazhdimisht përsëritet në konkurs, tingëllon qesharake fjala: “Lokacioni tek: Kryetari i Komunës së Skënderajt”.
Në një situatë kur në institucionet publike komunale për çdo ditë merren njerëz në punë, nganjëherë edhe pa konkurs, punësimi i një lektori është i domosdoshëm.

Bisedimet nisin pasdite

E plotësuar - Burime të Bashkimit Evropian në Bruksel thonë se raundi i sotëm i dialogut ndërmjet Kosovës e Serbisë, që ishte dashur të fillojë paradite, do të mbahet pasdite vonë.
Kjo ka ndodhur pas “shtyrjes teknike”, pasi delegacioni i Kosovës ishte nisur me vonesë nga aeroporti i Prishtinës.
Sipas këtyre burimeve, mund të ndodhë që ky raund i dialogut, që është i pari për këtë vit, të vazhdojë edhe nesër, raporton “Radio Evropa e Lirë”.
Ndërmjetësi evropian në proces, Robert Cooper, ka bërë publike çështjet që do të diskutohen. Sipas tij, bëhet fjalë për bashkëpunimin rajonal dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në raundet e mëhershme. /Telegrafi/

E plotësuar - Fillimi i raundit të ri të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është caktuar të mbahet gjatë orëve të pasdites, pasi zyra e ndërmjetësit Cooper ka marrë konfirmimin se delegacioni i Prishtinës tashmë është nisur drejt Brukselit.
Siç është bërë e ditur më parë nga Komisioni Evropian, delegacioni i Prishtinës, i kryesuar nga Edita Tahiri, ka qenë dashur që mbrëmë të ishte në Bruksel, ndërkohë që takimi do të duhej të fillonte sot në orën 10:00, raporton “Kosovapress”.
Arsyet e kësaj vonese nuk janë bërë të ditura, as nga Brukseli dhe as nga ekipi i zonjës Tahiri, me të cilën ka qenë e pamundur të komunikohet për shkak të mbylljes së telefonave.
Gjatë raundit të sotëm është paraparë të diskutohet për përfaqësimin rajonal të Kosovës dhe zbatimin e marrëveshjeve të deritanishme. /Telegrafi/

E plotësuar - Ndonëse i paraparë të niste në orën 10, raundi i sotëm i dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit nuk ka filluar ende.
Maja Kocijancic, zëdhënëse e shefes së diplomacisë evropiane, Cathernie Ashton, ka konfirmuar për “Radion Evropa e Lirë” se shtyrja ka pasuar mungesën e delegacionit të Prishtinës në Bruksel.
Tash për tash është ende e paqartë nëse bëhet fjalë për vonesë teknike apo shtyrje të të gjithë procesit.
Ndërmjetësi evropian në proces, Robert Cooper, ka bërë publike çështjet që do të diskutohen. Sipas tij, bëhet fjalë për bashkëpunimin rajonal dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në raundet e mëhershme.
E para ka qenë edhe shkaku i ndërprerjes së bisedimeve për disa muaj, pasi palët nuk kanë mundur të arrijnë marrëveshje për përfaqësimin e Kosovës në forumet dhe nismat rajonale. Përderisa Prishtina ka kërkuar përfaqësimin e saj si shtet, Beogradi ka insistuar në Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara.
Së fundmi, Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Hashim Thaçi janë pajtuar që Kosova të përfaqësohet me një fusnotë, ku figuron Rezoluta 1244, ndërsa krahas saj edhe Deklarata e Pavarësisë dhe mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e aktit të shpalljes së pavarësisë – çfarë ka nxitur edhe reagimin kundërshtues të opozitës kosovare.
Shteti serb ka përsëritur se 1244-shi i OKB-së dhe mendimi i GJND-së janë të pranueshëm, por pa iu referuar Deklaratës së Pavarësisë.
Ndërmjetësi evropian, Robert Cooper, ka theksuar rëndësinë e arritjes së marrëveshjes për bashkëpunimin rajonal.

Juppe: Fokusohuni në menaxhimin e kufijve

Shefi i diplomacisë franceze, Alain Juppe, thotë se BE ia ka bërë me dije Beogradit gjërat që priten nga Serbia.
“Përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës duhet të fokusohet në menaxhimin e kufijve dhe në pjesëmarrjen e Kosovës në forumet e bashkëpunimit rajonal”, ka thënë Juppe në një intervistë për gazetën “Veçernje novosti”.
Ai ka shtuar se deri në takimin e Këshillit të Ministrave të BE-së, me rëndësi është të dërgohet një sinjal i qartë në lidhje me menaxhimin e integruar të vendkalimeve.
“Rëndësi ka që misioni i EULEX-it ta ushtroj lirisht mandatin në veri të Kosovës”, shton ai.
Juppe ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës paraqet domosdoshmëri politike, e cila do t’i kontribuonte stabilitetit të rajonit dhe perspektivës evropiane të dyja vendeve.
“Secila palë duhet patjetër të tregojë përkushtimin evropian dhe vendosmërinë që të realizohen përpjekjet e domosdoshme, sepse nuk ekziston tjetër alternativë”.

Letra e Prishtinës “frikëson” Beogradin

Nga ambasadat e shteteve anëtare të BE-së, në Beograd, thonë se nuk do ta përfillin kërkesën e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit, që Serbia të mos e fitoj statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.
Zëvendësambasadori i Sllovenisë, Milan Postuar, thotë se për letrën - të cilën Qeveria e Kosovës ia ka dërguar anëtarëve të BE-së, ku Serbia fajësohet për mossukses të dialogut, për çka kërkohet që të mos i miratohet statusi i kandidatit për Union – ka dëgjuar nga mediat, prandaj nuk ka njohuri për detajet.
“Sllovenia, natyrisht, ndjek mënyrën se si zhvillohet dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës. Për vendimin tonë për kandidaturën e Serbisë, meritor do të jetë fakti nëse në ditët e ardhshme bëhen përparime në dialog. Ne shpresojmë që të ecë përpara procesi”, ka thënë diplomati slloven, për ditoren serbe “Press”.
As në ambasadën çeke nuk kanë dëgjuar për letrën e Qeverisë së Kosovës, por thonë se kjo nuk do të ndikojë në pozicionin e tyre rreth kandidaturës së Serbisë.
“Asnjë letër nuk ka mbërritur. Qëndrimi i Republikës Çeke është i njëjtë si në dhjetor. Ne e mbështesim kandidaturën e Serbisë, sepse besojmë se ajo ka përmbushur të gjitha kushtet për këtë”, thonë nga ambasada e Çekisë.
Në misionin diplomatik të Britanisë së Madhe theksojnë se vetëm nga Beogradi varet se si do të deklarohet BE-ja për këtë kandidaturë, përderisa “letrën e Thaçit nuk kanë dashur ta komentojnë”.
“Është vetëm një qytet në rajon që mund të ndikojë në vendimin e vendeve anëtare rreth kërkesës së kandidaturës së Serbisë, e ky është Beogradi. Në konkluzionet e Këshillit Evropian në dhjetor, shtetet anëtare qartë i kanë cekur kriteret të cilat Serbia duhet t'i plotësojë në mënyrë që vendimi i BE-së për kandidaturën të jetë pozitiv. Deri në takimin e ardhshëm të Këshillit të Evropës ka mbetur pak kohë, por ne shpresojmë se Beogradi zyrtar do të vazhdojë të tregojë një qasje konstruktive dhe fleksibile ndaj procesit të dialogut me Prishtinën. Një qasje e tillë e hap rrugën për progres të mëtejshëm dhe mund t’ia japë BE-së një bazë për t’u deklaruar pozitivisht”, thonë nga ambasada britanike.
Shefi i Delegacionit të BE-së në Serbi, Vincent Degert, theksoi se në ditët e ardhshme duhet të shënohet një progres i qartë e me rezultate në dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit, që të përmbushen kushtet dhe kriteret të cilat i ka përcaktuar Këshilli Evropian.
“Mendoj se në procesin e dialogut nuk ka shantazhe. Kur ne duam dialog, kjo do të thotë se ne duam që pjesëmarrësit të sillen në mënyrë konstruktive për të shënuar progres. Ne nuk mund të parandalojmë ndonjë palë që t’i dërgoj informata përfaqësuesit të BE-së, Robert Cooper. Por, në fund ai dhe Catherine Ashton do të japin vlerësime se sa ka pas progres dhe konstruktivitet në dialog. Kjo do t’ju përcillet ministrave të BE-së”, ka thënë Degert për “Tanjug”, duke komentuar letrën që Prishtina ua ka dërguar shteteve anëtare të BE-së
Shefi i ekipit të Beogradit në dialogun me Prishtinën, Borislav Stefanovic, thotë se letra e Prishtinës e ka huq qëllimin.
“Për integrimin evropian vendos Brukseli dhe shtetet anëtare, e jo Prishtina. Ata as nuk do të pranojnë që i ashtuquajturi pushtet i Kosovës të ketë veto në procesin e zgjerimit. Ky është një tentim i dëmshëm i Prishtinës, dhe jam i bindur se ata janë të vetëdijshëm për këtë. Nuk janë ata të cilët mund ta mbajnë peng BE-në”, ka thënë Stefanovic.
Ai thotë se dëshira dhe përkushtimi themelor i takimit të sotshëm me delegacionin e Prishtinës në Bruksel, është arritja e marrëveshjes për “përfaqësimin asimetrik” të Kosovës.
“Mendoj se ka shanse për një marrëveshje dhe do të bëjmë gjithçka për të ardhur deri te kjo. Prishtina duhet të jetë në organizatat rajonale dhe duhet të dëgjohet zëri i saj, por përfaqësimi nuk mund të jetë në formën e shtetit të pavarur”, shton ai, duke vlerësuar se Rezoluta 1244 dhe mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mund të jetë bazë e mirë për marrëveshje, “pa iu referuar deklaratës së pavarësisë”.
“Nuk ka shenja të afrimit të Prishtinës në kompromis. Në bashkësinë ndërkombëtare ka mirëkuptim të gjerë dhe një qëndrim më pozitiv të pozicionit të Beogradit".

“Antiamerikanët” me mocion kundër fusnotës

Kryeministri Hashim Thaçi i ka hapur vetes një betejë të madhe politike. Partitë opozitare po bashkërendohen që të kalojnë në Kuvendin e Kosovës një mocion që do të vendoste në dyshim fuqinë e kryeministrit.
Partitë opozitare, por edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, e kanë kundërshtuar gatishmërinë e Kosovës që të pranojë prezantimin në nisma rajonale me emrin Kosovë dhe me fusnotë që i referohet Rezolutës 1244.
Pasi ka parë kundërshtimet, të hënën shefi i Qeverisë i ka quajtur ”antiamerikanë dhe antievropianë” të gjithë ata që vënë dilema për përdorimin e Rezolutës 1244”.
Por “antiamerikanët dhe antievropianët” e kryeministrit Thaçi po koordinohen.
Që nga e diela pasdite kanë filluar konsultimet mes partive opozitare dhe deputetëve të pakënaqur brenda koalicionit PDK-AKR.
Qëllimi është që të mblidhen vota të mjaftueshme për të mbështetur një iniciativë të opozitës. Opozita do të iniciojë një rezolutë të Kuvendit të Kosovës kundër çfarëdo prezantimi tjetër të Kosovës në çfarëdo nisme, pos prezantimit si Republika e Kosovës. Në këtë mënyrë, opozita po mundohet që të parandalojë marrëveshjen e mundshme në Bruksel dhe të ndalë pajtimin që Kosova të prezantohet me fusnotë.