Komuna e Skënderajt, njësh në drejtshkrim

Komuna e Skënderajt ka shpallur një konkurs për tri vende të lira të punës, në administratën komunale dhe në shtëpinë e kulturës “Hasan Prishtina”.

Por, gabimet drejtshkrimore janë aq të mëdha, saqë “njëshi” nuk do t’i ikte as një nxënësi, raporton “Zëri”.
“Konkurs, Mbi plotësimin e 3 (tri) vendeve të lira të punës. a). Pozita: Nji Avokat Publik Komunal në zyrën e Kryetarit të Komunës së Skënderajt. Lokacioni tek: Kryetari i Komunës së Skënderajt. b). Pozita: Nji Zyrtar të Ambijentit në DUNMA. Lokacioni vendi i punës: Drejtoria për Ndërtim, Urbanizëm dhe Mbrojtje të Ambijentit. c). Nji Mbikqyerësi Sallav te leximit ne DKRS”, është vetëm një pjesë e tekstit të konkursit, i cili është publikuar në dy të përditshme tona.
Foto: Zëri
Dikush që e njeh sadopak gjuhën shqipe, do të duhej t’i jepte një shikim konkursit, nëse për asgjë tjetër, atëherë për të mos u “bërë horë“ në opinion. Pos “nji”, në vend “një“, që vazhdimisht përsëritet në konkurs, tingëllon qesharake fjala: “Lokacioni tek: Kryetari i Komunës së Skënderajt”.
Në një situatë kur në institucionet publike komunale për çdo ditë merren njerëz në punë, nganjëherë edhe pa konkurs, punësimi i një lektori është i domosdoshëm.