Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, të martën, përmes një bisede telefonike, e ka siguruar kryeministrin Hashim Thaçi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të qëndrojnë përkrahë qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës.
Clinton i ka rikujtuar edhe njëherë kryeministrit Thaçi dhe gjithë popullit të Kosovës se Shtetet e Bashkuara asnjëherë nuk do t’i sugjeronin Qeverisë së Kosovës të ndërmarrë veprime të cilat do t’i dëmtonin interesat e shtetit të Kosovës dhe të qytetarëve të saj, në rrugën e integrimit të Republikës së Kosovës në institucionet euro-atlantike.
Temë kyçe e bisedës telefonike, sipas një komunikate të Qeverisë, ishte kërkesa e kryeministrit Thaçi që Kosova të mbështetet në implementimin e agjendës euro-atlantike, në mënyrë që Republikës së Kosovës t’i hapen dyert drejt anëtarësimit të plotë në NATO dhe Bashkimin Evropian.
Sekretarja Clinton ka rikonfirmuar edhe njëherë që Republika e Kosovës do të ketë mbështetje të parezervë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në këtë drejtim. SHBA do të vazhdoj të qëndroj përkrah qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, ka thënë ajo.
Kryeministri Thaçi, me sugjerimin amerikan, ka pranua që Kosova të përfaqësohet në në nismat rajonale me Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, Mendimin Këshillëdhënës të GJND-së dhe Rezolutën 1244. Por kryeministri dy ditët e fundit ka qenë nën presionin e të gjitha partive opozitare, të cilat vlerësojnë se pranimi i fusnotës që përmban 1244-shin për të marrë pjesë në nisma rajonale, është kthim prapa dhe goditje e rëndë për shtetësinë e Kosovës.