Juve 30 milionë për Torres v

Juventusi ka kthyer vëmendjen kah sulmuesi i Chelseat, Fernando Torres, derisa synon të sjellë një emër të njohur gjatë afatit kalimtar veror.
Goal raportohet se Bianconerët tashmë kanë bërë një ofertë fillestare në vlerën e 30 milionë eurove për spanjollin.
Kampionët e Serie A fillimisht ishin fokusuar në yllin e Napolit, Edinson Cavani, por nuk e kanë në plan të mbulojnë kërkesën prej 70 milionë euro për sulmuesin uruguaian.
Andaj janë duke shikuar edhe një herë në opsionet tjera dhe e kanë nënvizuar 28-vjeçarin Torres si cakun kryesor të ardhshëm.
Spanjolli ka dështuar te Chelsea që pas transferimit në vlerë prej 58 milionë euro në janarin e vitit të kaluar, dhe mund të lejohet të largohet nëse arrin ndonjë ofertë e duhur.

Liga Premier: Orari i ndeshjeve për sezonin e ri

Kampioni i Ligës Premier, Manchester City, do ta fillojë mbrojtjen e titullit në sezonin e ri përballë ekipi të porsa-promovuar në kategorinë elite të futbollit anglez, Southampton.
Derisa ekipi i Roberto Mancinit do të luajë me Southampton në Etihad Stadium, nënkampioni Manchester United do të udhëtojë në fushë të Evertonit. Pozita e tretë e tabelës, Arsenali, në ndeshjen e rundit të parë do ta presë Sunderlandin në Emirates stadium.
Fituesi i Ligës së Kampionëve, Chelsea, do të udhëtojë te Wigani në ndeshjen e parë, ndërsa dy ish-ekipet e menaxherit të Anglisë, Roy Hodgson, West Brom dhe Liveprool, do të përballen në Hawthorns në ndeshjen debutuese të Brendan Rodgers në stolin e Redsave.
Tottenhami do të përballet me Newcastle, derisa Michael Laudrup do të debutojë si menaxher i Swanse kundër QPR.
Ndeshjet e javës së parë në Ligën Premier:
Arsenal v Sunderland
Everton v Manchester United
Fulham v Norwich City
Manchester City v Southampton
Newcastle United v Tottenham Hotspur
Queens Park Rangers v Swansea City
Reading v Stoke City
West Bromwich Albion v Liverpool
West Ham United v Aston Villa
Wigan Athletic v Chelsea.

Kaka të kthehet te Milani?

Mesfushori i Real Madridit, Kaka, është duke u lidhur me një rikthim te Milani.
Corriere dello Sport shkruan se Kaka është i gatshëm të ndahet me Real Madridin dhe është duke negociuar për t’i dhënë fund kontratës së tij.
Kjo mund t’u përshtatet edhe vetë spanjollëve, të cilët kanë edhe tre vite të mbetura marrëveshje me të, të vlefshme 11 milionë euro në sezon.
Kaka raportohet se mund të vijë në San Siro si zëvendësim për Zlatan Ibrahimovic, i cili mund t’i shitet Madridit, ku do të ribashkohej me Jose Mourinhon

Agnesës nuk i pëlqen të flasë për jetën private

Agnesa Vuthaj, e cila nuk ka dashur asnjëherë të prononcohet për jetën e saj private, ka pohuar se i pëlqen ta ruaj privatësinë.
Ajo ka pohuar se deri tani ka dashur të njihet për punën e saj profesionale, e jo për jetën personale.
“Unë asnjëherë nuk kam preferuar të flas shumë për jetën time private. Kam dashur të krijoj imazhin tim mbi punën time dhe jo statusin tim. Kur ta kompletoj historinë time të dashurisë, do e tregoj në një intervistë speciale”.
“Karriera që kam krijuar ndër vite më ka mbajtur krenare edhe pa pasur një mashkull në krah. Unë vlerësoj shumë personalitetin e një mashkulli, sjelljen, respektin, vendosmërinë, guximin e patjetër edhe dashurinë“, ka thënë ajo.
E pyetur se a do të mund të ishte politikan mashkulli i saj në të ardhmen, ajo ka pohuar:
“Për shumë arsye, jo”.

Dështon takimi i liderëve për reformën zgjedhore

Është shtyrë sërish takimi i liderëve të partive politike për t’u dakorduar lidhur me ndryshimet në Ligjin për zgjedhjet të propozuara nga partitë politike, shoqëria civile dhe Komisioni për reformat zgjedhore.
Kryetari i komisionit për Reformën Zgjedhore, Haki Demolli, ka deklaruar se takimi i paraparë të mbahet nesër sërish do të shtyhet, pasi ai ka marrë njoftimin se kryeministri Thaçi do të udhëtojë për vizitë zyrtare në Bullgari. Ai thënë se takimi do të mbahet menjëherë pas kthimit të kryeministrit, raporton KTV.
Njoftimin për shtyrje Demolli e bëri publik në debatin e organizuar nga Instituti për politikë dhe zhvillim rreth reformave zgjedhore. Në të u diskutua kryesisht për mungesën e gatishmërisë së liderëve politikë për t’u miratuar ligji i zgjedhjeve.
Pjesëmarrësit vlerësuan se ligji aktual për zgjedhje nuk është problemi, por mosgatishmëria e liderëve që zgjedhjet të shkojnë mirë.

OSBE trajnon policët për mbrojtjen e dëshmitarëve

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka organizuar një trajnim me policët kosovarë në lidhje me procedurat dhe programet mbrojtëse që mund t’u ofrohen dëshmitarëve.
“Hetuesit policorë janë të parët që takojnë dëshmitarët, ndërtojnë besimin dhe negociojnë programet dhe masat e përshtatshme për mbrojtjen e tyre. Nëse hetuesit nuk arrijnë ta bindin dëshmitarin të bashkëpunojë, atëherë prokurori ose gjykatësi nuk mund të bëjë shumë dhe kështu rastet pezullohen”, citohet të ketë thënë Temur Shengelia nga Departamenti i OSBE-së për Siguri Publike.
Gjatë këtij trajnimi, i cili është vazhdimësi i një trajnimi të mëhershëm të OSBE-së të ofruar në muajin mars, është prezantuar edhe rëndësia e të drejtave të njeriut në mbrojtjen e dëshmitarëve, ku siguria e dëshmitarëve dhe të drejtat e tyre luajnë rol qendror dhe dëshmitarët nuk perceptohen si dikush që vetëm ofron dëshmi, thuhet në njoftim.

Cooper, të enjten në Prishtinë

Me qëllim të përshpejtimit të rifillimit të dialogut, ndërmjetësi i BE-së në dialogun teknik midis Kosovës dhe Serbisë, Robert Cooper të mërkurën do të qëndrojë në Beograd, kurse një ditë më vonë do të arrijë edhe në Prishtinë.
Zëdhënësja e përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme Catherin Ashton, Maja Kocijancic, u ka thënë mediave serbe se vizita e Cooperit në Beograd dhe Prishtinë bëhet me qëllim të shpejtojë procesin e rifillimit të dialogut, i cili tash një kohë të gjatë ishte ndërprerë për shkak të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale në Serbi.
Çështja e rifillimit të dialogut teknik midis Kosovës dhe Serbisë ka qenë një ndër temat kryesore të bisedës në takimin midis Ashton dhe presidenti serb Nikolic, gjatë vizitës së këtij të fundit, javën që shkoi në Bruksel.
Kocijancic ka theksuar se ende nuk është e qartë se me kë do të takohet Cooper në Beograd pasi ende nuk është formuar qeveria serbe, por ka shtuar ajo qëllimi i vizitës dihet.
Cooper viziton Beogradin dhe Prishtinën me qëllim të përgatitjeve për vazhdimin e dialogut dhe implementimin para së gjithash të marrëveshjeve të arritura tashmë.
Ky do të jetë rast i mirë edhe për sqarimin e disa mosmarrëveshjeve, si është ajo lidhur me interpretimin ndryshe midis palëve sa i përket përdorimit të fusnotës.
Kociajncic ka thënë se edhe gjatë pauzës që po zgjat, kontaktet mes palëve dhe Brukselit nuk ishin ndërprerë. “Ndonëse nuk ka pasur takime të nivelit të lartë, grupet punuese kanë vazhduar punën”, ka shtuar ajo.

Pa datë për liberalizimin e vizave

Ministri i Punëve të Brendshëm, Bajram Rexhepi ka premtuar se 95 kriteret që përfshihen në liberalizimin e vizave në aspektin teknik do të plotësohen, por si problem ai e sheh numrin e azil kërkuesve dhe luftimin e krimit të organizuar, por nuk ka dhënë ndonjë datë se kur Kosova do të fitojë liberalizimin vizave. Ai këto komente i bëri pas takimit me ministren e Drejtësisë së Suedisë, Beatrice Ask, me ç’rast kjo zyrtare e lartë konfirmoi mbështetjen që Kosova sa më shpejtë të jetë pjesë e liberalizimit të vizave.
Pas takimit të zhvilluar të hënën, ministri Rexhepi dhe ministrja Ask kanë nënshkruar një marrëveshje mes dy ministrive, e cila parasheh bashkëpunimin policor, shkëmbimin e informatave në mënyrë që të luftohet krimi i organizuar dhe dukuritë e tjera.
Ministri Rexhepi deklaroi se Kosova shumë shpejt mund të dërgojë atashe policor në Suedi.
E pyetur se kur Kosova mund të jetë pjesë e procesit të liberalizimit të vizave, ministrja suedeze betrice Ask ka thënë se dhënia e një date është e pamundur tash për tash.
Ajo gjithashtu ka theksuar se Suedia e ka në agjendë që edhe Kosova të jetë pjesë e liberalizimit të vizave, në mënyrë që rinjve të Kosovës të ju jepet shpresë.
Nga ana tjetër ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka thënë se ato 95 kritere do mund të plotësohen në pjesën teknike deri në fund të vitit.
“Dy probleme mund të jenë kryesore në këtë rrugëtimin tonë drejt liberalizimit, një prej tyre është nëse numri i azilkërkuesve është i madh, pavarësisht mendimeve të gazetarëve që nganjëherë thonë, është demagogji, e përsërisë armiku më i madh i liberalizimit do të jetë nëse edhe më tutje qytetarët e Kosovës keqpërdoren nga agjencione të ndryshme, duke ju premtuar azil dhe do të qëndrojë numri i madh”, ka thënë Rexhepi.
Madje ai ka përmendur që njëri nga ato shtete që ka pas shqetësime është edhe Suedia bashkë me Belgjikën dhe Francën. Ai ka premtuar që do të punohet në këtë drejtim edhe përmes kampanjave informuese që të vetëdijesohen qytetarët.
Një problem tjetër e Rexhepi e ka përmendur edhe luftimin e krimit të organizuar, duke shtuar se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për të luftuar këtë dukuri.
As Rexhepi sikurse ministrja Ask nuk ka dashur që të jap një datë se kur Kosova do të përfshihet në liberalizim.
“Unë mund të them për pjesën teknike deri ka fundi i vitit mund të plotësojmë, kur do të marrim askush nuk mund të jap datë dhe askush nuk mund të jep”, ka deklaruar Rexhepi.
Ai ka thënë se liberalizimi i vizave nuk do të lidhet drejtpërdrejt me suksesin në veri, për arsye se kjo nuk varet nga institucionet e Kosovës, por nga ato që janë prezent si KFOR-i dhe EULEX-i. 

NBA: Heat marrin avantazhin

Dominimi i Miami Heat nga vija e gjuajtje të lira ka qenë i mjaftueshëm për të fundosur Oklahoma City Thunder në ndeshjen e tretë finale të NBA-së.
Heat fituan për të dytën herë radhazi ndaj Thunder, kësaj here me rezultat 91-85 duke marrë edhe avantazhin 2-1 në serinë e ndeshjeve finale
Skuadra vendase shënoi 31 pikë nga vija e gjuajtjeve të lira, derisa rivalët vetëm gjysmën e këtyre pikëve, 15.
LeBron James, i cili shënoi 29 pikë në ndeshje, ishte i saktë në njërin prej dy gjuajtjeve të lira me 16.2 sekonda të mbetura, për të çuar në katër pikë avantazhin e Miamit. James shënoi 11 nga 23 tentimet nga loja e hapur.
Dwayne Wade kontribuoi me 24 pikë, derisa Chris Bosh me 10 pikë.
Kevin Durant, i cili luajti me pesë faulle në katër minutat e fundit, udhëhoqi te Oklahoma City me 25 pikë, ndërsa Russell Westbrook shënoi 19 të tjera.
Ndeshja e katërt mes dy rivalëve zhvillohet të martën po në Miami. 

Napoli kërkon 70 milionë për Cavanin

Napoli ka vendosur çmimin prej 70 milionë euro për sulmuesin Edinson Cavani.
Sulmuesi uruguaian është cak i Juventusit, ndërsa për të interesim kanë shprehur edhe dy skuadrat e Ligës Premier, Chelsea dhe Manchester City.
“Njerëzit thonë se dua ta shes Cavanin. Sigurisht, nëse ata më sjellin së paku 70 milionë euro në kesh”, ka thënë presidenti i Napolit, Aurelio de Laurentiis.

Edhe Juve dhe PSG as Lewandowksit

Juventusi dhe PSG i janë bashkuar Manchester United në garën për të transferuar sulmuesin e Borussia Dortmund, Robert Lewandowski.
Gara për polakun pritet të nxehet këtë javë pasi vendi i tij u eliminua nga kampionati Evropian.
Juve e sheh Lewandowskin si një alternativë për yllin e Arsenalit, Robin van Persie, derisa së fundi edhe trajneri i PSG, Carlo Ancelotti, ka konfirmuar admirimin për të.
“E dua atë veçanërisht për aftësitë e tij për të gjetur hapësira. Nuk do të jetë lehtë për të t’i përsërisë dy sezonet e tij të fundit te Dortmundi”, ka thënë në Ancelotti.
Edhe menaxheri i United, Sir Alex Ferguson, po ashtu është tifoz i flaktë i lojtarit dhe burime nga Polonia thonë se Djajtë e Kuq tashmë kanë dërguar një ofertë për të. 

Del Neri lavdëron Conten

Ish-trajneri i Juventusit, Gigi del Neri, ka lavdëruar Antonio Conten pasi ky i fundit ia solli skuadrës titullin e kampionit.
Bianconerët përfunduan në pozitën e shtatë dhe dështuan të kualifikohen në Evropë nën drejtimin e Del Nerit një vit më parë, por këtë sezon ata fituan Scudetton dhe arritën në finale të Kupës së Italisë.
“Conte ka një ADN të caktuar në futbollin e tij dhe një mentalitet fituesi. E admiroj atë shumë. E gjithë skuadra meritoi të fitojë dhe kjo më ka bërë shumë të lumtur”.
“Isha tepër i pafat gjatë kohës time me klubin. Para serisë së jashtëzakonshme të lëndimeve, ne kishim rezultate shumë të mira. Nëse po të kisha një ekip më të madh, kush e di çfarë mund të kishte ndodhur”, ka thënë Del Neri për Tuttosport. 

Lavezzi konfirmon transferimin te PSG

Ylli i Napolit, Ezequiel Lavezzi, thotë se ai do të luajë për Paris Saint Germain sezonin e ardhshëm.
Për tashmë disa javë flitet se Pocho ka një marrëveshje për t’iu bashkuar Paris Saint-Germain, e cila do t’i çojë në konton e Napolit plot 27 milionë euro.
“Ende nuk kam nënshkruar për PSG. Ne duhet ta caktojmë datën, por kjo është vetëm çështje formaliteti”, ka thënë argjentinasi.
Lavezzi mund të udhëtojë drejt Parisit sot për t’iu nënshtruar testeve mjekësore.

Ibra: Dua të qëndroj te Milani

Sulmuesi i Milanit, Zlatan Ibrahimovic, thotë se ai do të vazhdojë të luajë për Milanin.
“Milani është një klub që dëshiron të fitojë dhe nëse ata duan të vazhdojnë të fitojnë atëherë duhet ta mbajnë Thiago Silvan”.
“Shpresoj se ata së shpejti do të sjellin lojtarë të rinj, se ekipi të luajë më mirë dhe të mos ketë shumë lëndime”.
“Do ta respektoj kontratën time me Milanin dhe tash jam i fokusuar vetëm të luaj për krenari kundër Francës”, ka thënë Ibrahimovic për Fotbollskanalen.se. 

Drogba: Vështirë të largohem nga Chelsea

Didier Drogba thotë se largimi nga Chelsea është një moment i vështirë për të.
Drogba kaloi tetë sezone në Stamford Bridge pasi iu bashkua Bluve nga Marseille dhe paraqitja e tij e fundit për klubi ishte penaltia fituese e titullit të Ligës së Kampionëve ndaj Bayer Munich muajin e kaluar.
“Chelsea ishte shumë i mirë për mua. Kam pasur një raport të veçantë me klubin. Ishte një vendim i vështirë për t’u larguar”, ka thënë sulmuesi nga Bregu i Fildishtë.

Prandelli lavdëron Trapattonin

Trajneri i Italisë, Cesare Prandelli, thotë se ai është i gatshëm për ndeshjen vendimtare të Euro 2012 kundër Republikës së Irlandës.Prandelli është parë jashtë stadiumit duke përqafuar menaxherin e Republikës së Irlandës, Giovanni Trapattoni, dhe asistentin e tij Marco Tardelli.
 
“Është mrekulli ta shoshësh Trapattonin dhe Tardellin. Ai ka thënë se është i lodhur duke na mbrojtur neve dhe problemet tona! Do të doja gjithmonë të kishim të njëjtën atmosferë para një ndeshje të madhe”.
 
“Kur flas për Trapattoni, flas për Il Mister. Ai gjithmonë do të jetë trajneri im, pasi isha 20 kur punova me të dhe u rrita me këtë njeri”.
 
“Ai gjithmonë ka respektuar secilin, pasi isha në një ekip të kampionëve të mëdhenj dhe edhe pse nuk luajta, u konsiderova i rëndësishëm për të”, ka thënë Prandelli.

Rooney: Nuk ka presion shtesë në mua

Ylli i Manchester United, Wayne Rooney, thotë se ai nuk ndjen presion shtesë për të luajtur në nivelin më të mirë për Anglisë në rikthimin e tij në ndeshjen e nesërme kundër Ukrainës.Ylli i Manchester United thotë se presioni bie mbi çdo lojtar dhe jo vetëm në të.
 
“Nuk e vë presionin mbi veten, të jem i sinqertë. Ka 23 lojtarë në skuadër dhe presioni është mbi të gjithë ne”.
 
“Është mrekulli që ne kemi shënuar disa gola dhe kemi mbledhur pikë në tabelë. Nuk do ta fitoj Euron i vetëm”, ka thënë Rooney.

Blerim Gjoci në Oscar 2013?

Aktori Blerim Gjoci, i cili fitoi çmim në “Sundance” me filmin” Kthimi”, ka gjasa të mëdha të merr pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Oscar 2013.
Producenti i shtëpisë së vetme filmike shqiptare që po debuton suksesshëm në kinematografinë botërore është ftuar nga organizatorët e festivalit me famë ndërkombëtare në “Palm Springs” që është dhe kualifikues për Oscar.
Sot (18 qershor) Gjoci niset për në Kaliforni ku do të marrë pjesë në panelin me temë “Mythbusters” me producentë, drejtorë dhe skenaristë të famshëm si: Katherine Lindberg, Matthew Lillard, Glenn Lund, Robert Bella e Todd Luoto.

Vedat Ademi pas “Dancing në Americas got talent” ?

Pretendenti kryesor për ta fituar çmimin në “Dancing with the Stars”, këngëtari Vedat Ademi, si duket nuk është mërzitur që nuk doli fitues i kësaj gare.
Pas konkurrimit në “Dancing with the Stars”, ai do të vazhdojë një tjetër garë. Por kësaj radhe në “America got talent”.
Sipas ‘Kosova Sot’, Vedati nga muaji korrik do të fillojë përgaditjet për këtë garë.
Vedat Ademi së fundmi realizoi këngën “Një jetë me ty”, e cila është pritur mjaft mirë nga adhuruesit e tij. 

Elvana : Kërcimi një ëndërr e vjetër

 Elvana Gjata, e cila doli fituese e edicionit të tretë të “Dancing With the Stars”, ka pohuar se ndihet shumë e lumtur që pati mundësinë ta shfaqë talentin e saj në mënyrë profesionale.
"Ndihem shumë e realizuar. Kërcimi, një ëndërr e vjetër, një pasion i hershëm. Pata mundësinë ta shfaq këtë aftësi timen në momentin më të përkryer, në formën më profesionale. Do të më mungojë vërtet DWS'', është shprehur Elvana për mediat shqiptare.
E pyetur nëse ajo priste fitoren, këngëtarja është përgjigjur:
"E kam ndjerë gjatë këtij rrugëtimi të gjatë, që unë po fitoja një eksperiencë që do të më vlente gjatë. Fitova emocione të paharrueshme. Fitova mbështetjen absolute të publikut në këtë sipërmarrje timen. Fitova dhe miq shumë të mirë. Çfarë mund të prisja më shumë”, ka pohuar Elvana.
Përveç trofeut të spektaklit, Elvana ka fituar edhe një banesë në Tiranë, me të cilin akoma nuk e di se si do të veprojë.
"Nuk e di ende. Jam duke shijuar këto momente,'' përfundon Elvana.

Lampard në përqafim të të fejuarës – futbolli në rend të dytë (Foto)

Ndërkohë që bashkëlojtarët e tij nga përfaqësuesja e Anglisë po përpiqen që ta fitojnë titullin e më të mirit të Evropës, Frank Lampard shijon përqafimet e të fejuarës së tij, ndërsa futbollin e shikon përmes ekranit televiziv.
Edhe pse dëshira e tij do të ishte që të jetë ne Euro 2012 (ku mungon për shkak të lëndimit), megjithatë as plazhet italiane nuk janë keq, e sidomos kur është i shoqëruar nga partnerja e tij.
Christine Bleakley është femra e cila e bën mesfushorin e Chelseat që ta harrojë futbollin në këto ditë kur po flitet vetëm për këtë sport. 

Rita Ora tregon më shumë sa që duhet (Foto)

Gjatë një performance në një festival të Londrës, këngëtarja që po sundon për momentin, Rita Ora, ia ka treguar pa dashje gjirin publikut.
Këngëtarja me prejardhje shqiptare mbante sutiene të vogla ashtu që ato kanë dështuar të mbajnë brenda “pasurinë” e saj.
Krijuesja e hitit “Hot Right Now” u shfaq në skenën e Lovebox në Victoria Park të kryeqytetit britanik, mirëpo përjetoi një mosfunksionim të turpshëm të veshjeve të saj kur gjiri i doli jashtë teksa ajo po kërcente nëpër skenë.
21-vjeçares nuk i bëri përshtypje ky zbulim, ndërsa vazhdoi koncertin duke shfrytëzuar rrobat tjera për të mbuluar gjoksin. 

Kripa në diell

Nëse djersiteni shpejt, kur është kohë e nxehtë, kjo nuk do të thotë të hani njelmët që ta kompensoni mineralin e humbur nga organizmi!
Vetëm sportistët të cilët ushtrojnë dhe garojnë në kushte ekstreme (në temperatura të larta dhe në lagështi të madhe të ajrit), duhet të kompensojnë kripën e humbur nga organizmi.
Shumica e ekspertëve këshillojnë të pini të paktën 8-10 gota ujë në ditë nëse peshoni 75 kg. Për çdo 11 kilogram mbipeshë, duhet të shtoni një gotë uji. Pini më shumë nëse jetoni në klimë të nxehtë ose nëse lëvizni shumë.
Nëse, megjithatë, jeni të lodhur të dezorientuar, ndieni turbullim, kokëdhembje ose ngërçe në këmbë, e që të gjitha këto mund të jenë shenja të mungesës së kripës në organizëm, më së miri është të pini pije energjetike, që përmban kripë (sodium), por në sasi të vogla. 

Çfarë ndodh kur digjeni në diell?

Nxehtësia e diellit nuk shkakton flluska (skuqje), në fakt, bëhet fjalë për dëmtimin celular, të cilin e shkaktojnë rrezet ultravjollcë.
Lëshimi i gjakut në lëkurë zmadhohet për shkak të regjenerimit të qelizave, që, disa orë më vonë, rezulton me skuqjen dhe me dhimbjen.
Dëmtimi mund t’i shkatërrojë qelizat e lëkurës, për ç’arsye, ajo, pas flluskave më të rënda nga dielli, qërohet.
Organizmi mund ta rigjenerojë lëkurën e dëmtuar, porse sa më shpesh që t’i ekspozoheni diellit, aq më e madhe është mundësia e mospërtëritjes së ndonjë qelize të dëmtuar kurrë më. Kjo dhe është shkaktare e kancerit të lëkurës. 

Motorola bën gati modelin RAZR V XT889

Motorola ka paralajmëruar lansimin e modelit të ri të telefonit Android në Kinë më 17 qershor, përkatësisht modelin Motorola RAZR V XT889, i cili ka një dizajn të ndryshëm në krahasim me versionin paraprak të Motorola RAZR.
Motorola RAZR V XT889 vjen në treg me një ekran të ndjeshëm në prekje me 4.3 inç, ndërsa në ekran nuk ka asnjë buton fizik i cili mund të shtypet në telefonin e mbështetur nga Android 4.0 Ice Cream Sandwich.
Karakteristikat tjera të Motorola RAZR V XT889 përfshijnë edhe kamerën me 8 mega-piksel, ndriçuesin LED, si dhe dëgjueset e mëdha afër kamerës, në pjesën e pasme të telefonit. 

Fle nga dy muaj

Vajza 15-vjeçare, Stacey Comerford, nga Telfordi i Anglisë fle nga disa muaj. Ajo vuan nga një çrregullim i rrallë, ashtu që pjesën më të madhe të jetës do ta kalojë në gjumë.
Sindroma Kleine Levin e quajtur “sindroma e bukurosheve të fjetura”, është shumë e rrallë, ndërsa llogaritet se në botë ekzistojnë vetëm 1.000 njerëz që vuajnë nga kjo sindromë.
“Asnjëherë nuk e dimë se kur do të ndodhë. Një herë e kam gjetur duke fjetur në dyshemenë e kuzhinës. Asokohe ka fjetur dy muaj. Kur u zgjua, nuk ishte e vetëdijshme për asgjë. Mendoi se kishte kaluar vetëm një ditë”, ka treguar nëna e saj.
Gjatë e episodeve të gjumit, Stacey zgjohet vetëm për të shkuar në tualet ose për të pirë diçka. Disponimi i saj në ato momente është mjaft i ndryshueshëm dhe shpesh sillet si fëmijë i vogël. Nëse nuk e merr atë që do nevrikoset dhe fillon të bërtasë.
Për shkak të gjendjes së saj, ajo ka munguar në disa provime në shkollë, ka humbur ditëlindjen e saj, ndërsa ka fjetur edhe gjatë gjithë pushimit shkollor.

Të gjithë e duan futbollin - por kësaj radhe edhe më shumë (Foto)

Disa yje të pornografisë të ndara në dy ekipe kanë luajtur një ndeshje promovuese para sfidës ndërmjet Gjermanisë dhe Danimarkës në kuadër të Euro 2012.
Njëzet e dy femra seksi kanë luajtur të zhveshura në pjesën e sipërme, por të lyera me ngjyrat e fanellave të dy kombëtareve. Në pjesën e poshtme kanë pasur vetëm brekë.
Ndeshja është zhvilluar në Berlin, si pjesë e promovimit të një faqeje pornografike, ndërsa ekipi i Danimarkës fitoi me rezultat 13-1. 

Nafta kryeson rritjen e lëndëve të para

Kontratat e naftës u rritën fuqishëm të hënën. Nafta ka reflektuar lehtësimin që ndjejnë investitorët pas rezultateve të kënaqshme të zgjedhjeve në Greqi ku partinë që përkrahin programet financiare janë të afta të formojnë një qeveri të koalicionit.
Megjithatë në treg ka analistë që paralajmërojnë se optimizmi nga zgjedhjet greke mund të rezultojë jetë shkurtër dhe e vendosin fokusin tek sfidat e mëdha me të cilat përballet Eurozona.
Ndërkohë kontratat e naftës kanë kryesuar rritjen e të gjithë sektorit të lëndëve të para industriale. Nafta bruto Brent e Londrës për korrikun u rrit 1.03 dollarë në 98.64 dollarë për fuçi dhe i është larguar pikës më të lartë një javore të 99.50 dollarë që preku më herët. Nafta bruto amerikane për korrikun u rrit 97 cent në 85.00 dollarë për fuçi. Më herët kjo kontratë u rrit deri në 85.60 dollarë për fuçi.

Rrugëtimi nga një dyqan i vogël në një kompani të madhe -burim i të hyrave për mijëra kosovarë

Ishte viti 1990, një kohë pa kohë, kur Ibrahim Devolli i ndjerë vendosi ta transformojë biznesin e tij familjar, që përbëhej nga një dyqan i vogël në qendër të Pejës, në një kompani profesionale, të cilën e emërtoi “Devolli Commerce”. Atëbotë, për shkak të rrethanave të përgjithshme në Kosovë pakkush besonte në zhvillim, në punë, e aq më pak, në krijimin e vendeve të punës për njerëz të tjerë.
Por, Ibrahim Devolli ishte një njeri me përkushtim për punë dhe vizion të qartë zhvillimor. Për më shumë, ai e kishte të qartë se në çfarëdo rrethane, njeriu duhet të punojë, sepse të gjitha të mirat vijnë nga puna. Me hapa të shpejt dhe me shumë punë intensive, Ibrahim Devolli tashmë edhe me ndihmën e djemve të tij, filloi t’i ndërtojë, një nga një, shtyllat e para të një kompanie, që sot është burim i të ardhurave për mijëra kosovarë.
Lufta, sigurisht, si për gjithë kosovarët, ishte një fazë stagnimi dhe fazë e dhimbjeve dhe e humbjeve edhe për familjen Devolli. Por, çlirimi ishte një rast për t’u rindërtuar, rast që u shfrytëzua shumë mirë nga e gjithë Kosova, e po ashtu edhe nga familja Devolli. Tashmë, pa dhunën dhe pa presionin e shkaktuar nga okupatori, familja Devolli e dinte se nuk ka kush t’i ndalojë në realizimin e ëndrrave të tyre. Pas themelimit të disa njësive prodhuese në sektorë të ndryshëm, në vitin 2003 familja Devolli vendosi që të fillojë me përpunimin e qumështit dhe produktet e tij.
Arsyeja e hapjes së këtij sektori ishte e thjeshtë - qumështi është produkt me interes Vital për interesa kombëtare. Dhe, ishte me interes që të prodhohej në vend, e sa më pak të importohej nga jashtë, duke pasur parasysh, që në rast të ndonjë fatkeqësie a mbylljes së kufijve, Kosova nuk do të mbetej pa këtë produkt të rëndësishëm.
Arsyeja e dytë ishte fakti se industria e qumështit ishte industria, që krijon vende pune për shumë më shumë njerëz sesa industritë e tjera. Përveç punëtorëve të rregullt që punojnë në fabrikë dhe në distribuim, industria e qumështit krijon mundësi mbijetese edhe për mijëra fermerë. E ky ishte një fakt qenësor me rëndësi për Ibrahim Devollin dhe filozofinë e tij profesionale dhe njerëzore.
Sot, “Devolli Group”, punëson 500 punëtor ,ndërsa vetëm në kuadër të industrisë së qumështit ka të punësuar 200 punëtorë. Ndërkohë, që bashkëpunon edhe me 1 200 fermerë, prej të cilëve blen qumësht të papërpunuar.
Me hapjen e fabrikës se re në Radushë numri i punëtorëve vetëm në industrinë e qumështit do të rritet në 550, ndërsa numri i fermerëve bashkëpunëtorë në 2 000. Numri i përgjithshëm i punëtorëve në “Devolli Group” do të arrij në 850. Mbi 2 500 familje kosovare do të kenë mundësi të krijojnë të hyra përmes familjarëve të tyre që punojnë dhe bashkëpunojnë me “Devolli Group”.
VITA, në gjuhën italiane do të thotë Jetë. Dhe, Vita përveç konsumatorëve, i jep jetë edhe ekonomisë kosovare. E kjo ishte ëndrra kryesore e të ndjerit Ibrahim Devolli. Ëndërr, të cilën e trashëgoi dhe është duke e zhvilluar tutje familja e tij

Fakt-mbledhësit e KE-së në Kosovë

Ka arritur në Prishtinë Misioni fakt-mbledhës i Komisionit Evropian me qëllim të verifikimit të përgjigjeve të pyetësorit të Studimit të Fizibilitetit. Zyrtarë të Ministrisë së Integrimeve Evropiane, bëjnë të ditur se interesimi i misionit fakt-mbledhës ndër të tjera do të jetë testimi i pyetjeve në fushën e krimit dhe korrupsionit.
Përgjigjet e studimit të fizibilitetit që institucionet e Kosovës i kanë dorëzuar në Komisionin Evropian, gjatë kësaj jave do të verifikohen nga një mision fakt-mbledhës i KE-së, i cili ka arritur në Kosovë. Zëvendësministri i integrimeve evropiane, Gëzim Kasapolli, thotë se misioni do të verifikojë nga afër gjendjen reale në Kosovë.
“Misioni fakt-mbledhës është në Kosovë dhe ai do të qëndrojë këtu për 4-5 ditët e ardhshme gjatë së cilës periudhë ata do të merren me analizimin e gjithë atyre përgjigjeve, të cilat ne i kemi dhënë në pyetjet e Komisionit, që kanë të bëjnë me paraqitjen e gjendjes faktike”, tha Kasapolli.
Sipas tij, vëmendje e veçantë e këtij misioni do të jetë pjesa ku flitet për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Ky delegacion është duke u kryesuar nga përfaqësues të KE-së të lëmive të ndryshme, të cilët do të testojnë sidomos përgjigjet në pyetjet që kanë të bëjnë me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionin, që kanë të bëjnë me fenomene negative dhe një paraqitje të komunave sa i përket çështjeve lidhur me riatdhesimin, riintegrimin”, tha Kasapolli, raporton RTK.
Delegacioni kryesohet nga shefi i njësisë për Kosovën në “DG Enlargement Laërence Meredith”, të cilët gjatë qëndrimit në Kosovë do të takohen me zyrtarë të Qeverisë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të komuniteteve. Rezultati nga ky mision do të publikohet në Bruksel në fazat e mëvonshme.

Kosova, getoja e Evropës

Rivendosja e kontrollit kufitar në vendet e zonës Shengen do të ndjehet më se paku nga qytetarët e Kosovës. Kosovarët duke sikur jetojnë në një geto. Vula me shkronjën “R” sipër, e cila përkthehet si refuzim i vizës vihet shpesh në pasaportat e qytetarëve, të cilët për një arsye apo tjetër dëshirojnë të dalin jashtë Kosovës.
Personat të cilët refuzohen për vizë nuk janë thjeshte qytetarë të zakonshëm. Ky fenomen prek edhe personalitete të njohura të artit dhe shoqërisë civile.
Petrit Çarkaxhiu është anëtar i bendit të njohur muzikor ‘Xheriko’. Për shkak të procedurave, ai nuk mundi të marrë pjesë në “Balcan Trafic Festival” në Bruksel.
“Përkundër një premtimi gojor që e kemi pasur se do të marrim një vizë më të gjatë do të thotë gjashtë mujore, me shumë hyrje, në moment të fundit na u është dhënë viza dhjetë ditëshe me hyrje, gjë e cila na ka pamundësuar, meqenëse jemi nisur me makinë, kemi pasur instrumentet me vete, nuk kemi mundur të kalojmë nëpër Kroaci, sepse ekziston një rregull i Kroacisë që nuk lejon kalimin me vizë vetëm me një hyrje, janë detaje teknike banale me të cilat ne duhet të ballafaqohemi, ne gjatë asaj kohe kemi dashur tre ditë me u keqtrajtuar nëpër Mal të Zi për të tentuar rregullimin e vizës dhe nuk ja kemi arritur qëllimit”, tha Petrit Çarkaxhiu, grupi “Jericho” , transmeton TCH.
Ambasadat e huaja duket se mbyllin sytë para çfarëdo dokumenti, ftesë nga ndonjë institucion i vendeve të Evropës apo arsyetim që kanë përpara vetes, duke zgjedhur rrugën më të lehtë, atë të refuzimit.
Anglia është një tjetër shtet i cili ndonëse jashtë zonës Shengen duket se i ka komplikuar procedurat e pajisjes me viza udhëtimi për qytetarët e Kosovës. Ambasada e Anglisë në Prishtinë nuk vendos fare për këtë çështje.
Rrjedhimisht Pasaportat e kosovarëve bashkëngjitur me një grumbull dokumentesh shkojnë në Varshavë të Polonisë prej nga edhe kthehet përgjigja e vizës. Drejtoresha e “Friderich Ebert Shtiftung” në Kosovë Besa Luzha mori përgjigje negative së fundi, pavarësisht se ajo është studente e doktoraturës në një universitet në Angli.
“Puna e trajtimit qysh sillen ndaj neve si qytetarë të Kosovës refuzime pa bazë dhe mos konsiderim i komplet dokumentacionit sic ishte rasti te unë, sepse unë prej gjashtë vjetëve studioj në Angli jam regjistruar e rregullt dhe vetëm pse kam kërkuar që të marr një vizë më të gjatë sepse për shkak të statusit që të marr një vizë më të gjatë, do të thotë është refuzuar, pa marrë për baze vizat e përparshme, statusin e studentit, në përgjithësi me shqetëson fakti që vetëm ne kemi mbetur të izoluar, unë i kuptoj shqetësimet e shteteve por unë mendoj se një numër i madh i njerëzve kanë interesim për të bërë gjëra të jashtëligjshme, por unë jam e sigurt që ata qe duan të bëjnë keqpërdorime janë nëpër Evropë kur qytetarët e ndershëm ofendohen para ambasadave detyrohen të presin gjatë”, thotë Besa Luzha, nga “Friedrich Ebert Stiftung”.
Refuzimi i vizës nuk përbën shqetësimin e vetëm për qytetarët e Kosovës. Ata në të shumtën e rasteve i ekspozohen pritjeve të gjata më shumë se një muaj deri në marrjen e përgjigjes përfundimtare.
Në një situatë të ngjashme është gjendur Teuta Halimi. Ajo kishte planifikuar të udhëtonte për vitin e ri jashtë Kosovës por marrja e vizës 15 ditë me vonesë bëri që planet e saj të dështojnë.
“Procedurat e tyre jashtëzakonisht të ndërlikuara kanë bërë që viza të më jepet me 15 ditë vonesë planifikimit për udhëtim edhe pasi i kam pasur biletat e aeroplanit, trenit, koncertit etj, pasi ka ardhur Viti i Ri ishin ditët e fundit unë i kisha ndërruar planet dhe kisha për të udhëtuar diku tjetër, mirëpo nuk kam pasur mundësi me e tërhequr pasaportën për shkak të arsyetimeve që tani vizat merren në Varshavë dhe pasaportat nuk janë në Kosovë, si përfundim mbeta në Prishtinë nuk më kanë bërë të ndihem mirë si qytetare e Kosovës, se kam përfunduar e vetme dhe asnjërën nga planet nuk e realizova”, thotë Teuta Halimi, qytetare e Prishtinës.
Praktikat e punës së vendeve të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës nuk janë shembull i mirë për ato shtete të cilat nuk e kanë bërë akoma një gjë të tillë. Spanja është një shtet, i cili jo me larg se vitin e kaluar kishte lëshuar viza turistike për kosovarët. Por këtë vit duket se është hequr edhe kjo mundësi. Agjencitë turistike kanë filluar t’i anulojnë udhëtimet në drejtim të Spanjës për shkak të paralajmërimeve se nuk do të jepen vizat.
Qeveria e Kosovës mori udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Një dokument ky i cili detyron shtetin më të ri në Evropë të punojë shumë deri në hapjen e kufijve të Evropës për qytetarët e vet.
Pengesat kryesore kanë të bëjnë me faktin se Kosova ende identifikohet si një vend i përfshirë në korrupsion krim të organizuar si dhe qytetarët ende duan të migrojnë ilegalisht për shkak të kushteve të rënda ekonomike. 

Përkrahje aksioneve për kthimin e normalitetit në veri

Drejtuesit e Komunës së Mitrovicës, kanë përshëndetur aksionet e KFOR-it për mbylljen e rrugëve ilegale në veri të Kosovës. Në të njëjtën kohë kanë kërkuar që këto aksione të vazhdojnë në mënyrë që të vendoset rregulli dhe të pamundësohet kontrabanda.
Në takimin e Komitetit komunal për Siguri, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, nënkryetari i komunës, Riza Haziri tha të hënën se vendosmëria e KFOR-i ditëve të fundit ka dhënë rezultate pozitive.
“Strukturat e sigurisë nuk duhet të dorëzohen para kriminelëve dhe grupeve ekstremiste që duan kaos dhe pasiguri”, tha ai.
Ai theksoi se gjatë dy javëve të fundit situata ka qenë më e qetë, “për çka duhet të falënderohen në radhë të parë strukturat e sigurisë”. Bala tha se këto struktura duhet të vazhdojnë aksionet për vendosjen e normalitetit në gjithë veriun.
Ndërsa drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se në dy javët e fundit ka pasur disa incidente të vogla që nuk kanë ndikuar në gjendjen e përgjithshme të sigurisë. Përmendi sulmin me armë zjarri ndaj policisë në Lagjen e Boshnjakëve, mandej protestën e qytetarëve serbë kundër konfiskimit të targave të vjetra etj.

Thaçi ngushëllon Mbretin e Arabisë Saudite

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ngushëllon mbretin e Arabisë Saudite, Lartmadhërinë e Tij , Abdullah Ibn Abdulaziz al Saud me rastin e vdekjes së Princit të kurorës, Nayef bin Abdul Aziz Al Saud, zëvendëskryeministër dhe Ministër i Brendshëm i Mbretërisë së Arabisë Saudite, i cili ndërroi jetë në Gjenevë.
Me pikëllim morëm lajmin për vdekjen e princit të kurorës, që njëherit ishte edhe zëvendëskryeministër dhe ministër i brendshëm në Mbretërinë tuaj. Ai shërbeu me një përkushtim të lartë në detyrat e tij, prandaj do të kujtohet nga e gjithë bota për kontributin që e dha sidomos në fushën e sigurisë globale.
Duke u bashkuar me dhembjen e familjes dhe gjithë popullit tuaj për këtë humbje, Ju lutem të pranoni ngushëllimet më të sinqerta në emrin tim, në emrin e popullit të Kosovës dhe në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, thuhet në telegramin e ngushëllimit të kryeministrit Thaçi

Marty nuk dëshmon në rastin “Medicus”

Ish-senatori zviceran, Dick Marty, nuk do të dëshmojë sot në rastin “Medicus”, edhe pse atij i ishte bërë ftesa muaj më parë nga trupi gjykuese i këtij rasti.
Gjykata nuk ka dhënë sqarim pse senatori zviceran nuk ka ardhur e as pse nuk do ta japë dëshminë as përmes video-linkut.
Marty u thirr si dëshmitar në rastin “Medicus”, pas kërkesës se prokurorit Jonathan Ratel, i cili pati thënë se “Unë i kam të gjitha arsyet që të besoj se Marty ka në dorë evidencën për këtë rast”. Por, Ratel sot ka thënë se Marty mund të dëshmojë në muajin shtator, raporton KTV-ja.
Mbrojtja ka kundërshtuar dëshminë e Dick Martyt, pasi, sipas tyre, senatori zviceran kishte lëshuar një deklaratë politike, me të cilën sulmoi tërë Kosovën dhe shqiptarët, duke u bazuar vetëm në thashetheme. Për më tepër dëshmia e Martyt do t’ia ndërronte tërësisht natyrën këtij gjykimi nga penal në atë politik. 

Deklaratë për parandalimin e vdekshmërisë së fëmijëve

Ministri i Shëndetësisë së Kosovës Ferid Agani ka përmbyllur vizitën e tij një javore në SHBA, në kuadër të së cilës mori pjesë në forumin "Mbijetesa e Fëmijëve - Ftesë për Veprim", të organizuar nga USAID, UNICEF, OBSH dhe të sponsoruar nga Qeveria Amerikane, Qeveria e Indisë dhe Qeveria e Etiopisë.
Ky takim mblodhi ministrat e shëndetësisë të mbi 80 shteteve të botës, të cilët nënshkruan Deklaratën "Zotimi për mbijetesë të fëmijëve: Premtim i ripërtërirë".
Deklarata ripërsërit zotimin e shteteve që të përkrahin lëvizjen globale për të ndalur vdekjet e fëmijëve nga shkaqet që mund të parandalohen.
Ministrat e mbi 80 shteteve u zotuan se përmes veprimeve në nivel kombëtar dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, do të veprojnë për të përshpejtuar progresin e arritur për mbijetesën e foshnjave, fëmijëve dhe grave dhe për t`i ofruar të gjithë fëmijëve fillimin më të mire të mundshëm të jetës.
Gjatë kësaj vizite në SHBA, ministri Agani u takua me zyrtaren e lartë të USAID-it, Paige Alexander, me ç’rast falënderoi USAID-in, Qeverinë e SHBA-ve dhe popullin amerikan për përkrahjen e madhe dhe te vazhdueshme për popullin e Kosovës dhe veçanërisht për përkrahjen e shëndetësisë Kosovës.

"Vatra": Të shpëtojmë Medvegjën!

Shoqata “Vatra”, që përfaqëson qytetarët e Medvegjës në Kosovë, ka apeluar të gjithë banorët e shpërngulur të kësaj komune nga jugu i Serbisë, të kthehen në vendlindje dhe të votojnë në zgjedhjet lokale të 24 qershorit.
“Shqiptarët e Medvegjës duhet të jenë syçelë, dhe të shkojnë atë ditë për të përmbushur obligimin e vet qytetar dhe mbi të gjitha kombëtar. Andaj, ftohen të gjithë qytetarët e Medvegjës që më 24 qershor 2012 e diel të jenë në vendvotimet e tyre dhe të votojnë për të ardhmen e Medvegjës. Të votohet për një Medvegjë ku do të qeverisin partitë Shqiptare. Gjithashtu, është koha e fundit që ta shpëtojmë vendin tonë, dhe një herë e mirë t`i tregojmë regjimit Serb, se edhe Medvegja, si Bujanoci dhe Presheva është shumicë shqiptare”, thuhet nw apelin e shoqatws “Vatra”.
Ditë më parë edhe shoqata të tjera, personalitete të mirënjohura nga kjo zonë si dhe diaspora shqiptare ka apeluar që të përkushtohet kujdes i veçantë për Medvegjën.

Tony Blair sot në Kosovë

Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair, vjen sot në Kosovë, kurse gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë, do të vizitojë shkollën “Elena Gjika”, do të mbajë ligjëratën në Universitetin e Prishtinës "Besimin dhe globalizimin në botën moderne” dhe do të nënshkruajë memorandumin e mirëkuptimit me dy universitete të Kosovës.
Vizita e ish-kryeministrit britanik realizohet përmes Fondacionit të tij “Faith Foundation”, i cili fondacion do të ndihmojë dy universitete të Kosovës në promovimin e tolerancës dhe debatit kritik për rolin e feve në shoqëritë demokratike.
Lajmi për ardhjen e ish kryeministrit të Britanisë së Madhe në Prishtinë, është konfirmuar edhe nga zyra e Tony Blair.
“Blair Tony Faith Foundation”, është themeluar nga RT. Hon Tony Blair në vitin 2008 dhe fokusohet në të kuptuarit e ndikimit të fesë në botën e sotme dhe angazhohet për respekt dhe mirëkuptim midis feve kryesore të botës.
Ish-kryeministri britanik, ka luajtur një rol kyç në fillimin e bombardimit të NATO-s ndaj caqeve serbe në vitin 1999.