Jahjaga: Sulmi ndaj KFOR-it, i patolerueshëm

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka dënuar sulmin ndaj trupave paqeruajtëse të NATO-s, në afërsi të fshatit Bërnjak, komuna e Zubin Potokut, me ç’rast u lëndua një ushtar i kësaj force.
Presidentja Jahjaga vlerëson se sulmi ndaj paqeruajtësve të KFOR-it është i papranueshëm dhe i patolerueshëm dhe në kundërshtim të plotë me misionin e forcës paqeruajtëse për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt në Kosovë, për të gjithë qytetarët e saj.

Në reagimin e saj Jahjaga thekson se ky sulm është edhe një përpjekje e strukturave ilegale dhe kriminale serbe, që veprojnë në tri komunat në veri të vendit, për të penguar vendosjen e rendit dhe ligjit dhe për të penguar qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave në këtë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës.
Presidentja e mbështet fuqishëm aksionin e forcave paqeruajtëse të NATO-s për heqjen e barrikadave, zhbllokimin e rrugëve dhe vendosjen e rendit dhe ligjit në mënyrë që qytetarët e komunave në veri të territorit të Kosovës të gëzojnë të drejtat e tyre, thuhet në kumtesën e lëshuar nga Presidenca.

Fitou: Nikolicit i janë sqaruar marrëveshjet

Ndërkombëtarët mbështesin zyrtarët e institucioneve të Kosovës që kushtëzojnë bisedimet me Serbinë deri në implementimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Ambasadori francez në Kosovë, Jean-François Fitou ka thënë se ky kushtëzim nuk përbën agresion por është veprim normal sepse marrëveshjet që arrihen duhen implementuar.
“Mendoj se është normale të kërkosh që marrëveshjet të implementohen. Madje kjo ka shumë kuptim. Nuk është ndonjë gjë agresive apo ofenduese. Kur nënshkruan marrëveshje duhet ta implementosh atë dhe kjo është normale në diplomaci”, ka thënë Fitou për portalin Dukagjini.
Madje, ambasadori francez thotë se gjatë vizitës së fundit në Bruksel, presidenti serb, Tomislav Nikolic është njoftuar për përmbajtjen e marrëveshjeve të arritura dhe tani nuk duhet të ketë vend për keqinterpretim.
“Duket se z.Nikolic ka kërkuar interpretimin e BE-së për marrëveshjet e arritura në Bruksel në mënyrë që Serbia t’i implementojë marrëveshjet të tilla, siç janë arritur, pra të kuptohen në të njëjtën mënyrë nga të gjithë dhe kjo mendoj se është një hap pozitiv”, theksoi Fitou.
Ai ka shtuar se vizita e Nikolicit në Bruksel është një hap tutje për qartësimin e marrëveshjeve dhe implementimin e tyre nga ana e Serbisë.

MacShane: Kosova s’është tirani e korruptuar etnike më shumë se Serbia

Gazeta londineze “The Financial Times” ka botuar sot dy reagime ndaj Profesorit kanadez Michael Ignatieff, i cili para disa ditësh kishte pohuar në një shkrim që përmendte kalimthi vendin tonë se ”Kosova është ende tirani e korruptuar etnike”.
Në reagimin e Petrit Selimit, zëvendësministër i Jashtëm i Republikës së Kosovës, thuhet se Kosova ka rritjen më të madhe ekonomike (GDP) në eurozonë (5.5 për qind në vitin 2011) dhe borxhin më të vogël në Evropë (“pothuajse hiç”).
“Ka mbështetje vendore bipartizane dhe multietnike për institucionet që janë themeluar nga kushtetuta e ish-presidentit finlandez Marti Ahtisaari”, konstaton Selimi, i cili shpalos zhvillimet pozitive në vendin tonë, duke përfshirë edhe marrjen e udhërrëfyesit për liberalizimine vizave me BE-në.
Në anën tjetër, reagimi i Denis MacShane, deputet laburist, ministër për Ballkan në Qeverinë britanike gjatë viteve 2001-2005, është shprehur me ton më polemik.
Aii konstaton se “Kosova nuk është tirani e korruptuar etnike më shumë sesa Serbia apo Kroacia”.
Kroacia dhe Serbia nuk përmendeshin fare në komentin e Michael Ignatieff-it, autor i librit “Lufta virtuale”, botuar më 2001, një analizë e luftës në Kosovë dhe e domethënies së saj për luftërat e të së ardhmes, transmeton QIK. 

Kushtetuesja refuzon ankesën e të dënuarve në “Rastin Kiçina”

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës përmes një njoftimi për medie bëri sot të ditur se hodhi poshtë kërkesat për prishjen e dënimeve të Gjykatës së Qarkut në lidhje me “Rastin Kiçina”.
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës sot nxori aktvendimet e veta për papranueshmëri në rastet KI-46/10, KI-52/10, KI-43/11, KI-78/11, KI-81/11, të njohura si ‘Rastet Kiçina’, thuhet në njoftim.
Këto kërkesa u bashkuan dhe u shqyrtuan së bashku për shkak të objektit të çështjes dhe personave të përfshirë në to.
Të gjitha këto kërkesa kishin të bënin me përpjekjen për prishjen e dënimeve të shqiptuara nga Gjykatat e Qarkut, për vrasje dhe vepra të tjera të rënda kundër personave, që burojnë nga ngjarjet e vitit 2001.
Kjo Gjykatë i hodhi poshtë kërkesat duke u bazuar në dispozitat kushtetuese, praktikën dhe jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
Aktvendimet për papranueshmëri do t’u dorëzohen palëve, do të jenë në dispozicion në uebfaqen e Gjykatës dhe do të publikohen në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, thuhet në njoftim.
Arsim e Burim Ramadani dhe Jeton e Arben Kiçina po vuajnë dënimin prej 106 vjetësh burg, të shpallur fajtorë për vrasjen e familjes Hajra nga Baica, në vitin 2001 në Drenas.

Eurostat: 800 kosovarë në BE me status të mbrojtur

Më tepër se 800 personave nga Kosova iu janë pranuar kërkesat për azil në vendet e Bashkimit Evropian në vitin 2011, dhe të gjithë ata kanë fituar status të mbrojtur, deri në vendimin final, ka publikuar të dhënat agjencia Eurostat.
Sipas të dhënave, gjatë vitit 2011në Francë është lejuar statusi i mbrojtjes për 820 vetë nga Kosova, ndërsa 15 të tjerë, këtë status e kanë fituar në Luksemburg.
Vitin e kaluar, sipas agjencisë Eurostat, vendet e BE-së i kanë pranuar 84100 kërkesa për azil.
Në këtë listë prinë Britania me 14400 kërkesa, në Gjermani janë bërë 13 mijë, në Francë e Suedi nga mbi 10 mijë, e të tjera.
Më së shumti azilkërkues vijnë nga Afganistani, gjithsej 13300 vetë, pastaj janë irakianët me 9 mijë dhe somalezët me 8900 azilkërkues.

Nekibja vlerë e trashëgimisë politikë të LDK-së

Nekibe Kelmendi pati përmasat e një personaliteti tërësisht rugovian si dhe sensin e madh të një humanistje të jashtëzakonshme. Kështu u tha në akademinë përkujtimore në një vjetorin e vdekjes së Nekibe Kelmendit, njërës nga themelueset e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kurse presidentja e vendit, Atifete Jahjaga lexoi vendimin e dekorimit të Nekibes me urdhrin për paqe, demokraci dhe humanizëm, “Doctor Ibrahim Rugova”.
Jetën dhe veprën e Nekibe Kelmendit, kryetari i LDK-së Isa Mustafa e cilësoi si një dëshmi e mahnitshme e qëndresës njerëzore përballë së keqes dhe dëshmi e triumfit të së mirës ndajë së keqes.
Ai ka shtuar se Nekibja njohu suksesin në rrafshin profesional, kulmi i së cilit ishte denoncimi që ajo dhe bashkëshorti i saj, avokati i njohur Bajram Kelmendi i bënë gjenocidit serb në Kosovë, duke hartuar akuzën kundër Serbisë e Milosevicit në Hagë, mirëpo ky akt i lartë profesional dhe kombëtar, atyre u kushtojë shumë, kur Beogradi zyrtar rrëmbeu nga shtëpia e tyre, Bajramin dhe dy bijtë, Kushtrimin e Kastriotin, të cilët u ekzekutuan në mars të vitit 1999.
“Nekibe Kelmendi, zonja e madhe e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Kosovës pati përmasat e një personaliteti tërësisht rugovian. Pati filozofi nacionale dhe politike rugoviane si dhe botën dhe sensin e madh të një humaniste të jashtëzakonshme. Pavarësisht sprovave tepër të rënda jetësore, ajo pati forcë pothuajse të mbinatyrshme për pajtim, për urtësi dhe për vizion. Në udhëheqjen dy dekadëshe për liri, pavarësi dhe demokraci, Nekibe Kelmendi ishte bashkëpunëtore dhe bashkë udhëtare e pa lëkundur e presidentit Rugova, shëmbëlltyrë e së cilës ai i përngjet si askush tjetër. Së këndejmi ajo është pjesë dhe vlerë e veçantë e trashëgimisë politikë, nacionale dhe humane, universale që krijojë presidenti dhe Lidhja Demokratike e Kosovës”, ka thënë Mustafa.
Ndërsa, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga lexoi vendimin e saj për dekorimin e Nekibe Kelmendit.
“Me dekoratë të veçantë kam dekoruar zonjën Nekibe Kelmendi me urdhrin për paqe, demokraci dhe humanizëm, ‘Doctor Ibrahim Rugova’. Për veprën jetësore dhe kontributin e veçantë në procesin e shtetndërtimit të Republikës së Kosovës, për ndërtimin e paqes, zhvillimin e demokracisë dhe të humanizmit”, ka thënë presidentja Jahjaga.
Vajza e Nekibes, Kosovare Kelmendi, në emër të familjes Kelmendi falënderoi gjithë të pranishmit.
“Dua të shprehë besimin se vepra dhe kontributi i nënë sime për vendin tonë do të jetojë gjatë në mbamendjen e gjithë shqiptarëve”, ka thënë Kelmendi.
Nekibja ishte bashkëthemeluese e LDK-së, pastaj sekretare dhe nënkryetare deri në zgjedhjet e fundit nacionale në Kosovë. Ajo ishte deputete në Kuvendin e Kosovës në të gjitha legjislaturat dhe deri në çastin kur ndërroi jetë.
Po ashtu, nga janari 2008 deri në vitin 2010 ishte Ministre e Drejtësisë. 

KFOR-i shton prezencën në Bërnjak

Sërish është normalizuar lëvizja e qytetarëve dhe automjeteve në pikën kufitare Bërnjak në veri të Kosovës, pas sulmit të sotëm me granata dore në kampin e KFOR-it, me ç’rast një ushtar i KFOR-it është plagosur.
Pas sulmit më granata dore , që ndodhi sot rreth orës 04.00 të mëngjesit në kampin e KFOR-it, misioni paqeruajtës ndërkombëtar ka shtuar dukshëm numrin e ushtarëve në afërsi të Bërnjakut dhe ka ngritur shkallën e gatishmërisë në nivelin më të lartë.
“Prezencë e shtuar e KFOR-it dhe shkallë e lartë e gatishmërisë vërehet edhe në Jarinjë”, kanë thënë burimet e Kosovapressit nga veriu.
Sipas burimeve situatë të ngjashme KFOR-i është duke aplikuar pothuajse në tërë territorin e veriut të Kosovës. Në Mitrovicë vërehen helikopterë të KFOR-it duke vëzhguar situatën nga ajri.
Ndryshe, pas sulmit me granata që ka ndodhur të martën rreth orës 4:00 të mëngjesit në Bërnjak, KFOR-i pati bllokuar tërësisht këtë pikë kufitare për qarkullim.
Edhe KFOR-i përmes një komunikate ka konfirmuar se vendkalimi kufitar në Bërnjak, është rihapur pas incidentit të mëngjesit të sotëm, kur janë hedhur dy granata të dorës, me ç’rast njëra  ka shpërthyer.
“Shpërthimi nuk ka shkaktuar dëme materiale. Granata e dytë e dorës e cila ka dështuar të shpërthejë është shkatërruar me shpërthim të kontrolluar të kryer nga ekipi i deminimit i KFOR-it.
EULEX-i, dhe Policia e Kosovës, pas kompletimit të hetimeve në vendin e ngjarjes, janë duke vazhduar të hetojnë këtë çështje.
KFOR-i edhe një herë dënon përdorimin e papranueshëm të dhunës, e cila do të luftohet fuqishëm nga KFOR-i, thuhet në kumtesën e KFOR-it.

Kosova aplikon për anëtarësim në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik

Kosova ka aplikuar zyrtarisht për t’u bërë pjesë e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, e njohur me emrin OIC.
Sipas agjencisë së lajmeve “MENA-FN” nga Lindja e Mesme, sekretari i përgjithshëm i kësaj organizate, Ekmeleddin Ihsanoglu, e ka mirëpritur vendimin e Kosovës për të aplikuar dhe për t’u bërë anëtare e përhershme e kësaj organizate.
“Kosova ka vuajtur nga padrejtësia dhe represioni nën një administratë që nuk i respektonte të drejtat politike, religjioze dhe kulturore të njerëzve të atij vendi. Dhe pas njohjes së nga më shumë se 90 shtete, tani organizata jonë po pret që Kosova të bëhet anëtare e plotë e OKB-së dhe e OIC-së”, ka thënë Ihsanoglu, transmeton KTV njoftimin.
Në komunikatat zyrtare të Qeverisë së Kosovës për takimin me Ihsanoglun nuk është përmendur askund mundësia e anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik, që përfshin vendet myslimane. 

Mata të luajë në Olimpiadë

Njëshi i Chelseat, Juan Mata, ka marrë dritë të gjelbër të luajë në Lojërat Olimpike në Londër.
Mata është i paepur të fitojë edhe një medalje edhe pse pjesëmarrja e tij në Olimpiadë do ta pengonte atë të jetë pjesë e programit para-sezonal të Bluve.
“E kam konfirmuar me Chelsean se unë mund të luajë në Olimpiadë. Është diçka për të cilën jam pajtuar me federatën spanjolle dhe nuk dua të ndryshojë”.
“Ëndrra ime është të luaj dhe të fitoj në Londër. Pasi kam fituar shumë me Chelsean sezonin e kaluar, kjo mund të jetë edhe një trofe tjetër”, ka thënë spanjolli për Daily Mirror.
Mata ka qenë një zëvendësues i pashfrytëzuar në të tre ndeshjet e fazës grupore të Spanjës në Kampionatin Evropian, Euro 2012. 

City, Tottenhami dhe Arsenali pas Llorentes

Tottenhami, Arsenali dhe Manchester City të gjithë janë duke kërkuar sulmuesin e Athletic Bilbao, Fernando Llorente.
Daily Star shkruan se 27-vjeçari ka qenë cak i kamotshëm i Tottenhamit, që e kishte kërkuar atë edhe verën e kaluar dhe sërish në janar të këtij viti.
Por Spurs mund të humbin në garën për të transferuar spanjollin nëse Manchester City ose Arsenali e konkretizojnë interesimin e tyre me oferta.
Presidenti i Bilbao, Josu Urrutia, ua ka përcjellë të gjithë klubeve të interesuara çmimin e lojtarit, që është jo më pak se 29 milionë funte. 

Reali ofron Sahin dhe Diarra për Boateng

Real Madridi ka bërë një ofertë për shkëmbim të dyfishtë në tentim për të transferuar yllin e Milanit, Kevin-Prince Boateng.
Tuttosport shkruan se Reali ia ka ofruar Milanit dyshen Nuri Sahin dhe Lassana Diarra në shkëmbim për ganezin. Por zëvendës-presidenti Rossoner, Adriano Galliani e ka refuzuar menjëherë ofertën.
Sidoqoftë, Milani ka nevojë për kesh për të mbuluar shpenzimet dhe nëse jo Boateng, atëherë ata do të shpresojnë ta shesin Robinhon te Malaga, që ka shfaqur interesim për brazilianin. 

Bayerni interesohet Melon

Juventusi shpreson të nxjerrë ca para në shitjen e Felipe Melos gjatë kësaj vere, me Bayern Munich që i është bashkuar garës.
Braziliani është rikthyer në Torino pas një sezoni të kaluar si i huazuar te Galatasaray, që nuk shfrytëzoi opsionin për ta bërë të përhershëm nënshkrimin e tij.
Bianconerët nuk llogarisin në shërbimet e Melos dhe shpresojnë ta shesin këtë verë.
Përveç Spartak Moskës për të tash është i interesuar edhe Bayern Munichu. Juve pritet të kërkojë 10 milionë euro për shitjen e tij.

Blanc: Nuk do të luajmë si Anglia

Trajneri i Francës, Laurent Blanc, ka kritikuar rivalin e grupit D, Anglinë, për qasjen negative të lojës dhe zotohet se kurrë nuk do ta aplikojë atë lloj loje me ekipin e tij.“Anglezët vetëm qëndronin në mbrojtje dhe pritnin ne t’i sulmojmë. Por nuk ka më keq se të dështosh ta arrish objektivin duke mos luajtur. Andaj nëse ne duam rezultat kundër Suedisë, duhet të luajmë futboll”.
 
“Para se të mendojmë për të shënuar shumë gola për të përmirësuar diferencën e golave, ne së pari kemi nevojë të sigurohemi ta fitojmë ndeshjen”, ka thënë Blanc.

Marchisio: Treguam karakter

Claudio Marchisio ka shprehur ngazëllimin e tij pas fitores 2-0 të Italisë ndaj Republikës së Irlandës, dhe kualifikimin në çerekfinale të Euro 2012.“Ishte vështirë, veçanërisht në minutën e fundit kur ne pritnim rezultatin nga ndeshja tjetër, por pastaj përfundoi mirë për ne”.
 
“Tash një turne i ri fillon për ne, pas një rundi me ngritje dhe ulje, që ishte gjysmë i mirë dhe gjysmë jo aq”.
 
“Por ne kemi kaluar fazën grupore, që nuk ishte e lehtë, me Spanjën, Kroacinë dhe Irlandën, që edhe pse ishin jashtë turneu dhanë gjithçka që mundën kundër nesh”.
 
“Andaj meritat shkojnë për këtë ekip, që tregoi karakter të madh në një ndeshje vendimtare”, ka thënë Marchisio.

Rakitic në ankth pas golit të humbur ndaj Spanjës

Mesfushori kroat Ivan Rakitic thotë se shansi i humbur në disfatën e mbrëmshme nga Spanja do ta mundojë atë për shumë kohë.Kroacia u eliminua nga Euro 2012 pas disfatës 1-0 nga Spanja, ndërsa Rakitic pati një rast të mirë shënimi, por goditja e tij me kokë u mbrojt nga portieri Iker Casillas.
 
“Nuk arrita ta shfrytëzoj shansin që mu dha. Mendoj se mbase do të kem shumë net pa gjumë duke menduar për këtë”.
 
“Ishte e qartë se ne dhamë gjithçka në fushë, ne dhamë më të mirën nga vetja. Sinqerisht mund të them se shpirti im mbeti në fushë, dhe mendoj se kisha nevojë për disa njerëz të më nxjerrin nga fusha pasi isha fjalë për fjalë i vdekur”.
 
“Dua t’u bëj një falënderim shumë, shumë të madh tifozëve tanë. Ata brohoritën për ne, ata ishin këtu me ne gjithë kohën – ne jemi vërtet shumë, shumë krenar që njerëz të tillë janë prapa nesh”, ka thënë Rakitic. 

Hodgson: Kujdes nga Ukraina

Trajneri i Anglisë, Roy Hodgson, thotë se ata nuk mund ta marrin me lehtësi rivalin e sotëm, Ukrainën.Anglia ka nevojë për vetëm një pikë për të arritur në tetëshen e fundit, por Hodgson refuzon të shikojë përtej sfidës së sotme.
 
“Ne tashmë kemi parë disa ekipe të mira që dalin në këtë turne. Ne i kemi dhënë një shans vetes për të kaluar më tej, por garancia nuk ekziston”.
 
“Skuadra beson në vete dhe nëse paraqitjet kanë shtuar pritjet atëherë mirë. Por ne nuk do të mendojmë për më tej, dhe e dimë se kemi një test të vështirë së pari”, ka thënë Hodgson.

Prandelli i ngazëllyer me shpirtin e skuadrës

Trajneri i Italisë, Cesare Prandelli, ishte krenar me pasionin e treguar nga lojtarët e tij në fitoren e mbrëmshme ndaj Republikës së Irlandës.Prandelli thotë se Italia mund “të arrijë gjithçka me këtë zemër”, pasi ata arritën të kualifikohen në çerekfinale të Euro 2012.
 
“Vuajtje, kënaqësi, gjithçka. Kjo ishte një ndeshje shumë, shumë e vështirë, pasi ne përballeshim menjë skuadër të shkëlqyeshme me tifozë të shkëlqyeshëm. Ky është sporti, ne kemi pranuar vuajtjet në disa momente, por e merituam këtë”.
 
“Sot ne mbase kuptuam se duhet t’i nxjerrim në pah kualitetet dhe stilin si dhe vendosmërinë. Ne mund të arrijmë gjithçka me këtë zemër. Ne vërtet e deshëm këtë fitore dhe në fund të ditës mendoj se merituam të shkojmë më tej”.
“Tash në çerekfinale duhet ta ruajmë të njëjtën qasje, mund dhe shpirt të sakrificës. Ne gjithmonë jemi përpjekur të luajmë futboll të mirë dhe shpresoj të shfrytëzojmë shumicën e shanseve tona”, ka thënë Prandelli. 

Cassano i kënaqur pas kualifikimit në çerekfinale

Sulmuesi i Milanit, Antonio Cassano, është krenar që Italia ka kaluar fazën e grupeve në kampionatin evropian Euro 2012.Azzurrët mposhtën Republikën e Irlandës me rezultat 2-0 në Poznan për t’u kualifikuar në çerekfinale të garës, derisa Spanja mposhti Kroacinë me rezultat 1-0.
 
“Tash ne fillojmë një erë të re në kampionatin evropian. Gjëja më e rëndësishme sonte nuk ishte çmimi i Lojtarit të Ndeshjes, por fitorja e skuadrës dhe kualifikimi”.
 
“Kjo është ajo që na ka bërë të gjithëve të lumtur sonte”, ka thënë Cassano pas fitores ndaj Republikës së Irlandës. 

Rita Ora në lidhje me Chris Brown?

Këngëtarja kosovare Rita Ora është fotografuar në shoqëri të reperit amerikan Chris Brown.
Kjo foto ka ngjallur spekulime për një lidhje të mundshme dashurie, e cila do të ishte një goditje për këngëtaren e saj “rivale”, Rihanna, e cila ishte e lidhur me reperin më herët.
Rita dhe Chris janë fotografuar së bashku në Londër, dhe duken shumë të afërt me njëri-tjetrin. Bukuroshja me origjinë nga Kosova, Rita Ora por edhe reperi Chris Brown, i kanë përshëndetur me dorë paparacët. 

Jeta: Meshkujt shqiptarë janë fanatikë

Këngëtarja nga Shqipëria Jeta Faqolli, ka pohuar se tek meshkujt shqiptarë, mentaliteti i tyre ende është i prapambetur dhe fanatik.
Sipas saj, meshkujt shqiptarë do të hezitonin të pranonin të kishin krahë vetes një femër e cila performon në skenë.
“Mentaliteti i meshkujve shqiptarë është ende i prapambetur dhe sot ka shumë meshkuj fanatikë, që nuk do ta pranonin kurrë për grua një femër që ngjitet në skenë dhe performon”, ka pohuar Jeta për mediat shqiptare.
Përveç kësaj Jeta ka pohuar se është duke u përgatitur për disa materiale muzikore, të cilat pritet t’i lansojë së shpejti. 

Etnon, Stine, DJ Blunt dhe Real One sjellin “One fire”

Grupi “Etnon” rikthehet me një hit të nxehtë në tregun shqiptar, kësaj here në bashkëpunim me këngëtarin Stine, Real One dhe Dj Blunt.
Rezultati i këtij bashkëpunimi mjaft interesant është kënga "One fire", që është pritur mjaft mirë nga adhuruesit e tyre.
Videoklipi i kësaj kënge është realizuar nga 'Max Production', ndërsa kënga pritet të bëhet një hit veror.
Grupi "Etnon" së shpejti do të sjellë edhe albumin e ri. 

Facebook blen Face.com për 60 milionë dollarë

Ka pasur një numër të thashethemeve gjatë javëve të fundit, të cilat raportonin se Facebook është në bisedime me kompaninë me teknologjinë për njohjen e fytyrës - Face.com, për një marrëveshje përvetësimi nga anae rrjetit social, dhe se vlera e kësaj blerjeje nga Facebook sillet rreth 60 milionë dollarë.
Face.com është kompani e specializuar në teknologji mobile për njohjen e fytyrës, ndërsa Facebook në anën tjetër është përqëndruar kryesisht në teknologji mobile dhe padyshim se ka plane për teknologjitë e ngjashme si Face.com në strategjinë e saj për telefonat mobil.
Do të jetë interesantë të shihet se çka ka planifikuar Facebook për Face.com, përkatësisht teknologjinë për njohjen e fytyrës së përdoruesit të telefonit mobil, dhe se si do të integrohet kjo faqe dhe ky shërbim në strategjinë e përgjithshme të Facebook. 

Afellay mendon vetëm për Barcën

Ibrahim Afellay thotë se ai dëshiron të qëndrojë te Barcelona edhe sezonin e ardhshëm.
Mesfushori holandez së fundi është lidhur me një largim nga Camp Nou me Interin që është përmendur si destinacion i mundshëm.
“Mezi pres të fillojë sezoni i ri, vërtet kam dashur të jem në fushë dhe sigurisht se do të jem te Barcelona, për të dëshmuar vlerën time për të luajtur në skuadër”, ka thënë Afellay

Benitez në negociata me Sampdorian

Ish-trajneri i Liverpoolit dhe Interit, Rafa Benitez, raportohet se është duke negociuar me klubin e porsa-promovuar në Serie A, Sampdoria.
Sky Sport Italia bën të ditur se Benitez ka filluar negociatat me drejtuesit e skuadrës italiane mbrëmë në Londër.
Spanjolli nuk ka qenë vet i pranishëm në takim, por ka folur përmes telefonit me drejtorin e Sampdorias, Pasquale Sensibile, derisa përfaqësuesit e tij kanë negociuar për pagën dhe planet e klubit. 

Chievo blen kartonin plotë të Hetemajt

Mesfushori shqiptar Përparim Hetemaj ka kaluar në pronësi të plotë të Chievo Veronas nga Brescia.
Kosovari me nënshtetësi finlandeze kaloi në kampionatin italian te Brescia në janar të vitit 2010 nga skuadra holandeze Twente.
Me Brescian ai luajti 34 herë dhe shënoi dy gola, para se verën e kaluar të kalojë te Chievo, në formë bashkëpronësie.
Hetemaj luajti në 32 ndeshje të Serie A dhe tre të Kupës së Italisë për Chievon, që tash ka blerë edhe gjysmën tjetër të kartonit të tij. 

Del Piero në negociata me Flamengon

Ikona e Juventusit, Alessandro del Piero, është në negociata të avancuara me klubin brazilian Flamengo.
Del Piero tash është agjent i lirë pasi kontrata e tij me Juventusin skadoi muajin e kaluar dhe ai tash është duke kërkuar stacionin e tij të ardhshëm.
Burime nga Brazili thonë se Del Piero është duke negociuar me Flamengon.
Nëse arrin marrëveshje ai do të trashëgojë fanellën me numër 10, të cilën në të kaluarën e kanë veshur Zico dhe Ronaldinho. 

Djali i Romarios të nënshkruajë për Barcën

Legjenda e Barcelonës, Romario, dëshiron që djali i tij të transferohet te ish-klubi i tij.
Romario ka zbuluar për L’Equipe se ai pret që djali i tij të veshë fanellën Blaugrane gjatë sezoneve të ardhshme.
“Djali im, Romarinho, i cili është 18-vjeçar, do të mbetet pa kontratë me Vasco dhe do t’i bashkohet Barcës këtë verë. Ne do të shohim nëse ai mund të qëndrojë gjashtë muaj ose një vit”.
“Së pari do të jetë te Barca B, por pse një ditë të mos u bashkohet djelmoshave të mëdhenj, si Messi? Shpresoj ai të mund të luajë për këtë klub të veçantë”, ka thënë Romario

Ami: Ndihem si në ëndërr për fëmijën

Pas shumë e shumë thashethemeve rreth shtatëzanisë së moderatorës Ami, kjo e fundit ka vendosur të flasë të vërtetën.
“Ndihemi si në qiellin e shtatë, ende si në një ëndërr në pritje të fëmijës sonë të parë”, thotë Ami për ‘PanoramaPlus’.
Në lidhje me dëshirën që kanë nëse duan një djalë apo një vajzë, ajo ka pohuar se të dy dëshirojnë vajzë, por është ende herët për të folur rreth gjinisë së bebës.
Në lidhje me pushimet pas mbylljes së sezonit televiziv, Ami është shprehur se kishin bërë planë për pushime, po tani për tani planet u kanë ndryshuar.
“Këtë periudhë më duhet të kaloj kohë në shtëpi në qetësi dhe relaks të plotë”, ka thekusar Ami, e cila është e martuar me aktorin Ermal Mamaqi. 

Liami me projekt për bamirësi

Pas përfundmit të reality-shou Big Bother 5, ish banorët e shtëpisë i janë rikthyer jetës së tyre.
E sa i përket Liamit, ai në këtë periudhë i është kushtuar profesionit të tij, si DJ, duke luajtur në disa klube të ndryshme anembanë Shqipërisë.
“Unë luaj techno e house, rryma jo shumë të preferuara në Shqipëri, por njerëz ka pasur dhe shpresoj që jo prej meje, pasi nuk mendoj se fama im do të zgjasë përjetësisht. Madje herën e dytë, njerëzit nuk kanë për t’u bërë më kuriozë, pasi figura ime do të jetë e konsumuar”, ka treguar ai për TCh.
Aktualisht Liam po merret me një projekt të rëndësishëm, një projekt bamirësie.
“Duke u kthyer nga Struga, pashë një grua shtatzanë duke shitur fiq. Më erdhi keq dhe kështu më dha shtysë që të realizoja një dëshirë afatgjatë, atë të pjesëmarrjes në nisma të tilla. Të gjitha fondet që do të grumbullojmë, do t’i dërgojmë në ndihmë të shtëpisë së fëmijës 'Zyber Hallulli' në Tiranë. Shpresoj që të gjithë anëtarët e 'Big Brother' të bëhen bashkë dhe të japin një mesazh të gjithë popullit shqiptar”, ka shtuar Liam.

Noti liron trupin

Të jesh aktiv në pikëpamje trupore, nuk është vetëm modë, por edhe nevojë.
Kufizimi i lëvizjeve, që është pasojë e mënyrës bashkëkohore të jetesës, shkakton shumë probleme shëndetësore, që nga dhimbjet në shtyllën kurrizore, deri tek ato kardiovaskulare. Mirëpo, ushtrimet mund t’i zbusin, madje edhe t’i eliminojnë shumë mundime.
Për shembull, profesionistët këshillojnë aktivitetin trupor që rrit nivelin e estrogjenit. Në fakt, mbi 150 simptoma të ndryshme janë të lidhura me mungesën e aktivitetit fizik.
Pa dyshim, shumë gra në periudhën paramenstruale janë më të ndjeshme. Pikërisht ushtrimet, sidomos noti, mund të ndikojnë mirë kundër ndjeshmërisë. Noti e liron trupin dhe njëherësh e qetëson.
Në fazën kur niveli i estrogjenit është më i ulët, mund të notoni më intensivisht, por, kur fillojnë mujoret, atëherë duhet ulur ky intensitet. 

Farat e lirit përshpejtojnë dobësimin

Farat e lirit janë burim i shkëlqyer i fibrave, të cilat përveç që zgjasin ndjenjën e ngopjes, po ashtu ulin nivelin e kolesterolit dhe përshpejtojnë tretjen.
Shkencëtarët tashmë e dinë që farat e lirit janë të shkëlqyeshme për shëndet, ndërsa ekipi i ri hulumtues nga Universiteti Harvard tregon që farat e lirit përshpejtojnë dobësimin.
Shkencëtarët kanë konstatuar që acidet yndyrore poli-të-pangopura, të cilat gjenden në farat e lirit, mundësinë e dobësimit e rrisin për madje 37 për qind. Në farat dhe vajin e lirit do të gjeni materiet e ndryshme ushqyese dhe shëruese, ndërsa më të rëndësishmet janë acidet yndyrore omega-S, fibrat dhe lignina.
Acidet yndyrore omega-S janë të pangopura dhe për dallim nga acidet e ngopura yndyrore, ato do të përmirësojnë shëndetin tuaj dhe do të rrisin mundësinë tuaj për t’u dobësuar.
Farat e lirit përmbajnë fitonutrientin, e njohur si lignina dhe atë në masë më të madhe se të gjitha ushqimet tjera. Lignina është bërë subjekt i shumë hulumtimeve për shkak të veçorive të veta shëruese, për të cilat besohet që janë antikancerogjene.
Farat dhe vajin e lirit mund ta konsumoni në mënyra të ndryshme, për shembull i shtoni në sallatë ose corn-flakes. Shmangni përpunimin termik të farave të lirit ose vajit të lirit sepse në këtë mënyrë veçoritë shërues e shkatërrohen në masë të madhe. /

Tableti i parë i Google do të quhet Asus Nexus 7

Për një kohë të gjatë është folur për tabletin e ri të Google, i cili do të prodhohet nga Asus dhe do të mbështetet në Android.
Tani, sipas informacioneve të fundit, tableti i ri i Google do të prezantohet në ngjarjen e dedikuar për zhvilluesit, Google I/O, e cila do të mbahet prej 27 deri më 29 qershor.
Fotografia e mëposhtme është një prezantim i asaj që mund të jetë, ndërsa merret vesh se tableti i ri i Google, do të vijë me ekran të ndjeshëm në prekje me 7 inç, 1280 x 960 piksel, ndërsa i njëjti do të emërtohet Asus Nexus 7.
Sa më shpejtë që merren vesh më shumë detaje për tabletin e ri Android, Asus Nexus 7, do të raportojmë për të, ndërsa besojmë se deri atëherë Google dhe Asus do ta bëjnë publik edhe çmimin e pajisjes. 

Aksident me 300 km/h (Video)

Një aksident i tmerrshëm teksa udhëtonte me mbi 300 kilometra në orë i ka kushtuar thyerjen e shtyllës kurrizore pilotit britanik, Anthony Davidson.
Gazeta Start njofton se aksidenti i rëndë ndodhi në garën “Le Mans 24 orë”, ku Davidson po garonte me Toyotan.
Në çastin kur shoferi i ‘Toyota TS030 Hybrid’ ka tentuar të parakalojë pilotin italianin Piergiuseppe Perazzini, me të kaluar sheshin “Mulsanne”, ku shpejtësia e automjeteve kalonte 300 km/orë, për shkak të një pakujdesie të italianit britaniku fluturon në ajër bashkë me makinën e tij për t’u përplasur më pas me barrierat e pistës.

Autostrada “e mbyti” edhe një punëtor

Ka vdekur një punëtor i kompanisë “Sallahu”, i cili ka qenë duke punuar në Autostradë.
Zëdhënësja e kompanisë Bechtel& Encha, Ela Ruçi, thapër Indeksonline, se punëtori është goditur nga makineria e vetë dhe ka mbetur i vdekur në vend.
Ajo ka treguar se ngjarja ka ndodhur në fshatin Sllapuzhan dhe se tani në vend të ngjarjes ndodhen policia dhe po merren me rastin.
Ky është rasti i dytë i aksidenteve me fatalitet, ku ditë më parë pati humbur jetën edhe një punëtor dhe një tjetër mbeti i lënduar rëndë, i cili është duke u kuruar në një spital në Turqi.

G20 thekson rëndësinë e rritjes ekonomike

Derisa udhëheqësit e G20 filluan diskutimet formale në Meksikë, po qarkullon një draft-komunikatë, e cila kërkon që Evropa të ndërmarrë “të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur integritetin dhe stabilitetin” në Eurozonë.
Përveç kësaj, deklarata shpreh një angazhim për rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës.
“Ne jemi të angazhuar për miratimin e të gjitha masave të nevojshme politike për të forcuar kërkesën, të mbështesim rritjen ekonomike globale, dhe të rivendosim besimin," thuhet në deklaratë.
Para hapjes së samitit, presidenti amerikan Barak Obama u takua me kancelaren gjermane Angela Merkel.
Udhëheqësit thuhet se ranë dakord se janë të nevojshëm hapat e tjerë drejt integrimit evropian politik.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Xhim Karnei tha se Obama është "inkurajuar" nga planet e liderëve evropianë për "stabilizimin e situatës dhe mbështetjen e rritjes ekonomike dhe krijimit të vendeve të punës."

LDK dënon sulmin ndaj KFOR-it

Lidhja Demokratike Kosovës dënon ashpër sulmin me granata dore në kampin e KFOR-it, në vendkalimin kufitar 31, në Bërnjak, me ç’rast është lënduar një ushtar francez i KFOR-it.
Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se sulmet e tilla janë sulme direkte ndaj rendit dhe ligjit, sulme kundër forcave që kanë mandatin për të garantuar lirinë e lëvizje dhe një ambient të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët, thuhet në reagimin e këtij subjekti politik.
Në reagim më tej thuhet se LDK e mbështet KFOR-in në përmbushjen e misionit themelor që ka për të garantuar lirinë e lëvizjes dhe sigurinë në tërë territorin e Kosovës e në radhë të parë në Veri të vendit, pjesë në të cilën strukturat kriminale, të ndihmuara e të financuara nga Serbia, po e cenojnë në vijimësi rendin dhe ligjin. 

Serbia nuk e ndal financimin e strukturave paralele

Ministri në largim në të ashtuquajturën Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanovic ka deklaruar se Serbia nuk mund të ndalë financimin e institucioneve të saj në veri të Kosovës, derisa nuk përfundojnë bisedimet mbi statusin politik të veriut.
“Derisa nuk përfundojnë bisedimet serioze mbi statusin politik të veriut të Kosovës, shteti nuk mund të ndalë mbështetjen financiare të institucioneve tona”, ka thënë Bogdanovic për “Vecernje Novosti.”
Ai ka thënë se Serbia është e gatshme për dialog dhe zgjidhje kompromisi, por, jo edhe për përmbushjen e kushteve, të cilat bien ndesh me interesat kombëtare.
“Nuk është fshehtësi se ekziston presion që të shuhen institucionet tona në veri dhe që shteti të ndalë së financuari atë pjesë të territorit shtetëror. As ky kusht nuk është i ri, veç se bëhet me interpretim të ndryshëm, dhe ka ekzistuar edhe para shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës”, ka thënë Bogdanovic.
Veriu i Kosovës vazhdon të mos i nënshtrohet autoritetit të Prishtinës derisa kontrollohet nga strukturat paralele që i financon Beogradi zyrtar.
Zyrtarë të shteteve të fuqishme perëndimore i kanë kërkuar Serbisë shuarjen e këtyre strukturave paralele.

Sulm me granata ndaj KFOR-it në Bërnjak

Dy granata dore janë hedhur në kampin e KFOR-it në vendkalimin kufitar 31 në Bërnjak. Lajmi është bërë i ditur nga KFOR-i, i cili ka theksuar se ngjarja ka ndodhur në orën 4:00 të mëngjesit të sotëm.
Njëra granatë ka shpërthyer, kurse tjetra ka mbetur e pashpërthyer në mes të rrugës, duke bllokuar trafikun, ka njoftuar forca paqeruajtëse.
Bëhet e ditur se gjatë këtij sulmi është lënduar një ushtar i KFOR-it, i cili ka pësuar dëmtim të lehtë të dëgjimit dhe se nuk është raportuar ndonjë dëmtim i madh material.
KFOR-i ika njoftuar se për arsye sigurie dhe për t’i ndihmuar hetimet vendkalimi kufitar 31 në Bërnjak mbetet i mbyllur deri në njoftimin tjetër, transmeton Rel.
Përmes komunikatës, KFOR-i edhe një herë dënon përdorimin e papranueshëm të dhunës, e cila do të luftohet fuqishëm nga KFOR-i. 

Agjenci për shitblerje veshkash në Izrael

Moshe Harel kishte hapur një agjenci për shitblerje veshkash në Tel-Aviv. Gjente klientë që shisnin veshka me çmim të lirë, e nevojtarë për to që paguanin mbi 100 mijë dollarë.
Agjentë të kompanisë së ashtuquajtur “Edgar”, pronar i së cilës, sipas dëshmitarëve, del se ishte Moshe Harel, gjenin njerëz kryesisht në Izrael në dializë, të cilëve u ofronin veshka në këmbim të parave. Falë saj dy burra nga Izraeli, të cilët kanë dëshmuar të hënën në Prishtinë nëpërmjet transmetimit me video nga një gjykatë në Tel-Aviv, nuk i nënshtrohen më procesit të pastrimit të gjakut nga tri herë në javë.
Ata kanë treguar se si kishin rënë në kontakt me agjentë të ndryshëm, të cilët pas një pagese të majme kishin arritur në Prishtinë në klinikën “Medicus”, prej së cilës kanë dalë pas më pak se një jave me një veshkë të shëndoshë në trup.
Këta dëshmitarë kanë treguar se Kosova dhe Izraeli kishin pasur lidhje të forta falë grupeve të ndryshme kriminale. Këtë e ka treguar edhe arrestimi i të paktën dhjetë izraelitëve muajin e kaluar si të dyshuar për lidhje me trafikimin e njerëzve për heqje veshkash në klinikën “Medicus” në Prishtinë, shkruan “Koha Ditore”.
Të dhjetit janë shtetas të Izraelit ,në mesin e të cilëve edhe njeriu që konsiderohet si bosi i trafikimit ndërkombëtar të qenieve njerëzore Moshe Harel.
Harel kërkohej nga Interpoli prej vitit 2008, kur ishte liruar me kusht nga paraburgimi në Kosovë për t’u mbrojtur në liri . 

Liderët kosovarë në SHBA për ligjërata

Udhëheqësit e shtetit të Kosovës po e shfrytëzojnë periudhën para pushimeve verore që të vizitojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në ditën kur presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, është kthyer nga qëndrimi në anën tjetër të Atlantikut, për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka udhëtuar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.
Jahjaga gjatë vizitës së saj në SHBA ka mbajtur një ligjëratë në njërin nga universitetet atje. Ligjëratë do të mbajë edhe kryeparlamentari Krasniqi, por asnjëri prej tyre nuk është takuar me përfaqësues të nivelit të njëjtë në SHBA.
Në një njoftim të Kryesisë së Kuvendit thuhet se kryeparlamentari Jakup Krasniqi do të qëndrojë në SHBA për pesë ditë. Sipas njoftimit, kreu i Kuvendit është ftuar në këtë vizitë me ftesë të Komisionit të Kongresit të SHBA-së për Partneritet në Zhvillimin e Demokracisë, shkruan “Koha Ditore”.
Përveç takimit me ftuesit, në agjendën që është përshkruar nga Kuvendi thuhet se kryeparlamentari do të mbajë edhe një ligjëratë në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

BE, tri kushte për Serbinë

Përveç kërkesës për heqjen e institucioneve paralele në veri të Kosovës, Bashkimi Evropian i ka kërkuar Serbisë të hapën zyrat ndërlidhëse të dy shteteve, në Beograd dhe në Prishtinë dhe të mbahet takimi krerëve shtetëror të Prishtinës dhe Beogradit. Këto janë tri kushtet për Serbinë të cilat kohë më para ua ka dorëzuar zyrtarëve serbë në Beograd i dërguari i BE-së, Miroslav Lajcak.
Duke u thirrur në burime jo zyrtare të Beogradit gazeta serbe “Politika” shkruan se kreu i diplomacisë slovake, Miroslav Lajcak, në kuadër të tri kushteve të reja, ka kërkuar nga autoritetet e Beogradit edhe heqjen e gjykatës paralele në Mitrovicë dhe aplikimin e kodit të veçantë të telefonisë për Kosovë.
Shefi i ekipit negociator serb, Borislav Stefanovic ka thënë se në dialogun e zhvilluar me autoritetet e Kosovës në Bruksel, askush deri tash nuk e ka përmendur hapjen e Zyrës së Qeverisë së Kosovës në Beograd dhe asaj të Qeverisë serbe në Prishtinë.
“Politika" përkujton se Lajcak në një tekst autorial për "UE Observer", ka potencuar se Serbia në rrugën e saj për në BE, prioritet duhet t’i jep normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.