MacShane: Kosova s’është tirani e korruptuar etnike më shumë se Serbia

Gazeta londineze “The Financial Times” ka botuar sot dy reagime ndaj Profesorit kanadez Michael Ignatieff, i cili para disa ditësh kishte pohuar në një shkrim që përmendte kalimthi vendin tonë se ”Kosova është ende tirani e korruptuar etnike”.

Në reagimin e Petrit Selimit, zëvendësministër i Jashtëm i Republikës së Kosovës, thuhet se Kosova ka rritjen më të madhe ekonomike (GDP) në eurozonë (5.5 për qind në vitin 2011) dhe borxhin më të vogël në Evropë (“pothuajse hiç”).
“Ka mbështetje vendore bipartizane dhe multietnike për institucionet që janë themeluar nga kushtetuta e ish-presidentit finlandez Marti Ahtisaari”, konstaton Selimi, i cili shpalos zhvillimet pozitive në vendin tonë, duke përfshirë edhe marrjen e udhërrëfyesit për liberalizimine vizave me BE-në.
Në anën tjetër, reagimi i Denis MacShane, deputet laburist, ministër për Ballkan në Qeverinë britanike gjatë viteve 2001-2005, është shprehur me ton më polemik.
Aii konstaton se “Kosova nuk është tirani e korruptuar etnike më shumë sesa Serbia apo Kroacia”.
Kroacia dhe Serbia nuk përmendeshin fare në komentin e Michael Ignatieff-it, autor i librit “Lufta virtuale”, botuar më 2001, një analizë e luftës në Kosovë dhe e domethënies së saj për luftërat e të së ardhmes, transmeton QIK.