KFOR-i shton prezencën në Bërnjak

Sërish është normalizuar lëvizja e qytetarëve dhe automjeteve në pikën kufitare Bërnjak në veri të Kosovës, pas sulmit të sotëm me granata dore në kampin e KFOR-it, me ç’rast një ushtar i KFOR-it është plagosur.

Pas sulmit më granata dore , që ndodhi sot rreth orës 04.00 të mëngjesit në kampin e KFOR-it, misioni paqeruajtës ndërkombëtar ka shtuar dukshëm numrin e ushtarëve në afërsi të Bërnjakut dhe ka ngritur shkallën e gatishmërisë në nivelin më të lartë.
“Prezencë e shtuar e KFOR-it dhe shkallë e lartë e gatishmërisë vërehet edhe në Jarinjë”, kanë thënë burimet e Kosovapressit nga veriu.
Sipas burimeve situatë të ngjashme KFOR-i është duke aplikuar pothuajse në tërë territorin e veriut të Kosovës. Në Mitrovicë vërehen helikopterë të KFOR-it duke vëzhguar situatën nga ajri.
Ndryshe, pas sulmit me granata që ka ndodhur të martën rreth orës 4:00 të mëngjesit në Bërnjak, KFOR-i pati bllokuar tërësisht këtë pikë kufitare për qarkullim.
Edhe KFOR-i përmes një komunikate ka konfirmuar se vendkalimi kufitar në Bërnjak, është rihapur pas incidentit të mëngjesit të sotëm, kur janë hedhur dy granata të dorës, me ç’rast njëra  ka shpërthyer.
“Shpërthimi nuk ka shkaktuar dëme materiale. Granata e dytë e dorës e cila ka dështuar të shpërthejë është shkatërruar me shpërthim të kontrolluar të kryer nga ekipi i deminimit i KFOR-it.
EULEX-i, dhe Policia e Kosovës, pas kompletimit të hetimeve në vendin e ngjarjes, janë duke vazhduar të hetojnë këtë çështje.
KFOR-i edhe një herë dënon përdorimin e papranueshëm të dhunës, e cila do të luftohet fuqishëm nga KFOR-i, thuhet në kumtesën e KFOR-it.