Nekibja vlerë e trashëgimisë politikë të LDK-së

Nekibe Kelmendi pati përmasat e një personaliteti tërësisht rugovian si dhe sensin e madh të një humanistje të jashtëzakonshme. Kështu u tha në akademinë përkujtimore në një vjetorin e vdekjes së Nekibe Kelmendit, njërës nga themelueset e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kurse presidentja e vendit, Atifete Jahjaga lexoi vendimin e dekorimit të Nekibes me urdhrin për paqe, demokraci dhe humanizëm, “Doctor Ibrahim Rugova”.

Jetën dhe veprën e Nekibe Kelmendit, kryetari i LDK-së Isa Mustafa e cilësoi si një dëshmi e mahnitshme e qëndresës njerëzore përballë së keqes dhe dëshmi e triumfit të së mirës ndajë së keqes.
Ai ka shtuar se Nekibja njohu suksesin në rrafshin profesional, kulmi i së cilit ishte denoncimi që ajo dhe bashkëshorti i saj, avokati i njohur Bajram Kelmendi i bënë gjenocidit serb në Kosovë, duke hartuar akuzën kundër Serbisë e Milosevicit në Hagë, mirëpo ky akt i lartë profesional dhe kombëtar, atyre u kushtojë shumë, kur Beogradi zyrtar rrëmbeu nga shtëpia e tyre, Bajramin dhe dy bijtë, Kushtrimin e Kastriotin, të cilët u ekzekutuan në mars të vitit 1999.
“Nekibe Kelmendi, zonja e madhe e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Kosovës pati përmasat e një personaliteti tërësisht rugovian. Pati filozofi nacionale dhe politike rugoviane si dhe botën dhe sensin e madh të një humaniste të jashtëzakonshme. Pavarësisht sprovave tepër të rënda jetësore, ajo pati forcë pothuajse të mbinatyrshme për pajtim, për urtësi dhe për vizion. Në udhëheqjen dy dekadëshe për liri, pavarësi dhe demokraci, Nekibe Kelmendi ishte bashkëpunëtore dhe bashkë udhëtare e pa lëkundur e presidentit Rugova, shëmbëlltyrë e së cilës ai i përngjet si askush tjetër. Së këndejmi ajo është pjesë dhe vlerë e veçantë e trashëgimisë politikë, nacionale dhe humane, universale që krijojë presidenti dhe Lidhja Demokratike e Kosovës”, ka thënë Mustafa.
Ndërsa, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga lexoi vendimin e saj për dekorimin e Nekibe Kelmendit.
“Me dekoratë të veçantë kam dekoruar zonjën Nekibe Kelmendi me urdhrin për paqe, demokraci dhe humanizëm, ‘Doctor Ibrahim Rugova’. Për veprën jetësore dhe kontributin e veçantë në procesin e shtetndërtimit të Republikës së Kosovës, për ndërtimin e paqes, zhvillimin e demokracisë dhe të humanizmit”, ka thënë presidentja Jahjaga.
Vajza e Nekibes, Kosovare Kelmendi, në emër të familjes Kelmendi falënderoi gjithë të pranishmit.
“Dua të shprehë besimin se vepra dhe kontributi i nënë sime për vendin tonë do të jetojë gjatë në mbamendjen e gjithë shqiptarëve”, ka thënë Kelmendi.
Nekibja ishte bashkëthemeluese e LDK-së, pastaj sekretare dhe nënkryetare deri në zgjedhjet e fundit nacionale në Kosovë. Ajo ishte deputete në Kuvendin e Kosovës në të gjitha legjislaturat dhe deri në çastin kur ndërroi jetë.
Po ashtu, nga janari 2008 deri në vitin 2010 ishte Ministre e Drejtësisë.