Zgjedhjet e Dhjetorit të 2010 u dëmtuan nga mashtrimi dhe manipulimi. Tani, ata të akuzuar kanë ditët e tyre në gjykatë.
Në atë që është rasti më i madh i paraqitur para sistemit të drejtësisë në Kosovë, Zyra e Prokurorëve ka akuzuar 1,343 njerëz për mashtrim zgjedhor - duke abuzuar me të drejtën për të votuar dhe duke shkatërruar dokumentet e votimit - që burojnë nga zgjedhjet e dhjetorit 2010. Është vlerësuar se 931 njerëz të tjerë do të akuzohen në Prishtinë dhe Prizren.
Laura Pula, koordinatore e ekipit të prokurorisë për mashtrime zgjedhore, tha për SETimes se prokurorët e rrethit kanë punuar për të sjellë para drejtësisë individët të cilët manipuluan votat gjatë zgjedhjeve, por se kjo ishte një sfidë.
Seb Bytyçi, drejtor ekzekutiv i Institutit të Politikave për Ballkanin, tha se kapaciteti i gjykatave në Kosovë është i kufizuar në përballjen me një ngarkesë kaq të madhe.
"Kosova ka përqindjen më të vogël të gjyqtarëve në Evropë - 14 gjyqtarëve për çdo 25,100 banorë - dhe në këtë situatë kapaciteti i gjykatave është i dobët. Por, kjo nuk do të thotë se gjykatat duhet të përdorin këtë si një justifikim për mungesën e gjykimeve. Rastet duhet të gjykohen në mënyrë rigoroze dhe dënimet jepen për të parandaluar mashtrimin - jo vetëm me dënime simbolike siç ka ndodhur deri tani", tha Bytyçi.
Pula thotë se për prokurorinë sqarimi i mashtrimit zgjedhor ishte një prioritet.
"Është krijuar konfuzion gjatë zgjedhjeve të përgjithshme në media dhe shoqërinë civile... Për të qenë transparent me të gjithë, kemi botuar raporte periodike mbi ecurinë e hetimit dhe sqarimin e manipulimeve. Ne nuk mund të qëndrojmë duarkryq kur shohim raste të tilla mashtrimi", tha Pula.
Bytyçi është dakord.
"Niveli i mashtrimit ka qenë shumë i madh dhe legjitimiteti i institucioneve është dëmtuar... Ne kemi zhgënjim midis qytetarëve dhe procesit demokratik", tha ai.
Pula thotë se ata që janë dënuar do të pengohen të punojnë me procesin zgjedhor për katër vjet, përveç vuajtjes së ndonjë dënimi që do të marrin.
Adrian Bejtullahu nga Demokracia Qytetare në Veprim, ka shërbyer si një vëzhgues i zgjedhjeve.
"Ishte e tmerrshme për demokracinë të shikoje çfarë ka ndodhur në dhjetor të vitit 2010 - përfaqësues nga të gjitha palët manipuluan - firma dhe vota false etj.", tha Bejtullahu.
Gjykata e Rrethit në Ferizaj dënoi tre komisionerë zgjedhjesh - Naim Sahiti (PDK), Agron Zeqiri (Vetëvendosja) dhe Agim Ramadani (LDK) - me gjashtë muaj burg në shkurt. Të tre u gjetën fajtorë për abuzime gjatë procesit zgjedhor në fshatin Softaj.
Paneli i gjykatësve - i udhëhequr nga Bashkim Hyseni - tha se zyrtarët mbushën kutinë e votimit me 274 emra që mbështesin kandidatët e tyre dhe hoqën 171 vota për kundërshtarët e tyre.
"Gjykata do të vazhdojë dënimin e të gjithë atyre njerëzve të që kanë abuzuar me votat”, thotë Hyseni.
Duke iu përgjigjur ankesave të prokurorëve se gjykata nuk po jep dënime të mjaftueshme, gjyqtari shpjegoi se niveli i implikimit kundër secilit nga të akuzuarit është i ndryshëm, dhe që në disa raste akuzat e plota nuk janë provuar.
"Gjykata ka dhënë dënime të konsiderueshme të vështira. Ne kemi dënuar njerëz në burg", shton Hyseni.