Bogdanovic: Arrestimi i Arsicit - për frikësim të serbëve!

I ashtuquajturi ministër për Kosovën, Goran Bogdanovic, tha se motivi dhe qëllimi i arrestimit të shefit të “Qarkut të Kosovës”, Goran Arsic, është vazhdimësi e politikës për frikësimin e serbëve në Kosovë.

"Është koha për të reaguar EULEX-i dhe të gjithë faktorët relevantë ndërkombëtarë në krahinë për të ndaluar keqtrajtimin e paarsyeshëm të Policisë së Kosovës ndaj serbëve”, ka thënë Bogdanovic për Beta.
Sipas tij, me afrimin e zgjedhjeve serbe të 6 majit, po “intensifikohen tensionet dhe dhuna”.
Policia e Kosovës ka konfirmuar të shtunën se ka arrestuar dy serbë, për të cilët thuhet se kanë lobuar në Lypjan që serbët të dalin në zgjedhje.
"Të gjithë ne duhet të pyesim se çfarë mesazhi dërgon Prishtina duke arrestuar Arsicin, anëtarin e shquar të komunitetit serb i cili është i njohur për përpjekjet e tij për pajtim dhe bashkëjetesë mes shqiptarëve dhe serbëve", tha Bogdanovic.
Zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë për Beta se sipas njohurive aktuale të policisë, dy serbë të Kosovës dyshohet se kanë kërcënuar banorët e një fshati të Lypjanit që të dalin në zgjedhjet serbe.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, i ka deklaruar agjencisë shtetërore serbe Tanjug se policia e ka arrestuar Goran Arsicin.
“Prokurori publik i ka caktuar Arsicit masën e paraburgimit, për shkak se ai ka kërcënuar disa persona se policia serbe do t’i arrestojë sapo të shkojnë në Serbi, në qoftë se nuk dalin në zgjedhjet e ardhshme serbe”, ka sqaruar ministri Rexhepi.