Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë, ajo e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë dhe Administrata Tatimore e Kosovës janë tri institucionet që për blerjen e vetura ketë vit, i kanë ndarë secila nga 200 mijë euro. Në tabelat buxhetore për këtë vit, këto tri institucione prijnë si institucionet që kanë vendosur të shpenzojnë më se shumti në blerjen e veturave.
Kur të gjitha institucionet qendrore bëhen bashkë, atëherë shpenzimet vetëm për blerjen e vetura shkojnë në afër dy milionë euro, shkruan Express.
“Blerja e veturave për ATK - 212,310, blerja e veturave për Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë 200 mijë euro dhe 200 mijë euro Ministria e Arsimit, e Shkencës dhe e Teknologjisë”, janë shpenzimet për vetura për këto tri institucione që figurojnë në tabelat buxhetore për këtë vit.
Ndërkaq, nga 130 mijë euro për këtë vit në blerjen e veturave do t’i shpenzojnë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Diasporës. Ministria e Administratës Publike vendosi t’i ndajë 100 mijë euro, 70 mijë euro Ministria e Punës dhe Ministria e Bujqësisë i ndau 50 mijë euro.
Agjencia Kosovare e Privatizimit për blerjen e veturave të reja për pasagjerë i ka ndarë 135 mijë euro, derisa Gjykata Kushtetuese është treguar më modeste, kur i ndau 40 mijë euro.
Në vetura më së paku për këtë vit do të shpenzojë Kuvendi i Kosovës, 12 mijë euro.