Sulmet ndaj gazetarëve në veri të Mitrovicës nuk kanë të ndalur. Drejtues të Shoqatës së Gazetarëve të Mitrovicës, kanë apeluar tek organet kompetente që të ndërmarrin masat e duhura për sigurinë e gazetarëve në këtë rajon. Sipas tyre, gazetarët shqiptarë që kryejnë punën e tyre në veri të Mitrovicës, nuk po mbrohen nga askush, madje as nga KFOR-i, EULEX-i e Policia e Kosovës. E në anën tjetër, Policia e Kosovës ka paralajmëruar se do të merren masa disiplinore ndaj të gjtihë atyre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës që veprojnë në veri të Mitrovicës, e që nuk u binden urdhërave të zinxhirit komandues.
Rasti i fundit i sulmit të protestuesve serbë ndaj gazetarit të Agjencisë Kosovapress dhe atij të Koha Ditore është reflektimi më i mirë i gjendjes së brishtë në veri të vendit.
Madje protestuesit serbë, sulmin ndaj dy gazetarëve shqiptarë e kanë bërë në prani të Policisë së Kosovës dhe KFOR-it, e ky fakt po i brengosë më së shumti gazetarët që punojnë dhe veprojnë në atë pjesë të Kosovës.
Gazetarët Alidin Damati dhe Musa Mustafa, të enjten ishin duke e përcjellë protestën në veri të Mitrovicës, përderisa janë sulmuar nga një grup huliganësh serbë, duke i fyer ata në baza nacionale.
Mustafa, gazetar i të përditshmes Koha Ditore, rrëfen çastet kur ai bashkë me kolegun Alidin Damatin, ishin sulmuar nga pjesëtarë të strukturave ilegale në veri.
“Ishim duke e kryer punën tonë si gazetarë, nuk provokuam, nuk fyem, nuk bëmë ndonjë gjest që do t’i iritonim. Bëmë disa fotografi dhe disa serbë na u vërsulën. Duke vendosur kapela në kokë, duke sharë dhe fyer, por ndërhynë edhe Policia e Kosovës në atë rast, por diku 7 serbë m’u afruan afër dhe njëri prej tyre më ka goditur në këmbë. Ndërhynë Policia e Kosovës, por njëri prej tyre është sjellë shumë keq, duke përdorur një ton kërcënues, por edhe ofendues, i cili na pyeste se çfarë keni kërkuar këtu, kush jeni ju, edhe pse ne i kishim autorizimet e medieve”, ka thënë ai.
Gazetarët që vazhdimisht përcjellin zhvillimet në veri të vendit, janë të vetëdijshëm për rrezikun që mund t’u kanoset nga strukturat ilegale serbe që veprojnë atje, mirëpo, ata mbesin të habitur me sjelljen indiferente të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës, të cilët nuk kryejnë punën e tyre, për çfarë janë të thirrur.
Damati, gazetari i Agjencisë Kosovapress, megjithatë tregon se ky nuk është rasti i parë kur ata sulmohen dhe kërcënohen nga serbët.
“Jemi sulmuar nga një grup ekstremistësh serbë në momentin kur po e përcillnim protestën e organizuar nga serbët në pjesën veriore të Mitrovicës. Disa nga protestuesit në momentin që kanë vërejtur prezencën tonë, janë vërsulur në ne. Ka pasur tentime për marrjen e fotoaparateve tona, jemi fyer mbi baza nacionale, ndërkohë që kolegun e kanë shqelmuar në këmbë. Më ka habitur sjellja indeferente e ushtarëve të KFOR-it, të cilët kanë qenë të pranishëm në kohën e incidentit, ndërkohë që jam i shqetësuar edhe për sjelljen joprofesionale nga ana e policëve të Kosovës të stacionit në veri, sepse vetëm njëri nga ta na ka ndihmuar”, ka thënë ai.
Me gjithë, kërcënimet dhe sulmet ndaj tyre, Damati thotë se, nuk do të zbrapsen dhe se çdo herë do të punojnë në informimin e drejtë të qytetarëve për zhvillimet në veri.
Hysni Syla, kryetar i Shoqatës së Gazetarëve të Mitrovicës, ka bërë të ditur për Kosovapress se, sulmet ndaj gazetarëve në Mitrovicë janë të vazhdueshme që nga përfundimi i luftës. Mirëpo, ai thotë se kanë munguar reagimet e duhura dhe se rasti i fundit që ka ndodhur në veri, sipas tij, do të ndikon tek organet kompetente, që të jenë më të organizuar për të mbrojtur fjalën e lirë në veri të Mitrovicës.
Duke e dënuar ashpër atakimin e gazetarëve, Shoqata e Gazetarëve të Mitrovicës, kërkon nga organizatorët e protestave, të mos pengojë punën e gazetarëve, por të ndihmojë ata në realizimin e misionit të tyre.
SHGM-ja, po ashtu kërkon nga përfaqësuesit e KFOR-it dhe ata të Policisë së Kosovës, të kriojojnë kushte për gazetarë, dhe në rastet e protestave të ndryshme, të mbrojnë ata kur rrezikohen nga njerëz me prirje kriminale.
“Besim Hoti, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, ka pranuar se puna e gazetarëve në veri të Mitrovicës, është mjaft e vështirë dhe e paqëndrueshme, mirëpo ai thotë se janë duke punuar që personat e involvuar në sulm mbi gazetarët, të vihen para drejtësisë.
Ndërsa ka shtuar se ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët nuk i përfillin urdhrat e zinxhirit komandues të Policisë së Kosovës, do të merren masa, ata do të jenë subjekt i masave disiplinore.
“Sigurisht që procesi i hetimeve do të sqarojë gjithçka në atë aspekt, nëse pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të cilët janë të thirrur në radhë të parë të reagojnë, të mbrojnë dhe të sigurojnë një ambient më të mirë të punës për të gjithë gazetarët. Sigurisht që nëse ka elemente të rasteve të tilla, gjithsesi se policët e tillë do të jenë subjekt i masave disiplinore, që duhet të udhëhiqen për brenda policisë së Kosovës”, ka thënë ai.
Ngjarja e fundit që ka ndodhur në veri të Mitrovicës, me ç’rast u sulmuan gazetarët, vetëm sa ka konfirmuar realitetin e hidhur dhe gjendjen aktuale që mbretëron atje, i zhytur nën ndikimin e strukturave ilegale.
Ndryshe, edhe pse kanë kaluar 13 vjet nga përfundimi i luftës, veriu i vendit mbetet simbol i destabilitetit dhe dështimit të ligjit, kontrabandës dhe krimit të organizuar dhe i një gjendje pothuajse anarkie totale në veri, ndërkohë që ndërkombëtarët atje, pothuajse nuk janë asnjë faktor.