Juve ia lë Van Persien Cityt, dëshiron Dzekon

Juventusi është duke pritur dritë të gjelbër nga Manchester Cituy për të filluar bisedimet me Edin Dzekon.
Menaxheri gjeneral i Juves, Beppe Marotta, është i paepur ta sjellë Dzekon në Torino këtë verë dhe tash pret leje nga City për të filluar negociatat.
Tuttosport shkruan se Juve ka hequr dorë nga sulmuesi i Arsenalit, Robin van Persie, për t’u fokusuar te Dzeko.
Nëse holandezi arrin marrëveshje për transferim te City, sulmuesi boshnjak do të lejohet të kalojë te Juve.

Milani kërkon dyshen e Realit

Menaxheri i Milanit, Massimiliano Allegri, është duke synuar dyshen e Real Madridit, Ricardo Carvalho dhe Hamit Altintop.
A Bola shkruan se Allegri dëshiron ta përforcojë mbrojtjen me Carvalhon dhe mesfushën me Altintop, të cilët që të dy janë në shitje nga Reali.
Carvalho është duke u menduar si zëvendësim për Alessandro Nesta, derisa Altintop do të arrinte për të mbuluar njërën nga pozitat e mesfushës, që së fundi ka mbetur e zbrazët nga largimi i disa emrave të mëdhenj. 

Barca pas Hummels

Mbrojtësi i Borussia Dortmund, Mats Hummels, është shndërruar në cakun kryesor të Barcelonës.
El Mundo Deportivo shkruan se Barca e ka shtuar interesimin në të riun gjerman pasi ka humbur durimin duke ndjekur mbrojtësin e Milanit, Thiago Silva, dhe atë të Athletic Bilbao, Javi Martinez.
Drejtuesit e Barcës e pëlqejnë zhdërvjelltësinë e Hummels dhe janë të bindur se mbrojtësi po ashtu mund të mbulojë edhe zbrazëtirën Sergio Busquets në mesfushë kur të jetë e nevojshme. 

Suarez = Krasic + 18 milionë euro

Juventusi ka bërë një ofertë të re në adresë të Liverpoolit për sulmuesin Luis Suarez.
Biankonerët kanë qenë në kontakte me klubin anglez për uruguaianin gjatë disa javëve të fundit.
Tuttosport mëson se Juve tash do të bëjë një ofertë në vlerën e 18 milionë euro plus shërbimet e Milos Krasic për të transhuar Suarezin.
Juve e di se Liverpooli është në kërkim të Krasic pas disa pyetjeve të bëra për situatën e serbit dhe shpreson se duke e përfshirën atë në ofertë ta bindë klubin anglez të heqë dorë nga sulmuesi uruguaian. 

Tymoshchuk në planet e Milanit

Milani është duke shfaqur interesim për mesfushorin e Bayern Munichut, Anatoliy Tymoshchuk.
33-vjeçari ukrainas është në shitje nga Bayerni dhe Milani e sheh veteranin si një nënshkrim të rëndësishëm për sezonin e ri.
Pasi ka humbur lojtarët si Rino Gattuso, Mathieu Flamini, Mark van Bommel dhe Clarence Seedorf, Milani ka nevojë për nënshkrime të reja në mesfushë, për të mbuluar zbrazëtirën dhe Tymoshchuk është lartë në listën e blerjeve të klubit italian. 

Reali ofron Kakan dhe para për Boateng

Real Madridi ka bërë një hap të ri për të transferuar mesfushorin e Milanit, Kevin-Prince Boateng.
Trajneri i Realit, Jose Mourinho, është tifoz i madh i Boateng dhe është i vendosur ta sjellë atë në Santiago Bernabeu këtë verë.
Zëvendës-presidenti i Mialanit, Adriano Galliani, tha së fundi se ganezi nuk është për shitje, por kjo nuk e ka penguar Realin të bëjë një ofertë të re për lojtarin.
Corriere dello Sport mëson se Reali dëshiron të ofrojë 20 milionë euro plus Kakan në shkëmbim të Boateng.
Kaka do të transferohej te Milani në formë huazimi njëvjeçar, me Realin që dëshiron ta heqë lojtarin nga lista e pagave për të minimizuar harxhimet.

Rozi me klip me 250 metra flamur

Rozana Radi ka filluar xhirimet e videoklipit më të ri në të cilin ajo do të paraqitet me një flamuir 250 metra të gjatë.
Këngëtarja akoma nuk e konsideron të mbyllur rastin e konfliktit me Rezarta Shkurtën, dhe së shpejti do të bëjë ankesë ndaj vendimit të gjykatës që shpalli Rezin të pafajshme. Por, kjo nuk po e pengon atë në karrierën e saj muzikore.
Tash kur ka filluar “Maratona e Këngës Popullore”, Rozi ri-sjell një këngë shumë të vjetër, të cilën më parë e kanë kënduar bilbilat e këngës popullore, këngën me titull “Shqipërinë e dua se jam shqiptar, Kosovën e dua se jam kosovar”.
"Besomëni se është version shumë më i bukur se ‘Xhamadani’, që solla dy vite më parë. Kanë filluar edhe xhirimet e videoklipit të kësaj kënge, me një flamur 250 metra të gjatë e të gjerë'', ka treguar Rozi për mediat shqiptare.
Rozana edhe këtë verë do të jetë shumë e ngarkuar me koncertet, si në diasporë dhe në Shqipëri dhe ka një agjendë shumë të ngjeshur për verën. 

Argjentina bashkëpunim me Vig Popën

Këngëtarja Argjentina Ramosaj, e cila fitoi çmimin “Best Balad” në Top Fest me këngën e saj ‘Si shiu’, ka pohuar se së shpejti do të vijë me një bashkëpunim.
I zgjedhuri i Argjentinës për bashkëpunimin e radhës është reperi Vig Popa, anëtar i grupit KAOS.
“Kemi biseduar me Vigg Popa, se është shumë i talentuar, por në të ardhmen do të vijnë sigurisht edhe projekte tjera”, është shprehur Argjentina.
Ramosaj ka zbuluar se është duke incizuar edhe disa këngë në gjuhën angleze.

Gazmendi lanson këngen “E di që ka më mirë”

Këngëtari Gazmend Mehmeti ka realizuar projektin e tij të radhës.
Ai këto ditë ka hedhur në treg këngën më të re “E di që ka më mirë”. Një këngë mjaft ritmike e stilit ballkanik.
“E di që ka më mirë” është punuar nga Florent Boshnjaku dhe Arsim Bunjaku. Për videoklipin e kësaj kënge është përkujdesur produksioni ‘Think Creative’.
Videoklipi i këngës është promovuar në ‘Maroon Pub’, në të cilin klub Gazmendi është edhe bashkëpronar. 

Prezantuesja seksi – tifoze e Gomez (Foto)

Njëra nga prezantueset më të njohura në Gjermani, Sonya Kraus, në ndeshjet e deritanishme në kuadër të Euro 2012 është kënaqur me lojën e përfaqësueses së saj, e në veçanti është tifoze e Mario Gomez.
Ajo është e bindur se do të jetë pikërisht sulmuesi i Bayern Munichut njeriu vendimtar që do t’ia sjellë Gjermanisë trofeun e Kampionatit Evropian. 

Rita titullon albumin “Ora”

Rita Ora ka pohuar se albumi i saj debutues do t'i tronditë ‘adhuruesit’ e saj.
Këngëtarja do ta publikojë albumin e parë ‘ORA’ më 10 shtator, dhe ka përmendur një varg ndikimesh në përmbledhjen e saj, duke filluar nga grupi “The Vaccines” deri te ai “No Doubt”.
“Më pëlqejnë grupet ‘Littel Dragon, dhe ‘The Vaccines’ por në anën tjetër më pëlqejnë 'B.I.G’. dhe ‘Destiny’s Child’, pra mund të priten stile të ndryshme. ‘No Doubt’ ka pasur gjithashtu ndikim të madh, pra adhuruesit do të kenë rastin të dëgjojnë këngë të këtyre zhanreve”, ka pohuar Rita, shkruan “Kosova Sot”. 

Kujdes gjatë përdorimit të kondicionerit

Ekspozimi me orë të zgjatura i pajisjes së klimës dhe diferenca mes temperaturës brenda dhe jashtë, i bën shumë dëm për shëndetin.
Duheni ta keni në mendje se si me përdorimin e pajisjes së klimës duheni të veproni në mënyrë të kujdesshme, ndërsa temperaturën e dëshirueshme duheni ta rregulloni në përputhje me kushtet në mjedis.
Temperatura ideale e hapësirës së brendshme në parim është 7-8 ºC më e ulët se temperatura e jashtme. Konkretisht, nëse temperatura e jashtme është 34 gradë, pajisjen e klimës caktojeni të ftohë në temperaturën 26-27 gradë. Këtë dallim të temperaturës, organizmi njerëzor e përballon mirë. Në të kundërtën, nëse e teproni me temperaturën e hapësirës së brendshme, është i mundshëm shoku i temperaturës gjatë daljes nga hapësira e brendshme në të jashtmen.
Te njerëzit me probleme shëndetësore, duhet të bëhet kujdes i veçantë gjatë rregullimit të temperaturës në hapësirën e brendshme.
Nëse e përdorni pajisjen gjatë orëve të mbrëmjes, ju këshillojmë përfshirjen e operimit të natës (ose të qetë) të pajisjes, kur reduktohet shpejtësia e rotacionit të kompensorit dhe me atë bie niveli i zhurmës dhe shpenzimi i energjisë elektrike.

Njerëzit e trashë kërcënojnë civilizimin

Shkencëtarët britanik pohojnë personat me peshë të tepruar trupore nuk e dëmtojnë vetëm shëndetin e vet, por me shprehitë e veta ushqyese kërcënojnë edhe ekzistencën e pjesës tjetër të popullatës botërore.
“Të gjithë e pranojnë që rritja e popullatës kërcënon qëndrueshmërinë globale të mjedisit, por studimi jonë tregon që edhe pesha trupore është faktor kyç. Nëse diçka nuk bëjmë sa i përket pyetjes së popullatës dhe trashësisë, shanset i kemi minimale”, ka thënë dr. Ian Roberts, koautor i studimit dhe profesor nga Shkolla londineze për higjienë dhe sëmundje tropike.
Profesor Roberts dhe kolegët, kanë llogaritur që të gjithë njerëzit në botë së bashku peshojnë rreth 287 milionë tonë, nga ajo 15 milionë ton i bie personave të shëndoshtë, ndërsa 3,5 milionë ton në njerëzit e trashë. Edhe pse pesha mesatare e njeriut është 62 kilogram, është vënë re një dallim në regjionet e ndryshme të botës.
Në Amerikën veriore pesha trupore është 80,7 kilogram, ndërsa në Azi 57,7 kilogram.
Studimi është publikuar në revistën profesionale BMC Public Helth.

Rrjedhin pamjet e tabletit Google Asus Nexus 7?

Me ditë të tëra është duke u folur për tabletin e ri Android të prodhuar nga Google dhe Asus, për të cilin është thënë se do të vijë i pajisur me Android 4.1 Jelly Bean, ndërsa tani dyshohet se disa pamje të publikuara në internet shfaqin Asus Nexus 7.
Sipas Gizmodo Australia, tableti në fotografi paraqet Asus Nexus 7, ndërsa faqja thotë se përveç fotografisë ka arritur të marrë edhe disa nga specifikat e avancuara të këtij tableti që vjen me versionin më të ri të Android.
Asus Nexus 7 do të vijë me ekranin e ndjeshëm në prekje me 7 inç, rezolucionin prej 1280 x 800 piksel, kamerën me 12MP, si dhe procesorin quad core NVIDIA Tegra 3 me 1.3GHz, GeForce 12-core GPU dhe 1GB RAM.
Me sa duket, Asus Nexus 7 do të vijë në dy versione, njërin me 8GB memorie të brendshme që do të kushtojë 199 dollarë, si dhe tjetrin me 16GB, çmimi i të cilit thuhet se do të jetë 249 dollarë.

Xhiron përbindëshin në liqen (Video)

Një punëtor kinez nga Kanas pohon se ka xhiruar një ‘përbindësh’ në liqenin me të njëjtin emër dhe për këtë ka edhe dëshmitarë.
Wang Hongqiao, njëri nga punëtorët në liqenin Kanas në krahinën autonome Xinjiang Uygur, ka publikuar një video ku shihet ‘përbindëshi’.
Përveç tij, edhe disa njerëz të tjera kanë vërejtur se në liqen po lëvizte diçka me shpejtësi të madhe. 

Spanja kërkon kredi shpëtimi

Spanja ka kërkuar zyrtarisht një kredi shpëtimi në vlerë prej 100 miliardë eurosh nga partnerët e eurozonës për të ruajtur sistemin e saj bankar "të sëmurë".
Ministri spanjoll i Ekonomisë, Luis de Guindos ia ka dërguar një letër presidentit të Eurogroup-it Zhan-Klod Xhanker, dhe i ka kërkuar zyrtarisht “ndihmë financiare”.
Në letër nuk është përfshirë ndonëj shifër, dhe nuk dihej se çfarë vlerëe kërkonte Spanja.
Më herët u raportua se bankave spaniolle do t’iu duhet një pako prej 62 milionë eurove për t’i mbijetuar krizës financiare.
Eurozona më herët ka dhënë indikacione se është e përgatitur që të japë deri në 100 miliardë euro për sistemin bankar në Spanjë, që po vuan nga kriza e gjatë ekonomike dhe papunësia prej 25 për qind. 

Dogana, vështirë të realizojë planin

Dogana e Kosovës që brenda pesë muajve të këtij viti ka pasur vështirësi të arrijë pragun e të hyrave financiare përcaktuar sipas buxhetit vjetor, do ta ketë edhe më të vështirë pjesën e dytë të vitit. Qeveria ka rritur pragun e të hyrave për 23 milionë euro nëpërmjet rishikimit të buxhetit.
Për dallim nga buxheti i këtij viti i miratuar në Kuvend, rishikimi i buxhetit i kryer nga Qeveria paraqet rritje të nivelit të të hyrave të përgjithshme nga 1 miliard e 361 milionë euro në 1 miliard e 384 milionë euro. Niveli i të hyrave i planifikuar nga Dogana e Kosovës, është rritur për 8 milionë euro, nga 867 milionë sa ishte në fillim të vitit, në 875 milionë euro pas rishikimit të buxhetit.
Doganierët janë optimistë se do të arrijnë cakun e vendosur nga Qeveria. “Marrë për bazë zhvillimet e përgjithshme dogana ka besim se do t’i arrijë cakun e planifikuar”, thotë Adriatik Stavileci, zëdhënës i Doganave të Kosovës. Por trendi i të hyrave ende nuk është pozitiv në krahasim me planifikimet e bëra. Sipas të dhënave zyrtare, Dogana deri në javën e 23 të këtij viti, ka grumbulluar 306 milionë euro apo 1.1 për qind më pak se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, transmeton Koha.net.
Gjatë kësaj periudhe doganat kanë grumbulluar rreth 15 milionë euro më pak se planifikimi i bërë për këtë vit. “Sipas trendëve aktuale të mbledhjes së të hyrave, nëse merren parasysh 8 javët e fundit, mesatarja javore ka qenë mbi 16 milionë euro brenda një jave, nëse vazhdon ky trend i dy muajve të fundit gjithsesi se do të arrihen parashikimet buxhetore”, thotë Stavileci. Ai nuk dëshiron të komentojë nëse Doganat kanë qenë dakord me vendimet e Qeverisë për rritjen e të hyrave nga Doganat.
“Dogana është institucion ekzekutiv nuk është politike bërës. Neve në përputhje me këto politika mbledhim të hyrat që të arrijmë projeksionet e parapara buxhetore”, thotë Stavileci. 

Brenda javës zgjidhet çështja e çimentos

Presionet e mëdha për shfuqizimin e vendimit për marrjen e masave të përkohshme mbrojtëse në importin e çimentos për të gjitha vendet, kanë shtyrë Ministrinë e Tregtisë të përshpejtojë procedurat për heqjen e këtij vendimi. Ky vendim përfundimisht do të hiqet deri në fund të kësaj jave.
Një paralajmërim të tillë e ka lëshuar edhe kryeministri Hashim Thaçi, gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri. “Flas me besim të plotë se çështja e taksës për çimento do të jetë çështje e tejkaluar”, ka thënë kryeministri Thaçi pas takimit me kryeministrin Sali Berisha në Tiranë.
Para se kryeministri të lëshonte këtë deklaratë, burimet e gazetës brenda Ministrisë së Tregtisë kanë pohuar se çështja e taksës për çimento do të zgjidhet përfundimisht brenda kësaj jave, duke mos ditur ende se si do të jetë epilogu i zgjidhjes së këtij problemi.
Të martën pritet të mbahet debati publik, të mërkurën do të ketë takime me përfaqësuesit nga Shqipëria dhe me importues të tjerë të çimentos, dhe në fund të javës do të hiqen masat e përkohshme. “Deri të premten do të hiqet masa e përkohshme”, pohoi një zyrtarë i lartë i MTI-së, shkruan “Koha Ditore”

Krasniqi: Dorëheqja e Kuçit e ngutshme

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi e ka cilësuar si të ngutshme dorëheqjen e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, pas vendimit të Kuvendit për mos heqjen e neneve 37 dhe 38 nga Kodi Penal, nene këto që kanë të bëjnë me mediat dhe gazetarët dhe përgjegjësitë e tyre penale.
“Mendoj se këtu ka pasur një ngutje, sepse në fund të fundit te institucionet ka një ndarje. Parlamenti është institucion në vete dhe vendimet e tij janë vullnet i shumicës së deputetëve, kurse anëtarët e qeverisë do të duhej ta kishin përgjegjësinë për veprimet apo mos veprimet e qeverisë”, tha kryeparlamentari Krasniqi, i cili ditën e votimit të Kodit Penal ishte në një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Në fund të fundit Kodi ka ardhur nga Qeveria”, është shprehur Krasniqi, transmeton Rel. 

Zvicër, kontroll special për pasagjerët nga Kosova!

Për të parandaluar imigrimin ilegal, nuk mjafton vetëm kontrolli i kufijve dhe i aeroporteve zvicerane. Kështu kanë konstatuar autoritetet kompetente zvicerane, të cilat kanë pohuar se nga tetori i vitit të kaluar kontrollimi bëhet edhe në vendet e nisjes së imigrantëve potencialë ilegalë, në aeroportet e vendeve “të dyshimta”. Ndër këto vende është edhe Kosova!
Kompanitë ajrore që operojnë nga Prishtina, Dubai (Emiratet Arabe) Dar es Salam (Tanzani) dhe Nairobi (Kenia) janë të detyruara që Zyrës Federale për Migracion (BFM) t`ua dorëzojnë të dhënat e të gjithë pasagjerëve që udhëtojnë me aeroplanët e tyre.
Ndërkaq, duke filluar nga shtatori, në këtë rreth aeroportesh të dyshimta do të hyjnë edhe ai i Moskës dhe i Stambollit, ka bërë të ditur për gazetën "NZZ am Sonntag" zëdhënësi i BFM-së Jürg Walpen.
“Me këto masa do të ndihmohet përmirësimi i kontrollimit të kufijve dhe luftimi i migrimit ilegal”, ka thënë ai. BFM të dhënat që i merr nga kompanitë ua dorëzon autoriteteve të kontrollimit të kufijve. Këto të fundit pastaj kanë mundësinë që të shfrytëzojnë kohën e fluturimit të për t`i bërë kontrollimet e para, transmeton Albinfo.ch.
Këto masa mundësojnë që në të ardhmen për çdo muaj në duart e mbikëqyrësve të kufijve të dorëzohen të dhënat personale të rreth 80 mijë pasagjerëve.
Sipas gazetës, kohëve të fundit është shtuar dukshëm numri i të huajve që shfrytëzojnë rrugën ajrore për të hyrë ilegalisht në Zvicër.

FSK-ja tejkalon standardet e parashikuara nga NATO

Nëntëdhjetë nënoficerë të FSK-së kanë përfunduar trajnimin në Akademinë prestigjioze të ushtrisë amerikane në Gjermani, ku kanë treguar performancë të madhe. Ky trajnim është shumë i rëndësishëm për FSK-ën, sepse vlerësimet e këtij trajnimi janë mbi 30 për qind i tejkalimit të standardeve që ka parashikuar NATO për FSK-në, ka vlerësuar Komandanti i FSK-së Gjeneral-lejtnant, Kadri Kastrati.
Në Akademinë e Nënoficerëve në Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimeve në Grafenworh, të Gjermanisë është mbajtur trajnimi i 90 nënoficerëve të FSK-së, kurse Komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati tha se struktura e nënoficerëve është objektivi kryesor dhe duhet të ndërtohet me të gjitha standardet.
Ai vlerësoi se FSK-ja i nevojitet Kosovës, por edhe rajonit.
“Kjo tregon që FSK-ja është shumë aktive tregon që FSK-ja është duke ecur drejt ngritjes së profesionalizmit dhe drejt shndërrimit në një forcë që i nevojitet jo vetëm Republikës së Kosovës, por shumë shpejt ne synojmë që të japim kontribut edhe jashtë Kosovës në misione humanitare nëpër botë nëse kërkohet nga ne”, tha Kastrati.
Ndërkaq sa i përket buxhetit lidhur me blerjen e automjeteve të rënda për Forcën e Sigurisë së Kosovës, komandanti Kastrati tha se FSK-ja është duke bërë rishikimin strategjik të FSK-së dhe sigurisë në Kosovë dhe pritet që gjatë këtij vitit të nxirren nevojat e FSK-së për pajisjet, raporton RTK.
Si çdo vit edhe këtë vit për të dytën herë më radhë pjesëtarët e FSK-së do të marrin pjesë në marrshin e NATO-s në Holandë. 

Maqedonia, partner i rëndësishëm

Maqedonia për Republikën e Kosovës është një partner i rëndësishëm politik, ekonomik dhe strategjik, ka deklaruar ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj në takimin e sotëm me homologun e tij, Nikola Popovskin në Shkup.
Hoxhaj me këtë rast tha se Kosova në vitin e ardhshëm do të fillojë ta ndërtojë autostradën që do ta lidhë Prishtinën me Shkupin përmes Hanit të Elezit

“Republika e Kosovës ka më së shumti marrëveshje të nënshkruara me Republikën e Maqedonisë ka vizita të shumta në nivele të ndryshme në mes të vendeve tona dhe ka bashkëpunim të rëndësishëm në fusha të rëndësishme të jetës. Kosova në vitin e ardhshëm do të fillojë ta ndërtojë autostradën që do ta lidhë Prishtinën me Shkupin përmes Hanit të Elezit. Dhe ne biseduam se si në një të ardhme të afërt qytetarët e dy vendeve tona të lëvizin lirshëm vetëm me kartat e identitetit në mes Kosovës dhe Maqedonisë”, tha Hoxhaj, transmeton Rel.
I pyetur për rastin e Smilkovcit ai tha se në mes ministrive të Brendshme të Kosovës dhe Maqedonisë si dhe policisë ka një bashkëpunim të shkëlqyer.
“Të dy ministrat tanë janë në kontakt të përhershëm kanë pasur edhe takime gjatë këtij viti. Prandaj falë këtij bashkëpunimi të shkëlqyer që kemi dhe çështjet e tilla nuk janë çështje të cilat i rëndojnë relacionet tona. Unë para se të vij në këtë vizitë kam biseduar me kolegët e mi në Prishtinë dhe ata më kanë thanë se janë në kontakt me kolegët e tyre në Shkup dhe i dinë detajet. Mirëpo nuk kanë qenë temë e bisedës që kemi pasur”, është shprehur shefi i diplomacisë kosovare Enver Hoxhaj.

PDK-ja kërkon rishqyrtim të Kodit Penal

Partia Demokratike e Kosovës, përmes përfaqësuesit të saj, ka kërkuar sot në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës që të tërhiqet Kodi Penal i Kosovës dhe të rishqyrtohen nenet e diskutueshme.
Kryeparlamentari, Jakup Krasniqi, tha se qeveria duhet të bëjë ndryshimet e nevojshme, në mënyrë që dhe kodi të jetë i pranueshëm për të gjithë.
Krasniqi i ka cilësuar të ngutshme, veprimin e Kuçit për dorëheqje, por edhe deklaratat e kryeministrit më pas.
“Fundi i fundit Kodi Penal ka ardhur në Kuvend nga vetë Qeveria”, ka theksuar Krasniqi, transmeton RTK. 

Hoxhic: Nuk i rrezikojmë institucionet e Serbisë në veri!

Shefja e Zyrës Administrative në veri të Mitrovicës, Adrijana Hoxhic, ka vlerësuar se është e panevojshme vendosja e trupave të KFOR “me armë të gjata” përreth kësaj zyre, e cila, sipas saj, nuk kërcënon asnjë institucion të Serbisë në veri.
"Kjo zyrë nuk ka të bëjë asgjë me vendosjen e ushtarëve të KFOR-it dhe unë mendoj se ‘tytat e gjata’ vërtetë janë të panevojshme. Qytetarët e veriut të Mitrovicës janë shumë të vetëdijshëm për gjithçka dhe kurrë nuk kanë qenë iniciatorë të dhunës”, citohet të ketë thënë Hoxhic për gazetën "Dnevnik" të Novi Sadit.
Sipas saj, hapja e zyrës administrative në veri të Mitrovicës ‘nuk paraqet kërcënim për asnjë institucion të Serbisë në veri”.
"Nuk është përgjegjësi e jona që të merremi me këto çështje. Tek e fundit, kur flasim për kujdesin shëndetësor ose arsimin, ne jemi shumë të interesuar për të përmirësuar funksionimin e tyre, e jo t’i shuajmë", tha Hoxhic.

Shqiptarët fituan 15.59 për qind të votave në Medvegjë

Mbrëmë vonë janë shpallur rezultatet preliminare të zgjedhjeve lokale të mbajtura dje në Medvegjë, sipas të cilave Partia për Veprim Demokratik ka fituar 15.59 për qind të votave.
Sipas Komisionit Komunal Zgjedhor në Medvegjë, Partia për Veprim Demokratik, me bartës të listës Florim Sahitin, ka fituar 15.59 për qind të votave nga numri i përgjithshëm, prej 10 102 votuesve.
Ndërkaq, sipas këtij komisioni zgjedhjet e sivjetme lokale i ka fituar përsëri kryetari aktual Slobodan Draskovic me mbi 46 për qind të votave, kurse vendet tjera i kanë fituar partitë e vogla serbe.
Rezultatet përfundimtare pritet të shpallen sot dhe kështu në një afat të shkurtër kohor do të konstituohet Kuvendi Komunal i Medvegjës, i cili në përbërjen e vetë do të ketë edhe shqiptarë, transmeton “Presheva Jonë”.
Duhet të theksohet se Kuvendin e ardhshëm komunal të Medvegjës do ta përbëjnë 35 këshilltarët e rinj që morën besimin në zgjedhjet e djeshme lokale, të parapara për 6 maj e që nuk u mbajtën për shkaqe teknike.

Kocijancic: Dialogu duhet të vazhdojë

Bashkimi Evropian ende nuk e di se në ç’drejtim do të vazhdojë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Për vazhdimin e dialogut BE-ja po pret formimi i qeverisë së re në Serbi.
“Ajo ende nuk është formuar. Kur Serbia të ketë një qeveri, atëherë do të konsultohemi me Beogradin dhe Prishtinën për mënyrën dhe kur dialogu do të vazhdojë”, ka theksuar Maja Kocijancic, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të BE-së, raportojnë mediat serbe, citon RTK.
Sipas saj, është e qartë se dialogu patjetër duhet të vazhdojë dhe që marrëveshjet e arritura patjetër të zbatohen sa më parë që është e mundur.
Mediat serbe raportojnë se në selinë e BE-së nuk kanë në plan që me vetiniciativë të ndryshojnë në formatin e tanishëm të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se ngritja e dialogut në nivel politik para së gjithash varet nga përgjigjja e të dyja palëve.