Agnelli: Milani është favorit

Presidenti i Juventusit, Andrea Agnelli, mendon se Milani mbetet favorit në prag të ndeshjes derbi të vikendit në mes të dy skuadrave të kreut të tabelës së Serie A.
“Kam kuptuar se do të ketë ca nervozizëm, se shumë njerëz në këtë kohë përpiqen të mbrojnë interesat e tyre. Ne kemi një nder të rrallë – jemi shumë të qetë”.
“Ne shkojmë në ndeshjen e të shtunës duke ditur se Milani është favorit pasi ata janë kampion aktual i Italisë dhe tashmë janë në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, andaj sigurisht Rossonerët janë favoritë. Ne do të shkojmë të tregojmë një ndeshje të shkëlqyeshme, ka kohë që jemi krejtësisht të kompletuar”, ka thënë Agnelli. 

Shkëmbim Higuain – Tevez?

Real Madridi raportohet se është i interesuar të transferojë rebelin e Manchester Cityt, Caros Tevez.
Marca shkruan se drejtuesit e Realit janë duke analizuar mundësinë për të sjellë argjentinasin në Spanjë në fund të sezonit.
Një marrëveshje shkëmbimi është duke u përmendur, me Realin që dëshiron ta ofrojë Gonzalo Higuain si shkëmbim për Tevez.
Higuain pritet të shitet nga Reali gjatë verës dhe është cak edhe i Chelseat dhe Juventusit.

De Laurentiis: Fitorja ndaj Chelseat, magjike

Presidenti i Napolit, Aurelio de Laurentiis, e ka përshkruar fitoren ndaj rivalit të Ligës së Kampionëve, Chelseat, si “magjike”.
Napolitanët kanë një shans të mirë të kualifikohen për në çerekfinale të Ligës së Kampionëve pasi mposhtën Chelsean me rezultat 3-1 në ndeshjen e parë.
“Ka pasur shumë net magjike gjatë disa viteve të kaluara dhe kjo është një prej tyre. Skuadra e meritoi fitoren duke dalë në fushë me një vendosmëri të madhe, duke reaguar mirë ndaj gabimeve në mbrojtje dhe duke u rikthyer për të fituar”, ka thënë De Laurentiis.

Ranieri: Interi do ta kalojë krizën

Trajneri i Interit, Claudio Ranieri, thotë se ata do të arrijnë të dalin nga kriza aktuale së shpejti.
“Ky është një sezon i pazakonshëm, pasi gjërat shkuan keq, pastaj shumë mirë, tash keq sërish, por Liga e Kampionëve rifillon dhe jam i sigurt se do t’ia dalim mirë”.
“Jam i kënaqur që do të përballem me Didier Deschamps sërish, pasi ai është një person të cilin e respektoj shumë. Kam dëgjuar se ai ka thënë se ne jemi favoritët e kësaj sfide, që ka kuptim, pasi Interi ka fituar gjithçka dy vite më parë”.
“Megjithatë, ne po kalojmë nëpër një periudhë të vështirë derisa Marseille është në formë të mirë, andaj ne duhet ta kthejmë baticën”, ka thënë Ranieri në konferencën për shtyp. 

Juan Mata: Nuk jemi të vdekur

Mesfushori i Chelseat, Juan Mata, është i zemëruar që Blutë pranuan tre gola në disfatën e mbrëmshme 3-1 të Ligës së Kampionëve ndaj Napolit, por ende ka shpresa për një përmbysje të rezultatit.
“Një-zero do të ishte një rezultat i shkëlqyeshëm për ne, por nuk e ruajtëm atë. Napoli është një skuadër shumë e fuqishme në këtë stadium, por tash ne kemi ndeshjen e kthimit dhe do të japim 100 për qind në Bridge”.
“E dija se do të ishte një ndeshje e hapur, pasi Napoli është ofensiv me tre lojtarë, Cavani, Lavezzi dhe Hamsik, të cilët janë të shpejtë në kundërsulme”.
“Por sot ne kishim shumë shanse për të shënuar dhe do të duhet t’i shndërrojmë këto shanse në Bridge. Kam besim në këtë skuadër, ne nuk jemi të vdekur. Nuk do të jetë e lehtë për ne, por mendoj se mund ta bëjmë”, ka thënë Mata. 

NBA: Rezervat sigurojnë fitoren e Miamit

Rezervat e Miami Heat kanë shkëlqyer në periudhën e fundit kritike të ndeshjes për t’i dhënë skuadrës fitoren 120-108 ndaj Sacramento Kings.
Fitorja ishte e shtata radhazi për Heat dhe që të gjitha këto ndeshje të fituara me së paku 12 pikë diferencë ndaj rivalëve.
Pas tre çerek-ndeshjeve të vështira, Miami nxori në fushë rezervat që patën një ecuri 13-2 për t’i dhënë skuadrës avantazhin 106-92 dhe për të shtruar rrugën e fitores. Rezervat shënuan të gjitha me përjashtim të dy pikëve gjatë periudhës së katërt.
Megjithatë ishte sërish Dwayne Wade që shënoi pikët më të latë ta takimit, 30, dhe kontribuoi edhe me 10 asistime. Chris Bosh shënoi 20 pikë të tjera dhe 10 kërcime, derisa LeBron James kontribuoi me 18 pikë për liderin e NBA-së (26 fitore, 7 disfata).
Për Kings (10 fitore dhe 22 disfata këtë sezon) kjo ishte disfata e gjashtë radhazi. Më i mirë në radhët e kësaj skuadre ishte Isiah Thomas me 24 pikë, derisa Marcus Thornton përfundoi me 23 pikë. 

Lavezzi i ngazëllyer me fitoren

Ezequiel Lavezzi është i ngazëllyer me fitoren e Napolit ndaj rivalit të Ligës së Kampionëve, Chelseat.
Lavezzi shënoi dy gola në fitoren e mbrëmshme, për të përmbysur avantazhin prej një goli të bluve të shënuar nga Juan Mata dhe për të kaluar vendasit në epërsi.
“E kam pritur një fitore sonte dhe isha plot vetëbesim. Mendoj se Chelsea është një skuadër shumë e fuqishme dhe nuk ka mbaruar ende. Ne kemi një avantazh të mirë, por kemi nevojë të shkojmë dhe të marrim iniciativën dhe të shënojmë së paku një gol në Londër për të siguruar kualifikimin për në rundin e ardhshëm”.
“Trajneri na ka thënë të ndihmojmë skuadrën me lëvizjet defensive. Ne të gjithë kemi kontribuar në mbrojtje, pasi kjo ishte ajo për të cilën kishim nevojë për të pasur një ndeshje të madhe. Do të thosha se ne e arritëm këtë”, ka thënë argjentinasi. 

Cech: Trajneri nuk ka faj për gabimet tona

Portieri i Chelseat, Petr Cech, thotë se gabimet individuale po e shkatërrojnë sezonin e tyre.
Blutë u mposhtën 3-1 në Sao Paolo Stadium me David Luiz që reagoi dobët në golin e dytë të Ezequiel Lavezzit.
“Ne e dimë se ai (Villas-Boas) vazhdon të punojë fuqishëm për ne. Ai përgatitet çdo ndeshje me 100 për qind përkushtim dhe e vlerësojmë këtë. Por nëse keni lojtarë në fushë të cilët bëjnë gabime, ai nuk mund të ndihmojë në këtë gjë”, ka thënë Cech. 

Vieira: Hart ndër më të mirët në botë

Zyrtari i Manchester Cityt, Patrick Vieira, ka lavdëruar kualitet e lojtarëve të skuadrës së Roberto Mancinit, në veçanti portierin Joe Hart.
“Ne kemi portierin më të mirë në ligë – ndoshta në Evropë. Besoj se Joe Hart është në rresht me Iker Casillas dhe Manuel Neuer ndër më të mirët në botë”.
“Edhe mbrojtja jonë funksionon vërtet fuqishëm. Ne kemi një prej lojtarëve më të mirë në botë në David Silvan, dhe Yaya po ashtu ka qenë fantastik për ne. Gareth Barry është duke luajtur futbollin më të mirë ndonjëherë”.
“Besoj se ne kemi një skuadër për ta fituar ligën. Ne jemi mjaft të fuqishëm. Ata janë një ekip i ri dhe janë shumë ambicioz. Çdo përbërës është i duhur për ta fituar”, ka thënë ish-kapiteni i Arsenalit.

Tevez kërkon falje

Carlos Tevez ka kërkuar falje për sjelljet e tij te Manchester City këtë sezon.
Argjentinasi po ashtu ka tërhequr ankesën kundër gjobës së Cityt për mospagesën prej gjashtë javësh, që pritej të shqyrtohej të ditët të vazhdim.
“Dua të kërkoj falje të sinqerta dhe pa rezervë ndaj gjithkujt të cilin e kam lënë në baltë dhe të cilit veprimet e mia gjatë disa muajve të kaluara i kanë shkaktuar ofendime”.
“Dëshira ime është të përqendrohem të luaj futboll për Klubin e Futbollit Manchester City”, ka thënë Tevez përmes një deklarate të publikuar në faqen zyrtare të klubit. 

Villas-Boas: Mund ta përmbysim rezultatin

Trajneri i Chelseat, Andre Villas-Boas, thotë se sfida e Ligës së Kampionëve përballë Napolit nuk ka mbaruar.
Vetëm tre ekipe kanë arritur ta përmbysin disavantazhin prej dy golash nga ndeshjet e para në histori të Ligës së Kampionëve, por Villas-Boas mendon se skuadra e tij do të jetë e katërta.
“Dua ne të jemi të katërtit. Është një rezultat negativ, sigurisht, por një rezultat të cilin sigurisht se mund ta përmbysin në Bridge për shkak të sasisë së shanseve ne kishim”, ka thënë portugezi. 

“Supermani” në aksion (Video)

Videoja qesharake e cila është postuar në YouTube, paraqet një burrë i cili simulon fluturimin e Supermanit tek një makinë.
Ajo që shikuesit nuk shohin është se ai mbahet për derën e makinës në lëvizje.
“Supermani” në një moment e pyet shoferen e makinës se nga i bie rruga për San Jose, ndërsa shoferja e makinës i thotë se duhet të vazhdojë vetëm drejtë.
“Supermani” e falënderon gruan dhe e vazhdon “fluturimin”.
Këtë video vetëm për shtatë ditë e kanë parë më shumë se gjysmë milion njerëz. 

Kulla më e lartë prej petullave

Kuzhinier australian Andy Wrobel theu rekordin e Guinnessit të vendosur më 2008 në Kroaci, duke krijuar kullën më të lartë prej petullave.
Kulla e Wrobelit ishte e lartë 76 centimetra dhe përbëhej prej 60 petullave të Pancake Parlour në Melbourn.
Kulla prej petullave menjëherë pas “ndërtimit” filloi të shtrembërohej, por vetëm pasi zyrtarët e librit të rekordeve Guinness e kishin matur gjatësinë e saj.
“Provuam edhe vitin e kaluar dhe arritëm lartësinë 61 centimetra. Ishim të kënaqur, dëshironim të provojmë edhe sivjet dhe ja ia arritëm: pas shumë provave, 50 orë punë dhe sasisë së madhe të qullit për petulla”, tha Wrobel.
Sipas numrit të petullave të krijuara brenda një ore, rekordin ende e mban Steve Hamilton nga SHBA-të, i cili krijoi 956 petulla për një orë.

Në Zagreb arrestohet lypësi me dy diploma

Policia kroate ka arrestuar Ivica Galicin, lypës i cili nuk po arrin të gjej punë, edhe pse ka të mbaruar dy fakultete.
Prej se ka humbur punën në kompaninë “Ericsson”, ai ka punuar disa herë në të zezën. Edhe pse ka diplomë nga ekonomia dhe informatika, nuk ka arritur ta gjej një punë stabile, shkruan portali kroat “Index”.
“Kam trokitur në dyer të ndryshme, duke provuar të gjej punë, por pa sukses. Gjithnjë jam munduar që shkollimi im të jetë sa më i suksesshëm dhe më i mirë. E ja ku jam tani”, ka thënë Galic.
Në një rrugë të Zagrebit, ai shfaqet rregullisht rreth orës 10:00. Brenda disa ditësh, Galici 37 vjeçar është arrestuar katër herë. Ai është dënuar me gjobën me para, për shkak të thyerjes së rendit publik.
“Ju lutem për ndihmë, më duhen 10 mijë kruna që ta riparojë anijen time kozmike e të shkojë në shpi. Në ndërkohë, më duhet të ushqej vetën dhe të dashurën time (e asaj i dhemb koka sa shumë ha)”, thuhet në pllakatin që Galic mbante në dorë, me të cilin tërhiqte vëmendjen për lëmoshë.
“Do të punoja, por askush nuk punëson jashtëtokësorët”, shkruan më tej aty.

Kolla te fëmijët

Përcjellja e kujdesshme e shëndetit tuaj mund të ju ndihmojë të identifikoni simptoma tjera. Mbani mend, kolla është vetëm simptomë, jo sëmundje, dhe shpeshherë rëndësia e kollën mund të përcaktohet kur zhvillohen simptomat tjera.
Fëmijët mund të zhvillojnë kollin nga sëmundje ose shkaktarë që zakonisht nuk i prekin të rriturit, siç janë:
Infeksione të sistemit respirator. Bllokim i rrugëve ajrore nga ndonjë objekt i vogël i inhaluar, si ushqimi, pjesë e lojërave, ose ndonjë gjë tjetër.
Ekspozimi ndaj tymit të duhanit të prindërve ose të tjerëve në prani të të cilëve tymosin.
Problemet emocionale ose psikologjike. Kolla "psikogjenike" e thatë, joproduktive, paraqitet më shpesh tek fëmijët se sa tek të rriturit.
Shumë kollitje shkaktohen nga sëmundje virale. Antibiotikët nuk përdoren për shërimin e sëmundjeve virale dhe sigurisht nuk ndikojnë në infeksionin viral. Përdorimi i panevojshëm i antibiotikëve rrit rrezikun e reaksioneve alergjike, ose efekteve anësore të antibiotikëve, si nauzea, vjellja, diarreja, infeksione tjera. Antibiotikët mund të shkatërrojnë bakteret e dobishme dhe të lejojnë zhvillimin e baktereve të rrezikshme rezistente në barna.

Dashuria ka zëvendësues të mirë

Të mos bërit dashuri dëmton shëndetin, po ka që i kushtohen pasioneve të tiera. Së fundi po bëhet një bombardim i vazhdueshëm: ata që bëjnë seks dy - tre herë në javë e mbrojnë shëndetin dhe jetojnë më gjatë. Po ata që nuk bëjnë?
Burra dhe gra të vetmuar për zgjedhje apo rastësisht, që kanë takime të rralla dashurie janë të shumtë. Ata bëhen pre më e lehtë për viruset apo bakteret dhe nuk do të arrijnë të njëqindtat? Për fat nuk është kështu: Dashuria ka zëvendësues të mirë.
Ka shumë interesa që lejojnë të vetërealizohesh dhe për të shprehur vetë pasionin, si të duash artin, të dëgjosh muzikën, të jesh krijues në ndonjë fushë, të luftosh në emër të një ideali, të kesh marrëdhënie shoqërore të kënaqshme, miq të mirë, t'i përkushtohesh ndonjë qëllimi të vlefshëm. Këto sjellje sigurojnë dhe kulmojnë disa boshllëqe afektive.
Përsa i përket mirëqenies fizike, energjia e çliruar gjatë aktit është e njëjtë me atë që mund të realizohet me çfarëdo aktiviteti të shëndetshëm fizik.

Ulje e shpenzimeve, pa i ulur pagat në PTK

Në Postë-Telekomin e Kosovës nuk do të ketë reduktim të të punësuarve, pavarësisht akuzave të vazhdueshme se numri i tyre nuk korrespondon me nevojat që ka kjo kompani dhe se numri që kalon shifrën mbi 3.000 është njëri nga fajtorët për uljen e vlerës së PTK-së në procesin e privatizimit.
Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Postë-Telekomit të Kosovës, Nuredin Krasniqi, thotë se do të punohet në shkurtimet e shpenzimeve, ashtu si ka kërkuar Qeveria e Kosovës, por jo edhe duke ulur pagat dhe duke shkurtuar vendet e punës. “Qeveria ka aprovuar në tërësi planin e biznesit të përgatitur dhe të aprovuar nga menaxhmenti, element ky shumë i rëndësishëm për zhvillimin e mëtutjeshëm të kompanisë . Në këtë kuptim kemi pasur dhe disa sugjerime profesionale që të rishikohet niveli i shpenzimeve për stafin që realisht ka qenë pak i lartë. Pas marrjes së udhëzimeve nga Bordi ne kemi marrë veprimet e duhura në interes dhe dobi të PTK-së”, thotë Krasniqi.
Numri i madh i punëtorëve që kjo kompani ka pranuar në punë pa pasur nevojë, sipas tij, nuk do të shkurtohet. Ai në një intervistë për Koha Ditore thotë se të gjithë do të mbesin në punë dhe shpenzimet do të ulen vetëm nëpërmjet uljes së gradave.
Krasniqi mohon të ketë pasur dallavere në procesin e uljes së shpenzimeve për staf dhe këtij procesi, sipas tij, nuk i kanë shpëtuar ata që kanë pasur “krah të fort”, siç është thënë nga punëtorët. “Në asnjë rast nuk mund të jenë të gjithë punëtorët të kënaqur. Edhe mua më është ulur niveli i pagës mujore, gjithashtu edhe të gjithë menaxhmentit të lartë. Ne kemi arritur që përmes kësaj metode të mos u preken të ardhurat personale punëtorëve që kanë pasur grada të ulëta”, theksoi ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të kompanisë më fitimprurëse në vend.
Pos ristrukturimit të gradave të punëtorëve, PTK-ja ka filluar edhe me një ristrukturim të përgjithshëm. Kjo është bërë pas kërkesës së Qeverisë për ndarjen e njësisë së Postës nga PTK-ja.
“PTK-ja tash është në fazën e privatizimit të saj, po ashtu kemi dhe vendimin e aksionarit që deri në fund të muajit mars të kemi ndarjen legale të njësisë së biznesit, Posta e Kosovës dhe ta kthejmë atë në ndërmarrje publike, dhe ky hap përbën ristrukturim të veçantë pasi që do të kemi më pas vetëm dy njësi të biznesit, VALA dhe Telekomi me njësitë e tjera mbështetëse, ndoshta do të kërkohet nga këto akte që dhe emri PTK të riemërtohet, sepse në shërbimet tona nuk do të kemi më shërbimet postare”, thotë Nuredin Krasniqi. 

BB: Ndërtimet pa leje, vetëm 1.7 % u mbullën

Banka Botërore (BB) ka shprehur shqetësimin e saj në raportin e fundit mbi pronat, duke evidentuar shumë probleme me sektorin, veçanërisht te legalizimet.
Sipas ekspertëve të Bankës Botërore, deri tani kanë mundur të marrin tapitë e legalizimeve vetëm 4504 pronarë, kur, nga ana tjetër, kanë aplikuar 270 mijë vetë. Raporti vëren se Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave të Ndërtimeve Informale ose ALUIZNI, ka marrë burime të bollshme financiare që paguhen nga taksapaguesit, por procesi ka ecur tejet ngadalë në raport me koston e kësaj ngrehine institucionale.
Njëra anë e dështimit i dedikohet mungesës së parave. Kur dikush premton tokë falas, vështirë se kjo mund të rezultojë e vërtetë. Por një pjesë tjetër e dështimit duket se nuk ka lidhje me paratë. Rreth një e treta e ndërtimeve pa leje, sipas raportit të Bankës Botërore, janë ndërtime pa leje në pronë të vet dhe në një rast të tillë, nuk ka kosto kompensimi, shkruan Shqip.
Megjithatë, procesi nuk ecën. “Procesi i legalizimit ka ecur ngadalë përkundër burimeve që i janë kushtuar. ALUIZNI është një organizatë e madhe dhe e pajisur mirë me burime, kostot operative të së cilës i mbulon buxheti i shtetit”, thotë raporti. Megjithatë, vetëm 4500 subjekte në 270 mijë të tilla ose vetëm 1.7 për qind e aplikantëve kanë mbaruar punë.
“Agjencia ka njohuri teknike për vrojtimet topografike, bërjen e hartave, aspektet juridike dhe ato urbanistike dhe ka prodhuar harta moderne të kompjuterizuara për të gjithë vendin në bazë të fotografive ajrore të bëra në vitin 2006”, thuhet në raport.

Pesë vetë në garë për të parin e PTK-së n nëSerbia nuk e përfshinë Kosovën në të dhënat zyrtare Serbia nuk e përfshinë Kosovën në të dhënat zyrtare

Nga 19 kandidatë për drejtor të PTK-së, vetëm 5 janë përzgjedhur në rrethin e ngushtë dhe janë intervistuar të martën. Ata janë Nuredin Krasniqi, Adnan Merovci, Ejup Qerimi, Bas Metolli dhe Rafet Jashari.
Lista e kandidatëve për pozitën e kryeshefit ekzekutiv të PTK-së është ngushtuar. Nga 19 kandidatë sa kishin konkurruar për të marrë timonin e kësaj ndërmarrjeje, vetëm pesë kanë hyrë në rrethin e ngushtë dhe janë intervistuar nga paneli përzgjedhës të martën.
Express ka mësuar se Bordi i Drejtorëve të PTK-së i ka ftuar për intervistë Adnan Merovcin, Ejup Qerimin, Bas Metollin, Rafet Jasharin dhe Nuredin Krasniqin. “Të gjithë kandidatët e përzgjedhur i janë nënshtruar intervistimit nga paneli përzgjedhës dhe brenda javës do të dihet se cili nga ta i plotëson kushtet për kryeshef ekzekutiv”, thotë një burim i gazetës brenda PTK-së.
Po i njëjti tregon se gjasat më të mëdha për ta marrë karrigen e drejtorit të PTK-së i ka Ejup Qerimi, pasi që ka mbështetjen nga politika dhe drejtuesit e Qeverisë.

Serbia nuk e përfshinë Kosovën në të dhënat zyrtare

Ndonëse Serbia, edhe me kushtetutë, e sheh Kosovën si pjesë territoriale të saj, kjo e fundit nuk figuron si e përfshirë në të dhënat e qeverisë së Serbisë, të publikuara në ueb-faqen e saj zyrtare.
Edhe pse kohëve të fundit vetë Serbia ka nxjerrë në qarkullim edhe idenë për ndarje të Kosovës, e cila ka si synim ta marrë pjesën veriore të Kosovës, ajo as këtë pjesë nuk e ka përfshirë në të dhënat e saj zyrtare.
“Popullsia (duke përjashtuar Kosovën e Metohinë) është 7,120,666”, shkruan ndër të tjera në faqen zyrtare të qeverisë së Serbisë, transmeton “Kosovapress”.
Edhe pse pjesa veriore e Mitrovicës është pothuajse në duart e strukturave paralele të financuara nga Republika e Serbisë, prapëseprapë ajo nuk ka kontroll të mjaftueshëm sa ta përfshijë edhe në të dhënat zyrtare të saja në regjistrimin e popullsisë së Serbisë.
Po ashtu, e njëjta gjë është edhe me të dhënat e territorit të Serbisë. “Territori është 88.407 km2”, thuhet aty.
Këto të dhëna themelore statistikore mbi Serbinë janë botuar sipas të dhënave paraprake të regjistrimit të familjeve, të popullsisë dhe banesave në Republikën e Serbisë nga 2011.
Rezultatet përfundimtare të regjistrimit pritet të dalin nga gjysma e dytë e vitit 2012 deri në fund të vitit 2013. 

Kërkohet heqja e imunitetit të Salustros

Vendimi i Kryeprokurores së EULEX-it nuk i ka kënaqur pritjet e mbrojtjes së deputetit Fatmir Limajt, i akuzuar në rastin “Kleçka”. Kërkesën e tyre me argumente shtesë e kanë adresuar tashmë te shefi i EULEX-it, Xavier Bout De Marnhac.
Siç raporton RTK, letra adresuar drejtuesve të lartë të EULEX-it, që mban firmën e avokatit Karim Khan, sqaron pozicionin e mbrojtjes se prokurori i EULEX-it nuk ka imunitet para Gjykatës së EULEX-it.
Referuar nenit 7 të ligjit për imunitet të misioneve ndërkombëtare, sipas mbrojtjes është e qartë se një imunitet i tillë i atribuohet EULEX-it si entitet më shumë se sa individ dhe EULEX-i mund t’ia heq këtë imunitet nëse aplikohet.
Derisa e kanë cilësuar kërkesën modeste, mbrojtja ka sqaruar për shefin e EULEX-it se nuk është e domosdoshme që Salustro të dëshmojë në gjykatë.
“Çdo përgjigje me shkrim në këtë fazë do të ishte e mjaftueshme për mbrojtjen”, thuhet në letrën e avokatëve.
Pranimin e një kërkese të tillë e kanë konfirmuar edhe zyra për informim e EULEX-it.
Në një përgjigje të shkurtër përmes postës elektronike, EULEX-i thotë se ka pranuar një letër nga avokatët e Limajt, por ende nuk i ka kthyer përgjigje.
Përgjigja eventuale e shefit të EULEX-it në kërkesën e mbrojtjes ende nuk dihet nëse mund të interferojë procesin gjyqësor të paraparë të vazhdojë me 28 shkurt, në të cilën seancë do të trajtohet besueshmëria e dëshmive të dëshmitarit X. 

Bisedimet filluan

Raundi i ri i dialogut Prishtinë-Beograd ka filluar sot në Bruksel.
Kreu i delegacionit serb, Borislav Stefanovic, ka thënë se ekipi i Beogradit është i gatshëm për një marrëveshje që do të përfshijë kompromisin e të dyja palëve.
"Ne do të respektojmë Rezolutën 1244 dhe ne nuk presim që bisedimet të jetë e lehtë", ka thënë Stefanovic për “Beta”.
Ai gjithashtu tha se është e mundur që negociatat të vazhdojnë të enjten.
Sipas tij, pala serbe vonesën e ekipit të Prishtinës e ka shfrytëzuar për konsultime të gjera në Bruksel dhe për kontakte me Presidentin serb, Boris Tadic.
Shefja e ekipit negociator të Prishtinës, Edita Tahiri, dje ka hyrë përmes derës së pasme për të shmangur të gjitha kontaktet me gazetarët.
Stefanovic ka thënë se sot do të flitet edhe për një temë tjetër të rëndësishme: menaxhimin e integruar të kufijve.
"Interesi ynë është që vendkalimet të jenë funksionale, por që këtu të mos ketë asnjë element të kufijve shtetëror”, ka thënë ai.
“Nëse nuk ka marrëveshje, të gjithë do të humbin, përfshirë Prishtinë”.
Ndryshe, takimi në mes të Kosovës dhe Serbisë ka filluar në Bruksel në orën 10 të ditës së sotme. Burime të “Zërit” nga Brukseli bëjnë të ditur se ky takim do të vazhdojë gjatë tërë ditës së mërkurë.

Buja: SHIK-u u lind në Rambuje

Një ish-pjesëmarrës në Konferencën e Rambujesë e cilëson normale deklaratën e ish-shefit të Shërbimit Informativ të Kosovës, Kadri Veseli, se kjo organizatë u krijua pas marrëveshjes së gjerë ndërmjet përfaqësuesve shqiptarë në konferencën e paqes të mbajtur në vitin 1999.
Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Ramë Buja, ka konfirmuar se SHIK-u i ka rrënjët te marrëveshja ndërmjet tre liderëve politikë të asaj kohe.
“Në Rambuje, përveç marrëveshjes me palën ndërkombëtare, u nënshkrua edhe një marrëveshje ndërmjet anëtarëve të delegacionit të shqiptarëve, Hashim Thaçi, Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja, dhe Veton Surroi, si pjesë e veçantë e nënshkrimit”. ka thënë Buja për gazetën “Tribuna Shqiptare”.
Kjo marrëveshje nënkuptonte krijimin e një qeverie me të gjitha strukturat e veta. Dhe brenda tyre parashikohej që si çdo qeveri e botës, të ekzistonte edhe shërbimi informativ”. 

IPKO kujdeset për shkollimin e Amsera Rekës

IPKO ka vendosur t’i ndajë 10,000 euro për shkollimin e Amsera Rekës, vogëlushes 5 vjeçe, e cila ishte e mbijetuara e vetme e tragjedisë së Restelicës.
Për të mbijetuarën e vetme të tragjedisë së fshatit Restelicë, vogëlushen 5-vjeçare Amsera Reka, do të kujdeset kompania IPKO, e cila është zotuar se do ta mbështesë shkollimin e saj gjatë viteve të ardhshme.
Për më shumë, IPKO-ja është zotuar ta ndihmojë komunitetin e Komunës së Dragashit dhe t’i qëndrojë pranë duke e mbështetur atë në vazhdimësi.
Pas shpëtimit nga tragjedia e ortekut të borës në fshatin Restelicë, e mbijetuara e vetme, 5-vjeçarja Amsera Reka e ka përkrahjen e familjes së gjerë, e cila do të kujdeset për të, qytetarëve, por edhe të kompanisë IPKO, për një të ardhme të sigurt, edhe pse ajo do të jetojë pa prindërit e saj.
Kjo, pasi sot zyrtarët e kompanisë IPKO së bashku me kryetarin e Komunës së Dragashit, Salim Jenuzi, e kanë vizituar familjen e nënës së ndjerë të Amsera Rekës, së cilës i kanë premtuar se kompania e tyre ka vendosur të kontribuojë financiarisht për edukimin e saj formal gjatë viteve të ardhshme.
Nga donacioni në vlerë prej 10,000 eurosh, IPKO-ja do ta ndajë gjysmën e shumës për familjarët, të cilët kujdesen për Amserën, përkatësisht për kujdestarin e saj ligjor, ndërsa pjesën tjetër të mbetur të këtij donacioni do ta depozitojë në një bankë komerciale, dhe më pas kjo shumë do të mund të përdoret për shkollimin e mëvonshëm të Amserës.
“IPKO-ja ka vendosur që t’ju mbështesë juve dhe Amserën, që t’ua lehtësojmë sadopak kujdesin për mbesën tuaj dhe gjithashtu të kujdesemi që ajo do ta marrë shkollimin e merituar. Synimi primar i kompanisë është që ta mbështesë edukimin e vazhdueshëm të Amserës, ndërsa përkrahja jonë për të gjithë qytetarët e Dragashit, duke përfshirë edhe banorët e fshatit Restelicë, do të jetë e vazhdueshme”, ka thënë drejtuesi i marrëdhënieve me publikun në IPKO, Alban Kastrati. 

Rohan: Fusnota s'ka kurrfarë pasoje

"Në vendin tim, askush nuk thotë Republika Federale e Austrisë në takimet ndërkombëtare, shkruhet vetëm Austria", thotë ish-zëvendës kryengociatori i OKB-së në bisedimet për statusin e Kosovës, Albert Rohan.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ambasadori Rohan mendon se rasti i Kosovës nuk mund të krahasohet me atë të Maqedonisë, ndërsa tërë debatin për fusnotën e konsideron të ekzagjeruar.
“Rezoluta 1244 është ajo që është zbatuar së fundmi dhe sipas pikëpamjes sime është dokument historik. Ajo parasheh dialog politik për çështjen e statusit, ndërsa ky dialog është zhvilluar dhe ka rezultuar me deklaratën e pavarësisë. Prandaj, deklarata e pavarësisë në njëfarë mënyre është konsekuencë e kësaj rezolute. Unë me të vërtetë nuk e kuptoj insistimin e Serbisë që ta përmend këtë rezolutë, e cila i takon së kaluarës”, thotë Rohan
Sipas tij, kryesorja është që Kosova duhet të marrë pjesë në bashkëpunimin rajonal. Mënyra më e lehtë, thotë Rohan, do të ishte që ta shohim Kosovën si pjesëmarrëse, ndërsa sa për fusnotën të shkruhej ‘Nuk njihet nga Serbia’.
”Diçka e tillë do të ishte rrugëdalja më e lehtë. E tërë kjo është ekzagjeruar”, thotë Rohan, duke theksuar se fusnota nuk sjell pasoja, pasi askush nuk i lexon.
“Përmendja e ndonjë rezolutë të vjetër, që më nuk është në fuqi, është e dorës së dytë, në veçanti kur është e balancuar me Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës”, thotë Rohan.

Vetëm 1244-shi e GJND-ja në fusnotë

Dy temat e vetme të raundit të sot të bisedimeve do të jenë bashkëpunimi rajonal dhe zbatimi i marrëveshjes për menaxhimin e kontrolluar të kufirit (që BE dhe Serbia e quajnë menaxhim të pikëkalimeve).
Sa i përket bashkëpunimit rajonal, në BE pohojnë se janë afër arritjes së marrëveshjes për mënyrën sesi do të përfaqësohej Kosova në nismat rajonale, sikur edhe në takimet e BE-së me vendet e rajonit, raporton “Koha Ditore”.
Burimet e BE-së thanë se presin marrëveshje rreth formulës për pjesëmarrjen e Kosovës në nismat rajonale, përmes së cilës do të pranohet insistimi i Serbisë për përmendjen e Rezolutës 1244, por do t’i dilet në ndihmë Kosovës për të përballuar këtë duke përmendur edhe GJND-në.
Rreth përmendjes së Deklaratës së Pavarësisë, në BE thanë se „nuk janë të sigurt, por mund të gjendet ndoshta mundësia e një formulimi që do ta përmendte tërthorazi“.
Pala kosovare kishte paralajmëruar se gjithsesi do të përmendet edhe Deklarata e Pavarësisë nga 17 Shkurti i vitit 2008, ndërsa pala serbe kishte hedhur poshtë një gjë të tillë. Në BE ndërkaq nuk kanë dashur të konfirmojnë as se do të përmendet e as që nuk do të përmendet. Nga disa burime diplomatike mësohet se një prej mundësive është që të përmendet në pjesën e fusnotës ku do të përmendej Mendimi i GJND-së. 

1244-shi, barrierë për pranim në OKB

Diplomati shqiptar, Lisen Bashkurti, ka thënë se përfaqësimi i Kosovës në bashkëpunimet rajonale nëpërmjet një fusnote, në të cilën pritet të përfshihet edhe Rezoluta 1244, nuk është e rrezikshme.
Në intervistë për “Epokën e re”, Bashkurti ka thënë se krerët e institucioneve të Kosovës duhet t’i qëndrojnë besnikë Deklaratës së Pavarësisë së 17 shkurtit 2008, Opinionit të GJND-së dhe 88 shteteve të cilat e kanë njohur Kosovën.
“Kjo fusnotë nuk mund të rrezikojë, as të kërcënojë, as nuk mund të sjellë de facto asnjë ndryshim në statusin e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran”, ka thënë Bashkurti.
Sipas tij, Rezoluta 1244 në asnjë rast, as nga pikëpamjet de facto e as de jure, nuk e pengon subjektivizmin ndërkombëtar të Kosovës.
Megjithatë, Rezoluta 1244, thotë ai, do të krijojë një barrierë lidhur me pranimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.
“Kosova e ka rrugën e hapur drejtë Kombeve të Bashkuara. Nuk duhet ta shikojmë Rezolutën 1244 si një barrierë afatgjatë, por si një rezolutë transitive, e cila po shkon drejtë shuarjes”.