Nga 19 kandidatë për drejtor të PTK-së, vetëm 5 janë përzgjedhur në rrethin e ngushtë dhe janë intervistuar të martën. Ata janë Nuredin Krasniqi, Adnan Merovci, Ejup Qerimi, Bas Metolli dhe Rafet Jashari.
Lista e kandidatëve për pozitën e kryeshefit ekzekutiv të PTK-së është ngushtuar. Nga 19 kandidatë sa kishin konkurruar për të marrë timonin e kësaj ndërmarrjeje, vetëm pesë kanë hyrë në rrethin e ngushtë dhe janë intervistuar nga paneli përzgjedhës të martën.
Express ka mësuar se Bordi i Drejtorëve të PTK-së i ka ftuar për intervistë Adnan Merovcin, Ejup Qerimin, Bas Metollin, Rafet Jasharin dhe Nuredin Krasniqin. “Të gjithë kandidatët e përzgjedhur i janë nënshtruar intervistimit nga paneli përzgjedhës dhe brenda javës do të dihet se cili nga ta i plotëson kushtet për kryeshef ekzekutiv”, thotë një burim i gazetës brenda PTK-së.
Po i njëjti tregon se gjasat më të mëdha për ta marrë karrigen e drejtorit të PTK-së i ka Ejup Qerimi, pasi që ka mbështetjen nga politika dhe drejtuesit e Qeverisë.