IPKO kujdeset për shkollimin e Amsera Rekës

IPKO ka vendosur t’i ndajë 10,000 euro për shkollimin e Amsera Rekës, vogëlushes 5 vjeçe, e cila ishte e mbijetuara e vetme e tragjedisë së Restelicës.

Për të mbijetuarën e vetme të tragjedisë së fshatit Restelicë, vogëlushen 5-vjeçare Amsera Reka, do të kujdeset kompania IPKO, e cila është zotuar se do ta mbështesë shkollimin e saj gjatë viteve të ardhshme.
Për më shumë, IPKO-ja është zotuar ta ndihmojë komunitetin e Komunës së Dragashit dhe t’i qëndrojë pranë duke e mbështetur atë në vazhdimësi.
Pas shpëtimit nga tragjedia e ortekut të borës në fshatin Restelicë, e mbijetuara e vetme, 5-vjeçarja Amsera Reka e ka përkrahjen e familjes së gjerë, e cila do të kujdeset për të, qytetarëve, por edhe të kompanisë IPKO, për një të ardhme të sigurt, edhe pse ajo do të jetojë pa prindërit e saj.
Kjo, pasi sot zyrtarët e kompanisë IPKO së bashku me kryetarin e Komunës së Dragashit, Salim Jenuzi, e kanë vizituar familjen e nënës së ndjerë të Amsera Rekës, së cilës i kanë premtuar se kompania e tyre ka vendosur të kontribuojë financiarisht për edukimin e saj formal gjatë viteve të ardhshme.
Nga donacioni në vlerë prej 10,000 eurosh, IPKO-ja do ta ndajë gjysmën e shumës për familjarët, të cilët kujdesen për Amserën, përkatësisht për kujdestarin e saj ligjor, ndërsa pjesën tjetër të mbetur të këtij donacioni do ta depozitojë në një bankë komerciale, dhe më pas kjo shumë do të mund të përdoret për shkollimin e mëvonshëm të Amserës.
“IPKO-ja ka vendosur që t’ju mbështesë juve dhe Amserën, që t’ua lehtësojmë sadopak kujdesin për mbesën tuaj dhe gjithashtu të kujdesemi që ajo do ta marrë shkollimin e merituar. Synimi primar i kompanisë është që ta mbështesë edukimin e vazhdueshëm të Amserës, ndërsa përkrahja jonë për të gjithë qytetarët e Dragashit, duke përfshirë edhe banorët e fshatit Restelicë, do të jetë e vazhdueshme”, ka thënë drejtuesi i marrëdhënieve me publikun në IPKO, Alban Kastrati.